Justina Aliaj: E nisa me plot ambicie rrugën e artit, por fitova mbijetesën
Pas shumë vitesh vini
përsëri në atdhe. Si vendosët të riktheheni?
Po malli dhe mbi të gjitha edhe ftesa që m’u bë nga
“Promotor” dhe nga Pandi Laço për të qenë prezent në spektaklin aq të ndjekur
nga të gjithë “100 vjet muzikë”. Ishte një emocion i veçantë sepse më ktheu shumë
vite pas, në fëmijërinë time dhe u ngjita përsëri në skenë pas 11 vjetësh
mungesë.
Çfarë të rejash keni
patur në jetën tuaj gjatë kësaj kohe?
Jeta në emigracion është me plot gjallëri, me plot kthesa e
befasi, dhe te gjitha këto se bashku bëjnë atë që ju, nëse ju kuptova drejt, e
quani ndryshim. Unë gjykoj se sidomos për artistin në emigracion, nuk ka dite
pa ngjarje, nuk ka ditë që vegjeton, që rri e pret t’i vijë fati në derë e që
nuk angazhohet të bëjë diçka të mirë e të bukur që këtë ta ndajë me të tjerët.
Unë kam njohur plot artistë shqiptarë të cilët aktualisht janë jetojnë jashtë
shtetit, bëjnë punë shumë të mira, i japin emër vetes dhe Atdheut, ndonëse shumë
prej tyre mund të mos e ushtrojnë profesionin që kanë ushtruar në Shqipëri. Kam
përshtypjen se jeta jashtë është shumë më e vrullshme se këtu dhe kthesat e jetës
gjithashtu janë të tilla. Besoj se më kuptoni po të them se asnjë njeri nuk
lind as këngëtar, as piktor, as aktor, por bëhet i tillë dhe bëhet vetëm duke
bashkuar talentin me punën e në këto dy shina ecën jeta nëse i përkushtohesh
artit. E në këto dy shina kam ecur unë për të bërë një emër. Madje e veçanta e
botës ku jetoj është se ndryshimi mund të vij kaq papritur sa që nuk e beson as
vete. Keni dëgjuar besoj për disa emisione që janë shume të njohur në Amerikë
dhe që bëhen tashmë thuajse në të gjithë botën, ku promovohen talente të reja
si “American Idol”, apo “X-Faktor” , emisione që janë të suksesshme edhe këtu
tek ne. Por, sipas gjykimit tim, puna, studimi janë baza për të ecur një artist
në jete. Më pyeti një dite një mik:Justi, cila është kënga më e bukur që ke kënduar?
I thashë, këngë kam kënduar shumë e nuk e di se cila është më e bukura, por di një
gjë që kam dy fëmijë të cilëve që në vitet e para u mëkova dashurinë për artin
dhe sot jam një nënë e lumtur, në kuptimin më të plotë të kësaj fjale, se te dy
ata janë diplomuar tashmë. Vajza, Flonja Kodheli është diplomuar për piano dhe
pa dëshirën time ka mbaruar edhe Akademinë për aktrim. Kur them pa dëshirën
time, e kam fjalën se në një farë mënyre kam dashur që ta ruaja, për arsye të stërmundimit
që ka ky profesion. Që t'i bie shkurt, kam dashur që të mos vuaj si unë, që u
nisa të bëhem një aktore me ambicie, por fitova mbijetesën në sajë të dhuntisë
që më kishte falë Zoti, në sajë të zërit tim. Siç duket pasioni i saj ka qenë
më i madh dhe nuk më dëgjoi. Djali është diplomuar në “Juilliard School” në Nju
Jork për violonçel, dhe pa frikë them se është shkollë e vështirë që të hysh,
por akoma më e vështirë që të diplomohesh në të. Ai është studenti i parë
shqiptar që fitoi të drejtën për të studiuar atje. Tashmë Rubini, ka një
kuartet të vetin, me katër violonçela dhe një bateri, me të cilët luan muzikë
xhaz në Amerikë. Ndërkohë edhe kompozon vetë, po ashtu luan violonçel në
koncerte me këngëtarë si Jay-Zi, etj. Jam shumë krenare për të, sepse punon
shumë dhe është shumë i talentuar.
Ardhja juaj përkon
edhe me festën e 100 vjetorit, çfarë ndjeni ju që vini pas shumë vitesh
pikërisht në këtë festë?
Emocionet janë shumë të fuqishme, sepse bëhet fjalë për një
jubile shumë të madh, siç është 100-vjetori i Pavarësisë. Më falni në këtë rast
për mungesën e modestisë, por unë ndjehem krenare që diçka kam kontribuar për këtë
Jubile të madh.
Ju nuk keni në treg
një përmbledhje të këngëve tuaja, a do të kemi mundësi një ditë ta kemi një të
tillë?
Po sigurisht që dëshira është e madhe. Është me rëndësi të
them se zërin dhe aftësinë vokale i kam në lartësinë e duhur, siç i thonë fjalës....
Në fakt publiku ju
njeh si këngëtare por edhe si aktore. Brenda vetes arrini t’i ndani cili ka
qenë pasioni më i madh, kënga apo teatri?
Kur më pyesin se kush të pëlqen më shumë kënga apo teatri,
të them të drejtën nuk e gjej lehte përgjigjen. Për mua janë të dy fëmijët e
mi. Po sigurisht që ka radhë, kështu që unë them: Po! Kënga më pëlqen shumë,
por po ashtu po ju them se pasioni për teatrin ka lindur para se të lindja
unë...
Nëse do ju bëhej një
ftesë, për të luajtur një rol në skenën e teatrit këtu në Shqipëri, a do të
riktheheshit?
Nëse do më pëlqente shumë ai rol, pa mëdyshje, Po!
Dhe cili do të ishte
ai rol që ju e keni ëndërruar dhe nuk e keni luajtur kurrë?
Sigurisht që në atë kohë shumë role nuk kishe mundësi që t’i
luaje, dhe sot mundet t’i bësh dhe them se rolin e Ledit Makbeth, mund ta bëja
me shumë dëshirë. Një nga ëndrrat e mia është edhe që të interpretoja rolin e
një mashkulli. Kam interpretuar në një teatër në Nju Jork rolin e Homerit, e
sjell në ditët e sotme. E kam interpretuar në anglisht dhe frëngjisht. E pashë
që kjo ka qenë një ëndërr e imja në sirtar dhe vërtet që do më pëlqente shumë
që të interpretoja rolin e një mashkulli.
Jetoni në Bruksel, si
është një ditë e zakonshme juaja atje?
Një karakteristikë e imja është që edhe nëse jam duke
ndenjur, apo duke dremitur, truri im është duke punuar, sepse gjithmonë kërkoj.
Dita ime është e zakonshme, dhe kam gjithmonë dëshirë që të çoj deri në fund
një punë që e nis. Kjo hera-herës është një e metë mund të them, sepse
ndonjëherë kthehesh edhe në viktimë e perfeksionit, por është diçka që unë
fatkeqësisht apo fatmirësisht e kam. Gjithçka e bëj me pasion. Shkruaj
hera-herës, për shembull do të doja të veçoja një vjershë strofike që kam bërë
për Shkodrën:
Me vrap ju njita kalasë
Dojsha me e than me lodër
Me e ndi` edhe nana jeme nën rrasë
Unë jam, se je ti mori Shkodër.
Meqenëse po flasim
për Shkodrën qytetin tuaj të lindjes, cila ka qenë periudha më e bukur e jetës
suaj?
Aktorët lexojnë
shumë, cili është shkrimtari juaj i preferuar?
Shkrimtari im i preferuar është Shekspiri, pasi ai më
frymëzon shumë, është shumë i vështirë, por çdo njeri është i lirë të zgjedhë,
një vepër të vështirë apo pak më të lehtë.
Ju sot jeni një emër
i madh i artit shqiptar, a keni një këshillë për brezin e ri të artistëve?
Vetëm një fjalë do të doja që t’i thosha brezit të ri, ata
sot i gëzojnë të gjitha, e duhet ta dinë mirë se nuk i kemi gëzuar të gjitha,
kemi pasur me vete, të vetmen armë dhe që faleminderit Zotit, atë armë nuk kanë
mundur dot të na e merrnin: aftësinë dhe talentin. Pra brezit të ri do i thoja,
mos e shpërfillni privilegjin që gëzoni. Vlerësojeni përsëmbari atë.
Ju keni ardhur në
Shqipëri në dekada të ndryshme, pse kaq rrallë?
Sepse si duket ka ngecur në një vend të padëshirueshëm,
bashkëpunimi apo edhe lidhja mes brezave. Do të doja që të ndodhte ndonjë gjë e
bukur me artin që bëj unë dhe me artin që bëjnë të tjerët, por gjithmonë me
shumë pjekuri, sepse nuk mund të marrësh e të bësh gjithçka. Unë kur marr përsipër
të këndoj një këngë, e këpus dorën time nëse unë e çoj kot atë. Të njëjtën gjë do
të thosha edhe për rolin në teatër... E përpunoj dhe e zbërthej në çdo fjalë...
A e bëj mirë apo e bëj keq? Këtë e vendosin ata që e çmojnë, por së paku në
shpirtin tim unë nuk duhet të pendohem nëse fatkeqësisht nuk do të shkojë mirë,
sepse jam munduar shumë për të. Unë punoj shumë dhe nuk i falem punës spontane,
por ulem seriozisht.
A ju është ofruar
ndonjë rol nga trupat teatrore atje ku jetoni?
Sigurisht që kur unë e lash Shqipërinë dhe shkova jashtë,
vajta me ëndrra të mëdha. Dhe në çfarë do lloj moshe mund të shprehesh dhe të
gjesh aftësitë e tua, por është jashtëzakonisht e vështirë. Nuk duhet të
mendosh se atje në Nju Jork ku isha apo në Bruksel ku jam tani, kudo që të
shkosh, të presin me duar hapur. Duhet të kuptohet mirë, që gjithmonë talenti,
në një mënyrë apo në një tjetër luftohet. Nëse e vini re, edhe në Amerikë janë
me kokrra aktorët apo këngëtarët e mirë që këndojnë. Ka pasur raste që në rrugë
kam dëgjuar zëra të mrekullueshëm, por që nuk e kanë pasur fatin që të hipin në
skenat e mëdha, sepse në shumë raste nuk ka pasur se kush t’i ndihmojë, apo t´i
mbështesë. E kështu ndodh shpesh që talenti tretet rrugëve... Janë shumë aktorë
që luajnë, por janë të paktë ata që të mbushin. Dhe për mua numërohen me gishta
aktorët absolutë, si për shembull Meril Strip, Al Paçino, Robert De Niro. Janë
shumë pak aktorët e mëdhenj për mua. Ndërsa idhulli im është Lorenc Oliver.
Po sa i përket
këngëtarëve, a keni një idhull tuajin?
Po kam shumë, megjithëse kam dëgjuar muzikë nga e gjithë
bota ata që me kanë lënë mbresa janë Frenk Sinatra, Billy Holliday, Fredi
Merkuri, Barbara Streizën... Eminem, më pëlqen shumë sepse ka një timbër shumë
fantastik dhe zgjedh tema shumë të bukura. Sigurisht që adhuroj Bitëllsat apo
Elton Xhon etj.
Cila është pika juaj
më e fortë
Këmbëngulja
Dhe më e dobëta?
Nuk kam më të dobët (qesh).
Kur do të riktheheni
përsëri në Shqipëri?
Shpresoj që do rikthehem, por kur nuk e di nëse do të
rikthehem për të kënduar një këngë apo për të luajtur një rol...
Yllka Selita
Comments
Post a Comment