Sheshi “Shqiponja”, bashkon shqiptarët
Në një ceremoni mjaft të veçantë është inauguruar dje në kryeqytet sheshi “Shqiponja”. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë ndryshe nga gjithë herët e tjera, përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët në mënyrë simbolike kanë zbuluar Memorialin e Shqiponjës, i cili është vendosur tek zona e quajtur rrethrrotullimi i Doganës, por që tani do mbajë ermin sheshi “Shqiponja”. Në këtë ceremoni në krah të kryeministri Berisha dhe kryebashkiakut Basha, kanë qenë edhe 13 kryetarë Komunash nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Kryeministri Berisha, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Basha, kryetarët e komunave të Prishtinës, Tetovës, Ulqinit, Preshevës, Çairit të Shkupit, Gjakovës, Prizrenit, Pejës, Ferizajt, Podujevës, Mitrovicës, Strugës e Gostivarit të gjithë të bashkuar nën flamurin Kuq e Zi, kanë zbuluar Memorialin e Shqiponjës,i cili qëndron krenar në hyrje të kryeqytetit me një lartësi 6 metra dhe bazament 4 metra. Në përshëndetjen e tij kryeministri Berisha ka uruar në mënyrë të veçantë, në përvjetorin e 100- të të Pavarësisë të rinjtë, që të fluturojnë pas shqiponjës gjithnjë me dinjitet më të madh, më të lirë, më të bashkuar. “Ju uroj gëzuar qytetarëve të Tiranës, qytetarëve shqiptarë dhe shqiptarëve kudo që ndodhen: “Gëzuar 28 Nëntorin!”. Le të urojmë ne së bashku, me përpjekje të madhe, të frymëzuar nga vepra e atyre, që bënë të mundur që sot ne të jemi të lirë, të punojmë për të bërë përfundimisht të vërtetë idealin më sublim të shqiptarëve, idealin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve kudo që janë! Le t’u urojmë ne të rinjve shqiptarë, që të fluturojnë pas shqiponjës gjithnjë e më lart, gjithnjë me dinjitet më të madh, më të lirë , më të bashkuar!”, u shpreh Berisha. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës Basha e ka cilësuar shqiponjën, simbol force, krenarie dhe lartësie për shqiptarët. “Sot jemi mbledhur këtu shqiptarisht dhe solemnisht, nga çdo kënd ku flitet dhe jetohet shqip, për të nderuar këtë simbol të kombit, në 100 vjetorin e Pavarësisë, këtë simbol që askush nuk e vrau dot në shekuj, që askush nuk e futi dot në kafaz, që askush ndër ne nuk e harroi dhe nuk do ta harrojë në jetë të jetëve! Ky simbol i mungonte Tiranës dhe sot vjen këtu, në këtë 100 vjetor, derdhur në çelik të rëndë, sepse sot jemi më të lirë dhe më të fortë se dje, sepse sot kjo shqiponjë në fushën e kuqe të flamurit tonë, valëvitet më e fortë dhe më e lirë, kudo ku jetojnë shqiptarët”, tha Basha. Financuesi i kësaj vepre madhështore Lazim Destani ka apeluar për bashkim kulturor, arsimor dhe ekonomik të shqiptarëve: “Sot, dëshira më e madhe e çdo shqiptari është të jemi të bashkuar . Bashkimi është proçes që ka filluar . Le ta përshpejtojmë bashkimin tonë arsimor, kulturor, ekonomik dhe në të gjitha fushat e tjera, për ta bërë realitet ëndrrën e shumëpritur të bashkimit kombëtar. Prandaj sa herë që janë në pyetje interesat gjithëshqiptare, duhet të jemi unikë e të flasim me një zë”
Comments
Post a Comment