Zbulimi i rrënojave të një objekti kulti mesjetar, Kashari shpallet zonë në mbrojtje



Në fshatin Kus të komunës Kashar pikërisht në kodrën e “Qafë Qishës” kanë dalë në dritë katër objekte të rralla. Bëhet fjalë për rrënojat e një kishë mesjetare, një xhami mbi 300-vjeçare që njihet me emrin Xhamia e Kusit, një kishë që ndodhet në pronat e fisit Musteqja dhe një varrezë antike. Agjencia e shërbimit arkeologjik pranë Ministrisë së Kulturës e ka shpallur si zonë në mbrojtje dhe së shpejti pritet që të nisin gërmimet për të parë potencialin arkeologjik, i cili jep të dhëna më të sakta rreth objekteve. Drejtori i drejtorisë rajonale të Monumenteve të Kulturës, Arbër Kadia, thekson se zbulimi i këtyre objekteve është i rrallë për rrethinat e Tiranës. “Pas zbulimit të katër objekteve të veçanta; Kisha mesjetare, Xhamia e Kusit mbi 300-vjeçare, rrënojat e një kishe tjetër që është pronë e fisit Musteqja, janë zbulime të rralla për rrethinat e Tiranës”, - pohon Kadia. Sipas tij, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik pranë Ministrisë së Kulturës e ka shpallur si zonë në mbrojtje. “Kjo zonë është shpallur si zonë në mbrojtje për shkak parandalimin e gërmimeve pirate, pasi mund të dëmtojnë objektet”. Ndërkohë që komuna Kashar do të merret me pastrimin e zonës, me qëllim lehtësimin e punës së arkeologëve.






“Së shpejti pritet që arkeologët të fillojnë gërmimin për të verifikuar edhe potencialet arkeologjike që mund të ndodhen kryesisht në rrënojat e kishës mesjetare, e cila në mënyrë fragmentare ka një mur prej 1 metër lartësi dhe pjesërisht është e mbuluar nga bimësia. Përmasat e saj janë 16 me 7,5 metra, ndërsa gjerësia e mureve është 65 cm”, - u shpreh Arbër Kadia.
Xhamia
Rreth 500 m në vijë ajrore, në majën e një kodre tjetër, më të lartë se kodra e Kishës, ndodhen rrënojat e një Xhamie, e cila rezulton se është prishur në vitin 1967. Objekti i quajtur nga banorët e zonës “Xhamia e Kusit” ruan konturet e rregullta të planimetrisë, hapësirat e dritareve të katit të parë, si dhe elementë të tjerë arkitektonik. Xhamia ndodhet në zonën e varrezave të vjetra dhe të reja të fshatit Kus.
Varreza antike
Objekti i fundit që u verifikua nga grupi i punës është në zonën e fushës së Zaltës. Sipas grupit të punës, kemi të bëjmë me një varrezë antike ku në vitet ‘50-‘60, janë zbuluar nga punimi i tokës ose gërmime të rastit, objekte të rëndësishme arkeologjike nga banorët e zonës. Pikërisht, në mes të fushës ku janë gjetur me shumicë objekte të varreve antike, ndodhet një kodër ku specialistët mendojnë se është një tumë. Sipas drejtorit të Monumenteve të Kulturës, është bërë dokumentimi paraprak i objekteve, të cilat së bashku me raportet dhe rezultatet e sondazheve do të paraqiten në mbledhjen e afërt KKA-së.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk