Pushkimi: Në tër` Rusinë e madhe, emri im do të ndihet
Në 214 vjetorin e
lindjes
Nga Shpendi Topollaj
Kultura ruse kurrë
nuk do të ishte kaq e bukur, sikur asaj t`i mungonte zëri shkëlqimtar i
Aleksandër Sergejeviç Pushkinit. Aq e vërtetë është kjo, sa po t`i besojmë asaj
thënies impresionante të Algarotit se “Petërburgu është dritarja përmes së cilës
Rusia shikon Evropën”, atëherë, është jashtë çdo dyshimi, se dhe bota e ka parë
Rusinë, në radhë të parë, nëpërmjet gjenisë krijuese të Pushkinit. Intuita
profetike e Derzhavinit që teksa dëgjonte më 8 janar të vitit 1815, një fëmijë të
hijshëm, flokëkaçurrel dhe me sy të zgjuar, të deklamonte në “Kujtime të
Carskoje Sjello”:
O
bard shpirtndezur i Rusisë
.................................................
Buçit mbi harpë përsëri...
nuk gaboi aspak, kur gati sa nuk thirri me të madhe: “Ky
është poeti i ardhshëm i Rusisë”.
Mbi dy shekujt që
kanë kaluar, e bënë më bindëse këtë profeci së bashku me pohimin e vetë poetit
se “Në tër` Rusinë e madhe, emri im do të ndihet”. Pushkini, me penën e tij të
zjarrtë, u bë zëri më i ëmbël dhe më i dashur i botës mbarë; ai gjatë gjithë
kësaj kohe mbeti patriarku absolut i poezisë që pasqyronte ndjenjat më të holla
e fisnike të shpirtit njerëzor. Poezia e tij qe këngë hyjnore e bërë për
perëndi dhe vetë ai, magjistar që përmbysi edhe konstatimin e Volterit se
dashuria i bën njerëzit poetë, duke i bërë njerëzit, me poezitë që shkroi, dashnorë.
Ai, tashmë pranohet nga të gjithë, ashtu siç e përcaktoi i pagabueshmi Bjelinski,
si fenomen që jeton dhe lëviz përjetësisht, fenomen që nuk ndalet në pikën ku e
kap vdekja, por që vazhdon të zhvillohet në ndërgjegjen e shoqërisë. Ja pse dhe
vdekja fizike e tij, në 10 shkurt të vitit 1837, tronditi e përloti miliona
njerëz edhe pse ajo qe në pajtim të plotë me epokën kur ai jetoi, me intrigat e
urrejtjet e kohës, me mentalitetet e saj, me kryelartësinë dhe konceptin që dhe
ai, si pjesë e asaj kohe, kishte për nderin dhe moralin. Ja përse edhe sot,
brezat, me shumë të drejtë mallkojnë ditën kur ai njohu në shtëpinë e
Karamzinëve, kolonelin emigrant francez Xhorxh D`Antes dhe i mundon dilema për
thesaret që do të kishin ndër duar, sikur ai plumb fatal, por gjithsesi
historik, nuk do të priste në mes jetën e kryemjeshtrit të dashurisë, në atë
duel të panevojshëm, atje në rrugën e Pargolovos, pranë fshatit Odojevski. Asnjëherë,
një plumb i vetëm nuk kishte bërë dëm më të madh, sesa ai që shtriu përdhe të
vetmin njeri të gjallë që mund të matej me vetë Kupidonin. Se po të
parafrazojmë Ciceronin edhe Kupidoni në qoftë se do të mund të fliste, do të
fliste vetëm kështu. Legjislatorin e dashurisë së sinqertë dhe pasionante, e
vrau dora e pabesisë, e bashkë me të, u shuan përgjithmonë dhe humbën për të
mos i parë askush, perla pambarimisht të shkëlqyera që prisnin radhë të merrnin
jetë në mendjen dhe zemrën e poetit. Megjithatë, gjerdani i praruar që ai na la
edhe pse i këputur në mes, përjetësisht do të mbesë siç thoshte vetë:
Dhe gjat` do jem për popullin i dashur
Sepse me lir finike ndjenja zgjova
Lirisë i thura hymn në shekullin e ashpër
Mëshirë për të rënët unë kërkova.
Simbol i dinjitetit
kombëtar, zëri më i kumbueshëm dhe më i fuqishëm i dëshirës për liri, filozofi
që gjeti mënyrën më të thjeshtë e më të mençur, për të rrënjosur tek çdo njeri
mendimin se jetën e bën kaq të çmuar dashuria e pastër, Pushkini me romantikën,
por dhe me vërtetësinë e uraganit të fjalës së tij artistike, u bë shumë shpejt
shumë i dashur për shqiptarët, sapo kushtet bënë të mundur përkthimin dhe
botimin e veprës së tij. Atyre që jetuan para nesh, u la mbresa të veçanta
trajtimi që ky gjigant i bënte nevojës për liri, pasi për ta, mungesa e saj qe
preokupimi kryesor. I guximshëm si ai, Pushkini u mor gjatë me këtë temë:
Mbi frone dridhuni tiranë
Me shpirtin djallëzor në gji
Dhe ti ngri krye anembanë
Me burrëri, o robëri!
