Nju Xhërsin një ditë pas apokalipsit Sandy
Presidenti Barak Obama vizitoi dje shtetin e Nju Xhërsit të
goditur rëndë nga stuhia Sendi dhe u premtoi banorëve se qeveria federale do
t’i ndihmojë në përpjekjet e rindërtimit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës,
Kent Klain na informon nga Shtëpia e Bardhë se shumë qytete bregdetare dhe
vende pushimi janë ende nën ujë, dy ditë pas goditjes nga uragani. Presidenti
Obama vizitoi një qendër ankorimi anijesh në qytetin turistik bregdetar
Brigantine dhe u premtoi banorëve se qeveria federale do ta ndihmojë Nju
Xhërsin të mëkëmbet. “Ne jemi këtu për ju dhe nuk d’ju harrojmë. Ne do ta
ndjekim gjendjen dhe do të sigurojmë se you do të merrni ndihmën që ju duhet
deri sa të përfundoni rindërtimin”. Presidenti kaloi disa orë duke vizituar
zonat e dëmtuara nga uragan i fuqishëm që la disa njerëz të vdekur, solli
përmbytje, shkaktoi zjarre dhe ndërprerjen e energjisë elektrike në disa shtete
kufitare. Zoti Obama tha se do të sigurojë se agjencitë federale do të ndjekin
procesin e rindërtimit deri në fund. “Por ajo që unë mund të premtoj është se
qeveria federale do të punojë sa më ngushtë që të jetë e mundur me zyrtarët
shtetërore dhe vendorë dhe do ta ndjekë gjendjen deri në fund”. Stuhia u bë
shkak për një aleancë të pazakontë mes presidentit demokrat dhe guvernatorit
republikan të Nju Xhërsit, Kris Kristi. Guvernatori Kristi, mbështetës shumë i
fuqishëm i Mit Romnit, e shoqëroi presidentin amerikan gjatë vizitës në Nju
Xhërsi dhe vlerësoi përgjigjen e tij ndaj kësaj fatkeqësie natyrore. “Kjo ka
qënë një marrëdhënie e shkëlqyer pune për të siguruar se ne jemi duke bërë atë
për të cilën populli nga ka zgjedhur. Unë nuk mund ta falenderoj mjaft
presidentin për shqetësimin personal dhe mbështetjen që ka shprehur për shtetin
tonë dhe për popullatën e këtij shteti”. Presidenti tha se përpjekjet federale
të ndihmave do të përqendrohen në shtetet e përmbytura të Nju Xhërsit,
Kënektikatit dhe Nju Jorkut, por veçanërisht në qytetin e Nju Jorkut. Ai
premtoi gjithashtu të ndihmojë edhe shtetin malor të Virxhinias Perëndimore, ku
stuhia dhe të ftohtit solli ngrica. Zoti Obama tha se përparësia kryesore në
zonat e prekura është rivendosja e energjisë elektrike. Ai tha gjithashtu se
avionë ushtarakë dhe anije të marinës do të vihen në dispozicion për të
transportuar ndihmat për në Nju Xhërsi. Ndërkohë që ka mbetur më pak se një
javë nga dita e zgjedhjeve, presidenti do të rifillojë fushatën sot, pasi e
pezulloi atë për tri ditë. Zoti Romni e ndërprehu fushatën për dy ditë dhe iu
rikthye asaj dje. Sondazhet tregojnë se gara është pothuajse e barabartë dhe kandidatët
do të bëjnë fushatë praktikisht pa pushim deri të martën që zhvillohen votimet.
Comments
Post a Comment