‘Zonja e zezë’ e Fahri Balliut botohet në gjuhën çeke
Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të viktimave të
komunizmit në Çeki, shtëpia botuese “Nase Vojsko”, hedh në treg për lexuesin
monografinë “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha”, të shkrimtarit dhe publicistit Fahri
Balliu, si homazhin më të mirë për të njohur një të kaluar të errët, siç ishte
komunizmi shqiptar.
Botimi i këtij libri në gjuhën çeke është një moment i
rëndësishëm për librin shqip, i cili është i rrallë në këtë gjuhë. Libri është
përkthyer nga Hana Matousu dhe Ilir Allushi dhe vjen për lexuesin nën një kurim
tepër të kujdesshëm dhe luksoz nga shtëpia botuese “Nase Vojsko”. Ashtu si në
të gjitha botimet dhe botimi çek, shoqërohet nga parathënia e shkrimtarit
Ismail Kadare.
“Gratë e diktatorëve kanë pasur fate të ndryshme, disa prej
tyre kanë qenë viktima, si gruaja e Stalinit, e cila iu kundërvu gjithmonë
egërsisë së regjimit që kishte vendosur i shoqi, të tjera kanë qenë po kaq
keqbërëse sa burrat e tyre, e një rast spikatës mishërohet te zonja Mao, por
edhe pse më pak e njohur se këto, Nexhmije Hoxha ishte më e poshtra ndër të
gjitha, mund të themi se qe më e keqja”.
Pas suksesit të jashtëzakonshëm që ka njohur në tregun
shqiptar me disa edicione të veçanta botimesh, që kur libri u botua për herë të
parë, libri i publicistit Fahri Balliu “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”, është
botuar në disa gjuhë. Prezantimi i parë me lexuesin perëndimor i librit “Zonja
e Zezë Nexhmije Hoxha”, ka qenë publikimi i editorit franko-zviceran “Favre”,
më pas ka ardhur përkthimi në anglisht, botimi në rumanisht, nga botuesi më i
madh në vend, “Humanitas”; në maqedonisht nga shtëpia botuese “Serembe”; dhe në
turqisht nga enti më i madh botues në vend “Hayat”.
Për vetë mënyrën sesi shkrimtari Balliu analizon një nga
personazhet kyç të diktaturës komuniste në Shqipëri, siç ishte e veja e
diktatorit, Nexhmije Hoxha, libri vijon të jetë interesant për lexuesin. Për
shumë kritikë, përfshi dhe kritikat e fundit nga shtypi çek, libri është një
nga rrëfimet më të mira të bëra ndonjëherë për komunizmin. Libri konsiderohet
si një akuzë e gjallë ndaj krimeve të komunizmit, si mënyra më e mirë për të
kuptuar një filozofi të frikshme me të cilën jetuan disa vende të Ballkanit. Libri
është një vepër esenciale për të kuptuar Shqipërinë aktuale, për të kuptuar
këtë realitet, të shpërfaqur përmes ndriçimit që u bëhet shkaqeve që prodhuan
traumën që provuan shqiptarët gjatë diktaturës së Enver e Nexhmije Hoxhës.
Comments
Post a Comment