Ardian Ndreca_Komunizëm pa marksista
Para pak ditësh vdiq filozofi Eric Hobsbawm e shumica e
gazetave shqiptare theksuen faktin që ka qenë deri në fund të jetës marksist;
ky nënvizim u ba pa vetëdijen e qartë se të qenit marksist i Hobsbawm-it nuk
kishte asgja të përbashkët me kuptimin që ai term ka pasë tek ne.
Shqipnia pati fatin e mjerë me pasë nji surrogato komunizmit
pa baza të mirëfillta marksiste.
Enver Hoxha vetë nuk njihte dhe nuk zotnonte asgja prej
filozofisë së Marksit. E gjithë shujta (ushqimi) e zhganit të tij vinte prej do
përkthimeve të këqija prej rusishtes ku terminologjia hegeliane e Marksit ishte
kthye në nji rebus të pakuptueshëm.
Baza teorike e ideologjisë së Enver Hoxhës ishte dogmatizmi
engelsian, Lenini e Stalini, këta të fundit, të mjerë si mendimtarë, por të zot
si xhelatë.
Në fakt për atë plan që kishte në mend me vue në jetë Enver
Hoxha nuk kishte aspak nevojë për mendimtarë, atij i mjaftonin metodat
kriminale që ishin zbatue me sukses në Rusinë sovjetike qysh prej vitit 1917.
Me marrjen e pushtetit prej komunistave në vitin 1944, në
ullukët e kalbun të fanatizmit pesëqindvjeçar nisi me kullue nji ideologji e re
që rekrutonte njerëz me vullnet të keq që kërkonin me shkatrrue dhe me zhbî çdo
gjurmë të shpirtit europian perëndimor tek ne.
Këtij izolimi mendor dhe shpirtnor, të mbrujtun me fermente
leniniste kaukaziane ia vunë emnin komunizëm alla shqiptarçe.
Ndërsa marksizmi i moderuem dhe jo dogmatik europian i
autorëve si M. Horkheimer, H. Marcuse, G. Sorel, W. Benjamin etj., ishte
zhvillue në kontakt të gjallë me rrymat bashkëkohore të mendimit botnor,
“marksistat” shqiptarë mbështeteshin tek Lenini, Stalini dhe tek mendimi i
Enver Hoxhës.
Po të përjashtojmë veprat me kujtime të Enver Hoxhës, të
cilat janë shembull hipokrizie dhe banaliteti, veprat e tija me karakter gjoja
teorik si ato mbi revolucionin kinez apo vetadministrimin jugosllav janë
qesharake për nga pikëpamja marksiste. Fjalimet e tija mbi artin, shkencën,
kulturën, bujqësinë, industrinë, zhvillimet ndërkombëtare janë thjesht
propagandë e çastit pa asnji spesor teorik, pse ai që i ka shkrue nuk ka pasë
kurrnji instrument për me analizue në thellësi realitetin për të cilin ka mtue
me folë. Tue u nisë prej rezultateve, mund të themi se Enver Hoxha nuk ka
distilue as edhe nji mendim të vetëm humanist apo edhe marksist.
Kush janë ideologët tjerë të Shqipnisë komuniste?
Nexhmije Hoxha.
Të vetmet gjana që mbesin prej kësaj njësie njerëzore pa
sens moral janë dy-tri letra që i shkruente burrit të saj të ardhshëm gjatë kohës
së luftës, ku i ankohej për mos kryemjen e detyrës prej shokëve të partisë…
detyra në fjalë ishte pushkatimi i disa komunistave të tjerë. Nji vajzë 23-
vjeçare, gjoja idealiste, preokupohej se e ardhmja e ndritun e vendin ishte në
rrezik për faktin se disa shokë të saj komunista nuk po e merrnin plumbin
ballit apo mbas shpinet! Në nji kohë që shoqet e saj shkruenin letra dashunijet
apo andrronin princin e kaltër, ajo shkruente për vrasje!
Kush ishin të tjerët: Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Foto Çami,
Hamit Beqja e nji seri e gjatë burokratësh që e kishte zanat profesorllekun e
marksizmit. Të gjithë këta ishin potencialisht të zotët edhe me çue këdo në
pushkatim, por jo me shkrue nji vepër të vetme me karakter marksist.
Menjiherë mbas ramjes së komunizmit në Shqipni nji pjesë e
kinse marksistave shqiptarë, të cilëve ua lejonte mosha dhe karakteri, ngane pa
frymë si shkartha me u konvertue në strukturalista, relativista, nihilista, tue
rrokë ma së shumtit rryma mendimit që bota i kishte provue dhe deri diku i
kishte qitë mënjanë si problematike.
Eric Hobsbawm ka qenë nji mendimtar që pat besue tek
marksizmi deri në fund, por marksizmi i tij kishte tjera objektiva dhe tjetër
metodë, prandaj nuk asht e drejtë me e shti në nji kallep me ata tanët.
Ka ma shumë se 20 vjetë që në Europën lindore ka ra
komunizmi, megjithatë tek ne ai ende nuk ka perëndue. Për me hapë nji kapitull
të ri në jetën politike të vendit ishte dashtë me e dekomunistizue jetën
publike. Por asnjena prej forcave politike nuk e ka pasë guximin me ndërmarrë
nji hap të tillë, pse mes tyne militojnë ish komunista me nji etje të
pathanshme për pushtet e për pare, e deri sa të jenë ata në lojë vendi ynë ka
me mbetë vendnumro, siç po e tregon vetë rrjedha e ngjarjeve.
Comments
Post a Comment