Jaho Brahaj mëton zanafillën e shqiponjës dykrenare
Nga Albert Vataj
Studjues i themeltë i heraldikës dhe qëmtues i mprehtë i
simboleve kombëtare shqiptare, Jaho Brahaj, rivjen më i plotë në këtë
100-Vjetor të Pavarësisë me "Flamuri i Kombit Shqiptar; Origjina,
lashtësia". Studiuesi Jaho Brahaj, pas një pune më se 10-vjeçare, duke
hulumtuar në arkiva, në artefakte arkeologjike e objekte etnografike, sjell një
këndvështrim interesant dhe më të themeltin e deritashëm të zanafillës së
shqiponjës dykrenare, si simbol i identitetit tonë kombëtar. Ky ribotim luksoz,
vëllimi i parë i përket vitit 2007, redaktuar Bajram Peçi, është pasuruar me
fakte të reja interesante dhe me ilustrime të disa prej flamujve historikë që
trashëgojmë sot e kësaj dite. Brahaj e çon zanafillën e shqiponjës dykrenare në
shek e VI. p.e.s, duke hedhur poshtë pretendimet që e lidhnin këtë simbol me
prejardhjen bizantine. Jaho Brahaj nuk e quan këtë një vëllim të përfunduar,
megjithatë, ky është vëllimi i parë që hulumton në përmasa të tilla origjinën
dhe lashtësinë e flamurit kombëtar.
Në vitin 1997 Jaho Brahaj ka botuar librin e parë që i
kushtohej heraldikës së trashëguar, "Emblema shqiptare". Libri u prit
mirë, i vlerësuar edhe me një çmim nga Ministria e Kulturës dhe Akademia e
Shkencave për librin historiko-shkencor. Pjesë e këtij libri ishte edhe një
kapitull i shkurtër mbi historinë e flamurit shqiptar, asokohe qaset t’i hyjë
një studimi të shqiponjës dykrenore, dhe niset në këtë rrugëtim të gjatë e të
mundimshëm duke ndjekur çdo gjurmë të shqiponjës dykrenare në arkiva dhe
materiale të ndryshme për të ardhur tek një studim më të plotë si ky që boton në
këtë përvjetor të Pavarësisë. Kërkimi për Brahaj vazhdoi përgjatë 10 vjetëve,
deri më 2007 kur ai arriti të botoj variantin e parë. Ky ribotim që kemi sot,
është i plotësuar me fakte të reja. Mjafton të përmend që botohet për herë të parë
si fotografi harta "Portollane" e Paolo Rosellit e vitit 1459, ku
duken portet e Mesdheut dhe në çdo qytet ka flamuj. Flamurin shqiptar e gjejmë
në Krujë, duke na dhënë kështu dëshmi autentike se si ka qenë flamuri i
Skënderbeut në kohën kur ishte gjallë.
Për të ardhur deri këtu ai ka shqyrtuar artifakte
arkeologjike, mite, objekte të etnologjisë që kanë të bëjnë me kultin, hajmali,
është hulumtuar në mitologji dhe mite që i kushtohen kultit të shpendit dhe
kultit të shqiponjës, pastaj në dokumentacionin e pasur që kanë botimet
shqiptare që nga Barleti, arbëreshët, shtypin e para 1912-s, duke i shtuar
librit edhe një studim mbi tipin e vulave të Skënderbeut, ku rezulton se
shqiponja nga ana grafike është e njëjtë dhe ndryshimi ka filluar më 1899 me
stampimin e flamujve kombëtarë në Bruksel, drejtuar nga Faik Konica dhe mendimin
e rilindësve të tjerë.
Sipas Jaho Brahaj, të flasësh për shqiponjën tonë dykrenare
nuk është shumë e lehtë sepse ka pasur shkrime të ndryshme sidomos nga fillimi
i shek. XX, por edhe në vazhdimësi që ia atribuonin shqiponjën dykrenare të
flamurit tonë Bizantit. Është e vërtetë që Bizanti në shek. IX të erës sonë e
këtej ka shqiponjën bizantine në simbolet heraldike, po ashtu e pati edhe kisha
ortodokse. Kur u futa në pasurinë e madhe arkeologjike, kultike, gdhendjet
artizanale të së shkuarës, na rezultoi që ne(ilirët) e kemi të paktën të
dokumentuar saktësisht shqiponjën dykrenare që në shek VI para erës së re
shqiponjën dykrenare. Kjo nuk do të thotë se e kishin vetëm ilirët, sepse e
gjejmë edhe te hititët, një perandori që
e kanë pasur shtrirjen e tyre në Turqinë e sotme, e po ashtu e kanë pasur edhe
iranianët.
Duke sqaruar atë që mëvetëson shqiponjën tonë dykrenore nga
simotrat në simbolikën e vendeve të tjera Jaho Brahaj mëton se ne si popull
vazhduam ta ruajmë dhe ta mbajë në ornamente, objekte metalike, arkeologjike,
ta kemi si kult. Bizanti e ka marrë si simbol nga ato popullsi mbi të cilat u
shtri dhe u zhvillua. Pjesë e Bizantit ishte edhe popullsia ilire ballkanase, e
duke qenë se ne e kemi të dokumentuar shqiponjën dykrenare në shekullin VI,
mund të thuhet se Bizanti e mori nga ne. Ajo ka qenë bashkudhëtare gjatë
periudhës historike nga shekulli VI p.e.s deri në ditët e sotme, periudhë kjo e
dokumentuar, por mund të ketë qenë edhe më parë tek ilirët. Fati e solli që ky
objekt i dashur të ishte emblemë e derës së Kastriotëve, paraardhësve të Gjergj
Kastriotit, ashtu siç thotë Barleti. Duke qenë se në mbledhjen e princërve
shqiptarë në 2 mars 1444 Skënderbeu u vendos komandant i përgjithshëm, atëherë
flamuri ishte edhe flamuri i të gjitha forcave administrative ushtarake të
arbërve e prej këtu fillon të jetë flamur përfaqësues i kombit shqiptar, për të
mbërritur në ditët e sotme.
Rilindjes shqiptare i kanë rënë detyrat nga më të ndryshme
kulturore, shtetformuese etj,. Një nga këto probleme ishte edhe forma grafike e
shqiponjës së flamurit tonë, e trashëguar nga dera e Kastriotëve. Meqenëse në
atë periudhë kur donin të afirmonin shtetit tonë, shqiponjën dykrenare e kishte
Perandoria Austro-Hungareze, Rusia, Serbia, Mali i Zi, Kisha Ortodokse dhe e
ashtuquajtura Lidhje e Shenjtë Romake, rilindësve u doli detyra ta zgjidhnin
këtë çështje, ndaj ata e ndryshuan shqiponjën për ta bërë të dallueshme nga
këto shenja të shteteve të tjera që ishin afirmuar zyrtarisht me flamujt e tyre
në fundin e shek XIX dhe fillimin e shek. XX. Shqiponja e Faik Konicës arriti
që të ngrihet më 28 Nëntor 1912. Faktorët dhe kushtet historike ishin shumë të
vështira dhe na sollën vështirësi edhe në këtë drejtim. Fuqitë e Mëdha caktuan
që princ në Shqipëri do të ishte Vidi dhe ai me të drejtën konstitucionale që
kishte, ndryshoi edhe flamurin. Sapo filloi të afirmohej shqiponja e Princ
Vidit plasi Lufta e Parë Botërore, e cila solli një ndryshim edhe më të madh,
duke gjetur një balancë mes shqiponjës së vitit 1912 dhe asaj të Princ Vidit.
Pati forma nga më të ndryshme të shqiponjave dykrenare, periudhë e cila vazhdoi
deri më 1922 kur kemi për herë të parë nga administrata shtetërore e rikrijuar
pas Ismail Qemalit që ka akt administrativ për formën grafike të shqiponjës
sonë kombëtare.
Ky libër dhe kjo sipërmarrje është jo vetëm një gurë themeli
në këtë përvjetor të 100-të të Pavarësisë, njiherash është dhe një qasje për të
hedhur poshtë çdo mëdyshje, çdo legjendë të thurur rreth shqiponjës dykrenare.
Comments
Post a Comment