Frederik Ndoci: Shumë surpriza për 100-vjetorin
Flet për “Koha Tjetër” këngëtari ikonë i skenës shqiptare
Në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, shumë artistë janë
angazhuar në projekte të ndryshme që do të organizohen për këtë eveniment. Po
Frederikun ku do ta shohim pjesëmarrës?
Edhe unë si pjesë e molekulës së shqiptarisë në këtë
100-vjetor sigurisht që kam kërkesa ndaj vetes dhe të tjerë ndaj meje. Kam disa
oferta dhe oferta e parë më ka ardhur për të qenë pjesëmarrës në Festivalin e
Këngës Popullore Qytetare që do të organizojë Radio Televizioni Shqiptar. Jemi
zgjedhur 10 këngëtarë, ku secili do të këndojë një këngë të traditës, një këngë
të re. Ky festival do të zhvillohet në datat 4, 5 dhe 6 tetor. Ndërkaq, me TV
Klanin do të organizoj spektaklin me këngët e 100 viteve të fundit, nga të
gjitha lamat e këngës, popullore, qytetare, muzikë të lehtë, muzikë filmash,
këngët hite të autoreve të mëdhenj. Ndërkohë, jam duke përgatitur edhe vëllimin
e dytë me poezi timin ku do të ketë edhe një biografi personale të përmbledhur
brenda, si dhe disa aforizma të miat. Plus kësaj, kam përgatitur edhe tre këngë
të reja që janë dy për qytetin tim të dashur Shkodrën dhe e treta është përsëri
për një njeri shumë të njohur të Shkodrës, Pjetër Gacin. Këngët janë gati të
përfunduara.
A do të kenë mundësi fansat tuaj që t’i dëgjojnë këto këngë
të reja në një nga aktivitetet ku ju do të jeni pjesëmarrës?
Sigurisht! Publiku do të këtë mundësi që t’i dëgjojë nëpër
aktivitetet që thashë, por unë do t’i vendos edhe në një CD tek libri, do ta
titulloj “Frederiku për Shkodrën” dhe do të jetë një dhuratë për të gjithë
personat që do të vinë ditën që do të promovoj librin.
Tashmë, një tjetër moment i bukur është edhe fakti se jeni
bërë baba përsëri, këtë herë baba i një djali. I keni kushtuar diçka djalit
tuaj?
Sigurisht që ardhja e një krijese të re të motivon, kur është
një çift i ri dhe thonë që lindja e fëmijës e burrëroi, ndërsa në rastin
konkret unë jam pak i burrëruar dhe them se më ka rinovuar. Sigurisht që, Zoti
bën dhuratat e veta, më ka mbushur me një emocion krejt tjetër dhe më ka dhënë
një situatë krejt tjetër pune që ndryshon ndoshta shumë me vitet e kaluara.
Nëse vitet e kaluara unë kisha fishekun e radhës, një aktivitet për të bërë dhe
për të mbajtur gjallë emrin, më duket se tani duhet që të punoj edhe më shumë,
dhe për të mbajtur këta dy fëmijë që mua më duken si binjakë, pasi brenda dy
vjetësh kam bërë dy fëmijë, Marilun dhe Nikolon. Përveçse ma kanë gëzuar
shpirtin në ekstrem, dhe më mbushën me emocione kaq të papërcaktuara përpara
dhe duke ia shpërblyer duke bërë gjëra të bukura të madhit Zot.
Megjithëse ata tani janë shumë të vegjël, mendoni se do të
ndjekin rrugën e prindërve, pasi vijnë nga dy prindër muzikantë?
Unë do të bëj çmos që të mos ia ndikoj këtë dhe si arrihet
kjo, duke i thënë fëmijës që unë tashmë jam i madh dhe që të bëhesh artist,
duhet që të bëhesh më i madh se unë. Pasi nuk dua që e ardhmja e tyre të këtë
ndikim nga unë. Megjithatë, duke qenë se jam mendje hapur dhe fëmijët e mi,
sigurisht që do të jenë mendje hapur dhe do t’ua shpjegoj me të gjitha mënyrat
se çfarë është arti dhe është mirë që të futesh në art, apo jo. Nëse fëmijët e
mi do të hynë në art, do të hynë atëherë kur të jenë në një nivel mbi 97%, jo
të hynë te 3 për të shkuar te 97, pasi do ta kenë shumë të vështirë, sepse
rrugës nuk artistikohet askush. Mendoj se kur të shfaqen duhet të kenë bërë një
eksperiencë dhe të njihen si djali i filanit apo vajza e filanit, është gjynah
që të njihet si vajza e Frederikut. Babait tim i vjen shumë inat kur i thonë që
është babai i Frederik Ndocit (qesh), imagjino çfarë ndjen artisti në ato
momente. Sigurisht që, fëmija e kalon prindin, sepse është një botë e re, një
prurje e re. Por, për të kënaq disa breza që ka kënaqur Frederiku është e
vështirë që të kënaqë. Nisur nga kjo, nëse dëshira e Zotit do të jetë që të
merren me art, unë nuk do t’i le të nxjerrin kokën deri sa të jenë perfekt.
Si është atmosfera në shtëpi, tani që janë dy fëmijë të
vegjël dhe lodhja është më e madhe. A ndihet kjo në krijimtarinë tuaj, apo
merret bashkëshortja me rritjen e tyre dhe ju jeni më i lirë?
Për të qenë i sinqertë, pasi edhe gruaja ime e ka thënë disa
herë, dhe pavarësisht se ajo nuk gënjen kurrë (qesh), unë e kam ndihmuar edhe
kur ishte vetëm me një fëmijë jo më tani që jemi me dy. Pra, tani nuk
diskutohet se ndihma është konkrete. Ne jemi munduar që t’i ndajmë punët siç
duhet, për shembull vendos vajzën për të fjetur nga ora shtatë e gjysmë dhe pas
një ore që e zë gjumi atë edhe unë e kam marrë një sy gjumë, (qesh), pastaj në
mëngjes e bëj gati për në kopsht dhe më pas marr edhe çunin dhe deri në orën 9
fle Alisa. Pas gjithë këtij rrugëtimi, Alisa çohet dhe shkon në punë, kështu që
i kemi ndarë pak a shumë punët, megjithatë gjithmonë sa më i pjekur të jetë
prindi nga vitet dhe nga jeta aq më pak bisht iu bën punëve dhe detyrave të tij.
Frederik, duket se i doni shumë fëmijët, i keni dhënë fund
numrit të fëmijëve apo mendoni edhe për fëmijë të tjerë?
E kam thënë disa herë që fëmija bëhet prej Zotit dhe pak me
ndihmën tonë. Nuk i dihet, sepse ne nuk kemi vënë frena, por gjithsesi logjika
është logjikë dhe pjekuria psikologjike është e tillë që në do të mundohemi që
të mos kemi abuzime, por gjithsesi për mua mirë se të vijnë edhe 100 fëmijë.
Madje, edhe në mos ardhtë, ne kemi vendosur bashkë me Alisën që të adoptojmë
një fëmijë dhe kjo do të doja që të ishte një fushatë sensibilizimi edhe për
artistët e tjerë, sepse janë disa fëmijë në shtëpinë e fëmijës që nuk kanë
prindër, ata kanë disa arsimtarë që kujdesen për ta dhe rrinë me shpresën që
kur vjen një fytyrë e re, të jetë edhe prindi i tij i ardhshëm. Mendoni sa
bukur do të ishte për ta të adoptohej nga një artist. Megjithatë, ne kemi
ndërmend ta bëjmë një adoptim, ndoshta edhe më shumë se një, sepse sa më shumë
fëmijë në një familje, aq më të mirë rriten për njëri-tjetrin dhe aq më shumë dashuri
ka në atë familje dhe akoma më shumë godasin veset negative të njëri-tjetrit.
Sot, një fëmije detyrohesh t’i bësh një moral prej të madhi, ndërkohë që një
fëmijë tjetër i flet me gjuhën e tij dhe atëherë ai e kupton edhe më mirë që
nuk duhet ta bëjë. Kështu që, edhe nëse nuk keni mundësi që t’i adoptoni
fëmijët, të paktën shkoni tek “Shtëpia e Fëmijës” sa herë që të keni mundësi
dhe çoni atyre fëmijëve nga një çokollatë apo një pako me karamele dhe me
biskota. Ju siguroj se do të jetë një ndjesi shumë e mirë ajo që do të
përjetoni pasi të keni dalë që aty.
I rikthehemi paksa krijimtarisë suaj. Do të jeni pjesë e
festivaleve këtë vit?
Festivalet asnjëherë nuk kanë qenë kompakt i qëllimeve të mia
kohët e fundit. Festivali është thjesht një dritare ku shpesh ka qenë një zë me
mua dhe nuk sjellë shumë pështjellime, sepse atje i pështjellojmë ne zërat e
veçantë për planet tyre që kanë. Unë edhe sikur të kem rast që të kem një
material të mirë, dhe kënga të jetë më e bukura dhe të votohet për çmim të
parë, ta keni të sigurt se nuk ka mundësi që të shkoj më në Festival Europian,
do të shkojë ai që vjen pas meje. Kështu që, vjet mora edhe motrat e mia dhe
këndova në festival këngën “Ah jeta ime”, ishte një këngë që sa më shumë të
dëgjohet aq më shumë të hyn në vesh.
Sezoni veror sapo ka përfunduar, si ishte ky sezon për
Frederikun?
Vera ime ka qenë shumë e mirë dhe unë kam qenë tërë kohë duke
pritur që të vijë foshnja (qesh). Bëj shaka, megjithëse gati gjysma e dytë e
sezonit nuk i premtova njeriu, sepse nuk e dinim kur do të lindte Alisa,
pavarësisht kësaj njerëzit më kërkonin në telefon dhe për disa aktivitete. Pra,
ishte një verë e mirë, si nga ana financiare ashtu edhe nga pushimet, sepse,
edhe pse Alisa ishte shtatzënë, ne bëmë pushime edhe jashtë Shqipërisë. Ky
sezon veror nuk ka qenë rutinë si vitet e tjera.
Gjatë kësaj karriere të gjatë artistike, ju ka mbetur diçka
peng deri në këto momente Frederik?
Po më ka bërë diçka përshtypje se mediat në përgjithësi më
marrin në intervista apo më ftojnë nëpër emisione të ndryshme dhe më pyesin për
të tashmen, mirëpo e tashmja për një artist është shumë interesante, sepse ai e
di që ka lyer flokët, apo thonjtë e sytë dhe mund të flas me superlative e me
mbush faqet e gazetës, ose mendjet e njerëzve që është mirë. Mua më vjen shumë
keq që kam 300 materiale dhe mediat asnjëherë nuk u morën seriozisht me këtë
fakt dhe me këto materiale. Për shembull, Frederik Ndoci gjatë viteve ‘92-‘93
në Itali ka bërë dy CD, pasi njerëzit kanë çfarë të dëgjojnë dhe kam shumë CD
të bëra nëpër botë, jo me parat e mia po me paratë e botës, kjo do të ishte
shumë më interesante se sa të flas unë, pasi duket sikur them “a doni më për
Belulin”. Do më duhet që ta harroj këtë fakt, kur njerëzit nuk dashkan që t’i
mësojnë këto gjëra.
Po besoj këto materiale që ju sapo i thatë do të zënë vend në
biografinë tuaj në librin që do të nxirrni. Publiku dhe adhuruesit e muzikës
suaj do të kenë mundësi që t’i lexojnë dhe të njihen me këto vlera?
Patjetër që po, megjithëse janë thënë pak më trashë, sepse
është biografi, dhe unë aty kam vënë jo vetëm gjërat e mira, por edhe gjërat që
më kanë ulur dhe kanë qenë në një farë mënyre edhe dështimet e mia. Një pjesë e
kësaj biografie, jo e gjitha është botuar edhe në Miçigan para disa vitesh, aty
do të jetë jeta ime në dy epoka, në dy mijëvjeçarë, në dy politika të ndryshme,
dhe që unë kam kaluar tallaze e dallgë që, nëse do të më jepej mundësi që të
rijetoja edhe një herë do t’i rijetoja po të njëjtat situata pa ndryshuar
asgjë.
Comments
Post a Comment