Skënder Hasko, “legjenda” e një jete
Nga Sejdo Harka
Të shkruash për shkrimtarin,
mikun dhe kolegun tonë të dashur, Skënder Hasko, do të thotë të tregosh një
jete reale, si në legjenda. Kjo ndodh, sepse jeta dhe veprimtaria e tij ka qenë
sa e qetë, aq dhe e vrullshme, sa e zakonshme, aq dhe e jashtëzakonshme, sa e
bukur aq dhe e ashpër, sa e gëzuar aq dhe e trishtuar, sa e lumtur aq dhe e
hidhur. Por Skënderi, si “hero” legjendash, ka ditur ta drejtojë mirë “anijen”
e jetës, duke çarë përmes dallgëve e vështirësive, tufaneve dhe egërsive të jetës.
Naracionin e kësaj “legjende”, sa të lumtur, aq edhe të trishtuar, e gjen të pasqyruar
bukur në librin e tij me kujtime, “Udhëtim
nëpër vitet e jetës sime”, publikuar kohët e fundit, nga Shtëpia Botuese ”Toena”.
I frymëzuar nga mesazhet e ngrohta të sentencës së Gëtes: “Në çdo dërrasë varri,
mbulohet një histori e tërë”, dëshiron që t’u lërë brezave kujtimet e tij për
jetën dhe letërsinë, për familjen dhe shoqërinë, për luftën dhe varfërinë, për ëndrrat
dhe njerinë, për vendlindjen dhe dashurinë, për vdekjen dhe lirinë, për lindjen
dhe trimërinë …
Rrugët e jetës së tij kanë qenë
tepër të vështira, me të përpjeta dhe të tatëpjeta. Siç shprehet dhe vetë metaforikisht,
herë ka fluturuar me avion e herë me makinë, herë me gomar e herë më këmbë. Por
shumë herë, edhe fare zbathur.”Në jetë, -
tregon ai, – kam ngrënë edhe mish të pjekur edhe bukë tërshëre. I penduar, se o
ka hyrë në hak të ziut kalë, vazhdon - Po ç’të bënim ?! Të vdisnim ?!. Po të
vdisnim ne, as kali i gjorë, s’do të rronte dot…” Është shpresa ajo, që si nëna e mirë e mori përdore,
për ta nxjerrë nga honet e rrëpirat e dhimbjeve dhe të trishtimit, edhe kur për
një çast e ka ndjerë veten keq. Në jetë ka shijuar edhe ëmbëlsinë e mjaltit e të
sheqerit, edhe hidhërimin e vuajtjes e të zeherit, edhe freskinë e puhizave të detit
edhe zagushinë e të nxehtit, edhe ftohtësinë e ngricave të acarit, edhe tymosjen
e përzhitjen e zjarrit, edhe bukuritë e ëndrrave, edhe akullin e zemrave.
Erdhi në jetë në një natë të
gjatë marsi, të vitit 1936. Nëna i pat treguar se Skënderi kishte lindur mes të
qarash të fuqishme, të cilat paralajmëronin, se jeta e tij do të shoqërohej nga
andralla të mëdha. Ajo do të lidhej ngushtë me Rovenën dhe Llogaranë e ashpër dhe
të bukur, aq sa edhe njerëzit e gurët edhe pemët e drurët, edhe buka e ujët,
edhe lodrat e punët, bile edhe italiani, robi i luftës, që vdiq në Rovenë, u bënë
pjesë e mendjes dhe shpirtit të tij të madh. Që kur ende ishte fëmijë, mësoi
zanatin e teneqexhiut, të cilën e ushtroi për të mbajtur frymën gjallë. Pasi
mbaroi shkëlqyeshëm shkollën 7-vjeçare, Skënderin e emëruan mësues në Dukat. Por
ëndrra e tij ishte zgjerimi i dijeve, dëshirë që ia ushqyen edhe prindërit e
tij arsimdashës. Kur një mik i sugjeron babait mendimin se, për të vrarë varfërinë
e familjes, duhet t’i blinte të birit një kope me dele, ai i përgjigjet: ”Atë kope mund ta hajë ujku brenda një nate,
kurse shkollën nuk mund ta përtypë dot, as bisha më e egër”.
Viti 1959, Skënderin do ta
gjente punëtor në Uzinën mekanike të Kuçovës, ku lidhet ngushtë me grupet
kulturore amatore të Beratit. Duartrokitjet dhe ovacionet e shikuesve, zgjuan
te djaloshi Skënder Hasko, energji të rralla interpretuese dhe krijuese. Aty u
njoh dhe u dashurua shumë me gjimnazisten Shane Balili, e cila në atë kohë ishte
amatore dhe interpretonte këngë të bukura popullore. Të dy, si zogj të lirë e të
lumtur,edhe pse në një gjendje të vështirë ekonomike, aty në Beratin e lashtë,
e ndërtuan çerdhen e tyre familjare. Skënderi u bë dhëndër me kostum të kthyer,
ndërsa Shanja u bë nuse me një fustan të bardhë, të qepur vetë me dorë. Me
njeriun e zemrës në krah, ai i ra kryq e tërthor, jo vetëm Beratit dhe Vlorës, por
dhe gjithë Shqipërisë. E, ku s’preku dora dhe këmba, mendja dhe zemra, ku s’u
ndje fryma dhe kënga, shpirti dhe ëndrra e këtij çifti të lumtur. Bashkë lindën
dhe rritën tre fëmijë të mrekullueshëm, që tani punojnë me devotshmëri, brenda dhe
jashtë vendit. Por ëndrrat e bukura të këtij çifti, sa të lumtur aq dhe të stërmunduar,
vjet ”i kafshoi” vdekja e parakohshme e Shanes, bashkëshortes dhe nënës shembullore,
mësueses dhe këngëtares së talentuar. Dëshpërimin e tij të thellë për ndarjen përjetë,
me gjysmën e tij më të mirë, Skënderi e shprehu në mënyrë tepër rrënqethëse, nëpërmjet
vargjeve: ”Ah, ky fati, çfarë fati,/ Fshehtas
për fyti më kapi,/ Më shtriu, më shkeli me këmbë,/ Ma mbushi zemrën me plagë”.
Kudo që punoi dhe jetoi Skënderi,
la pas emrin dhe zemrën, shpirtin dhe këngën, fjalën e zjarrtë dhe mendjen…E,
ku nuk u shfaq vrulli dhe talenti tij: mësues e gazetar, aktor dhe shkrimtar, drejtues
e veprimtar...Mbasi mbaroi studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës
për gazetari, ai ka drejtuar edhe institucione të rëndësishme të shtypit dhe të
kulturës, si Pallatin e kulturës “Studenti”, revistën “Pionieri” dhe Teatrin Kombëtar
të Kukullave. Skënderi njihej jo vetëm humorist dhe aktor estrade, por edhe aktor
filmash. Kush e ka parë filmin artistik, ”Malet
me blerim mbuluar” dhe nuk i ka rënë në sy djaloshi me qeleshe të bardhë, që
ia merr këngës,”Atë ditën e xhuma/Boria në
Brataj ra”.
Profesionin e mirëfilltë të
gazetarit e filloi me revistën “Hosteni”, ku me “hostenin” e tij magjik thumboi
veset dhe çorri maskat e shumë dukurive negative të kohës. Kudo që shërbeu
publicist, shkroi me duar të pastra e me kokë të ftohtë. Shokët, miqtë dhe
bashkudhëtarët e tij të shumtë kanë qenë dhe janë jo vetëm njerëz të thjeshtë, por
edhe të shquar të letërsisë dhe artit si:
L. Poradeci, Sh. Musaraj, K. Jakova, P. Marko, O. Grillo, A. Mamaqi, S. Godo, A.
Banushi, V. Kona, M. Gecaj, P. Koçi etj. Por shoku i tij më i afërt ishte
Bardhyl Xhama, ose siç e thërresin, ndryshe, “shkrimtari i detit”.”Me Bardhylin,- shkruante Skënderi,-jam
njohur herët. Ai është i qetë, ndërsa unë jam impulsiv. Edhe kur grindemi fort
për ndonjë problem,sikur të rriheshim, pas dy minutash futemi përsëri në rrjedhën
e zakonshme të shoqërisë”.
Skënderi, në jetë ka ngjitur
shumë maja e ka zbritur shumë rrëpira. Por kujtonte shpesh atë që i ndodhi në
një kafene, duke pirë kafe mes shokësh e miqsh... “Për një çast, -tregonte ai,-
m’u mbyllën sytë dhe m’u ndal frymëmarrja!” Kishte pësuar vdekje klinike. Ali
Cenaj, një burrë i panjohur, si i dërguari i zotit në legjendat e ringjalljes, duke
e shtypur fort në gjoks, si me magji, i pat rivënë përsëri në punë zemrën e tij
të madhe. Është kjo arsyeja që shokët e tij të “Kompanisë lëvizëse”, sa herë
mblidhen për të pirë ndonjë kafe apo ndonjë kupë raki, i thoshin me dashamirësi:
”Për ty, Skënder, s’ka vdekje kurrë!”. Ndërsa ai, plot humor e optimizëm, përgjigjej:
”Po,është e vërtetë. Unë, jo vetëm që e
kam mallkuar rëndë, por dhe e kam mundur atë një herë. Ndaj ajo s’guxon dot të
kacafytet me mua përsëri, sepse e di që e ka të humbur davanë…”!
Ajo, që e bën të përjetshëm dhe
të papërsëritshëm Skënder Haskon, është krijimtaria e bollshme letrare, me një
problematikë të gjerë e të larmishme, e cila përçon mesazhe të fuqishme e me
vlera të mëdha gjithëpërfshirëse. Libri i tij i parë është “S’jam i vogël”, botuar
në vitin 1971.”Qysh atëherë,–shkruan Skënderi
në kujtimet e tij,-“më hyri krimbi”. Ndaj
kurrë s’kam pushuar së shkruari,natë e ditë”. Gjatë gjithë periudhës ka botuar
7 romane për fëmijë e të rritur, 1 vëllim me përralla, 2 poema, 6 pjesë për
Teatrin e Kukullave; 14 drama, komedi e radiograma si dhe 2 skenarë filmash për
fëmijë. Shumica e librave të tij është ribotuar disa here, jashtë dhe brenda
vendit. Ndërsa disa prej tyre janë përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës, si
rusisht,greqisht etj. 14 vepra të tij janë nderuar me çmime kombëtare, si: ”La Fonteni”,”Viktor Eftimiu”, “Xhani
Rodani”,”Tasim Gjokutaj”.
Njëzet vjet më parë, shkrimtari
Skënder Hasko do të bëhej i famshëm me librin për fëmijë, ”Një gjeneral kapet rob”, i cili, në Konkursin Kombëtar, u vlerësua
me çmimin e parë. Ndërsa më vonë ai u bë film, po me të njëjtin titull. Kurse
me romanin për fëmijë, ”Gjashtë muaj nga
jeta e Besianit”, u nderua me çmimin ”Libri më i mirë për fëmijë, i vitit 2005”.
Të shkruash një arsenal kaq të madh librash cilësorë, kërkohet jo vetëm talent,
por edhe punë e përkushtim, pasion e durim. Duhet t’i hysh në hak, kohës së lirë
dhe familjes, gjumit dhe shëndetit. Dhe këtë mund ta bëjë vetëm një krijues i
pasionuar si Skënder Hasko, i cili edhe pse ka bërë shumë, shprehej me modesti:
“Bëra ç’munda, për të vënë, qoftë dhe një guriçkë, në themelet e edukimit të
brezit të ri”. Me krijimtarinë e tij te pasur, Skënder Hasko ka arritur që fëmijët
të meditojnë si burrat, ndërsa burrat të qajnë e qeshin si fëmijët. Gjuhës i ka
dhënë ëmbëlsinë e mjaltit dhe peshën e gurit, ndërsa nëpërmjet magjisë së fjalës
ka “shpuar “ tejpërtej edhe malet, edhe detet, për të depërtuar në thellësitë e
shpirtit e të mendjes së njerëzve.
Shkrimtari Skënder Hasko ka qenë
i lidhur shumë ngushtë me vendlindjen e tij, gjë që e shpreh edhe nëpërmjet
magjisë së vargjeve: ”Në vdeksha larg, këtu ku jam,/ ku jeta më
degdisi/ aty do të mbij unë përsëri/ siç mbin një lënde lisi”. Për vlerat e
tij të papërsëritshme si krijues dhe veprimtar shoqëror, Shoqata e krahinës së
tij e ka nderuar me titullin e “Pishtar i
shquar i Labërisë”, ndërsa Shoqata e shkrimtarëve për fëmijë e të rinj, me
rastin e 75-vjetorit të lindjes, e nderoi me Certifikatën e Mirënjohjes, ”Për vlera të shquara në krijimtarinë për fëmijë”.
Librin e tij me kujtime ai e mbyll
me epilogun metaforik, drejtuar bashkëvendlindasve dhe gjithë lexuesve :”Kur ta shihni se kam vdekur/ edhe frymë as
marr as jap/ Merrjani këngës dukaçe/ Edhe unë do të ngjallem prapë!”.
Comments
Post a Comment