Filozofi dhe sociologu gjerman, Jürgen Habermas, kritikon udhëheqjen e Evropës për krizën

Evropës i duhet një bazë demokratike, thotë filozofi i shquar Jürgen Habermas. A gjen jehonë ky mesazh? Në Universitetin e Leuvenit ishte në auditor edhe presidenti i Këshillit Evropian. 500 studentë në auditorin e tejmbushur, më të madhin në Universitetin Katolik në qytetin belg Leuven, mezi presin që të mbërrijë legjenda e fushës së kërkimeve. Kush nuk kishte arritur të siguronte vend, mund ta ndiqte leksionin nën shi të imët në ekranin e madh të vendosur në kopshtin e universitetit. Kur u shfaq filozofi dhe sociologu 83-vjeçar, të rinjtë u ngritën nga ulëset dhe e pritën mendjen kritike, të respektuar në mbarë botën, me duartrokitje të gjata. Jürgen Habermas foli nga katedra për rreth një orë për "demokracinë, solidaritetin dhe për krizën evropiane", leksioni i tij i parë publik për temën më të rëndësishme në Evropë prej shumë vitesh. Në radhët e dëgjuesve ishte edhe presidenti i Këshillit Evropian Herman Van Rompuy, i cili drejton samitet e 27 krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian dhe është në ballë të luftës kundër krizës së monedhës euro.
"Na duhet solidaritet"
Jürgen Habermas kritikoi politikën aktuale të shpëtimit të Bashkimit Evropian. BE-ja po merr tatëpjetën duke u kthyer në një teknokraci që për arsye oportuniste është marrë vesh me tregjet financiara. Mirëpo nevojitet zhvillimi i një demokracie "supernacionale", në të cilën vërtet shtetet e sotme kombëtare ruhen, por ato duhet të dorëzojnë sovranitet. "Nëse duam ta ruajmë bashkimin monetar, nuk mjafton që përballë dallimeve strukturore vendeve të veçanta t'ju japim kredi, në mënyrë që këto të rifitojnë aftësinë e tyre konkurruese. Kjo nuk mjafton!", thirri Habermas në auditor. "Në vend të kësaj duhet solidaritet dhe një qasje bashkëpunimi, e cila është produkt i perspektivës së përbashkët politike." Filozofi kërkoi demokratizimin e Bashkimit Evropian dhe një kontroll demokratik të Këshillit Evropian, të cilin e kryeson Herman Van Rompuy.
Për këtë qëllim marrëveshjet e Bashkimit Evropian duhen riformuluar në një konventë të re, tha Jürgen Habermas. Çelësin për ndryshimin e Bashkimit Evropian e ka në dorë qeveria gjermane, tha ai. Për arsye demografike dhe ekonomike, asaj i bie një rol udhëheqës në Evropë, vetëm se ajo nuk duhet t'i nënshtrohet tundimit, për të provuar një inkursion me kokë të vet. Nuk është fjala për një "Evropë gjermane", po për një "Gjermani në Evropë", vijoi Habermas. Për ta ruajtur Euro-Zonën bashkimi monetar duhet shndërruar në një bashkim politik të vërtetë, tha ai.
(DW)

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk