Rowling shkrimtarja që u pasurua nga Harry Potter
Kritikët letrarë kanë nisur të nxjerrin përshtypjet e tyre
të para duke treguar atë që mendojnë për një libër që as nuk e kanë lexuar. Për
të lexuar pak nga parathënia e “The casual vacancy” kalon nën masa të rrepta në
zyrat e “Little Brown”. Shpejt e kupton që duhen më shumë dokumente për të
lexuar disa rreshta, sesa për të blerë një shtëpi. Të bësh një intervistë me
Rowling është më e vështirë se të takosh Mbretëreshën, megjithatë dihet se
tashmë autorja është më e pasur edhe se vetë Madhëria e saj. Në 15 vitet e
kaluara, që kur publikoi librin e saj të parë të “Harry Potter”, Rowling është
bërë në të njëjtën kohë e famshme në të gjithë botën dhe ka ndryshuar
krejtësisht. Zonja e kujdesshme me flokët e kuqe që kishte zakon të shkruante
në baret e Leithit, pak nga pak u transformua në një bionde shumë elegante,
enigmatike dhe me shumë vetëkontroll. Megjithatë, karakteri i saj nuk ka
ndryshuar aspak. Është e qetë, e qeshur dhe shumë mikpritëse. Madje bërtet aq shumë sa menaxheri i saj i
kërkon të ulë zërin: Pse po flas me zë shumë të lartë?”, thotë ajo pa e vrarë
shumë mendjen. “Ehh nuk mundem të flas me pasion dhe me zë të ulët
njëkohësisht”. Kur i thotë se librat e saj pëlqehen shumë, ngre krahët lart nga
gëzimi dhe përgjigjet: “O Zot! Jam kaq e lumtur! Është e mrekullueshme ta dish.
Faleminderit vërtet. Më bëre shumë të lumtur!”. Kushdo që e sheh mund ta
ngatërrojë me ndonjë shkrimtare fillestare që sapo ka takuar fansat e saj të
parë. Në një farë kuptimi, është pikërisht kështu: Rowling ka shkruar shtatë
librat e Harry Potter, ka shitur 450 milionë kopje në të gjithë botën, por romani
i saj i parë për të rritur është ndryshe nga çdo pikëpamje, të paktën duke
marrë parasysh vendin se nga është frymëzuar. “Natyrisht duhet të gjendesha në
bordin e një mjeti transporti të çfarëdoshëm që të më vinte në mendje një ide e
tillë”, tregon duke qeshur. Pasi frymëzimi për Harry Potter i erdhi kur ishte
në tren, “kësaj here frymëzimi më erdhi në avion”. “Isha në avion dhe papritur
mendova për zgjedhjet lokale. Pastaj pata një ndjesi shumë pozitive nga ato që
e ndien që në fillim se mund të shkojnë mirë. Është si një lloj reaksioni
kimik. Më kishte ndodhur me Harry Potter e më ndodhi sërish. E kështu e di që
ideja do funksionojë”. Historia fillon me vdekjen e një këshilltari të kishës
në qytezën e Pagford, e vendosur në të mrekullueshmin West Country. Barry ishte
rritur në një lagje me ndërtime popullore në afërsi të Fields, një geto rurale
ndaj të cilit shtresat e mesme të Pagford-it e kishin humbur durimin prej
kohësh. Kryetari kishte vendosur se posti do t’i kalonte të birit, një avokat.
