Shpirti rus dhe mentaliteti gjerman - 1000 vjet histori



Në marrëdhëniet gjermano- ruse nuk kanë lënë gjurmë vetëm figura legjendare si Katerina e Madhe. Këtë e tregon një ekspozitë në Muzeun e Ri në Berlin, e përbërë nga 600 objekte nga periudha e mesjetës e deri tani.
Vizitori zbulon gjurmë gjermane në historinë ruse dhe gjurmë ruse në historinë gjermane, thonë organizatorët e ekspozitës. Ata i kanë marrë objektet e ekspozitës nga Muzetë dhe Arkivat më të rëndësishme të të dy vendeve. Mes tyre ka edhe objekte që nuk i janë prezantuar asnjëherë publikut.
Udhëtimi historiko - kulturor në këtë ekspozitë është një kontribut i rëndësishëm në "vitin rus në Gjermani dhe vitin gjerman në Rusi 2012/2013". Gjatë verës një ekspozitë "Rusët dhe gjermanët - 1000 vjet histori, art dhe kulturë" - u hap në Moskë.
Me shpirtin e pajtimit
Presidenti federal Joachim Gauck, i cili ka marrë patronazhin gjerman, tha në hapje të ekspozitës në Berlin se marrëdhëniet midis dy vendeve janë zhvilluar pozitivisht vitet e fundit megjithë sulmin gjerman mbi Bashkimin Sovjetik 1941, krimet e luftës dhe miliona të vrarë. "Shpirti rus" dhe "mentaliteti gjerman" janë më afër njëra tjetrës se sa mendohet nganjëherë."
Ai bëri njëkohësisht thirrje që partneriteti gjermano- rus të përdoret si "bazë për të qenë të hapur me njeri - tjetrin". Kjo duhet të vlejë edhe aty "ku nuk jemi të një mendjeje, atje ku kemi kritika".
Ta lëmë pas tmerrin e shekullit të 20-të
Objektivi kryesor është, të largojmë përqendrimin nga tmerri i shekullit të 20-të me dy luftërat e veta, tha presidenti i Fondacionit Trashëgimia kulturore prusiane, Hermann Parzinger. "Ne duam që njerëzit të jenë të vetëdijshëm sa gjatë ekzistojnë lidhjet midis gjermanëve dhe rusëve dhe sa të ngushta kanë qenë ato," theksoi ai.

Të parët që vendosën këto lidhje kanë qenë tregtarët, që bënin tregti intensive më qytetin Novgorod. Këtë aspekt të hershëm të raporteve gjermano-ruse e ilustron ekspozita e ndërtuar në mënyrë kronologjike, mes të tjerash me një reliev druri katër metra e lartë, e cila tregon tregtarët në Stralsund, në Kishën e Shën Nikolait.
Temë delikate arti i vjedhur
Ekspozita përfshin shekullin e 18 dhe 19-të me lidhjet midis dinastive si dhe shekullin e 20-të me dy luftërat botërore, deri në ditët e sotme. Në fund ekspozita përmban një kapitull të hapur të marrëdhënieve gjermano-ruse, të pambyllur deri më sot mbi kthimin e të ashtuquajturit art i vjedhur.
Arti i vjedhur nga gjermanët dhe nga sovjetikët, por jo vetëm i vjedhur, por edhe i shkatërruar ose i zhdukur bën të qartë një nga pikat kulminante të ekspozitës. Organizatorët e ekspozitës prezantojnë në hapësirën e fundit mozaikun e vetëm të ruajtur të Dhomës së qelibartë të Mbretit prusian Friedrich Wilhelm I. të dhuruar dikur Carit rus Petrit të Madh - një dëshmi tjetër e lidhjeve të ngushta dhe të gjata midis dy vendeve.
DW

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk