Diana Çuli: Jo çdo vepër që shkruaj mund ta botoj
Izaura Ndoj
Diana Çuli njihet si një nga
shkrimtaret më të rëndësishme të letërsisë sonë. Prej kohësh, Çuli është e
angazhuar në fushën e të drejtave të njeriut dhe të grave. Me veprimtarinë e
vazhdueshme shoqërore dhe politike në mbështetje të lëvizjes së grave në
Shqipëri dhe në rajon, ka dhënë një ndihmesë për nxitjen e rolit të gruas në
shoqëri, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në këtë fushë, mes Shoqërisë dhe
Institucioneve mes dy brigjeve të Adriatikut. Në një intervistë për “Koha Jonë”,
Diana Çuli ndan momentet para vlerësimit të akorduar nga Presidenti i Italisë, Giorgio
Napolitano, punën dhe kontributin e saj në fushën e kulturës dhe atë sociale,
si dhe mëdyshjen letrare që po e shoqëron gjatë kësaj kohe. Diana Çuli është
autore e shumë romaneve, vëllimeve me tregime, dramave, skenarëve të filmave
artistikë, ajo ka shkëlqyer sidomos në prozën e gjatë. Midis romaneve që ka
botuar ndër vite, janë vlerësuar në mënyrë të veçantë: “Dreri i trotuareve”,
“Diell në mesnatë” dhe “Engjëj të armatosur”. Madje, romani “Engjëj të
armatosur” është cilësuar si romani më i mirë shkruar për periudhën e
diskutueshme të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, si një roman që hap udhën
e mund të shërbejë si një pikënisje e re për trajtimin në mënyrë jodogmatike të
kësaj periudhe. Proza e saj është përkthyer dhe botuar në Itali, Francë, Kinë,
Rusi etj. Veç fushës së letërsisë, Diana Çuli ka spikatur gjatë 17 vjetëve të
fundit si një nga aktivistet më efikase në mbrojtje të të drejtave të gruas,
duke drejtuar “Forumin e pavarur të gruas” e duke luftuar me të gjitha mjetet
demokratike për realizimin e këtij misioni fisnik.
Sot, merrni titullin Ufficiale të Urdhrit të Meritës së Republikës së
Italisë nga Presidenti i Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano. Si ndiheni?
Padyshim, për mua është një nder
i veçantë ky titull, aq më tepër që vjen nga vetë Presidenti i Italisë dhe më
dorëzohet nga ambasadori Gaiani. Mendoj se është një çmim që i jepet një
qytetareje nga Shqipëria dhe kjo më duket shumë e rëndësishme.
Jeni e para shkrimtare shqiptare që vlerësoheni me këtë titull... Mund
të cilësohet si një privilegj për ju?
Çmimi më akordohet në përgjithësi
për punën time në fushën e kulturës dhe atë sociale, për faktin se kam punuar
shumë me partneritete nga Italia, kam përkthyer autorë italianë, kam nxitur
botimin e shumë shkrimtareve italiane dhe se me shoqatën që drejtoj kemi ndihmuar
në shkëmbime kulturore e sociale mes të dy vendeve.
Falë dashurisë dhe njohjes së thellë të gjuhës dhe kulturës italiane,
ju keni vendosur ngjarjet e disa prej romaneve tuaja mes Italisë dhe
Shqipërisë, si dhe ke botuar në gjuhën italiane romanet "Scrivere
sull’acqua" dhe "Angeli armati"...?
Po, ka një prirje të tillë në këta
dy libra, pavarësisht periudhës historike që trajtojnë. Veçanërisht “Scrivere
sul'acqua”, (Diell në mesnatë) ka një subjekt që përshkruan në një farë mënyre
momentin e tranzicionit, të njohjes mes të dy vendeve, vështirësive, ndërthurjes
së kulturave.
Prej kohësh jeni angazhuar në fushën e të drejtave të njeriut dhe të
grave. Ky është dhe motivacioni që ju merrni këtë titull?
Siç e thashë dhe më sipër, mendoj
se ka qenë angazhimi im për shumë vjet në këto fusha dhe puna me shoqatat e
grave italiane, që edhe sot janë mjaft të pranishme në punën tonë, që ndoshta
ka tërhequr vëmendjen për këtë nderim.
Keni ndonjë roman në duar në këto momente?
Unë shkruaj gjithnjë... por jo
gjithnjë arrij të bindem se libri ia vlen për t'u botuar. Pra, jam në një mëdyshje
letrare në këto kohëra.
Diana Çuli vlerësohet me titullin “Urdhri i Nderit” nga presidenti
Italian
Ambasada Italiane në Tiranë përmes
një njoftimi për shtyp, njofton se Presidenti i Republikës së Italisë, Giorgio
Napolitano, i ka akorduar titullin Ufficiale të Urdhrit të Meritës së
Republikës së Italisë (OMRI) shkrimtares Diana Çuli. “Urdhri i nderit”, i cili
jepet për veprimtari të shquar ndaj shtetit italian në fushën e letërsisë,
arteve, ekonomisë, si dhe për kryerjen e detyrave publike apo të veprimtarive
shoqërore dhe humanitare, do të dorëzohet sot nga Ambasadori i Italisë, Massimo
Gaiani. Në njoftimin për shtyp thuhet se, shkrimtarja dhe përkthyesja, Diana
Çuli, ka ditur të rrëfejë me përpikëri dhe ndjeshmëri historitë dhe ndryshimet
e vendit. Falë dashurisë dhe njohjes së thellë të gjuhës dhe kulturës italiane,
Diana Çuli ka vendosur ngjarjet e disa prej romaneve të saj mes Italisë dhe
Shqipërisë, si dhe ka botuar në gjuhën italiane romanet “Scrivere sull’acqua”
dhe “Angeli armati”.
Comments
Post a Comment