Por çudia ishte, se
ky kryepoet, ëndrrën për liri e shtrinte shumë larg, për të mos thënë, përtej
imagjinatës së asaj kohe. Pushkini e donte lirinë jo vetëm për vete:
Ne jemi dy zogj, pa liri s`rrojmë dot!
Mbi male, vëlla, të vërsulemi tok,
Mbi detet e kaltër, të çlirët si lot.
Ku era dhe unë baresim nga mot!
Madje, ai shkroi
poezi brilante, të cilat në radhë të parë duhen mësuar nga më të fuqishmit e
kësaj bote dhe vënia në jetë e tyre do të qe nderimi më i madh që i bëhet atij
që thosh se nuk mund të jesh vetë i lirë, po nuk respektove lirinë e tjetrit,
sado i vogël e i pafuqishëm qoftë ai:
Seç m`u kujtua shkretëtirës
Zakon i lasht` i vendit tim
Një zok lëshova t`ik i lirë
Në prag të verës plot blerim.
E qetësova
zemrën time
S`ankohem më se
kot po rroj
Përderisa dhe
një krijese
Lirinë munda t`i
dhuroj.
I bukur si një perëndi
olimpi, ai siç prekej dhe mrekullohej vetë, ashtu dhe dinte ta shndërronte këtë
bukuri në vargje plot melodi për të tjerët. Por bukuri mbi të gjitha bukuritë,
për të qe dashuria, të cilën ai e lartësoi në nivele të papara, as më parë e as
më pas, për të mbërritur tek poezia margaritar “Ana Kern”:
N`andrralla jete
zhurmëkote
Në dhimbje brengash e mërzi
Më grishte
larg fytyra jote
E zëri yt plot
ëmbëlsi.
Me të tilla vargje,
Pushkini mbushi boshllëkun e jetës shpirtërore, veçanërisht në vitet e rinisë
tonë. Ne, jo vetëm që i dinim për mendësh ato, por dhe i përdornim me sukses
për t`u shprehur dashurinë vajzave që donim, pa e vrarë shumë mendjen për të
gjetur diçka më tepër joshëse.
Edhe madhështinë e
dashurisë, zemra delikate e këtij skulptori poetik, e shihte të lidhur
ngushtësisht me ndjenjën e lirisë:
Sa ju kam dashur!
Ndoshta dashuria
Nuk është shuar
krejt në shpirtin tim.
Po s`dua që
prej dhimbjeve të mia,
Të ngryseni
sërish në dëshpërim.
I heshtur e pa shpres` u
përvëlova,
me drojtje,
xhelozi dhe mall për ju...
Po kaq me dlirësi ju dashurova
Sa ah! Ju
dashtë tjetër kush kështu!
Në këtë pikë, kulmi
arrin me Tatjanën e “Eugjeni Oniegin” dhe Zemfirën e poemës së gjatë “Ciganët”,
ku ai bëri një hap vigan përpara, duke kapërcyer psikologjinë e kohës kur
jetoi. Në gojën e Tatjanës , vuri vargje të pavdekshme, në mbrojtje të dashurisë
së saj:
Po marr guximin që t`u shkruaj,
Ç`do deshi
më veç shpirtit tim,
Kurse në epilogun e poemës së sipërpërmendur, pas krimit të
Alekos që vret me thikë dy të dashuruarit, thotë:
Dhe çadrës
tuaj në shkretëtirë
Kudo
mjerimi pas ju qep
Pasionet lidhen me
zinxhirë
Dhe fati mbrojtje nuk të
jep.
Hamlet në jetë, ose
më mirë Otello i denjë për penën e Shekspirit, Ai që si askush u përzie në
ëndrrat dhe deri dashuritë tona, mbetet përfundimisht më i madhi mjeshtër i
fjalës që diti të shndërrojë ndjenjat në vargje dhe nga vargjet të zgjojë ndjenja
të mrekullueshme tek njerëzit.
Në vite Rusia, nxori
piktorë të famshëm të natyrës, por askush nuk mund të na e sjellë atë aq të
gjallë, ashtu siç na e përshkroi Pushkini. Pas shpirtit dhe karakterit të
popullit rus, pas gjuhës burrërore ruse, Pushkini nguliti në mendjet e lexuesve
të pafund, bukurinë prej përralle të pyjeve me berioza, të stepave pa fillim e
pa mbarim, të rrugëve të mbuluara nga dëbora e butë, të izbave ku vallëzonte
një zjarr bubulak, të sajave që tërhiqeshin nga kuaj me zile, mbi të cilat
kishin hipur djem e vajza të bukura, të pasur e të varfër, veç përherë të
qeshur e të gëzuar. Ja një tablo e tillë tek “Mbrëmje dimri”:
Shqota
qiellin e ka nxirë
Shtyu borën
me furi
Herë shfryn
si egërsirë,
Herë qan si
një fëmi.
Herë mbi
çatinë tonë,
Nis papritur
e buçet,
Herë si udhëtar i vonë,
Në dritare na
troket.
Theksova se poezia e
Pushkinit, u pëlqye veçanërisht nga ne shqiptarët, aq sa një shumicë e mësoi
përmendësh atë. Natyrisht që shkaqet e kësaj dukurie mund të jenë të shumta.
Veç dua të përmend edhe një koincidencë që s`mund të anashkalohet pa i kushtuar
vëmendjen që meriton. Plot 100 vjet pasi lindi Pushkini në Rusi, më saktë më 27
dhjetor të vitit 1899, në Shqipëri lindi Lasgush Poradeci, poet i përmasave të jashtëzakonshme,
përkthyes i përkryer i shumë prej krijimeve të Pushkinit, tronditës dhe
konkuistador zemrash si ai, pra i ngjashëm me të, për të mos thënë, i vetmi
poet i pas vdekjes së tij që mund të baravitet me të i cili siç thamë, nga ana
e tij, qe i vetmi që mund të matej me vetë Perëndinë e dashurisë. Nuk e teproj
aspak, sikur të them, se po të kish ndodhur ajo që s`mund të ndodhë kurrë dhe
të ndërronin kohët kur jetuan, Pushkini, jo vetëm që do të mahnitej nga poezia
e Lasgushit tonë, por dhe do ta përkthente atë, duke i dhënë popullit rus një
arsye më shumë, për të respektuar e përkrahur një popull që edhe pse i vogël në
numër, duke nxjerrë një poet kaq të madh, është po kaq i madh edhe nga shpirti
e virtytet dhe dëshira për liri, deri në vetëmohim. Se dhe populli ynë, ka për
lirinë po atë kuptim që ka ajo për popullin rus, se dhe Lasgushi ynë, tek
poezia e tij “Zog i qiejve” duke shprehur dhembshurinë për të:
Ti
këndon o zog i pastër, ti këndon, këndon paprerë,
Pa
pushim të del nga zemra vaj` i tingullit të mjerë;
lutet:
Që
nga bota njerëzore, ku këndoj me shpirtin plot,
Prit
- e prit! Se po t`afrohet Zog i Qiejve, o Zot!
Fali
këngëtar finoshit gaz të thjeshtë mu në gji;
Posi
lot në rreze dielli ndrite në përjetësi!
I ëmbël si Pushkini,
filozof si ai, mbret i dashurisë, adhurues i flaktë i natyrës, miku më i madh i
lirisë së fjalës dhe i mendimit dhe atdhetar i papërsëritshëm, shiheni sa ngjan
me Pushkinin, sidomos në bazamentin e tij botëkuptimor, kur shkruan:
Hija
ime nuk di dhunë
Di veç frymëzim lirie
Dhe di punë, punë, punë,
Mund pa fund për art magjie.
Ndërkohë që Pushkini,
nga ana e tij, i drejtohej mikut të vet Çadajevit:
Gjersa na djeg liri e shenjtë,
Gjersa mbi dhe për nder jetojmë,
Atdheut sot o mik i shtrenjtë
Të dlirat hove t`ia dhurojmë.
Në tërësinë e saj,
poezia e Pushkinit, është një poezi optimiste; në ç`do gjendje shpirtërore që
të jesh, pasi e lexon atë, ndien një vegim të qartë drite. Si e tillë ajo, edhe
atëherë kur ne shqiptarëve fati na kish braktisur, na ngushëllonte dhe na
mbushte me shpresë:
Mos u ngrys prej dëshpërimit
Nëse jeta të gënjen
Hesht në ditën e trishtimit
Rishmëz ditë e gazit vjen.
Duke i mbyllur këto
shënime, dua të shtoj se poetët e përmasave të mëdha, mbeten ura të fuqishme që
lidhin ishujt e popujve të qytetëruar. Dhe si të tilla, ato duhen respektuar në
jetë të jetëve. Nderimi për veprën e tyre duhet të jetë i pranishëm edhe kur
janë varrosur pranë nesh, por edhe kur varri i tyre gjendet atje në Rusinë e
largët, afër Mihajlovskit, në Svjatogorskij manastir, vendi ku pushojnë
përgjithmonë eshtrat e njeriut për vdekjen e të cilit, një miku i tij shprehej:
“Vajto o Atdheu im fatkeq! Ti nuk ke për të lindur më të tillë bir! Ardhja në
botë e Pushkinit të ka shteruar!” Në gjuhën shqipe emri i vendit ku u varros
Pushkini, përkthehet Manastiri i Malit të Shenjtë. Por dhe po të mos quhej
kështu, të tillë do ta bënte emri i atij, vepra dhe talenti i të cilit e kthyen
në një shenjtor të vërtetë.
Comments
Post a Comment