Terri Weedon është një tjetër personazh interesant i librit. Ajo është një
prostitutë, një viktimë e abuzimeve të vazhdueshme e vendosur për të qëndruar
larg telasheve për të shmangur shërbimet sociale që duan t’i marrin djalin,
Robbien, tre vjeç, për t’u kujdesur për të. Po metadoni është një zëvendësues i
shtrenjtë i heroinës dhe gjithçka bie mbi vajzën e saj, Kristal, një
adoleshente me probleme që në jetën e saj ka njohur vetëm një njeri që e ka
ndihmuar, Barry, vdekja e të cilit mund ta çojë automatikisht në një rrugë të
keqe. Kur në sajtin e internetit të kishës nisin të shfaqen mesazhe anonime që
tregojnë për sekretet e banorëve të qytezës, Pagford zbulon se është një
përzierje e frikshme paranojash, zemërimesh dhe tragjedish. Libri në mënyrë të
pamëshirshme ironizon injorancën e elitës që gjithmonë pretendon se e di se
çfarë është më e mirë për të tjerët. “Sa prej nesh janë me të vërtetë të aftë
të shtrijnë mendimin e tyre përtej eksperiencës personale? Për të varfrit nuk
diskutohet fare. Ideja është se bëhet fjalë për qenie njerëzore që ndodhen në
atë gjendje për arsye të ndryshme. Të pasurit i trajtojnë me përçmim”.
Krahasuar me shumë romane të tjerë britanik “The Casual Vacany” flet në mënyrë
të detajuar për shtresat sociale. “Jemi një shoqëri snobësh. Borgjezia është
shtresa që njoh më mirë. Klasa sociale ku ka më shumë arrogancë, dhe kjo e bën
qesharake”, thotë Rowling. I shkruar nga shumë këndvështrime, romani i fton
lexuesit të hyjnë brenda çdo perspektive,
ku logjika e brendshme e gjithsecilit ndihmon për të kuptuar atë që nga
jashtë duket e pajustifikueshme. “Isha e ndërgjegjshme për faktin se një lexues
mund të mendojë se jam përpjekur të tregoj njerëzit që më rrethojnë me
personazhet e filmit, përfshi këtu edhe miqtë adoleshentë të sime bije”. “Në fakt,
kam nxjerrë në pah miqtë e mi dhe jo ata të vajzës sime”, tregon. Rowling është
rritur në rrethinat e “Forest of Dean”, në një komunitet jo shumë të ndryshëm
nga Pagford. “Më kujtohet shumë mirë se çdo të thoshte të ishe një adoleshente.
Ajo nuk ka qenë një fazë e lumtur e jetës sime. Në të vërtetë nuk do t’i
rikthehesha adoleshencës për asgjë në botë”. Ndërsa shkruante librin e saj të
parë të Harry Potter ishte në terapi. “M’u desh të rikthehesha kur jeta ime
ndryshoi kaq papritur. Më shërbeu vërtet. Jam një mbështetëse e madhe e ndihmës
terapeutike. Mua më bëri shumë mirë”. Shpëtimi tjetër erdhi nga bashkëshorti i
dytë, Neil Murray, një mjek me të cilin u martua në vitin 2001 me të cilin pati
dy fëmijë një djalë 9 vjeç dhe një vajzë 7. “Kur njoha Neil ishte njëlloj sikur
ai njihte çdo pjesë timen. Ndryshoi jetën time. Para atij momenti isha e vetme
me një fëmijë të vogël dhe gjithçka ishte më e vështirë”, tregon. Pasuria e papritur nuk ishte për të motiv i një gëzimi
të thjeshtë. “Askush nuk i mendon problemet që paratë sjellin me vete. I jam
shumë mirënjohëse Zotit për gjithçka në jetë, dhe nuk dua që kjo të tingëllojë
si ankesë, por po e përsëris që presioni që paratë të sjellin ndonjëherë është
i jashtëzakonshëm. U ndjeva e detyruar të zgjidhja problemet e të gjithëve.
Kërkesat ishin pafund ndërsa unë gjithmonë kisha frikë se mos nuk i bëja gjërat
ashtu siç duheshin”. Por fama ka edhe avantazhet e saj. Njohja me Barak Obamën
dhe me tekstshkruesin demokrat më të njohur në botë, Bob Shrum, kanë qenë dy nga
episodet më të jashtëzakonshme të jetës së saj. Vetëm një herë u desh të
maskohej për të dalë pa u njohur, por atëherë e bëri për të shkuar për të blerë
fustanin e nuses. “Doja vetëm të martohesha me Neil pa shkaktuar shumë bujë”.
Për më tepër tani nuk shqetësohet më nëse njerëzit nuk e shqiptojnë mirë emrin
e saj. Por asaj i pëlqen shumë të shkruajë me inicialet JK dhe të jetë Jo në
jetën e përditshme. “Pikërisht për rolin tim si Jo në shoqëri dhe si nënë
kërkoj privatësi maksimale”. Librat policeskë janë kënaqësia e saj letrare e
ndaluar: “Adhuroj një libër të bukur të Dorothy Sayers”. Më në fund, thotë, se
bota e saj emotive është në sintoni me realitetin e jashtëm. “I bëj gjërat siç
duhet dhe nuk shqetësohem për asgjë. Jam shkrimtarja më e lirë në botë. Kam
punuar pesë vjet me radhë për këtë romanin e fundit dhe e bëra ashtu siç doja.
E shkrova ashtu siç doja të shkruaja. Dhe më pëlqeu shumë”. Thotë se nuk i
intereson se si do shkojnë shitjet e librit. “Nuk dua të tregohem e
pasjellshme, por e ndiej veten shumë të shkëputur nga këto pritshmëri”. Ndoshta
nuk i ka mbetur më asnjë ambicie tregtare. Po ashtu tregon se nuk ka shkruar
kurrë duke menduar për kritikat. Për Rowling, fakti që shkroi një libër kaq
ambicioz pa asnjë ambicie nuk është kontradiktë dhe as zgjedhje: “kisha nevojë
të shkruaj këtë libër. Më pëlqen shumë, jam shumë krenare dhe është kjo ajo që
ka rëndësi për mua”. Mori në konsideratë edhe idenë për ta shkruar me një
pseudonim. “Pastaj mendoj se ishte më mirë kështu. Nëse do më thonë duhet të
kishe vazhduar të shkruaje për fëmijë, mund ta pranoj. Por e sigurt është që do
arrij të mbijetoj”. Kur e pyet se si është kaq e sigurt në ato që thotë
përgjigjet: “Sepse unë nuk jam i njëjti person i disa viteve më parë. Kam
ndryshuar. Tani mbi të gjitha jam më e lumtur”.
Etapat
Bibliografia - Rowling (Yate 1965) ishte krejtësisht e
panjohur dhe e përhumbur para se të bëhej gruaja më e pasur e Mbretërisë së
Bashkuar.
Librat - Pas tre refuzimeve editoriale Bloomsbury publikoi
në 1997 “Harry Potter dhe guri filozofal”. Ky roman u pasua nga gjashtë të
tjerë
Filmi - Sukses i madh në kinema. “Harry Potter”-i i fundit
regjistroi rekord të ardhurash për shkak të shikueshmërisë absolute
Libri i ri – “The Casual Vacancy” është romani i parë për të
rritur i autores J.K Rowling
Paratë dhe terapia – Kur isha në punë për aventurat e Harry
Potter-it isha në terapi. U ktheva kur jeta ime ndryshoi kaq papritur. Shpesh
paratë sjellin me vete një presion dhe një tension të papërshkrueshëm
Frymëzimi - Dikur frymëzimi më erdhi teksa isha në tren. Në
këtë rast kur isha në avion. Ishte si një lloj adrenaline
Adoleshenca - Më kujtohet mirë se ç’do të thotë të jesh
adoleshente. Nuk ka qenë një fazë e lumtur e jetës sime. E kam urryer
Të varfrit - Për të varfrit askujt nuk i shkon në mendje. I
trajtojnë me përçmim. Ndërsa të pasurit harrojnë se edhe ata janë qenie
njerëzore
Borgjezia – Është shtresa që njoh më mirë. Klasa sociale ku
ka më shumë arrogancë, dhe kjo e bën qesharake
Kritikët - Nuk kam shkruar kurrë duke menduar për kritikët.
Dhe nuk i kam thënë kurrë vetes: Tani do tregoj se sa vlej
Shqip
Comments
Post a Comment