Ndërron jetë Shuhet në moshën 104-vjeçare, Oscar Niemeyer, “Picasso i betonit”



Oscar Niemeyer, arkitekti brazilian i cili ndihmoi në formësimin e shekullit njëzet dhe vizionin e njerëzimit për të ardhmen, ka vdekur të mërkurën në moshën 104- vjeçare. Lajmin e kanë konfirmuar mediet braziliane të enjten. Niemeyer, ka vdekur në spitalin “Botafogo” në Rio de Janeiro, qytetin ku ai u lind më 1907, studioi arkitekturën dhe më pas ndihmoi në formësimin e monumenteve të famshme si ishte “Sambadrome”, që sikurse shumica e punës së tij, ishte modeluar sipas trupit të gruas. Por ndikimi i tij u përhap edhe më shumë në dizajnimin e kryeqytetit Brasilia dhe disa prej objekteve të tij më të njohura, duke përfshirë edhe ndërtesën e Katedrales dhe atë të Kongresit. Jashtë vendlindjes, ai ka dizajnuar sektretariatin e Kombeve të Bashkuara në New York, selinë e Parisë Komuniste në Paris dhe pavijonin e galerisë verore “Serpentine” në Hyde Park të Londrës. E përditshmja më e madhe braziliane e ka dhënë lajmin për vdekjen e tij në ueb-faqen zyrtare, duke e cilësuar atë “poet i betonit” dhe “pesimistin që e donte jetën”, sikurse edhe “tradicionalist për të nesërmen”. Në artikuj të tjerë nëpër gazeta braziliane, atij i është vënë epiteti “Picasso i betonit”. Revista “Veja” ka publikuar në ballinë lajmin për vdekjen e Niemeyer, me titull “Emri i madh i arkitekturës braziliane”. Si një nga pionierët e arkitekturës moderne, Niemeyer ishte shumë influencues me dizajnët e ndërtesave dhe peizazheve urbane që nga viti 1930. Ai po ashtu ka influencuar gjeneratat e arkitektëve të njohur, duke përfshirë Zaha Hadid, Toyo Ito, Tadao Ando dhe Christian de Portzamparc. Megjithëse ka pasur zëra kritikë që kanë thënë se puna e tij e mëvonshme ishte inferiore, shumica e kanë cilësuar si një nga arkitektët më të mëdhenj të shekullit njëzet.
“Arkitektura e tij e përfaqëson të sotmen dhe të nesërmen”, kishte shkruar Lauro Cavalcanti, drejtor i “Imperial Palace” të Rios.

Niemeyer ka lënë pas vetes më shumë se vepra betoni. 104-vjeçari ka lënë pas një vajzë e 18 nipër. Pasi gruaja e tij e parë Annita Baldo kishte vdekur, ai u rimartua në moshën 99-vjeçare.
Në veprat e tij duke nisur nga katedralja e Brasilias, deri te ndërtesa franceze e Partisë Komuniste, Niemeyer kishte gjetur inspirim në gjysmëhënat e natyrës dhe në spirale. Të tjera objekte që ka dizajnuar ai, përfshin edhe Muzeun e Artit Modern në Niteroi, i cili është projektuar në formë të një disku fluturues.
“Këndet e drejta nuk më tërheqin. Ajo që më tërheq mua janë lakoret e lira e sensuale. Kthesat që i hasim në male, në valët e detit, në trupin e femrës që duam”, kishte thënë ai më 1998. Niemeyer la shenjë edhe në objektet e disa muzeve kombëtare. Pas vitit 1964 Niemeyer, vendosi të kalojë më shumë kohë në Evropë. Sa jetonte në Francë, më 1965, ai projektoi selinë e Parisë Komuniste Franceze. Gjatë kësaj periudhe, ai dizajnoi edhe qendrën e shtëpisë botuese “Mondadori” në Itali, objektin e “Constantine University” në Algjeri dhe projekte tjera në Izrael, Liban, Gjermani dhe Portugali. Ai kishte fituar medaljen e artë nga “American Institute of Architecture” në 1970, sikurse edhe çmimit më të madh për arkitekturë që ndahet nga fondacioni “Chicago’s Hyatt Foundation” dhe medaljen e artë nga “Royal Institute of British Architects” më 1998.















Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk