Në vitin 2013 nuk duhet t’i besojmë injorancës së kultivuar të ekspertëve
Edgar Morin
Fatkeqësisht, udhëheqësit tanë e kanë humbur kontrollin e gjërave: ata
janë të paaftë të japin një diagnozë të saktë për situatën dhe sidownload (13)
rrjedhim, të paaftë për të gjetur zgjidhje konkrete për problemet. Gjithçka po
ndodh sikur një oligarki, e vogël e interesuar vetëm për të ardhmen e saj të
afërt, ka marrë në dorë të gjitha komandat» (Manifesti Roosvelt, 2012) Një
diagnozë e saktë kërkon një mendim, të aftë të mbledhë dhe organizojë
informacionet dhe dijet e njohura, por që janë të copëzuara dhe të shpërndara.
Një mendim i tillë duhet të jetë i vetëdijshëm për gabimin e nën vlerësimit të
gabimit. Ai duhet të jetë i vetëdijshëm për iluzionin e nën vlerësimit të
iluzionit. Gabimi dhe iluzioni i kanë çuar udhëheqësit politikë dhe ushtarakë
të fatit të Francës në katastrofën e vitit 1940; gabimi dhe iluzioni e bënë
Stalinin t’i besonte Hitlerit që për pak shkatërroi Bashkimin Sovjetik. E
gjithë e kaluara jonë, edhe ajo e afërt, gëlojnë nga gabimet dhe iluzionet,
iluzioni për progresin e papërcaktuar të shoqërisë industriale, iluzioni për
pamundësinë e krizave të reja ekonomike, iluzioni sovjetik dhe maoist, kurse
sot mbizotëron ende iluzioni për një dalje nga kriza me anë të ekonomisë
neoliberale, që pikërisht e shkaktoi këtë krizë. Mbretëron gjithashtu iluzioni
se alternativa e vetme gjendet ndërmjet dy gabimesh, gabimit se shtrëngesa
është ilaçi i krizës, gabimit se rritja ekonomike është ilaçi i shtrëngesës. Gabimi
nuk qëndron vetëm te mosshikimi i fakteve. Ai qëndron te një vizion i njëanshëm
dhe reduktues që shikon vetëm një element, vetëm një aspekt të realitetit
kompleks. Fatkeqësisht, edukimi ynë që na jep dije nga më të larmishmet nuk na
mëson asgjë për problemet themelore të dijes që janë rreziqet nga gabimet dhe
iluzionet. Ai nuk na mëson aspak kushtet e dijes së duhur, dija e aftë të
përballojë kompleksitetin e realitetit. Makina jonë e prodhimit të dijeve, e
paaftë të na japë aftësinë për të lidhur dijet, prodhon verbëri të mendjeve
miope. Në mënyrë paradoksale, grumbullimi pa lidhje i dijeve prodhon një
injorancë të kultivuar dhe të re tek ekspertët që pretendojnë të ndriçojnë
përgjegjësit politikë dhe socialë. Më keq akoma, kjo injorancë e kultivuar e ka
të pamundur të rrokë zbrazëtinë e frikshme të mendimit politik, dhe kjo jo
vetëm te partitë tona në Francë, por edhe në Europë dhe në botë. Ne pamë,
sidomos në vendet e “pranverës arabe”, por edhe në Spanjë dhe ShBA, një rini të
mbrujtur me aspiratat për dinjitet, për liri, për vëllazëri, me një energji
sociologjike që u ka humbur prindërve të tyre të zbutur ose të lodhur, ne pamë
sesi kjo energji, e bashkuar me një strategji inteligjente paqësore, ishte e
aftë të rrëzonte dy diktatura. Por ne gjithashtu e pamë këtë rini të përçahej,
pamë paaftësinë e partive sociale të formulojnë një linjë, një rrugë, një
qëllim, dhe pamë kudo regresion, madje edhe brenda këtyre fitoreve demokratike.
Kjo e keqe është e përgjithshme. E majta është e paaftë të nxjerrë nga burimet
e saj socialiste, komuniste, një mendim që t’i përgjigjet kushteve aktuale të
zhvillimit dhe mondializimit. Ajo është e paaftë të integrojë burimin ekologjik
të domosdoshëm për shpëtimin e planetit. Presidenti ynë i majtë i një France të
djathtë nuk mund të bjerë në iluzionet e së majtës së vjetër, as të humbë
gjithë substancën duke u përqendruar tek e djathta. Ai është i dënuar me një
“vazhdo përpara”. Por kjo kërkon një reformë të thellë të vizionit të gjërave,
domethënë të strukturës së mendimit. Kjo do të thotë, që duke u nisur nga një
diagnozë e saktë, të tregohet një linjë, një udhë, një qëllim që bashkon,
harmonizon dhe simfonizon me njëratjetrën reformat e mëdha që do të hapin
rrugën e re. Unë dua të tregoj, para së gjithash, se ka ardhur momenti për një
reformë të dijes dhe mendimit, me anë të arsimit publik. Angazhimi i më shumë
se 6000 mësuesve duhet të bëjë të mundur përgatitjen e mësimdhënësve të një
lloji të ri, të aftë të trajtojnë problemet themelore dhe globale, të
anashkaluara deri tani nga arsimi ynë: problemet e dijes, identiteti dhe
gjendja njerëzore, era planetare, të kuptuarit njerëzor, përballja me
pasiguritë, etika. Në lidhje me këtë pikë të fundit, ideja për të futur mësimin
e moralit laik është në të njëjtën kohë e nevojshme dhe e pamjaftueshme.
Laiciteti i fillimshekullit XX bazohej mbi bindjen se progresi ishte një ligj i
historisë njerëzore dhe do të shoqërohej doemos nga progresi i arsyes dhe i
demokracisë. Sot, ne e dimë se progresi njerëzor nuk është as i sigurt as i pakthyeshëm.
Ne njohim patologjitë e arsyes dhe nuk mund të konsiderojmë më si irracionale
gjithçka që ka të bëjë me pasionet, mitet, ideologjitë. Ne duhet të rikthehemi
te burimi i laicitetit, ai i shpirtit të Rilindjes, që është problematizimi,
dhe duhet të problematizojmë edhe atë që ishte zgjidhja, domethënë arsyen dhe
progresin. Po morali? Për një shpirt laik, burimet e moralit janë
antropo-sociologjike. Sociologjike: në kuptimin që solidariteti dhe komuniteti
janë në të njëjtën kohë burime të etikës dhe kushte të të jetuarit mirë në
shoqëri. Antropologjike: në kuptimin që çdo subjekt njerëzor mbart një logjikë
të dyfishtë: një logjikë egocentrike që e vendos në qendër të botës së tij dhe
që të çon tek “unë së pari”; një logjikë të “ne”, domethënë të nevojës për
dashuri dhe për komunitet që shfaqet te foshnja dhe zhvillohet në familje, në
grupet e përkatësisë, partitë politike, atdheu. Ne jetojmë në një qytetërim ku
janë degraduar solidaritetet e vjetra, ku logjika egocentrike është
mbizhvilluar dhe logjika e “ne” kolektive është nënzhvilluar. Kështu, ne mund
të shohim se një nga imperativët politikë është të bëhet gjithçka për të
zhvilluar bashkërisht atë që shpirtrave binarë u duket antagoniste: autonominë
individuale dhe përfshirjen komunitare. Mund të shohim se reforma e dijes dhe e
mendimit është një kusht paraprak i nevojshëm por jo i mjaftueshëm, për
rigjenerimin dhe rinovimin politik, për çdo rrugë të re për të përballuar
problemet jetësore të epokës sonë. Ne mund të fillojmë që sot një reformë të edukimit,
duke mësuar dije mbi problemet themelore dhe jetësore që secili duhet të
përballojë si individ, si qytetar, si human.
* Filozof dhe sociolog
Mapo
Comments
Post a Comment