Replikë me Ardian Vehbiun për gegnishten
Gjokë Vata
Gazeta ‘Mapo’ në numrin e saj të datës 28 shtator 2012 botoi
nji artikull të z. Ardian Vebiu me titullin: Shqip flasim e s’merremi vesh. Së
pari due t’i them artikullshkruesit në fjalë: Shqipja nuk ashtë fajtore për
mosmarrveshjen e atyne shqiptarve që përpiqen me e shëndrrue të vërteten në të
kundërten e saj. Ata që e angazhojnë vehten në këtë rol i shkaktojnë nji dam të
jashtzakonshëm prestigjit të intelektit, prandej para nji pohimit a mohimit na
duhet me kujtue thanjën e urtë të lirikut tonë të madh Lasgush Poradecit:
“Duhet ta kemi frikë historinë.” Kushdo sulmon nji dialekt të popullit të tij
apor edhe të çdo populli, edhe sikur ai dialekt të ketë sadopak vlera gjuhsore
jepet pas nji përpjekje të turpshme që synon me fye të gjithë ata që e flasin,
ndaj kjo përpjekje i ngjet nji bombe e cila plasë në duert e atij që don me ua
hedhë të tjerëve. Z.Vebiu në vargun e gjatë të shkrimeve antigegnisht ka ardhë
vazhdimisht tue e rritë arsenalin e ofendimeve, thue se këto fyemje janë të
zojat me i ba vend në Librin Gines. Mjafton edhe përqindje ma e pakët e
fyemjeve Vebijane ndaj gegnishtes së tri të katërtave të popullsisë shqiptare,
me u shkaktue habi të madhe lexuesave që nuk kanë si mos me i kundërshtue
fymjet e tija. Ja disa nga fyemjet e nji numrit të papërfillshëm këtij vargu
shpifjesh: “Gegërishtja është një para fallso e denjë të qëndrojë në nje
muzeum”. “Gegërishtja është gjuha e
vjetruar e Fishtës dhe e Koliqit.
Gegërishtja është një zhargon katolik”. A nuk do të ishte ma me vend të thonte:
Gegnishtja është gjuha fatlume e
shprehjes së frymzimit që na dhuruen kryeveprën e epikës shqiptare e kryeveprat
e satirës shqiptare? Gegnishtja asht gjuha që përmbushi kërkesat e themeluesit
të novelës moderne shqiptare. Gegnishtja në veprat e Martin Camajt është shqipja
lirike. Por mllefi i z. Ardian Vebiut mundohet me i injorue këto të vërteta kaq
të pamohueshme e as nuk don t’ia dijë se pa kryeveprat e shkrueme në gegnisht
dejsia e përfaqsimit të letërsisë shqipe do të zbriste poshtë.
Megjithketë z. A. Vebiu ven me gëzim edhe firmën e tij në
vendimin gjygjsor të Kongresit të 1972 për dënimin me vdekje të ngadaltë të
gegnishtes së cilës tue iu mohue ekzistenca me të drejta të barabarta me
dialektin tjetër, do të ligej gjithnji e ma shumë nën presionin shtypës të shqipes
së përdorimit të sotëm me ortiqe fjalësh të hueja.
Përcaktimi ‘zhargon katolik’ që z. A. Vebiu i bani
gegnishtës në nji nga artikujt e shkruem në gazetën “Shekulli” pak kohë ma parë
asht edhe ma flagranti. Si mund të konsiderohet “zhargon katolik” nji gjuhë që
asht pronë kulturore e përbashkët e tri të katërtave të popullsisë së nji kombi
të përbam nga katër besime kryesore? Gegnishtja
nuk ka si me pasë vlerat e nji
zhargoni, në të cilin janë përkthye Komedia Hyjnore, Iliada, Fausti e sa e sa
kryevepra botnore. Z. Ardian Vebiu në njanin nga artikujt e botuem në gazetën
“Shekulli” shkon edhe deri aty sa të kritikojë gjuhtarët norvegjezë për dhanjen
e të drejtave të barabarta të dy dialekteve norvegjeze. Pse, sipas tij
gjuhtarët norvegjezë do të duhej të kishin ndjekë shembullin e Kongresit tonë
politiko-gjuhsor të 1972. Z.Vebiu sigurisht e din mirë se fjala krahinë nuk e
përfshin Atdheun e fjala Atdhe i përfshin të gjitha krahinat e tija e se
prandej na duhet me qenë ma parë atdhetar e mandej krahinorë. Të gjitha figurat
e kombit tonë i japin krenari të barabartë çdo shqiptarit, e kështu edhe
pasunia e çdo dialekti ashtë pasunia e çdo shqiptarit. E çdo shqiptarit duhet
t’i dhimset njisoj shkatrrimi i kësaj pasunije të përbashkët. Ja si e vlerson
këtë pasuni kryegjuhtari ynë Eqrem Çabej në kumtesën e mbajtun në Kongresin e
1972: “Dialektet janë përrënj që ushqejnë lumin gjuhë. E shton: “Edhe kur të
jenë zgjidhur shumica e problemeve gjuhsore, jemi ende në mes të rrugës.
Standardizimi i një gjuhe bëhet ose duke u bazuar në shkrimet e shkrimtarëve më
të mëdhenj të atij vendi, ose mund ta bëjë epërsia politike e një krahine.” Pra
ose shkenca gjuhësore, ose politika. E si ka me dalë ma e qartë përgjegja e
pyetjes: shqipen e përdorimit të sotëm a e standardizoi shkenca, a politika?!
Kjo pyetje, a nuk e dëshmon frigën e dhunës që detyroi Eqrem Çabejn ta firmoste
vendimin e Kongresit të 1972? Z.Vebiu tue dashtë me e shpërfillë këtë realitet
shkruen në artikullin e porsa botuem nga gazeta “Mapo”: “Shqipen standarde e
kundërshtojnë vetëm ata që veshin brekë legjendare të cilët janë në fotografite
e Marubit e këta janë të denjë vetëm për ditën e karnavaleve të albanologjisë.”
I duhet kujtue pra këtij zotnie se në fotografitë e Marubit janë disa nga
figurat ma të mëdhaja të kombit tonë. E prandej këto fjalë nuk kanë si me ba
atë figurë të mirë që e nderon shkruesin e tyne. E nji fjalë e urtë thotë: Kush
nuk din me matë, nuk din as me pre. E matja ma e randsishme asht matja e
fjalës. Në vend me u përpjekë me i njoftë sa ma thellë vlerat e jazhtzakonshme
të krijimtarive të kostelacionit tonë letrar, me u mundue me i denigrue?! Dihet
se as instrumentisti ma i përkryem pa instrumentin e përshtatshem për talentin
e tij nuk do të mundte me i shprehë as mjeshtrinë e krijimit as të ekzekutimit,
kështu edhe letrarët gegë nuk do të mund t’i realizonin ato kryevepra pa
mundsitë e pakufishme të të shprehunit të frymzimeve të tyne. Kur dihet se
interesi kryesor i çdo shkrimtarit asht të përzgjedhunit e gjuhës sa ma
shprehse. Nëse këtë mundsi kaq të domosdoshme do t’ua jepte shqipja e
përdorimit të sotëm, pse nuk e morën të gatshme Martini Camaj, Arshi Pipa e sa
e sa shkrimtar të tjerë gegë?! Duhet shtue këtu se Martin Camaj përveçse shkrimtar e poet i atij niveli, asht
edhe nji nga gjuhtarët ma të zot shqiptar e autor i nji gramatike që, ngase
hedhe shkencërisht poshtë standardin, as nuk përmendet kurrë. E pra, nëse
shqipja e përdorimit të sotëm do të ishte vërtet standarde, do ta bante
qesharak cilindo t’i shkonte ndërmend me folë qoftë edhe nji fjalë të vetme
kundra tij.
