Kenzaburo Oe rrëmon në të shkuarën e tij nëpërmjet “Fëmija i shkëmbyer”



Betejat civile, fëmija i dashur me probleme, dhuna nacionaliste, nobelisti japonez rrëfehet në një nga intervistat e rralla
Të intervistosh një fitues të çmimit Nobel për letërsi kurrë nuk është e lehtë. Ta intervistosh përmes emailit, përkitazi me një libër tema e të cilit çnyjezohet gjatë dëgjimit të një shiriti të regjistruar, është një salto mortale e dyfishtë. E pastaj nëse ai që duhet intervistuar është Kenzaburo Oe, 78 vjeç, i vlerësuar me Nobel më 1994, komplikimi është edhe më i madh. Si i ri, Oe e ka intervistuar revolucionarin Mao Ze Dong dhe filozofin francez Jean Paul Sartre. Nga Mao i kujtohet se “nuk pranonte pyetje, kufizohej ta citonte vetveten nga Libërthi i Kuq dhe të tymoste, ndërsa kryeministri Zhou En Lai, për shaka, ia përvidhte mbajtësen e cigareve”. Edhe më zhgënjyes Sartre, i cili, kujton Oe, “kufizohej ta citonte veten nga eseu ‘Ekzistencializmi është humanizëm’, e unë e shkrova vetëm këtë titull dhe e lashë me kaq”.
Si shumë punime të Oe, Fëmija i shkëmbyer është kryekëput autobiografik. Protagonisti Kogito Choko ka një fëmijë të hendikepuar dhe Hiraki, i biri i Oe ka një sëmundje të rëndë cerebrale. Gjatë rrjedhës së romanit, kunati i Kogitos, Goro Hanawa, vetëvritet, me gjasë pa asnjë arsye, pikërisht sikurse Juzo Itami, kunati i Oesë, një regjisori i njohur. Atëherë Kogito fillon të dëgjojë një seri regjistrimesh të lëna nga Goro, duke u përpjekur të gjejë arsyen e fshehur të fundit të tij. Do të zbulojë se kurrë nuk i njohim vërtet personat që i duam, se ndjenjat e tyre, fortësia e tyre, na ikin pa i vërejtur. Dashuritë e fshehta të Goros, fantazmat e Japonisë së sotme, ku rilind nacionalizmi i vjetër në qeverinë e Shinzo Abe, e bëjnë joshës leximin dhe e risjellin te ne veprën e Oesë, nganjëherë e lënë nën hije nga suksesi i Haruki Murakamit. Një bandë kriminelësh e kërcënon protagonistin dhe prej vitesh, tashmë, Oe përballet me dhunën e ekstremistëve.
Mjeshtër, në dialogun në distancë mes Kogito Choko dhee Goro Hanawa, Lexuesi ju njeh ju, autorin, dhe kunatin tuaj të vërtetë Juzo Itami, vdekur si Goro, duke u vetëvrarë. Megjithatë, më pas, duke u thelluar në narracion, ju ia besoni meditimet tuaja vetë Goros. Kush është pra protagonisti juaj?
«“Kogito” dhe “Hanawa Goro” më reflektojnë pa dyshim mua dhe mikun tim të shtrenjtë Itami Juzo, në vitet tona të rinisë në Japoni. Megjithatë, gjatë rrjedhës së narracionit të Fëmija i shkëmbyer, që të dy shprehen dhe veprojnë sipas logjikës së vetë romanit. Për më tepër, për mua është shumë me rëndësi të provoj t’i kuptoj “ndenjat” dhe “sjelljen” e tyre vetëm nëpërmjet faqeve të kam shkruar».
Emri Kogito ia kujton lexuesit europian themelin e mendimit racionalist të kohës sonë me Decartesin, Cogito ergo sum. Por bashkë me besimin në arsye, personazhi juaj tregon brishtësinë e saj, në një epokë kur tjetërsimi, vetmia, thyerja e traditave na bëjnë të mos kemi shpresë te arsyeja. A është kështu?
«Emri i personazhit ‘Kogito’ ka origjinën nga emri i gjyshit tim, një lider i një institucioni të vogël provincial japonez, siç rrëfej te Fëmija i shkëmbyer. Kur protagonisti nis të frekuentojë universitetin, shokët e kursit e tallin duke e asociuar këtë ‘Kogito’ me shprehjen Cogito ergo sum. Në gjithë këtë s’ka asgjë më shumë se njëfarë shakaje të rinjsh të kohëve të kaluara në vendin tim. Sot, përgjithësisht, edhe japonezët tregojnë respekt për nacionalitetin e filozofit Descartes. Vetëm se në epokën moderne dhe bashkëkohore, ashtu si edhe në Europë dhe në Perëndim, edhe në Japoni kontradiktat që lindin përreth atij lloji të mendimit racionalist janë gjithnjë e më të pranishme. Tash më shumë se kurrë emri i protagonistit të romanit – Kogito=Cogito – denoton një qëllim mbi të gjitha farse dhe përqeshjeje».

Goro – si edhe kunati juaj – vuan për shkak të padrejtësive të botës bashkëkohore, shtypit skandalistik, dhunës së krimit të organizuar Yakuza. Pse bota globale po e humb dialogun në një zinxhirë presioni, publik e privat, që si Goron i çon shumë prej nesh kah padrejtësia?
«’Bota jonë globale’ e sotme është një botë në të cilën në të vërtetë politika dhe kultura janë dominuar, seç herë e më tepër, nga ekonomia e tregut tipike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Unë jam një shkrimtar i thjeshtë japonez dhe duhet pra të vazhdoj të shpreh protestën time të vogël kundër kësaj tendence globale të kohës sonë».
Kogito kërcënohet nga tre keqbërës nacionalistë me një gjyle topi. Ju keni kaluar nëpër një gjykim kundër ambienteve ushtarake duke e fituar vetëm pas shumë vështirësish. Qeveria e Shinzo Abe thotë se do t’i rishikojë tekstet shkollore të historisë në lidhje me Luftën e Dytë Botërore, duke e çliruar Japoninë nga fajet e një të kaluare nacionaliste të cilën Japonia dhe Italia e kanë bashkëndarë, me plot dhimbje. Nga bomba atomike në Hiroshima, kur ju ishit dhjetë vjeç, deri më sot, të gjitha librat tuaj i kundërshtojnë këto fantazma: a po kthehen tash?
«’Sistemet e reja të komunikimit’, rrjetet digjitale, përfshirë internetin, sigurisht se përbëjnë një instrument të përshtatshëm për të propaganduar valët e reja të nacionalizmit. I njëjti pushtet politik japonez aktualisht po bën një përdorim të gjerë të këtyre ‘mjeteve të reja’ për objektivat dhe fushatat e veta. Ndërsa unë do të vazhdoj të rezistoj dhe t’i kundërvihem duke i përdorur ‘mjetet e vjetra’ e mia, ose librat dhe gazetat klasike».
Vdekja finale në roman është në një sekret që rëndon mbi Kogiton dhe Goron, prej kohësh të largëta. Cili është morali: a jemi të dënuar të dialogojmë vetëm me zërin e të vdekurve tonë, të humbur, si Kogito me Goron?
«Sekretari i shtetit amerikan Kissinger foli një herë për buzëqeshjen e Luciferit të Oesë dhe mund ta imagjinojmë derisa e dikton përgjigjen skeptike dhe autoritare: ‘Vetëm në romane është e mundshme “të flitet me të vdekurit’”».
Ju shpesh na keni mësuar të ruhemi nga sentimentalizmi, të dimë ta shikojmë realitetin me forcë stoike.
«Në të vërtetë: aktualisht jam shumë i angazhuar në lëvizjen popullore në favor të mbylljes definitive të centraleve bërthamore në Japoni pas incidentit të Fukushimës. Këto ditë, për shembull, kam mbajtur një fjalim në punimet e një asambleje të madhe antibërthamore në Tokyo».
Si në veprat e mëparshme edhe në këtë gjejmë te i biri i Kogitos një fëmijë të shkathët nga shumë aspekte. Ju e keni pasur këtë eksperiencë me fëmijën tuaj Hiraki, që jeton ende me ju e quani si personazhet e Winnie The Pooh, në jetë dhe në letërsi.
«Biri im Hiraki, “personazh” i shumë romaneve të mia, i ka mbushur tashmë 50 vjet. Jetoj me të në simbiozë, në shtëpi, me gruan time, dhe do të vazhdoj ta bëj letësinë time po në këtë simbiozë».
Hiraki luan dhe e njeh muzikën, por mezi flet. I pëlqen të përgjigjet në telefon dhe të thotë ‘Alo’ e pastaj ‘Jo’, pak fjalë. Kur thirrën nga Akademia suedeze në shtëpinë Oe për t’ia komunikuar fitimin e çmimit Nobel, u përgjigj Hiraki, i cili tha Alo? e pastaj Jo e Jo duke ia lëshuar telefonin të atit. Hiraki e kishte refuzuar Nobelin dy herë. «Kërkova ndjesë dhe thashë ‘E pranoj’, pastaj secili u kthyem në dhomat tona dhe me kaq mori fund kjo punë», ky është tregimi i vetëm që Kenzaburo Oe e ka nxjerrë nga ajo ditë historike.

(Gianni Riotta “La Stampa” )

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk