Apeli i Presidenti Obama: Amerikanë, kujdes nga uragani!
Qindra mijëra njerëz janë duke u evakuuar derisa bregu
lindor i Shteteve të Bashkuara po përgatitet për uraganin Sandy. Uragani i
kategorisë një, me erëra të fuqishme, pritet të godasë bregun të hënën në
mbrëmje, ose të martën herët, dhe gjasat më të mëdha i ka New Jersey. Ai pritet
të kombinohet me një stuhi dimri, që vjen nga drejtimi i perëndimit, derisa
ajri i ftohtë buron nga Arktiku. Deri në 60 milionë njerëz mund të preken nga
stuhia dhe tashmë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme në Karolinën e Veriut dhe në Konektikat. Presidenti
amerikan Barak Obama u bëri thirrje amerikanëve në zonat e prekura që ta marrin
seriozisht stuhinë. “Natyrisht, ne në të gjithë vendin jemi të shqetësuar rreth
ndikimit të mundshëm të uraganit Sandy. Kjo është një stuhi e madhe dhe serioze
dhe mesazhi im i parë për të gjithë njerëzit në bregdetin lindor, në Atlantikun
e Mesëm e duke shkuar ka Veriu, është që ta marrin stuhinë me seriozitet dhe të
ndjekin udhëzimet e zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë, sepse ata do të ofrojnë
këshillat më të mira në lidhje me përballjen e stuhisë në ditët e ardhshme”, u
shpreh Obama. Më shumë se 300 mijë njerëz janë evakuuar nga pjesët e poshtme të
Nju Jorkut. Të hënën New York Stock Exchange dhe NASDAQ do të qëndrojnë të
mbyllura. Qyteti ka ndërprerë shërbimin e transportit nëntokësor, sikurse edhe
Filadelfia. Shërbimet hekururdhore janë ndërperë në të gjithë bregun lindor. Mijëra
fluturime vendore dhe ndërkombëtare për në SHBA-në lindore dhe jashtë saj, janë
anuluar. Sandy po udhëton në veri nga Karaibet, kur ka lënë të vdekur të paktën
66 njerëz, përfshirë 51 në Haiti, shumica nga ta si pasojë e vërshimeve dhe
rrëshqitjes së dheut.
Comments
Post a Comment