Remo Girone: Nëse më doni në Shqipëri më dërgoni një skenar






“Tano Karidi më ndjek edhe sot”

Remo Girone, aktori i njohur italian që nga shqiptarët njihet si Tano Karidi, ka prekur tokën shqiptare për herë të parë dje, si i ftuar i Festivalit të 13-të të Filmit Shqiptar. Aktori i njohur i serialit “Oktapodi” ka qenë mbrëmjen e djeshme në studiot e televizionit Klan. I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë”, Girone ka rrëfyer për jetën e tij dhe mënyrën sesi e ka njohur Shqipërinë. Aktori i njohur u shpreh se “di shumë pak për Shqipërinë, por ky vend më ngjan me jugun e Italisë”. Po dje, më herët, Girone foli për mediat mbi karrierën e tij artistike ndër vite, fama e “Oktapodit”, fillimet e tij në teatër si dhe triumfi i tij në kinemanë italiane. Edhe pse Girone ka patur shumë sukses për rolet e tij dramatike në kinema, fillimet e tij kanë qenë në teatër, ku është bërë i njohur si një aktor humori. Surpriza e kësaj konference ishte mundësia e Remo Girone-s për të interpretuar në një film shqiptar. “Nëse më doni në Shqipëri më dërgoni një skenar. Mjafton të jetë në italisht”, tha Girone. Pas teatrit, Girone ka vazhduar të pasoj me suksese të njëpasnjëshme në serialet televizive. Shfaqja në ekranin e madhe vjen nga bashkëpunimi me regjisorin hungarez Miklós Jancsó në filmin “Roma do Cesarin”, 1972. Ky film pasohet nga “Antikrishti” (1974) i Alberto De Martino dhe roli i parë si protagonist i është ofruar nga Marco Belloçhio në filmin “Pulëbardha” 1977 për të vazhduar me “Corleone “(1978) dhe “Lojë e rrezikshme” (1982) të Pasquale Squitieri dhe Cinzia Torrini. Popullaritetin e fitoi në vitin 1987 me telefilmin e podhuar nga RAI “LA Piovra 3” duke i dhënë jetë një prej personazheve i cilësuar më i keqi dhe njëkohësisht më interesanti. I shoqëruar nga e bashkëshortja e tij, kjo është vizita e parë në Shqipëri e Girones. Aktori Remo Girone ka qenë i pranishëm në Mbrëmjen Gala të Festivalit të Filmit Shqiptar në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Sigurisht që kureshtja ka qenë shumë e madhe për ardhjen tuaj në Tiranë pasi shqiptarët ju identifikojnë si Tano Karidi. Ju, keni pasur njohje për Shqipërinë dhe kinemanë shqiptare?
Është hera e parë që vij në Shqipëri. Nuk e njoh Shqipërinë dhe kinemanë e saj. Njoh një pjesë italianësh që janë shqiptare, di që në Siçili ka një vend që quhet “La piana dei Albanessi”.. ku janë të gjithë shqiptarë.

Çfarë ju shtyu të vinit në Shqipëri? Ishte ftesa për festivalin e filmit?
Po, ishte ftesa për festivalin e filmi që më solli në Shqipëri. Fillimisht njohja me këtë festivali filmi, erdhi nga Claudio Gubitosi-it, drejtor i Festival “Giffoni” dhe “Giffon Shqipëria”. Me të ishim njohur në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë në Itali, në vitin 1997.  

Tano Karidi është roli që ju identifikojnë të gjithë. Po për sa kohë ju ka ndjekur nga pas ky rol edhe pse sukseset tuaja nuk kanë qenë të pakta?
Roli i Tano Karidit më ka ndjekur dhe vazhdon të më ndjek edhe sot, madje edhe në Itali. I them vetes, “prej sa kohës e mbaj me vete këtë personazh”.

Shqiptarët ju kanë dashur dhe kanë dashur t’iu urrejnë. Si mundët ta realizonit rolin dhe sa i keni njohur krerët e mafies italiane?
Për këtë rol,  problem më i madh ka qenë i skenaristëve dhe jo i imi. Kanë shkruar për mua këtë personazh të spikatur, sidomos duke u nisur nga seria e 4-ët. Ishte hera parë që shfaqej një film mbi mafien, ajo që në e quajmë niveli i tretë, niveli i atyre që komandojnë paranë. Personazhi ishte interesant pasi kishte karakteristika njerëzore. Ishte i keq, por tregohej dhe i mirë në disa momente. Përsa i përket pyetjes, për mua ishte shumë interesant fakti që interpretova këtë rol, sepse deri diku kishte grimca nga realiteti i kohës. Madje pas këtij roli, shumë gjëra po fillonin të botoheshin edhe në gazeta,  flitej më lirshëm përsa i përket çështjeve të mafies... Përmes filmit mund të flitet për disa gjëra që nuk mund të thuheshin në realitet. Seriali “Oktapodi”, kalohej nëpërmjet filmit për të kaluar censurën. Kujtoj këtu, shumë nga ndryshimet që bëheshin në sallën e dublimit, një personazh që ishte deputet bëhej një ish deputet. Një herë kishim xhiruar një skenë ku Andre Otti kishte zyrën, skena ishte ku një mafioz takonte një politikan. Na është dashur të montonim skenën në mënyrë të tillë që të mos njihej vendi ku ishte xhiruar.

Ne në Shqipëri, ju njohim kryesisht në role negative? Keni patur më shumë role të tillë në karrierë?
Është e vërtetë që shpesh më kanë besuar personazhe negative, por jo vetëm negative. Roli im i fundit për televizionin italian, ka qenë ai i Papa Pio i 12-të, që ndoshta shumë shpejt do të bëhet shenjtor... (qesh). Unë nuk e kam patur kurrë problem që të interpretoj një personazh negativ. Ka qenë gjithmonë zgjedhja e regjisorëve dhe e skenaristëve.  Aktualisht kamë realizuar dy filma për ekranet e kinemave. Një në Kanada, ku interpretoj së bashku me bashkëshorten time. Në kët film, jemi në rolet e një çifti, ku unë jam një emigrant italian që do të kthehet në atdheun e tij.  Në një tjetër film, interpretoj rolin e një gjyshi shumë simpatik..  Tani po përgatitem për një film të ri që quhet “Mirëmëngjesi President”, që është një komedi mbi politikën në Itali. Fabula është që duhet të zgjedhim një president të ri, partitë e ndryshme nuk bien dakord. Roli im është zëdhënësi për shtyp i Presidentit.  

A është kinemaja një mjet për të denoncuar problemet politike në Itali?
Sigurisht, ka raste që është. Ju e keni parë filmi “Gomorra”, ai është një shembull i mirë denoncimi. Edhe unë vetë kam bërë një film që quhet “Gioiellino”, që denonconte skandalin me financat e firmës “Parmalat”. Një film që ka ardhur më parë, se kriza në SHBA. Kinemaja që denoncon, ka ndryshuar, është ndoshta më e butë, por ajo ekziston. Është shumë e vështirë sot në Itali të dish ku është e mira dhe ku është e keqja.

Cila është koha e artë për kinemanë italiane?
Koha e artë e kinemasë italiane mund të konsiderohet periudha e Felinit, Viscontit, Moriçelit, Sergio Leones, e shumë emrave të tjerë. Industria e kinemasë italiane sot është pak më e dobët sepse të gjitha zhanret i e zauron televizioni, nuk ka më filma zhanri që sillnin të ardhura në industri. Në Itali mungon ligji që është në Francë e Spanjë, që i detyron filmat amerikanë që shfaqen aty, të paguajnë 20% të ardhurave për industrinë e kinemasë vendase. Ata e kanë shpëtuar kështu kinemanë e tyre.

Gjatë karrierës artistike si aktor keni bërë shumë teatër. Çfarë ju pëlqen më shumë nga rolet?
Unë kam interpretuar shumë në teatër, gjatë të gjithë karrierës sime. Deri në një farë pike kam interpretuar role shumë dramatike, si ai i Raskolnikovit tek “Krim e ndëshkim”, por kam bërë dhe role në komedi, si për shembull “Lule kaktusi”, që ka patur një sukses shumë të madh.. Më pëlqen që t’i bëj njerëzit për të qeshur, por në të njëtën kohë është aq e vështirë t’i bësh njerëzit të qajnë. Ka gjëra që në profesion më vijnë më natyrshëm dhe janë më të thjeshta për mua, por ka dhe nga ato që janë më të vështira. 

Është më e vështirë të arrish një emër në karriere apo të mbash atë Remo Girones?
Padyshim që është e vështirë të mbash emrin e krijuar. Jam shumë i kujdesshëm në zgjedhjet e mia, fillimisht zgjedh në bazë të regjisorit, dhe nëse me pëlqen atëherë pranoj. Ka regjisore të mëdhenj me të cilët mund të bëhet një rol i vogël, ka dhe regjisorë të vegjël më të cilët të bësh një rol të rëndësishëm. Unë nuk jam i fiksuar pas roleve të mëdha, nëse është një film i mirë me një regjisor të mirë, zgjedh të pranoj dhe një rol të vogël... Në teatër është ndryshe, kur vendosen në skenë pjesë të literaturës botërore, shikoj kush kanë qenë aktorët e mëdhenj që kanë interpretuar këto role.  Ndërsa për kinemanë dhe TV, lexoj shumë nëse është një personazh i rëndësishëm i historisë.

 Si janë raportet e aktorit Remo Girone me publikun femëror?                
Raportet janë të mira (qesh).  Ndoshta jo aq të mira sa të Mikele Placido-s (qesh). Unë jam martuar bashkëshorten time Victoria, prej 30 vitesh dhe kemi 2 fëmijë. Edhe kur shkojmë në evente të ndryshme, fotografët bëjnë shaka duke thënë se “këtë fotografi e kemi tashmë”.(qesh) Kështu, jam unë jam besnik, edhe pse ndoshta do të kisha dashur t’i jepja materiale gazetave te thashethemeve (qesh). Mund të them që me rolin që kisha tek “Oktapodi” kisha shumë sukses tek publiku femëror.

Keni lexuar për Shqipërinë përpara se të vini. Çfarë përshtypjesh keni krijuar?
Nuk kam paragjykime për një popull. Fatkeqësisht është folur shpesh në gazetat italiane përsa i përket ngjarjeve që shqiptarët kanë bërë në Itali. Është shumë e thjeshtë të përgjithësosh.  Mua nuk më pëlqen kjo gjë! Banditë ka në çdo vend, ndaj nuk mund të paragjykoj një popull. Me kaq pak orë që kam në Shqipëri, nuk mund të jap një përshtypje, ndoshta po të qëndroj më gjatë do të kem diçka. Por, them se Shqipëria nuk është shumë ndryshe nga Italia e jugut.

Nëse një ditë do t’iu vijë një ftesë nga Shqipëria për të luajtur në një film, do të pranoni?
Sigurisht! Nëse më doni në Shqipëri më dërgoni një skenar. Mjafton të jetë në italisht. Pse jo, do ta pranoja me kënaqësi!!
Izaura Ndoj


Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk