Gustave Klimt, shenjtori i epsheve artistike
Kujtesë në 150-vjetorin e lindjes së
piktorit
Nga Albert Vataj
Ndër më
të virtytshmit, ai ishte më mëkatari. Nga ithtarët e “shkëputjes vjeneze”, më i
pakapshmi. Ngjizi në jetë dhe në art një zotërim të ndjenjave dhe pasioneve. Anipse,
me vetëmohimin e një martiri, kumtoi seksualitetin si tharmin e magjisë në art,
ai nuk do të njëmendësohej me vetminë në rrugën e shërbestarit të ndjenjave të
stuhishme. Para, asokohe, në të pastajmen, tash në 150-vjetorin e lindjes, e
deri në të sosun, ai s’u step së kumtuari rolin e femrës dhe sensualitetin
kushtrues, si dimension i gjithëkohësisë artthënës. Gustav Klimt dallon nga të
tjerët, sepse ai i dha krahë muzës së ndjenjave, duke e transformuar femrën në
një limfë. Pa të, ai, thjeshtë nuk do të ekzistonte, dhe njiherash, do t’i
mungonte krejt brezave mushti i kësaj dehje magjepsjeje.
Kungim dhe kumt
Gustav
Klimt lindi më 14 korrik të vitit 1862 në Baumgarten, në rrethinat e Vjenës. I
ati, emigrant nga Bohemia, dështoi në zanatin prej argjendari dhe fëmijët e tij
u rritën në varfëri të skajshme. Familja e Klimt, ashtu si shumë të tjera vjeneze
të 1860, gulçonte nën thundrën e një jete në buzë të greminës së mjerimit. Ata ngjiznin
të tashmen e asokohshme në shtëpi të vogla, të errëta, duke ndryshuar shpesh
adresë, gjithnjë në kërkim të një strehe të lirë. Kur ishte vetëm 14 vjeç,
Gustav la shkollën, por arriti më pas të regjistrohej në një kolegj lokal për
art dhe punime artizanale. Në kolegjin “Bÿrgerschule”, aftësitë e tij artistike
u pikasën. Aplikoi dhe siguroi një vend në “Kunstgewerbeschule”, Shkollën e
Artit dhe Punimeve Artizanale në Vjenë, një prej dy shkollave publike në
kryeqytet. Ai ishte aq i talentuar, saqë fitonte duke hyrë në komisionet e
pikturave në shkollë. Krijoi një shoqëri me vëllezërit Ernst dhe me një student
tjetër, Franz Matsch. Deri në vitin 1890, kompania “Klimt-Matsch & Co.”
fitoi shumë me anë të komisioneve për ndërtesat e reja që ngriheshin. Deri në
fund të qëndrimit në “Kunstgewerbeschule”, Klimt së bashku me ortakët e tij
themeloi edhe një shoqëri artistësh, “Kÿnstlercompanie”. Kur u largua nga
shkolla në vitin 1883, Klimt dhe Matsch nisën të punonin me kohë të plotë për
të pikturuar me porosi. Klimt dëshironte të konsiderohej si një piktor i dekoracioneve
arkitekturore, një reputacion që vihej në dukej nga natyra e komisioneve të
hershme në karrierën e tij, ku përfshihen punimet në kisha, muzeume dhe teatër.
Disa seri pikturash si “Alegoritë” dhe “Emblemat” u prodhuan me kërkesën e një
pronari. Pas këtij suksesi iu bë oferta për një tjetër seri që u realizua në
vitet 1896-1900, ku përfshihet edhe “Tragjedia”. Në këtë pikturë, dolën në pah
elementë që do ta karakterizonin artistin në veprat e mëvonshme: zona të
përqëndruara në detaje, ngjyrat e arta, forma ndjellëse e femrës, simbolizmi
klasik dhe hapësira abstrakte. Në vitin 1897, ai ishte figura kryesore në
themelet e shkëputjes vjeneze, dhe pas pak vitesh ai kishte bërë përfaqësuesi
më i mirë i stilit modern. Në vitet e mëvonshme, ai tregoi një vlerësim të
avangardës, tendencave të ekspresionizmit. Talenti i jashtëzakonshëm i siguroi
suksesin e punës që përmbante materiale të ndryshme shprehëse në një përbërje,
duke kujtuar traditat gotike dhe bizantine, ndërsa gjithashtu duke parashikuar
artin multimedial të shekullit të 20-të.
Këqyrja e një peneli
Një
ngasje që të përfshihet stuhishëm në një gjendje, gjithnjë të mbarsura me pasion
dhe pjesëmarrje të vetvetishme. Në atë shtjellë shamatuese ndjenjash dhe
afshesh, nënshtrimi dhe dominimi seksual. Ky është sinopsi i gjithë çfarë mbërtheu
në sëmbim krijues, Gustav Klimt. Ai është në të gjithmonshmen e pranisë
artistike, vetëm brenda kësaj vorbulle, këtij shugurimi të epërm, të domosdosë
së njeriut për të guxuar dhe për të dëshmuar, se në jetën e tij, seksi dhe
femrat, janë përcaktues. Arti dhe familja gjithashtu, ishin dhe mbeten deri në
fund për mjeshtrin e madh, një domethënie botëkuptimi dhe shëmbëllimi sublim.
Marrëdhëniet poligame, 14 fëmijët me bashkëshorten, një yshtje kjo në shumë
prej kryeveprave që la pas, janë dëshmitarë të asaj që përcaktojnë veçorinë
dalluese të këtij kolosi të brendisë së emetuar në pikturë.
Dorëzanë i të bukurës “vrasëse”
Në
galerinë e pamasë të piktorit, është e kudogjendur ajo që do ta bënte këtë
penel, një admirim i gjithmonshëm, një kurth ku shkrehet çdo ëndje, joshja. Befas
ai e lë veten dorëzanë i ngazëllimit të seksit, i femrës dhe sensualitetit në tërësi,
i asaj bukurie “vrasëse” që u bë njiherash dhe ngjizja e embrionit të gjeniu. Koloriti
i zgjedhur, teknika e përdorur, përmasat dhe kumti i ligjërimit, ofrojnë bashkë
me personazhin femër, universin e koduar të marrëdhënieve. Fillimisht të vetë
Klimt, e në vijimësi të femrës më realitetin seksual, me filozofinë e
funksionimit të marrëdhënieve me meshkujt. Ai përgjon brenda vetes, si të
mjaftueshme rrëmetin e përvojave, duke i vendosur ato kudo, si subjekt, ngjyrë,
linjë, dritëhije a sfond. Gratë e jetës së tij u përfshinë në subjekt dhe
impresion, mesazh dhe dekodim, në sfond e në kënd, në ngjyrë e në formë. Klimt
vetëm sa konstatoi dhe nuk nguron të na e rrëfejë, atë që ishim, jemi dhe do të
mbetemi të njëmendtë. Femrën, dhe gjithçka që ajo është e destinuar të ofrojë e
transformoi në një nocione soditëse. E gjitha kjo, që magjia të mos mbetet një
trill, një vegim, por një realitet. Ai e gostit atë para nesh të gatshme të
ofrohet dhe secili ndër ne të jepet.
Simbolizmi si gardërobë
Në
pikturën e Klimt, veshjet nuk mbulojnë, ato përdoren qëllimisht për të zbuluar,
për të dramatizuar situatën, për të kallur misterin e joshjes. Dhe këtë e bën
duke e ndërfutur lakuriqësinë nën poren delikate të qëmtesave simboliste.
Kulturave të ndryshme, Klimt u merr elementet, si bima tokës, për t’i derdhur
jo dhe aq shkujdesur mbi tablo si stoli, si ojna, si ornamente. Stolitë që i nderen
përqark atij kurmi, janë pjesë nga armatura e kahershme e mashkullit të
destinuar, e partnerit, të cilit nuk i mjafton vetëm prania. Etja prehistorike,
që e djeg përbrenda, që e ysht ngutas, kërkon gjuhë të shprehet, simbolikë të
komunikojë, të dëshmojë tash, atë që u tha dhe mbase nuk e dëgjuan prej
Egjiptit deri në Bizant. Tash kur mbetemi soditës, muzat e Klimtit i kanë hequr
bashkë me petkat dhe mëdyshjet, dhe po presin. Këtë pritje e lexon sekush në
sytë që shohin përmbytas. Mrekullia grua është e aty, e gatshme për t’iu dhënë
çdo soditjeje.
Ndërdyshja njerëzore
Ndërsa
kureshtia dhe ama e adhurimit shkulmon prej dritës dhe zbrazësisë,
abstraksionit dhe formave të tendosura në simbolizëm, ndjehet një frymëmarrje
që shtërzen, një gulç që copëzohet e merr formë të avullt që rrethon subjektin.
Kjo duket se ka lidhje me një ankth të brendshëm të artistit. Frika nga rreziku
i tërheqjes seksuale, nga ana shkatërrimtare e një femre dhe mbi të gjitha,
vuajtjen në sensin frojdian. Gjithëpoaq, Klimt s’ndalet. Gjithnjë e bukura ka
diçka tjetërqysh pa thënë, epshi të tjera shkulme premton, yje pafund që i
ndrijnë vagullt, në natën që i varet mbi, si një mantel. Me vullnesën për të dëshmuar,
si shërbestar i zellshëm i ndjenjave dhe të bukurës, nuk e shohim të struket
pas skutave të errëta e kurtheve që i ngre pasioni. Zëshëm ai ligjëron dhe këtë
e bën bujarisht me ngjyrat që e shpërfaqin kjartazi para kureshtisë sonë.
Gjithnjë brenda vetes
Vetvetja
i duket e mjaftueshme, dhe ashtu e lexojmë në punët e tij, në marrëdhënie me
femrat, pasionin, seksualitetin, epshin dhe ndjesinë e dominimit prej këtij dimensionin
ekzistencial. Klimt, me gjasë, s’kishte shumë më shumë se të tjerët për të thënë
për seksin, për marrëdhëniet me femrat, për magjinë që kumton pasioni i shkulmeve
uturitëse të gjakut dhe kurmit. Ai “guxoi” që tabutë t’i kthente në shprehje
estetike, në marrëdhënie artistike, një dimension të ri komunikimi për botëkuptimin
e atëhershëm e të mëpasshëm. Dalldia seksuale duket se pasi ka mbushur deri në
buzë pasionet babëzitëse të tij, pjesa që derdhët është jo më pak zjarrvënëse,
ndjellëse, ngasëse, përjetuese, se krejt ajo masë që mbush e çmbush pa pushim
atë. Duke e mëtuar kohës gjënë që kishte më të shtrenjtë, dhe duke e bërë këtë
si kurrkush tjetër derimëtash, jo vetëm guxoi dhe e pësoi, por ngulmoi dhe mbërriti.
Po, përnjëmend mbërriti në atë piedestal që as ai vetë nuk e bluante në
hamendjen e qasjeve për lavdi, që kaq të qëllimshme mbarteshin asokohe.
Dimensioni i artit “Klimt”
Gustav
Klimt ishte një personazh i rafinuar dhe enigmatik, tekanjoz dhe ngulmues. Dukshëm
pikasim në punët e tij penelin e ndjeshëm të peizazheve, qëmtimin e hollë dhe sensuale
të mëtimit dhe kumtit artthënës. Në ciklet murale, ai dëshmon një kombinim të
patëdytë i abstraktes dhe iluzionit dhe një aprovim i harmonishëm i elementeve
të subjektit promovues brenda dimensionit artistik dhe estetik dhe ornamenteve.
Në këtë qasje të pazakontë të kohës dhe mendësive, me të cilat u desh të
përballej, ai e gjen veten, ndërsa ngjitet ngultas për nga kreshta e
madhështisë, si vepër dhe si përvojë e një fund dhe fillim shekulli. Portretizimi
i mjeshtrit është gjykuar të jetë i papërpunuar, i pamëshirshëm, dhe erotik.
Kjo ishte çështja e tij. Subjektet e korpusit artistik, burrat lakuriq, të moshuarit,
dhe gra të kapluara nga disponimi seksual, të gjithë janë të shtjelluara me një
ngarkesë emocionale me densitet të lartë. Ai u përkushtua zellshëm në ndërtimin
e imazheve me tipare të dukshme bizantine, ku dominon njëherësh dhe
abstraksioni simbolist. Etja në të kallur, u shoqërua prej një periudhe ku vërejmë
se punët e Klimt do të jenë të shprehura nëpërmjet kompozimit piramidal. Tashmë
ata janë të përmbytur me kthesa dhe spiralet, me vorbullat mistike dhe forma të
ndryshme të ndritshme. Një botë e krijuar rishtazi duket rreth figurave qendrore.
Josh shikuesin drejt thellësitë e pandërgjegjshme dhe labirintet e mendjes.
Gjithëkohësi përjetuese
Edhe
sot në 150-vjetorin e lindjes, loja me ngjyrat, ngulmi dashtazi në lakuriqësinë
fizike dhe shugurimi i rrëmetit të ndjesive, të gllabërojnë. Një amë
magjepsjeje që çliron si energji prej së brendshmi të depërton si një energji
dritimi. Sot, edhe sot, janë përjetuese, ngjethëse, joshëse, tunduese, mëkatare,
si atëherë punët e mjeshtrit. Druhesh të ndalesh para tyre, si para një bukurie
ngasëse, sepse jo gjithnjë je gati të jepesh. Detajet e kumtit dhe mëtimeve
shprehen në një shumësi punësh nëpërmjet lakuriqësisë që zotëron një pushtet
shprehie provokuese. Sfida e tij erotike është edhe për të jo më pak telendisëse.
Nuk i shmanget përleshjes dhëmb për dhëmb me kohën. Terreni, megjithëse nuk ia
kurseu lëvdatat dhe trofetë, nuk u njëmendësua me kungimin e tij sentimental,
etik dhe estetik, nëpërmjet erosit. Forca gllabëruese e femrës në pikturën e
Klimt, e ka të përcaktuar qartë pozitat e saj, atë të dominimit, dhe e nis ta
bëjë këtë duke sfiduar që nga tabloja.
Nga tabloja në tablo
Klimt
është i paparashikueshëm, te “Judith ose Salome” ai e gozhdon publikun para një
"orgazme vrasëse" në praninë e një joshje fatale, në vend të
portretit të një gruaje të virtytshme. Te “Frizën Beethoven”, një shpërthim
estetik i jashtëzakonshëm i Klimt e përjetojmë edhe sot. Parajsa mbetet një nga
motivet më të rëndësishme që shpërfaqet nën dominimin e një të arte diellore. Seksualiteti,
dëshmimi, pjesëmarrja e vendosin shumësinë e pranisë në një sfond që nuk resht
së vërshuari edhe sot. Për t’u hedhur te “The Kiss”, e cila është nga emblemat
e Gustav Klimt. Një dashuri në ekstazë, të cilës i hidhet mbi lakuriqësi të
epshme një mantel i florinjtë, stolisur me një gjuhë simbolike, thellësisht
erotike. Thua se ka rrëmuar të gjitha kulturat dhe ka nxjerrë së andejmi
mëtimet abstrakte të simbolizmit që kumtojnë pasionin e zanafillës, elementin
bazë të krijimit, seksin. Trupat i përthyen në densitetin e përqafimit. I
mbërthen me gishtërinj të stërgjatë e kurmet që i zgjat joshja. Burri në
ngulmin për të dominuar, e ka vënë përfund objektin e joshjes së tij të epërme.
Femra është përthyer në gjunjë, duke ngasur afrinë dhe gatishmërinë për t’u
dhënë. Shkrehja e saj lexohet në portretin që është fikur në zjarrin e brendisë,
ku ajo po tretet. Në ngulme që nuk ndalen nga puna në punë, Gustav Klimtin, dallon
prej tjetërkujt, teksa bashkon disa figura, të cilat i trajton po aq
shkujdesshëm në telajon e bollshme sa dhe simbolet. Ai i vendos personazhet në hapësira
që zbrazësinë e lëmojnë me një ngulm të rrafshët si jehonë e errët dhe boshe.
Zanafilla dhe amshimi i kumtit
Bota
Klimt është e mbushur me polen dhe pistil, embrione dhe spazma, ereksion, spermë
e ofshamë, të gjitha këto të veshura me natyrshmërinë e vetë ngulmit artistik
të piktorit, me lakuriqësinë dhe paturpësinë e dëshmimit. Në hapat fillimor
veprat e tij u rrokë nga pasioni i një dëshire për t’u promovuar, u stolisën me
ceremoniale entuziazmi dhe pritën me adhurim fisnik, duke u bërë kështu një
imazh vjenez, një joshje e kureshtisë së zonjave të asokohshme. Ky trokth e
përkundi deri kur ai pa tek erotizmi hapat vendimtarë të ngjizjes së punëve të
tij në piedestalin e kryeveprave. Ishte koha kur mendësitë dekadente dhe
hipokrizia viktoriane skërmitnin dhëmbët. Synimi drejt kreut ia mbushën rrugën
me gropa të thella dhe vramëndje të mëdha. Mitin e tij në embrion e sulmojnë
skandalet periodike, si në rastin e pikturave të tij në Universitet, i cili më
në fund duhej t’i hiqte. Edhe pse Perandori Franz Josef I, e kishte nderuar
Gustav Klimt me “Urdhrin e Artë e Meritës”. Klimt vendos të rebelohet, të
dëshmojë vetveten: "Mjaft prej censurës ... Unë dua të largohem ... unë
refuzoj çdo formë të përkrahjes nga shteti, unë do të bëj pa të..."
Femra dominuese
Në
traditat të ndryshme, boshti vertikal është relativisht mashkullore (yang) në
krahasim me boshtin horizontal femërore (yin). Këtu, Klimt ndryshoi simbolikën
tradicionale dhe përshkruar qartazi dhe ngulazi nga njëra punë në tjetrën, në
të shumtat pothuajse, ndikimin zotërues dhe dominues të gruas ndaj burrit. Kjo
epërsi e gruas, ishte jo vetëm një nga temat e mëdha të fundshekullit, por dhe kurajë
kalorësiake e këtij bohemi artistik. Klimt, siç dhe mëton në një perifrazë të
tij se "I gjithë arti është erotik", në veprën që la, deshifrojmë
huazimin e marrëdhënieve mashkull-femër nga gjuha simbolike e ëndrrave. Një
hapësirë e zbrazët e ndjek. Një zbrazësi e frikshme, e mbushur me makth dhe
panik, me aludimin e dështimit dhe ndarjes. Femra që ka marrë në dorë frerët e
zotërimit të brendisë së mashkullit e ngjeth piktorin, e vë në dyshim potencën
e tij seksuale, gjithnjë shikon pas në pamundësitë dhe zgafellet që ka mbjellur
deri aty. Kjo është një ëndërr. Mbase, por zbrazësitë ku ai hedh yjet e tij të
shndritshëm të dominimit dhe të skllavërisë së vullnetshme, kumtojnë atë ndjesi
të çmbushur që ndjell. Nga ana tjetër
kjo hapësirë e vrenjtur, pakaherë me kolorit të çelur e mbush me dritë dhe
ndjesi kumtin. Megjithëse Klimt është përpjekur t’i mbushë këtë gojë të
stërmëdha gllabërimi, me simbole dhe zbukurime, ata shpesh i ngjajnë afreskeve
të gozhduar në një mur manastiri ku s’ka rënë dritë kurrë dhe ky myshku dhe
errësira e mbajnë atë si një shkëlqim që nderet mbi supet e natës.
Klimt për vete dhe jo vetëm
Klimt
njihej nga të gjithë si një njeri fjalëpakë, por një prej deklaratave të tij
është një dritare e rrallë për perceptimin e brendshëm të artistit. “Unë mund
të pikturoj dhe të vizatoj. I besoj vetes dhe të tjerët thonë se e besojnë
këtë. Por, nuk jam i sigurt, nëse kjo është plotësisht e vërtetë. Vetëm dy
gjëra janë të sigurta: Nuk kam pikturuar kurrë veten. Nuk jam i interesuar te
vetmja ime aq shumë sa jam i interesuar te të tjerët, veçanërisht femrat. Jam i
bindur se nuk jam dhe aq interesant si njeri. Nuk kam asgjë të veçantë, jam një
piktor që pikturon çdo ditë, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Pikturoj figura dhe peizazhe,
më pak portrete. Nuk kam dhuntinë e të shkruarit apo të shprehurit, veçanërisht
nëse më duhet të flas për veten ose për punën time. Edhe kur kam për të shkruar
një letër të thjeshtë më kap frika dhe ankthi si të më kishte zënë deti. Për
këtë arsye njerëzit duhet të bëjnë edhe pa një autoportret artistik apo letrar
e nuk duhet t'u vijë keq për këtë. Ai që do të dijë më shumë për mua si artist
duhet vetëm të shohë pikturat e mia, të përpiqet të kuptojë brenda tyre se kush
jam dhe se çfarë dua të bëj unë. Në këtë punë e kaluara jeton tani”.
Ekspozohet në Vjenë koleksioni i
Gustav Klimtit
Në 150-vjetorin
e lindjes, piktori i gjendjeve dhe impresioneve të derdhura në art, Gustav
Klimt, i ofrohet një përkujtim vjenez, përplot shkëlqim dhe madhështi. Viti
2012, ishte për austriakët, vjenezët në veçanti dhe gjithë mbamëndjen dhe shijet
e holla e plot sharm, viti i Klimt. Muzeu i Vjenës, Austri, me rastin e
ditëlindjes së 150 të Gustav Klimt, duke filluar nga data 16 maj e deri më 16
shtator, do të prezantojë ekspozitë me titull "Klimt, Koleksioni i muzeut
të Vjenës". Muzeu, i cili ndodhet në kryeqytetin austriak, jo vetëm se
posedon koleksionin më të madh të Gustav Klimtit në botë, por njëherësh është
pronar i veprave të artit, më të llojllojshme të tij. Aty përfshihen të gjitha
periudhat e krijimtarisë, duke filluar nga koha e studimeve dhe hapave të tij
të parë në vitet e largëta 1880 e deri në vitin 1918 që ishte një vit para se
ai të ndërronte jetë. Midis pikturave, të cilat do të ekspozohen gjatë asaj
periudhe kohore janë edhe pikturat "Pallas Athene" dhe portreti i bashkëshortes,
Emilia Fleg. Në këtë koleksion, para së gjithash, ndodhen rreth 400 vizatime,
por edhe pllakatin skandaloz të pacensuruar për ekspozitën e parë në Secesi,
mantelin, të cilin e mbante gjatë pikturimit vetë Klimt, material më të shtypur
me vlerë, maska të ndryshme, si dhe vizatimin e Egon Shilei. Kësaj radhe nuk do
të zgjidhen se çfarë do të ekspozohet e çfarë jo, pra nuk është bërë ndonjë
përzgjedhje se cilat nga pikturat do të ekspozohen e cilat jo, por kësaj radhe
do të ekspozohet "Klimti si tërësi". Ekspozita në video-intervistat
shpesh bëhet provokuese kur kemi të bëjmë me ato që do të kishte bërë sot Klimti,
si dhe mes tjerash shtrohet pyetja se ku është kufiri midis qytetit të
suksesshëm të "Vjena në vitet" dhe dozën e tepruar të Gustav Klimtit.
Pos kësaj, gjatë kësaj ekspozite do të mund të shihen edhe produktet komerciale
që ndërlidhen me Klimtin, të cilat viteve të kaluara ishin blerë si koleksion.
Ekspozita është plotësuar edhe me pllakatet nga bibliotekat e Vjenës, të cilat
tregojnë paraqitjen e Klimtit në shekullin e kaluar. Kjo ekspozitë është mjaft
interesante dhe, sipas artistëve, është një ekspozitë shumë origjinale. Vetë
periudha e gjatë kohore e shfaqjes së ekspozitës dëshmoi se sa shumë vizitorë morën
pjesë në muzeun e Vjenës dhe sa shumë njerëzit janë të interesuar për veprat e
Gustav Klimt.
Epilog
Klimt e
paraqiste historinë si një pjesë të vetes dhe veten si pjesë të Vjenës, mendësisë
dhe kurajës, që u bë shkas të mbajë atë lart, në piedestal. Ai punoi dhe jetoi
vrullshëm. Si në art ashtu edhe në shpirt, ndezi stuhi pasioni dhe u formësua
si ndriçim nga shndritja e përjetimit. Për të gratë ishin shumëçka, si në
shtrat ashtu edhe në telajo. Ofshamat i hodhi në pikturë me të njëjtin densitet
sa dhe netët vjeneze seksualitetin. Jetoi në çdo moment si i dalldisur nga
pasioni për të bukurën. Krisjet në shpirt nuk ia kurseu as krijimtaria dhe as kënaqësia.
Ai është vetëm ai që ne e kundrojmë në pikturat e tij, si atëherë edhe sot në
150-vjetorin e lindjes. Gustav Klimt, nisi, vazhdoi dhe sosi së shtruari deri në
përjetësi udhën e tij të madhështisë.
Comments
Post a Comment