Aldo Bumçi: Ditë zie për kulturën shqiptare



Shenjtëria qëndron dhe në një buzëqeshje, ka thënë Nënë Tereza. Roland Trebicka ka dhuruar një jetë të tërë buzëqeshje për të gjithë. Kur ndërron jetë një aktor, nuk vdes vetëm ai si njeri, duket sikur shuhen dhe personazhet e tij, por në fakt ndodh e kundërta. Pikërisht këto personazhe e sjellin midis nesh, e ringjallin me magjinë e artit. Këtë mund të themi përballë aktorit të përmasave të Roland Trebickës, i cili u ka dhuruar hare dhe buzëqeshje të gjithë shqiptarëve, për më shumë se 40 vjet. Ndoshta hyrja e Trebickës në rrugën e artit ishte e rastësishme, kur ai ishte vetëm 14 vjeç, por nuk ishte e rastësishme lidhja e tij e përjetshme me skenën, ashtu siç nuk ishte e rastësishme që pas disa roleve të spikatur të planit dramatik, në teatër apo në filmin “Koncert në vitin 1936”, Roland Trebicka e gjeti veten si një aktor i shkëlqyer i komikes, në rolin e Jovan Bregut, tek komedia “Pallati 176”, rol që e bëri të famshëm. Dashuria e Roland Trebickës me skenën ishte sa e ndërsjellë, aq dhe e veçantë. Skena e donte fort Landin, me talentin e tij të dukshëm dhe vullnetin e paepur. Por edhe ai e donte atë me të gjithë fuqinë e shpirtit të tij, deri në vetëmohim. Me gjithë talentin e madh, karriera e suksesshme e Roland Trebickës i detyrohet në një masë të madhe punës, disiplinës dhe përkushtimit të tij shembullor. Përveç se aktor model, ai ishte edhe një njeri model, për të cilin kolegët flasin me respektin më të madh. Sëmundja e rëndë e largoi nga skena për një farë kohe. Me përpjekjet e shumta të familjes, qeverisë shqiptare dhe mjekëve, na u duk se mrekullia ndodhi. Me dashurinë dhe sedrën prej aktori të madh profesionist, Roland Trebicka iu rikthye skenës me rolin e Seit Beut në dramën “Ëndrra e Ismail Qemalit”. Të gjithë ne shpresuam se aktori i madh e kishte fituar betejën me vdekjen, se do t’i rikthehej me gjithë energjinë që e karakterizonte skenës së teatrit. Nga sot e tutje, skenave së teatrit shqiptar do t’u mungojë sharmi i këtij gjeniu të humorit, do t'i mungojë familjes, gjithë të dashurve, spektatorit, por ai e la veten në artin kombëtar shqiptar të skenës. Që aty ai është futur në skenën e zemrës së të gjithëve. U prehtë në paqe, themi ne, por atë do ta zgjojnë duartrokitjet që korri! Artistët janë gjithmonë mes njerëzve të gjallë. I përjetshëm emri yt!

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk