Bujar Kapexhiu: Politikanët i mbajnë koleksion karikaturat, që iu kam bërë
Shqipëria i ka të paktë talente si “Artisti i Merituar”, Bujar Kapexhiu. Talenti, pasioni dhe puna, e kanë bërë të jetë një ndër artistët më të spikatur në skenat dhe prapaskenat e artit në vendin tonë.”, pjesëmarrjen në Festivalin e 11-të dhe persekutimin, që mori mbi shpatulla, lidhjet e tij me karikaturën dhe raportet me politikanët, para dhe pas ’90, që kanë qenë në fokus të penës së tij, si dhe një anë të panjohur, atë të poezisë. “Jam i vetmi sot, që merrem me karikaturën politike! Karikatura të politikanëve të ndryshëm, të secilës parti, janë çdo ditë në majën e penës sime. Të them të drejtën, kështu erdhi, ndoshta duke menduar si qytetar, me karikaturën politike doja të jepja një mesazh personal. Çdo ditë, dita e punës nis me marrjen e 5-6 gazeta, të cilat i lexoj dhe nxjerr prej tyre problemin kryesor të ditës”, - shprehet Kapexhiu. Më poshtë gjatë intervistës do të lexoni, të pathënat mbi jetën e tij, propozimin mbi rikthimin e tij në teatër, si dhe projektet, që nuk i numëron dot.
Jemi në ditët e para të dhjetorit, ku ju
gjendeni mes disa angazhimeve artistike dhe projekteve të veçanta...?
Momentalisht, me çfarë
nuk po merrem! Fillimisht jam i angazhuar në Universitetin Evropian të Tiranës,
ku jap leksion me studentët dhe tani jemi në fund të semestrit dhe jemi të
angazhuar me mësimdhënien. Përveç kësaj, kam takimin e përditshëm me
karikaturën, kryesisht karikatura aktuale politike. Ndërkaq, ne po përgatisim
dhe mbrëmjen e Vitit të Ri, ku regjisori Petro Bozo, më ka besuar skenarin e
kësaj mbrëmjeje. Angazhimi i radhës, është ftesa për Festivalin e 51-të të Radio
Televizionit, ku përkon me 40-vjetorin e Festivalit të 11-të. Kështu që, unë me
Edi Luarasin, do të prezantojmë një cikël këngësh, që janë kënduar në atë kohë
nga emrat e spikatur të muzikës së lehtë. Përveç kësaj kam dhe angazhime me
ilustrimet e kopertinave të librave, ku njëkohësisht kam në dorë dhe një album
me 600 karikatura të botuara në këto vitet e fundit, një tjetër libër është për
artistin e shquar dibran Hazis Ndreu. Angazhimet janë të shumta, por unë çdo
ditë merrem me krijimtarinë.
Gati më shumë se katër dekada, ju keni
spikatur si një talent në karikaturë. Si i kujtoni fillimet tuaja në realizmin
e karikaturave?
Fillimet e mija në
karikaturë, kanë nisur që në gjimnaz në shkollën “Petro Nini Luarasi”. Në
shkollë kemi pasur një gazetë “Muri” dhe e drejtonte pedagogu Gjergj Zheji, ku
unë si karikaturist, vizatoja figurat e nxënësve, që ishin të parregullt. Ky
talent, vazhdoi deri në momentin ku nisa të botojë në gazetat e përditshme të
aso kohe, siç ishin “Drita”, “Zëri i popullit”, “Bashkimit” etj, por kryesisht
kam botuar në revistën “Hosteni”. Përveç asaj, kam marrë pjesë në shumë
ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare, pa apo me modesti, kam marrë dhe shumë çmime
në këto festivale.
Pas viteve ’90 në qendër të penës tuaj janë karikaturat
politike. Pse kjo zgjedhje?
Jam i vetmi sot, që
merrem me karikaturën politike! Karikatura të politikanëve të ndryshëm, të
secilës parti janë çdo ditë në majën e penës sime. Të them të drejtën kështu
erdhi, ndoshta duke menduar si qytetar, me karikaturën politike doja të jepja
një mesazh personal. Çdo ditë, dita e punës nis me marrjen e 5-6 gazetave, të
cilat i lexoj dhe nxjerr prej tyre problemin kryesor të ditës. Duke lexuar për
atë problem, autorë, analistë dhe gazetarë të ndryshëm, i them vetes se ç’mendoj?
Në karikaturë vendos mendimin tim.
E keni të vështirë realizmin e tyre?
Fillimi për të bërë
një karikaturë, është i vështirë deri sa të vendosësh karakteret, më pas ecin
vetë. Me karikaturën politike kam filluar të merrem pas viteve ’90, ne kemi bërë
karikaturë politike para ’90-s, po në atë kohë ndikonte në revionizmin
sovjetik, imperializmin amerikan etj. Gjithmonë kam bërë presidentët, kurse kur
ishte puna për të realizuar një karikaturë politike, arrinim deri tek drejtori
ose deri te zv/ ministri, më lart nuk guxonim, jo të vizatonim, por as të
mendonim diçka të tillë. Pas ’90-s, nisa të vizatoj presidentin, kryeministrin,
ministrat, ku të gjithë janë fokusuar në paletën time.
Si i keni pasur raportet me politikanët, pasi
pjesë dërrmuese e tyre janë gjendur në penën tuaj kritikuese?
Fillimisht ka pasur
një lloj ndrojtje prej tyre, kishte një lloj hatër mbetje, por më vonë me
integrimin e politikanëve në Evropë, e kuptuan që karikatura është një lloj
arti, që i kushtohet një njeriu të caktuar. Një thënie; “Një karikaturë për një
politikan, është e vështirë dhe e rrezikshme, por më e rrezikshme, është kur
nuk ka asnjë karikaturë”. Kur nuk ka asnjë karikaturë për këto politikanë, i
quaj politikanë sezonalë. Sot, ka ndodhur krejt e kundërta. Raportet e mija me
politikanët, që unë i vizatoj çdo ditë, janë shumë të mira dhe hatër mbetja, është
kur unë nuk e bëj në karikaturë. Madje, në një moment të caktuar, kur hapa një
ekspozitë me karikatura me 170 punime, një nga politikanët e njohur tha që: “Po
shkoja për të parë ekspozitën dhe isha i mendimit, se nëse nuk më ka vënë mua,
do ta kritikoj dhe do ta shaj Bujarin”.
Pse pëlqehet karikatura juaj nga politikanët?
Unë nuk i fyej dhe
nuk i denigroj figurat, por në karikaturë vendos fjalën e tij, pozicionin e tij,
vendos atë që ka thënë ai, por në një mënyrë më humoristike në marrëdhënie me
njëri-tjetrin. Ka dhe nga ata politikanë, që i mbajnë koleksion karikaturat që
iu kam bërë, pasi është aktiviteti i tyre politik. Në qoftë se do të bëj një
album me karikatura për Sali Berishën, Fatos Nanon apo Edi Ramën, ato do të
shikojnë përmes këtij albumi, të gjithë jetën e tyre politike, uljet dhe
ngritjet e tyre në politikë.
Riktheheni si prezantues në Festivalin e
RTSH-së pas 40 vitesh përkrah Edi Luarasit. Si i kujtoni ato momente?
Në atë kohë isha
regjisor në Estradën e Tiranës, por kur më propozuan për të qenë konferencier,
ose moderator, të them të drejtën fillimisht nuk pranova, pasi mu duk si një
ulje. Prezantuesi në atë kohë ka qenë ndryshe nga sot, pasi sot ka detyra më të
rëndësishme në skenë, më i organizuar dhe për më tepër, që quhet “Show man”.
Nuk e pranova ofertën për të qenë prezantues i këtij festivali, pasi prej kohësh
kisha marrë lëvdatat për punën time si regjisor dhe më pëlqente ky lloj
suksesi. Megjithatë, Mihal Luarasi, bashkë me drejtorinë e RTSH-së, e bën fakt
të kryer, u detyrova dhe pranova. Tani që e mendoj, kam bërë mirë, që pranova të
isha prezantues i Festivalit të 11-të, i cili kujtohet sot, sepse ishte një
festival, që donte të bënte diçka në atë kohë. Në këtë festival duket sikur po
frynte një erë liberalizmi, një frymë, që po ndryshonte dhe në këtë atmosferë
menduam që edhe ne të ndryshojmë diçka, për të treguar se edhe ne dimë të bëjmë
festivale të bukura, për të treguar, që edhe ne jemi artistë të mirë, sa artistët
perëndimorë.
Festivali i 11-të solli një sërë dënimesh dhe
persekutimesh në rang artistësh. Po ju si prezantues i këtij festivali, çfarë
dënimi morët?
Ky festival,
fillimisht pati shumë sukses, në ditët e para qenë të gjithë entuziastë, si nga
spektatorët edhe zyrtarët, të cilët ishin të pranishëm. Mirëpo më vonë iu bë
kthesa e madhe, i madhi i asaj kohe, që ishte me një shpirt dhe mendje shumë të
vogël, arriti që ta kritikojë Festivalin e 11-të dhe nisën reprezaljet. Nuk ishte
problemi vetëm tek festivali, ajo ishte e përgatitur si një vazhdë persekutimesh
duke filluar nga arti, ekonomia, ushtria dhe të gjitha fushat e tjera. Artistët
u gjenden mes një vorbulle dënimesh, dikush u pushua nga puna, dikush u dërgua jashtë
Tiranës, dhe shumë prej organizatorëve, u futën në burg si, Mihal Luarasi,
Sherif Merdani etj. Sot, them se pata fatin që nuk u futa në burg edhe pse isha
në listën e “zezë”, por të pushohem nga puna dhe të dërgohem për riedukim. Për
një periudhë 3-vjeçare kam punuar me kazmë, nëpër kanale, fabrika çimento, dhe
pas tri vitesh m’u dha e drejta për të botuar dhe rikthyer në art. Rikthimi im
në art u bë në vitin 1975, pasi për herë të parë në Shqipëri do të krijohej
studio e prodhimit të Filmit Vizatimor, sot (Film i animuar). Pas riedukimit,
mora postin si regjisor i filmit të animuar, Kinostudio Shqipëria e re. Gjatë
këtyre viteve, kam bërë rreth 25 filma të animuar, që kanë fituar çmime
kombëtare dhe ndërkombëtare. 25 filma të animuar si regjisor, skenarist dhe piktor!
Pikërisht këtu doja të ndalesha. Tashmë ju
konsideroheni si një artist me përmasa dimensionale përsa i përket artit, po ku
e gjeni veten më mirë?
Kur nis të bëj një karikaturë,
fillimisht personazhet i gjykoj si vizatues. Në pozicionin që marrin si
karikaturë, unë i shikoj si aktor dhe e interpretoj atë personazhin. Pra, një
karikaturë e shikoj si një vizatues, si aktor dhe si regjisor, të tria bashkë më
ndihmojnë për të arritur tek karikatura. Në të gjitha drejtimet, regjistra,
skenari dhe aktrimi janë trinomi që më japin energji në çdo eveniment.
Një karrierë e gjatë artistike në skenë dhe
jashtë saj. Ka pasur ndonjë moment të veçantë që ju e kujtoni edhe sot?
Në jetë ashtu siç ka
vështirësi ka dhe gjëra të bukura, të cilat mbahen mend, sidomos kur ke një
vlerësim për punën që ke bërë, apo në Festivalet e Filmave. Madje, në një
festival të filmit animuar, filmat e mi, kanë fituar tri çmime. Një kënaqësi e
madhe kanë qenë edhe çmimet e fituara ndërkombëtare me karikaturën, por
padyshim moment i veçantë ka qenë kur më është dhënë çmimi “Artisti i Merituar”
dhe njëkohësisht dekorata “Mjeshtër i madh”. Padyshim që këto janë vlerësim dhe
të bëjnë të mendosh për një punë të mirë që ke bërë, duke të mobilizuar për të
ecur përpara me të gjithë forcat.
Gati gjysmë shekulli si artist në shumë
drejtime të ndryshme. Deri më tani keni ndonjë peng të parealizuar?
Njeriu pengje të
parealizuara mund të ketë plot! Sot, kam këtë peng: Kam mbi tavolinë disa dosje
me libra dhe jam i sigurt se po vonohen për t’i botuar, por njëkohësisht po
vonohen edhe për t’u mbaruar. Arsyeja e realizmit të tyre janë angazhimet e
mija të shumta, pasi sapo nis një projekt e lë përgjysmë dhe nis një tjetër
projekt. Tavolina ime e punës është e mbushur me gjysma dosje të pambaruara,
dhe pengje, pasi po vonojnë për t’u botuar. Është e dhimbshme, por jam i sigurt
që shumë prej tyre projekteve, nuk mund të mbarojnë, sepse çdo ditë vetëm
prodhoj dhe krijoj.
Përveç angazhimeve që na cituat më lart, keni
ndonjë projekt personal?
Kam disa projekte për
skenarë filmash. Por, duke menduar se filmi është bërë jashtëzakonisht i vështirë
dhe problematik në lidhje me buxhetin, skenarin që e kam për film e kthej në
teatër. Kam shkruar rreth tri komedi, të cilat janë hedhur, por jo të përfunduara,
them se do t’i përfundoj shumë shpejt dhe do t’i propozoj për t’i vënë në skenë,
sepse teatri është më komod, më i mbledhur. Këto tre projekte, mendoj t’i
realizoj për një periudhë të shkurtër, por enigma mbetet nëse unë do t’i vendos
në skenë si regjisor, apo do t’ia besoj dikujt tjetër. Çdo gjë ia lemë kohës në
të ardhmen.
Prej vitesh jeni shkëputur nga teatri dhe
filmi. E ndjeni mungesën e roleve karakteristike?
Kam pasur një
propozim shumë interesant në lidhje me teatrin. Regjisori Mihal Luarasi, më bëri
një pyetje shumë interesante: “Bujar a do të kishe dëshirë të luaje në teatër
si aktor”? U emocionova kur më tha dhe ndoshta ndonjë ditë të afërt, do të më
shikoni në skenë si aktor.
Cili është sekreti juaj i të qenit në formë?
Një barsoletë thotë:
Unë jam nga ata, që punojnë 25 orë në ditë. Ju do të thoni se si është e mundur,
që të punohet 25 orë kur dita ka vetëm 24 orë? Kjo është e vërtetë, ka 24 orë
po unë ngrihem një orë përpara. Edhe unë jam nga ata, që zgjohem dy orë përpara
dhe jam gjithë ditën mes angazhimeve. Kjo më mban të gjallë gjatë gjithë kohës.
Po të them dhe një sekret tjetër, që po e them për herë të parë. Kur lodhem nis
dhe shkruaj poezi humoristike. Nëse do t’i botoj ndonjë një ditë, ia kam vënë
dhe titullin “Edhe poezi...”, vetëm një gjë nuk do të bëj në jetën time,
kompozimin. Jam një dëgjues i mirë i muzikës, por raportet me të, i kam shumë të
largëta.
Po lidhja juaj me poezinë kur ka nisur?
Si çdo adoleshent
edhe unë e kam shoqëruar rininë time me poezi, por kryesisht kur kam qenë regjisor
në Estradën e Tiranës, nisa të shkruaj shumë poezi humoristike, për skenën. Që
para 40 vitesh, nuk jam marrë me poezi, mirëpo këto kohë, kisha subjekte
humoristike dhe nisa t’i shpreh me anë të vargut. Kur nis të shkruaj poezi, nis
dhe çlodhja ime dhe qesh vetë me poezitë, që shkruaj. Kur dua të qesh, unë
shkruaj poezi!
Box
Jeta dhe vepra
Krijimtaria e tij artistike në film dhe
teatër
Bujar Kapexhiu
(Lindur më 22 mars 1944 në Tiranë) është regjisor, skenarist dhe aktor i
mirënjohur shqiptar. Kapexhiu studioi për aktor në shkollën e lartë pranë
Teatrit Kombëtar, si edhe kursin e lartë pasuniversitar, për regjisor po aty.
Më 1968 filloi punë si regjisor në Teatrin e Estradës së Tiranës, ku shkroi
shumë skeçe, parodi, kuplete, si edhe u mor me karikaturë për organet e
shtypit. Pas një periudhe 2 vjeçare largimi nga Tirana, për shkak të
"shfaqjeve liberale dhe moderniste", në Festivalin e 11 të Këngës në
RTSH, ku ishte autor teksti dhe konferencier, u rikthye më 1975, si regjisor
dhe piktor në sektorin e sapo ngritur të filmit vizatimor pranë Kinostudios
"Shqipëria e re". Filmi "Shkarravinat" (1977), ku Kapexhiu
krijoi vizatimet, skenarin dhe regjinë, u vlerësua me çmimin e Parë të
Festivalit të III-të të filmit Ballkanik të organizuar në Stamboll,Turqi,1979;
me Kupën e Festivalit të III të Filmit Shqiptar, 21-28 prill 1979, si dhe me
çmim në Napoli të Italisë në 1984. Deri në vitin 1985 xhiroi rreth 20 filma
vizatimorë, në shumicën e të cilëve është skenarist, ose bashkëskenarist,
regjisor dhe piktor; mes tyre spikat edhe “Pipiruku”, personazhi i dashur për
fëmijët, i ndërtuar prej tij. "Pipiruku pret 2 miq", u vlerësua me
çmim të dytë, në Festivalin e VI të filmit dokumentar e vizatimor. Pas vitit
'85, iu përkushtua zhanrit të kinokomedisë, duke u shquar për individualitetin
e spikatur. Në një kohë mjaft të shkurtër, xhiroi katër filma artistikë:
"Dy herë mat", 1986, "Tela për violinë", 1987, "Stolat
në park", 1988, "Edhe ashtu, edhe kështu", 1989.
Izaura Ndoj
Koha Jone
Comments
Post a Comment