Elia Zaharia: Jeta ime mes Francës dhe Shqipërisë, u riktheva për Princ Lekën
Pasioni për aktrimin dhe
lirshmëria që e karakterizon e bëjnë të jetë mjaft e këndshme gjatë bisedës
paraprake. E entuziazmuar dhe plot pasion rrëfen jetën e saj mes Francës dhe
Shqipërisë deri në këto momente. Kjo është aktorja Elia Zaharia, një emër tashmë
i njohur dhe premtues i skenës shqiptare. Në një intervistë për “Koha Jonë”,
Elia Zaharia rrëfen fillimisht rolin që do të sjellë për herë të parë në
Teatrin Kombëtar të Komedisë me regji të Erion Kames, fillimet e saj si artiste
pranë Liceut Artistik, zhvendosjen e saj në Francë dhe eksperiencat që ka pasur
si aktore pas disa vitesh studime, lidhjen e saj të ngushtë me familjen dhe
sidomos me nënën e saj “Mjeshtren e Madhe” Yllka Mujon, pasionet e saj, si dhe
projektet që do ta ndjekin në vazhdim. Përveç pasionit për teatrin, Elia është
mjaft e dhënë edhe pas kinematografisë, pikturës dhe muzikës, zhanre arti ku
ajo ka spikatur që më herët. Disa nga rolet e saj më të spikatur janë: “Honeymoons”
nga Goran Paskaljevic në vitin 2008, roli i parë në “Solitaire” nga Bahram Gueranfar,
roli i parë në Shqipëri në filmin “Lule të kuqe, lule të zeza” nga Melvan
Shanaj, film i nderuar me çmimin e parë në 2004-n në Festivalin e Filmit
“Indipendent” në New York Muzikë, etj.
Elia, prekni për herë të parë skenën e Teatrit të Komedisë që nga
ringritja. Roli që ju do të interpretoni para publikut iu është besuar nga
regjisori Erion Kame. Si ndiheni?
Roli që më është besuar, është
mjaft interesant, shumë i vështirë, pasi që në fillim është roli i një femre me
personalitet të dyzuar, midis martesës dhe një lidhje jashtëmartesore, e cila e
tundon. Portreti i kësaj femre shfaqet i paqëndrueshëm, nuk i ka idetë e qarta.
Të dyja polet e tërheqin shumë fort, nga njëra anë keqardhja, rutina dhe gjithë
ato vite të jetuara me bashkëshortin, dhe nga ana tjetër dashuria e re që i
premton një të ardhme më pak monotone. Që kur më është propozuar roli nga
Erioni, më ka intriguar e gjithë komedia dramatike dhe jo vetëm personazhi që
unë kam marrë përsipër të sjell për publikun e Teatrit të Komedisë. “Dashuri e
harruar” është një komedi situatash, e vizatuar me karaktere të veçanta.
Absolutisht është një komedi që do të gjente publik në çdo teatër ndërkombëtar
për shkak të linjës që mbart, sepse është një problematikë që mund të vendoset
në çdo skaj të globit.
Portreti i një femre të dyzuar është një sfidë për sa i përket femrës
shqiptare?
Kjo komedi dramatike dhe vetë
autori ka goditur mjaft mirë tek të gjithë personazhet. “Dashuri e harruar” i
flet të gjithë brezave dhe kohërave. Portreti i kësaj femre nuk i flet vetëm fenomenit
social shqiptar, ajo është prekur dhe nga fenomenet në Francë, Angli, Amerikë
etj. Kudo që të shkosh do të përballesh me fenomene jashtëmartesore apo
personalitete të dyzuara. E bukura e kësaj komedie është se autori dhe
regjisori i kësaj shfaqje e ka trajtuar në mënyrë komike. Mesazhi i veprës
depërton tek publiku me anë të batutave dhe të qeshurës, kur personazhi
rrëfehet në këtë mënyrë është më i drejtpërdrejtë, dhe e qeshura vetë të krijon
një hapësirë duke thithur më kollaj informacion. Është shumë e rëndësishme që
mesazhet që ne duam të japim të vijnë nëpërmjet humorit.
Përveçse një aktore e skenës, tashmë jeni dhe në panelin e gjykimit. Për
herë të parë ju jeni pjesë e jurisë së Festivalit të Rinjve...?
Kam parë shumë pak festivale që
mbahen për të rinjtë në Shqipëri, ndoshta arsyeja se për shumë kohë nuk kam
jetuar këtu. Më pëlqen që ka filluar që të rinjve t’u jepet dorë, pasi ato
sjellin energji dhe dinamikë, për të cilën teatri ka nevojë. Mendoj që
iniciativa të tilla duhet të vazhdojnë të ndiqen në mënyrë që t’u jepet hapësirë
dhe artistëve të rinj. Ftesën për të qenë pjesë e jurisë së Artistëve të Rinj e
pranova pa asnjë lloj hezitimi, aq më tepër që mu duk e qartë që në fillim se në
juri ishin emra që kanë dalë dhe janë vlerësuar nga i njëjti festival vite më
parë. Juria përbëhet nga Andia Xhunga dhe Lorin Terezi, dy regjisorë të rinj të
dalë nga ky festival me çmime të para. E veçanta e këtij bashkëpunimi ishte se
ishim në një mendje për zgjedhjet, nuk është se kishte debate për të përzgjedhur.
Pak a shumë notonim në të njëjtat ujëra. Mendoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur,
iu kemi dhënë prioritet trupave dhe regjisorëve që vinin për herë të parë në
festival për t’u lënë mundësinë të shprehen, ndërkohë ka pasur dhe disa kritere
të vëna që në fillim të konkursit që iu kemi qëndruar me rigorozitet. Gjashtë
pjesët fituese mendoj se do të krijojnë një mozaik shumë interesant në
festival; dy drama shqipe të shkruara nga vetë autorët pjesëmarrës, kemi komedi,
drama, mendoj se do të kemi një festival cilësor nga të rinjtë.
Karriera juaj artistike ka nisur që në fëmijëri në Shqipëri. Si e keni
parë veten mes Shqipërisë dhe Francës?
Roli i parë në Shqipëri ka qenë “Lule
të kuqe, lule të zeza” nga Melvan Shanaj, ky ka qenë aktiviteti i parë dhe i
fundit për sa i përket aktrimit, pastaj jam marrë me këngën dhe pikturën, por
janë projekte të tjera. Me ikjen në Francë nisa konservatorin “National de la
Région de Bordeaux” për art dramatik, duke pasur më vonë me “Cours Florent”, shkollë
private aktrimi për sa i përket teorisë së aktrimit etj. Gjatë gjithë kohës, unë
jam marrë me kurse teatrale, kemi formuar trupa teatralë në të gjithë shkollat
dhe kemi përgatitur dhe marrë pjesë në shumë shfaqje, kemi marrë pjesë në
Avinjonit. Kam pasur një jetë intensive, edhe pse duhet të bëja punë të tjera për
të jetuar, por edhe teatrit nuk i jam ndarë për asnjë moment. Ndërsa, kur kam
ardhur në Shqipëri kam pasur fatin e madh të luaj në skenën e Teatrit Kombëtar,
pasi kjo skenë më ka frymëzuar për të ndjekur këtë profesion që në fëmijëri.
Oborri i teatrit ka qenë tribuna e aktrimit për mua, pasi çdo pasdite vija duke
shoqëruar mamin (Yllka Mujon) në prova. Për mua ishte një ëndërr shumë e madhe
që të prekja skenën e Teatrit Kombëtar, madje kur isha në Francë mendoja se nuk
do ta arrija kurrë këtë qëllim. Absolutisht, e kam thënë dhe herë të tjera, sadisfaksioni
kur aktori interpreton në gjuhën e vet nuk ka kufij, është emocion shumë i
madh. Ashtu siç shumë artistë kanë marrë kënaqësinë në skenat botërore, si në Shqipëri
nuk janë ndjerë kurrë. Një shembull është Inva Mula. Unë e kam parë në Francë
dhe në Shqipëri, emocionet që Inva ka marrë në skenën shqiptare nuk i ka
rrëmbyer në asnjë skenë tjetër.
Pas atyre viteve eksperience, çfarë ju ka pëlqyer më shumë në Francë?
Në Francë, më ka pëlqyer ideja që
puna sjell përfitimin dhe nuk është përfitimi që do të sjellë punën. Që do të
thotë; Aktorët e rinj bëhen bashkë dhe i besojnë një projekti deri në fund dhe
pastaj biletat që shiten është përfitimi i punës së bërë. Ndërsa, në Shqipëri është
e kundërta. Për t’i ofruar rol dikujt, do t’i ofrosh një shumë parash, është një
sistem ndryshe nga Franca.
Aktoret Timo Flloko dhe Elia Zaharia, duke interpretuar ne dramen "Shtrigat e Salemit" e Arthur Miller, me regji te Spiro Dunit, ne Teatrin Kombetar. |
Zgjedhja që unë bëra në ato
momente ishte absolutisht e lidhur me zgjedhjen personale që bëra në jetë.
Fakti që u fejova me Princ Lekën, njëri nga ne të dy duhet të bënte një kthesë
360 gradë. Absolutisht, njeriu që duhej ta bënte këtë isha unë, pasi vetë
historia e familjes së tij dhe kaluarit që ato kanë ndjekur për t’u kthyer në
atdhe. Në asnjë moment nuk kam menduar të kundërshtoja dhe u ktheva me dëshirën
më të madhe pa ndonjë pishman, pasi më priste një rrugë e gjatë artistike dhe në
Shqipëri. Kam ardhur me koshiencë dhe nuk jam penduar aspak, qoftë nga përditshmëria
e jetës, ashtu dhe nga jeta artistike. Kam pasur shansin të interpretoja në
Teatrin Kombëtar dy herë, tani m’u dha mundësia në Teatrin Kombëtar të Komedisë,
jam me fat. Rikthimi im është një kthim në origjinë.
Përveç teatrit keni spikatur edhe në film. Si e shikoni veten larg teatrit?
Filmi është një tjetër anë e
aktrimit. Në Francë kam pasur një rol në një film me metrazh të gjatë, një
eksperiencë shumë interesante. Kurse në Shqipëri ato oferta që më janë dhënë
nuk më janë përshtatur. Nuk jam natyrë që them që për të bërë një film nuk ka rëndësi
se çfarë roli, mjafton që të interpretoj. Unë dua që roli të më flasë pak, të
ngjallë diçka brenda meje, pasi, nëse nuk ndodh ky reagim, nuk do të jap asnjëherë
më të mirën e vetes sime. Mendoj që të refuzosh një rol që nuk të duket i duhur
i bën shumë mirë karrierës artistike.
Duke qenë se jeni e bija e “Mjeshtres së madhe” Yllka Mujo, ka ndikuar
tek zgjedhja juaj ky fakt?
Në familje kemi pasur dy
ekstreme. Mami ishte në profesion aktore dhe babi arsimtar. Në përgjithësi babi
është treguar mjaft skeptik, ka bërë çmos që të zgjidhja një profesion dhe jo
një shkollë arti. Ndërsa, mami nuk ka ndikuar në zgjedhjen time, gjithmonë ka
dashur të jem e lirshme, por duke më treguar vështirësitë që kishte rruga e
gjatë e artistit, sepse të gjithë e dinë që nuk është e lehtë të bësh teatër në
Shqipëri. Askush nuk më është imponuar në zgjedhjet e mia, por mamin e kam
ndjekur gjithmonë nga pas në prova, në shfaqje. Nëse fëmijët e lagjes rriteshin
nëpër parqe lodrash, unë jam rritur në oborrin e teatrit, dhe notin e kam
mësuar tek ajo pishina që tani është bërë kënetë. Për këtë arsye do dukej çuditshëm
nëse do të devijoja larg artit.
Përveç aktrimit, ju jeni diplomuar edhe në Liceun Artistik për Pikturë.
Vazhdoni të pikturoni?
Me ikjen në Francë për 8 vjet nuk
i kam prekur penelat me dorë. Arsyeja, nuk kam pasur kohë asnjë moment, ritmi i
jetës atje është shumë i shpejtë. Ndërkohë, me ardhjen në Shqipëri kam gjetur
kohë dhe i jam kthyer pikturës. Absolutisht, këto janë profesione që nëse ti i
lë ato të braktisin dyfish. Më është dashur shumë kohë që të gjej lirshmëri në
pikturë. Megjithatë tani është një moment që po e shijoj pikturën, nuk po
pikturoj me vrullin e muajve të parë po bëj pak, por po e shijoj.
Cilat janë gjinitë e pikturave që ushtroni më shumë?
Më pëlqen impresionizmi,
peizazhi, personazhi. Shpesh herë për t’u stërvitur kopjoj piktorët që kam për zemër,
të ndihmojnë shumë në zhdërvjelltësimin e dorës. Kryesisht është impresionizmi
rryma që më tërheq më shumë, dhe drejt asaj shkoj gjithmonë.
Ndoshta një të ardhme do t’ju shikojmë me
një ekspozitë personale?
Nuk kam
ambicie. Pikturën dhe muzikën i kam për kënaqësi, nuk mund të them se në teatër
po më mbyt ambicia, por nga artet që kam prekur, teatri është një nga artet që
kam prekur më seriozisht. Nëse ndonjë ditë do të realizoja një ekspozitë, do ta
bëja vetëm për kënaqësi, jo për të shitur.
Po muzika ç’vend zë tek ju?
Që në vitet e adoleshencës, kam
pasur pasion të këndoj muzikë të lehtë shqiptare. Prirjet vokale bënë të isha
pjesë e grupit më të famshëm të atyre viteve “Spirit Voice”. Pas formimit të
grupit kemi qenë të angazhuar me koncerte në të gjithë Shqipërinë dhe Kosovën. Eksperienca
më e bukur ka qenë në vitin 2000 ku kemi mbajtur një sërë koncertesh bamirësie
në Kosovën e pasluftës. Dhe muzika është një pasion që ka zënë një vend të veçantë
në një kohë të caktuar tek unë.
Cilat janë projektet që do t’ju rikthejnë sërish
në skenë me role të tjera?
Kam disa
projekte, por do t’i lë surprizë. Do të them vetëm kaq, nuk kanë të bëjnë me teatrin.
Izaura Ndoj
Comments
Post a Comment