Por, për fatin e mirë të shqipes e përkohshmja nuk ashtë e
përhershme. E ka arsye të shpresohet se e përhershmja do ta nxjerrin shpejt
jashta loje të përkohshmen. Nuk ka si me u dukë i pa mundun standardizimi i vërtet
i shqipes, sepse nuk ka si të mos vdesë marria e dëbimit të paskajores që asht
zemra e gjuhve ma të përparueme të Botës. Randsinë e saj në gjuhë e tregon vetë
të emërtuemit e saj “infinitiv”. Ky emërtim na thotë se randsinë që ka Infiniti
në gjithsi, ka infinitivi në gjuhsi. Mohimi i kësaj të vërtete asht pjellë e
marrisë së paskajshme si paskajorja. Kjo e vërtetë lind pyetjen: Kush bani faj
gjuhsor, gjuhtarët e gjuhve ma të përparueme që nuk e heqin, a por kongresi i
1972 që e hoqi e ne që e lam nën kthetrat e dhunës së atij Kongresi?! Kur
paskajshmënia e infinitivit nuk mundka me zevendsue lidhoren, si mund ta
zevendsoj lidhorja paskajoren?! Deri në
çfarë mase zbret cilësia kur rolin e paskajores ia ngarkojmë lidhores?!
Dëbimi i paskajores, a nuk i shkaktoi shqipes atë dam që do t’i bahej si, mos
qoftë thanë, anglishtes po t’i hiqej paskajorja?! Heqja e paskajores mori me
vehte edhe nji pjesë të kohve të përbame të foljes që formohen në sajë të saj.
Përse të mbetemi gjithnji të kundërtit e Botës që përpiqen me i pasunue sa ma
shumë gjuhët e tyne?! Cili argument shkencor mund ta justifikojë zevendsimin e
germës A me Ë në rreth 3000 fjalë kur germa A konsiderohet parsore në çdo
alfabet e jo vetë ngase hapë alfabetin, por edhe se tingulli i saj i shërben muzikalitetit
sa asnji zanore tjetër. Germës Ë përveçse nuk i ashtë ba vend në asnji alfabet
tjetër dhe përdorët ma rrallë se çdo germë tjetër quhet ‘E memece’ e biles edhe
nga shumë gjuhtarë tonë e quejnë ‘Gjysëm zanore, ose zanore e turbullt’ e
gegnishtja e quen ‘E pazzane’, pra e pa dejë me iu ngarkue gjithë ai rol që i
dha kongresi politiko-gjuhsor i 1972 në shqipen e përdorimit të sotëm. Germa Ë,
siç shihet qartë, u ba shkak kryesor i shumicës dërrmuese të gabimeve
ortografike, qoftë se edhe vetë gjuhtarët pas sa e sa këshillimeve ndërmjet
tyne, ende nuk kanë mund me ra në nji ujdi përfundimtare rreth përdorimit të
saktë të kësaj shkronje. Përvoja po tregon se germa Ë asht e përshtatshme vetëm
me përcaktue emnat e gjinisë femnore e me zgjatë ndonji rrokje kur asht e
nevojshme me e luejt këtë rol që ka në
gegnisht. Në njanin nga artikujt e shkruem në mbrojtje të shqipes së përdorimit
të sotëm, Z. Ardian Vebiu çuditrisht mundohet me mbrojtë edhe rrotacizmin tue e
justifikue si nji “Fenomen normal gjuhësor”. Nuk kam si mos meqenë i bindun se
ai e din masëmiri që kjo mbrojtje asht në kundërshtim të hapun me rregullat e
muzikalitetit gjuhsor e pikrisht për këtë gjuhtarët e të gjitha gjuhëve bajnë
çmos me e minimizue sa ma shumë rolin e tij në të folun e në të shkrueme.
Ndërsa kongresi politiko-gjuhsor i 1972, zbatues i
direktivave diktatoriale të partisë edhe në lamin e gjuhsisë doli kundra gjithë
Botës si në çdo fushë tjetër të jetës. Kështu standardizimin e nji dialekti
pamvarsisht mosplotsimit të kërkesave të nji gjuhe vërtet standarde e shpalli
gjuhë imponuese e kundërshtimin ndaj përdorimit të saj, “Anmiq të politikës së
pagabueshme të Partisë shtet e të udhëheqsit të saj”. Prandej do të
etiketoheshin “përçarsa” e si të tillë do të dënoheshim në bazë të nenit 55. I
vetmi ndryshim i së djeshmes me të
sotmen asht heqja e nenit 55. Për fat të keq, në armatën e kundërshtarve të
gegnishtes ka edhe gegë të rekrutuem që, në vend me i shërbye gjuhsisë i
shërbejnë interesave që nuk do të duhej as të ekzistonin.
Comments
Post a Comment