Kolec Topalli kumton në Prishtinë mbi studimin, ‘Fonetika historike e gjuhës shqipe’
Rezultatet e tij në studimin e zhvillimit historik të gjuhës shqipe
gjuhëtari nga Shkodra Kolec Topalli i shpalosi të enjten në sallën e Akademisë
së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Këtë ligjëratë ai e mbajti me rastin e pranimit
anëtar i jashtëm i Akademisë së Kosovës, me ç’rast u shpreh se ndihet i nderuar
me pranimin e tij në ASHAK.
“Me synimin e paraqitjes së disa prej rezultateve të punës sime në studimin
e gjuhës shqipe, dëshiroj t’i bëj të njohur këtij auditori të nderuar disa
aspekte të hulumtimeve në tri fusha të rëndësishme të gjuhës: fonetikës,
gramatikës historike dhe etimologjisë”, u shpreh Topalli. Ai tregoi se e ka
nisur punën kërkimore para më shumë se 40 vjetësh, në fillim të viteve ’70. Që
në hapat e parë, krahas problemeve të shqipes së sotme, atë e tërhoqën gjeneza
dhe burimi i dukurive të ndryshme. Prandaj, shtoi Topalli, edhe artikujt e parë
janë një përzierje e dy aspekteve të studimit të gjuhës: sinkronisë dhe
diakronisë.
“Por pas artikujve të parë, të botuar në vitet ’80-’90, iu kushtova
tërësisht studimit historik të gjuhës, ku kanë dhënë kontribut të vyer shumë
emra gjuhëtarësh nga Kosova: Selman Riza, Idriz Ajeti, Besim Bokshi e Rexhep
Ismajli. E kam pasur dhe e kam për nder të eci në gjurmët e këtyre
shkencëtarëve të nderuar, si edhe shumë të tjerëve nga Shqipëria e nga ngulimet
arbëreshe, që punuan me përkushtim të veçantë, krahas gjuhëtarëve të huaj, që
janë marrë me studimin e gjuhës shqipe”, u shpreh Topalli.
Tutje ai theksoi se faza e parë e studimeve të tij është ajo e hulumtimeve
në fushë të fonetikës historike, fryt i të cilave janë tetë monografi për
kapitujt më të rëndësishëm, duke u përmbyllur kjo fushë me hartimin e veprës
‘Fonetika historike e gjuhës shqipe’. Topalli pohoi se në punë të theksimit të
fjalëve, shqipja, në një kohë të hershme të zhvillimit të saj, që mund t’i
përkasë periudhës parahistorike, ka kaluar nga theksi i lirë i
indoevropianishtes në theks të ngulitur në rrokjen nistore, ashtu si disa gjuhë
të tjera të familjes indoevropiane, siç janë gjuhët gjermanike, letonishtja,
çekishtja, latinishtja në fazën parahistorike etj. Dëshmi për këto dukuri,
sipas Topallit, janë huazimet më të lashta që kanë hyrë në gjuhën shqipe nga
greqishtja e vjetër e latinishtja dhe e kanë zhvendosur theksin e fjalës nga
një pozicion më fundor në rrokjen nistore.
Problemi tjetër që u trajtua nga Topalli është mosha e tingujve të shqipes.
Ai tha se mosha e tyre nuk mund të përcaktohet ashtu si mosha e një njeriu,
por, sipas tij, disa rezultate pozitive mund të arrihen duke përdorur metodën
krahasimtare, që merr si pikënisje, nga njëra anë, gjuhën indoevropiane dhe nga
ana tjetër, shqipen e sotme.
“Shqipja, me 36 fonemat e saj, paraqet një sistem tingullor mjaft të
zhvilluar me më tepër fonema se shumë gjuhë të kontinentit tonë. Ky sistem
është formuar gjatë shekujve dhe ka ndryshuar me kalimin e kohës. Në të ka
tinguj të trashëguar, me moshë sa vetë gjuha, por ka edhe tinguj më të ri, që
kanë dalë nga tinguj të tjerë ose janë formuar në rrymë të zhvillimit të
brendshëm në periudha të ndryshme të zhvillimit të saj”, u shpreh Topalli.
Faza e fundit e studimeve të Topallit në fushë të historisë së gjuhës
shqipe është etimologjia. Ai tregoi se, sipas një projekti të hartuar para dy
vjetësh dhe të miratuar nga Këshilli Shkencor i Institutit të Gjuhësisë, ka
nisur hartimin e një fjalori etimologjik, i cili do të botohet vitet e ardhshme
në katër vëllime. “Vëllimin e parë dhe të dytë tashmë i kam përfunduar dhe
pritet botimi i tyre. Po vijoj punën për vëllimin e tretë”, tha Topalli. Ai
tregoi se për hartimin e këtij fjalori ka shfrytëzuar studimet e kryera në këtë
fushë prej më shumë se një shekulli e gjysmë nga dijetarë të tjerë. Në fund, ai
tha se jeton me shpresë se do ta përfundojë edhe këtë vepër të dobishme dhe të
domosdoshme për studimet tona albanologjike.
Alfred Beka-Express
Comments
Post a Comment