Ardian Vehbiu_Debat pa skaje



Lexova dje në MAPO një polemikë të Astrit Canit, që më referohet drejtpërdrejt me emër (“Gegënishtja dhe gjuha shtetërore e Ardian Vehbiut”), por pa e përligjur dot këtë retorikë të bujshme në tekst.
Përshtypja ime është se kjo polemikë vijon një debat të paradokohshëm, në blogun “Peizazhe të fjalës”, në të cilin z. Cani u pozicionua ngjashëm me sa më lart.
Megjithatë, ndërhyrja e tij e tanishme nuk i referohet gjë haptazi as shkrimit tim në “Peizazhet”, as ndonjë shkrimi tjetër publicistik, as dy librave të mi për çështjet në fjalë – “Shqipja totalitare” dhe “Fraktalet e shqipes”, në të cilat unë e kam nyjëtuar me hollësi qëndrimin tim ndaj shqipes së njësuar, standardit, normës, varianteve letrare, dialekteve dhe orvatjeve për rishikim të statusit që ka sot shqipja e 1972-shit.
Do të ishte mirë që, në këtë polemikë, z. Cani të citonte me saktësi ato pasazhe të miat, me të cilat polemizon; sikurse e kërkojnë edhe normat më elementare të debatit. Duke e shpërfillur këtë detyrim, z. Cani e ka zhvlerësuar argumentin e vet, sepse çdo lexues ka të drejtë të mendojë se ai po lufton me mullinjtë e erës.
Ku e paskam thënë unë, bie fjala, se “gjuha është e shtetit?” dhe se “shteti është pronari i gjuhës”? Si mund t’ia lejojë vetes autori i artikullit të nxijë me dhjetëra rreshta për t’iu kundërvënë zellshëm këtyre tezave, pa e saktësuar më parë se ku i kam formuluar unë ato, në ç’kontekst specifik dhe brenda ç’argumenti timit?
Ku e ka parë ky zotëri të kem quajtur unë gjëkundi letërsinë e Koliqit “letërsi dialektore”, në një kohë që unë, së bashku besoj me dhjetëra kolegë të tjerë të fushës, jo vetëm dimë të bëjmë dallim mes dialektit dhe variantit letrar të mbështetur në dialekt, por edhe e kemi përdorur këtë dallim si premisë në analizat tona?
Z. Cani zë të flasë për “vehbizëm”, term që e ka krijuar vetë dhe që i jep ndoshta kënaqësi intelektuale; por në fakt nuk ka gjë aq të spikatur, as të padëgjuar ndonjëherë, në qëndrimet e mia ndaj çështjeve të standardit, të normës dhe të marrëdhënieve të shqipes së njësuar me dialektet dhe variantet letrare, sa të përligjë krijimin e këtij termi të posaçëm, i cili duket sikur shënon ndonjë ideologji tinëzare, kushedi edhe të helmatisur.
Me shkrimet e mia të herëpashershme, unë përpiqem, ashtu si z. Cani, të ndihmoj – me aq mundësi sa kam – që ta ruaj shqipen, kulturën shqiptare dhe shoqërinë shqiptare nga shpërbërja dhe rrëgjimi, të cilat i kërcënohen sot. Kur ka qenë rasti, kam folur dhe mjaft gjatë edhe për traditën e vyer të gegërishtes letrare dhe trajtimin që iu bë kësaj tradite nga regjimi totalitar; por në momentin e tanishëm më është dukur më urgjente, dhe shoqërisht më e dobishme, që ta përqendroj vëmendjen në atë çfarë kemi të përbashkët, si shqiptarë, ose shqipen e njësuar; jo në atë çfarë na ndan në sinkroni – dialektet; ose në diakroni – fillesat e ndryshme të traditave letrare.
Natyrisht, unë besoj se mënyra si u imponua standardi, në vitet 1960-1970, ishte përçarëse dhe e dhunshme; njëlloj si shumë masa të tjera përshpejtuese dhe voluntariste të regjimit të atëhershëm, që ngutej të përftonte hegjemoni territoriale dhe sociale edhe në fushën gjuhësore; dhe jo vetëm besoj, por edhe e kam shtjelluar këtë shumë herë dhe në shumë vende. Por ky interpretim i historisë së vonë nuk i përligj orvatjet e tanishme, për ta goditur standardin, kinse në emër të rivendosjes së një të drejte të shkelur me këmbë. Argumenti është i ndërlikuar; meriton të shqyrtohet në disa nivele, dhe kurrsesi nuk shterohet dot me shkrime në mediat; edhe pse është mirë që flaka e debatit të mbahet ndezur me çdo kusht e me çdo mjet.
Ndezur, pra; por me korrektesë dhe integritet, jo me retorikë dhe histeri. Tre të katërtat e atyre që thotë z. Cani në shkrimin e vet nuk kanë fare lidhje as me mua, as me pikëpamjet që kam shprehur unë; çfarë e shndërron titullin e shkrimit në një marifet cirku, nga ana e autorit.
Z. Cani është polemist i pandershëm – dhe kjo nuk i falet. Sentimentalizmi, retorika, gabimet logjike i falen sepse askush prej nesh nuk ia hedh dot gurin e parë; pandershmëria jo.
Për sqarim – unë s’kam lidhje as me Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, as me keqtrajtimin e pafalshëm që iu bë traditës letrare gege në atë periudhë; sikurse s’kam lidhje me fetë e shqiptarëve dhe komunitetet përkatëse; dhe as me institucionet që merren sot me mbikëqyrjen dhe mirëmbajtjen e standardit.
Unë gjithsesi jam munduar ta shtjelloj gjetiu se çfarë i ndodhi gegërishtes letrare pas vitit 1945, ishte pasojë, e hidhur por jo dhe aq subjektive, e mënyrës si kishin rrjedhur ngjarjet jo vetëm gjatë Luftës II Botërore, por edhe më parë; praktikisht që me fillimet e Rilindjes Kombëtare – kur modeli kulturor tosk: populist, ekstrovert dhe ekspansiv, u përplas me modelin kulturor katolik geg: elitar, ekskluziv dhe introvert; teksa një masë kritike gegësh në Kosovë dhe gjetiu, kryesisht të fesë Islame, u lanë padrejtësisht jashtë jo vetëm kufijve shtetërorë, por edhe zhvillimeve organike të përbashkëta me pjesën tjetër të shqiptarëve; dhe kur roli i Shkodrës, si kryeqendra të paktën kulturore e Shqipërisë, erdhi duke u dobësuar, për arsye gjeopolitike.
Prandaj, këtu nuk është fjala thjesht për të vendosur nëse do të themi e shkruajmë ‘pamuk’ apo ‘pambuk’  (ose për të parafrazuar Swiftin, se nga cila anë duhet thyer veza e zier, nga e gjëra apo nga e ngushta); por për më tepër, shumë më tepër dhe pikërisht: a duam vërtet dhe a jemi në gjendje, ose më mirë, a i kemi institucionet dhe vullnetin e duhur shoqëror që të zhbëjmë sot rezultatet, sado të debatueshme në vetvete, të gati një shekulli e gjysmë përpjekjesh, suksesesh, disfatash, gabimesh dhe mëkatesh në lëmin e homogjenizimit kulturor të një shteti të ri dhe me institucione kaq të dobëta, si yni?

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk