Biblioterapia ose shërimi me anë të librit_Behar GJOKA
Gjatë kësaj kohe në Londër, Pragë, New York, janë hapur disa
librari, ku libri trjatohet si një nga mjetet unike për shërim. Në fakt, në
këto mjedise, kur flitet për letërsinë, për tekstet letrare, krahas atributeve
të tjera, si një vlerë shpirtërore specifike, gjithnjë e me shumë i mëvishet
edhe gjasa shqëruese, e cila realizohet përmes librit. Shërimi, me anë të
librit, e ka marrë emrin biblioterapi, pra një tip shërim, unik dhe specifik.
Thelbi i biblioterapisë, me sa duket lidhet me komunikimin, tashmë pa
ndërmjetës, që përfshin të gjithë grupmoshat. Për të kuptuar diçka nga kjo
enigmë, le të nisemi nga një situatë shërimi me anë të psikoterpisë, që
realizohet me anë të komunikimit me praninë e psikologut. Në mes të
psikoterapisë dhe biblioterapisë, nëse i bashkon komunikimi, ato ndahen në
mënyrën dhe formën e komunikimit, sepse biblioterapia realizohet me anë të
komunikimit me tekstet letrare, që mundësohet me anë të leximit aktiv.
Megjithëse në mjediset tona, pak është folur, e prandaj është moment që duhet
hapur drita jeshile për ta njohur si një shans tjetër për të shpëtuar nga
stresi ose shqetësimet e përditshmërisë, në vende të tjera, aftësia shëruese e
teksteve letrare, është përdorur gjerësisht. Kështu, grekët e lashtë, qysh në
hershmëri, kanë besuar në fuqinë shëruese të leximit, prandaj në derë të
bibliotekave kanë vënë mbishkrimin vend shërues për shpirtin. Në kohë dhe
hapësira të ndryshme, përveç kënaqësisë së pazakontë, që i mëveshën librit,
herë si të pohuar, por në shumicën e herëve si të nënkuptuar bartën edhe
cilësinë shëruese të librit. Formën e plotë si koncept, terapia përmes librit,
pra Biblioterapia, e fiton rreth viteve ’30 të shekullit të kaluar në Sh B A,
ndërsa në këtë periudhë ka një zgjim të jashtëzakonshëm ndaj libri si mënyrë
shëruese, në Londër. Prej andej kemi një situatë që lajmëron se: Libraria e
fundit është hapur këto ditë dhe quhet "School of Life"
("Shkolla e Jetës"). Për të kuptuar përbërjen e saj, duhet ndjekur
filli i njoftimeve që vijnë, ku shkruhet: Është një lloj "farmacie
kulturore" shumë e veçantë, që u ofron vizituesve të saj ushqim për barkun
dhe mendjen. , që në fakt të sjellë në mend gjithë ndihmesën e dhënë nga
shkrimtarja Virginia Woolf, pra, kuptohet se biblioterapia dhe është një nga
shërbimet e shumta që i ofrohet lexuesit nga një librari e re, që siç
njoftohet, e cila është hapur në "Bloomsbury", lagje e Londrës. Për
të sjellë edhe një mendim tjetër për idenë shëruese të librit: Pasi përfundova
së lexuari për të 12-ën herë librin Lufta dhe Paqja, shkruante në 1951 në
ditarin e tij shkrimtari rus Mikhail Prishvin, kuptova më në fund domethënien e
ekzistencës sime. Këto fakte kanë ngjarë kohë më parë dhe tani, na mundësojnë,
që të krijojmë një ide mbi terapinë me anë të libri, që përpos se të na njohë
me botën, të edukojë dhe zbukurojë shpirtin, ndikon edhe për shërimin nga
lëngatat jetësore, psikologjike dhe të stresve të jetës së njeriut. Prandaj,
këto fakte, e bëjnë të pashmangshme një diskutim mbi këtë prani, një diskutim
të institucioneve të kulturës dhe të shëndetit mendor, të shkrimtarëve dhe
studiesëve, të shkollës dhe familjes, të shoqërisë. Po flasim për një realitet
të ri, mbase për një hemisferë të tjetër të tekstit letrar, që tashmë do të
duhet të njihet, të zbulohet dhe mbi të gjitha të hipotekohet si një mënyrë e
re e forcës shëruese të librit, me gjasë të tekstit letrar. Bazuar në
rezultatet ku ka mbërritur biblioterapia në hapësirat e tjera, kryesisht të
perëndimit, aq sa vihet re se tanimë njihen edhe fazat e ndryshme, të cilat na
vijnë edhe të përcaktuara: Identifikimi – kur lexuesi e gjen dhe identifikohet
me personazhin; Katarza – kur lexuesi ndan shumë mendime dhe ndjenja me
personazhin në veprën letrare; Mishërimi– kur lexuesi përmes personazhit kupton
se si të përballet me problemet dhe çështjet e veta. Pikërisht prania e tre
fazave të biblioterapisë, na ndihmon për të kuptuar përmasat, rolin dhe nevojën
për të hyrë në këtë hapësirë të shërimit, duke lexuar dhe shijuar artin magjik
të letërsisë. Duke qenë një temë e re, në marrrëdhnie me librin, tashmë si mjet
utilitar, vetvetiu lindin disa pyetje, që në përnjohje të kësaj hapësire,
patjetër që do të marrin përgjigje. Si do të realizohet njohja e problemeve, e
simptomave që mundet të shërohesh duke lexuar? Kush do të merret me ata që kanë
shqetësime, pra cilët do të jenë terapeutistë të njohjes së librit, apo të
shenjave të rëndimit shpirtëror dhe mendor, pra psikologët? Nga praktika e
përbotshme, këtë rol dhe mision, e kanë marrë përsipër shkrimtarët, studiuesit,
por edhe njohës të librave. Por, përcaktimi i shenjave të dëmtimit, bëhet e
nevojshme për tu ndjekur nga një psikolog. Pra, mbase do të duhet të kemi një
ndërthurje të palëve që mundet të jenë ekspertët e biblioterapisë. Cili do të
jetë pozicioni dhe marrëdhëniet e institucioneve, si shkolla, bibliotekat,
libraritë, lidhur ngushtësisht edhe me këtë aspekt të përfaqësimit të hapësirës
së teksteve letrare? Po familja, në çfarë lidhje do të jetë lidhur me librin, tanimë
edhe si një mjet shërues? Kuptohet se biblioterapia, pasi të njihet si vlerë,
të kuptohet si mision, shpejt do të jetë një bashkudhtar i jetës së njeriut, si
shkrim letrar, që përmban energji të shumëfishta, por disi më tepër si lexim,
që ndihmon për të çliruar këto energji dhe përmes tyre të shërohen nga jo pak
shqetësime që e shoqërojnë qenien njerëzore në përditshmëri.
Comments
Post a Comment