Petrit Çeku, ndër yjet e rinj të kitarës klasike
27-vjeçari nga Kosova Petrit Çeku ka siguruar tashmë
statusin e një prej yjeve të rinj të kitarës klasike. Ai ka një program të
ngjeshur koncertesh në qytete e skena të ndryshme në mbarë botën, ndërkohë që
vazhdon studimet në Konservatorin prestigjoz të Muzikës Peabody në Baltimorë.
Solisti flet mbi pasionin e tij për muzikën, karrierën si instrumentist dhe
përkushtimin ndaj artit të tij:
Për Petrit Çekun, rruga për në Konservatorin Peabody ka qenë
e gjatë dhe e mbushur me nota suksesi. Studenti 27-vjeçar në një ndër
institucionet më të vjetra të studimit të muzikës në Shtetet e Bashkuara, është
një profesionist i afirmuar në skenën botërore:
“Që nga viti 2004, tashmë 8 vjet, që nuk janë shumë, por për
moshën time relativisht shumë, jam duke koncertuar”.
Jeta e Petritit nuk mund të ndahet nga identiteti si
instrumentist. Kitara ishte që në fëmijëri destini i tij:
“Ndër tingujt e parë muzikorë që i kam ndi në jetë janë
tingujt e kitarës, të cilën e lujke babi jem. Natyrisht që edhe sot e kësaj
dite vetë tingulli i kitarës më krijon një emocion të posaçëm që ka të bëjë me
kujtimet e para të fëmijërisë. Kitara për ne, për shtëpinë tonë ishte si
instrument shtëpiak, sepse edhe xhaxhi ishte kitarist, gjithashtu si babi –
kitarist amator. Kështu që është një traditë e shtëpisë sonë. Por unë e çova
pak më tutje, u bëra kitarist profesional”.
Statusi i profesionistit nuk nënkupton famë apo ekspozim në
masë, sidomos për solistin e kitarës klasike. Është fati i instrumentistit që e
ka lidhur jetën me kitarën klasike, e që i duhet të shpjegojë instrumentin dhe
artin e tij:
“E kam të qartë që për fat të keq ka edhe muzikantë të cilët
nuk janë të vetëdijshëm për historinë aq të dhimbshme të kitarës klasike”.
Artisti na udhëheq në një udhëtim në kohë që në zanafillën e
kitarës klasike në shekullin e XVI, duke qenë instrumenti i parë për të cilin
janë kompozuar vepra klasike për instrument solo. Ky instrument i lashtë ishte
i destinuar për harresë prej shekujsh kur vegla me akustikë më të lartë si
pianoja, u preferuan për të mbushur sallat e koncerteve. Ai flet për një
tragjedi të kohës moderne me lindjen e kitarës elektrike dhe popullaritetin e
kitarës akustike, që e lanë kitarën klasike krejt në hije.
Edhe vetë përvoja e artistit ka kaluar peripeci të ngjashme
me instrumentin. Në moshë të re, lufta në Kosovë e izoloi thuajse plotësisht,
duke ndikuar edhe tek mënyra si ai ushtronte instrumentin:
“Ndoshta për shkak të mungesës së muzikës në Kosovë, në
kuptimin fizik, nuk kam pasur qasje në muzikë, qoftë në CD apo koncerte, se ka
qenë gjendje e jashtëzakonshme. Për shkak të kësaj mungese unë kam improvizu
shumë atëherë, biles kam shkru vepra për me kompensu mungesën e muzikës”.
Sot ai është një ndër shpresat e reja që do të garantojnë
vazhdimësinë e instrumentit të lashtë. Një karrierë e suksesshme si
instrumentist i muzikës klasike ka ndërthurur tek Petrit Çeku frymëzimin dhe
nxitjen familjare që filloi me tingujt e parë që dëgjonte nga i ati në Prizren,
fatin që të prezantohej dhe mësonte me maestron e mirënjohur Luan Sapunxhiu dhe
mbi të gjitha një dedikim ndaj artit të tij, që për Petritin është bërë
sinonimi i jetës. Arti, shprehet Petriti, kërkon një kosto të lartë, por të
domosdoshme për njerëzimin. Ai flet pa rezerva dhe me shqetësim të dukshëm për
prirjen e shoqërisë moderne drejt një krijimtarie argëtuese në kurriz të artit
të mirëfilltë:
“Për me përjetu muzikën klasike duhet me pasë informatat. E
dini çelësin muzikor që vihet në fillim të pentagramit – na vyen çelsi për me
hy në këtë botë magjike të muzikës klasike. E çelësi është njohuria e muzikës
klasike që përmban shumë informata. Për fat të keq sot nuk është lehtë për m’u
qas në ato informata. Për fat të keq shkollimi muzikor gjithnjë e më shumë po
reduktohet, sidomos këtu në Amerikë. Nëse kjo vazhdon, ky art që ka mbijetu 1
mijë vjet mundet me u zhduk edhe mundet me u shndërru në një zbavitje instante
në formë të këtyre këngëve të shkurtra, të pakuptimta që sot e përmbushin
muzikën popullore”.
“Unë jam vetë gjithë
kohën, paraqitem si solist. Kjo domethënë që do të udhëtoj vetëm dhe as që e
shoh qytetin ku koncertoj... ”.
Vetëm në rolin e solistit në skenë, vetëm në jetën e
artistit në udhë dhe vetëm përballë një audience që shpesh nuk është prezantuar
ende me instrumentin e tij, në emër të përkushtimit ndaj veprës së tij
artistike:
"Vështirësia më e madhe është faktikisht që nuk mundem
unë me dhanë një koncert duke qenë indiferent ndaj publikut. Nuk mundet me qenë
koncerti vetëm si një produkt profesional. Koncerti duhet me ngritë një
emocion. Para koncertit unë duhet të jem në një gjendje jo të përditshme
shpirtërore. Për me ardhë te ajo gjendje duhet me kujtu emocionet të cilat më
kanë pru tek kjo muzikë, me të cilën mirrem tash”.
“Kjo e bën edhe të
posaçme këtë profesionin tim. Në një
mënyrë jam i kënaqur që nuk është edhe aq e popullarizume kitara klasike. Nuk e
di a do të kishte kënaqësi në këtë muzikë po të ishte diçka shumë masive.
Intimiteti ka të vetën”.
VOA
Comments
Post a Comment