Gazetaria, profesioni më i mirë në botë



Nga Gabriel Garcia Marquez
Kur pyeta një herë në një universitet të Kolumbisë se çfarë provimesh aftësie apo të karakterit profesional iu nënshtrohen personat që dëshirojnë të studiojnë për gazetari, përgjigja që mora ishte e prerë: “Gazetarët nuk janë artistë.” Në një farë mënyre, këto pikëpamje ushqehen nga bindja se gazetaria e shkruar është një zhanër letrar.
Këtu e pesëdhjetë vjet të shkuara shkollat e gazetarisë nuk ishin në modë. Ky zanat mësohej në zyrat e redaksive, shtypshkronja, qoshkat e kafeneve më të humbura, si dhe festat e organizuara të premteve në darkë. Gazeta përgatitej në mjedise që u ngjanin pak a shumë punishteve, vendet më të përshtatshme për të mësuar e për t’u informuar dhe ku pikëpamjet lindnin e përpunoheshin në një atmosferë bashkëpunimi të ngushtë, ku ruhej e respektohej integriteti i çdonjërit. Gazetarët përbënin një grup të organizuar më së miri. Gjithçka që kishim në këtë jetë e ndanim bashkarisht dhe qemë aq fanatikë lidhur me profesionin tonë sa nuk flisnim kurrë për ndonjë gjë tjetër. Puna na kishte lidhur aq fort me shoqi-shoqin sa pak kohë mund të mbetej për jetën intime të çdonjërit prej nesh. Ndonëse asokohe nuk ekzistonte kolegjiumi i redaksisë në kuptimin formal të fjalës, në orën pesë të pasdites i gjithë stafi mblidhej spontanisht sa për t’u shplodhur nga tensioni i përjetuar gjatë ditës dhe për të pirë një kafe në ndonjë vend ku mund të zhvillohej veprimtari editoriale. Ishin mbledhje të hapura ku diskutohej me zjarr rreth temave të çdonjërës prej rubrikave dhe ku viheshin pikat mbi “i” për numrin e mëngjesit të ditës së nesërme. Personat që nuk mësonin gjë prej gjëje në debatet e ndezura 24 orëshe të asaj akademie shëtitëse ose të gjithë ata që mërziteshin për vdekje nga bisedat e pafundme që zhvilloheshin, qenë pikërisht ata që dëshironin ose që mendonin se tashmë ishin gazetarë, por në të vërtetë nuk qenë të tillë.
Asokohe gazetaria ndahej në tri kategori të mëdha: lajmet, historitë me karaktere dhe editorialët. Rubrika që kërkonte vërtetë finesë dhe që mbarte në vetvete goxha prestigj ishte ajo e editorialeve. Puna e reporterit ishte më e nënvleftësuara, pasi personi që e kryente atë ishte rëndom ndonjë riosh, të cilit i ngarkoheshin detyra që nuk shkonin përtej shërbimeve të një çiraku. Si koha ashtu edhe profesioni kanë dëshmuar se sistemi nervoz i gazetarisë vepron sipas një stili që lëviz në drejtim të përkundërt me akrepat e sahatit; domethënë, në moshën 19 vjeçare unë isha studenti më i keq që kishte fakulteti i Drejtësisë dhe e nisa karrierën e gazetarit si anëtar i redaksisë së editorialeve. Dalëngadalë, duke punuar rëndshëm, arrita të çaj përpara, duke punuar sa në një sektor në tjetrin, derisa u bëra një reporter i vjetër e i përkorë.
Ushtrimi i këtij profesioni kërkonte një kulturë të gjerë, çka ta ofronte edhe vetë mjedisi i punës. Leximi ishte një nevojë e domosdoshme që nuk hynte te kërkesat e mirëfillta të punës. Njerëzit që janë autodidaktë zakonisht janë lakmiqarë për të nxënë sa më shumë dhe i përvetësojnë gjërat shpejt. Kjo gjë vlen sidomos për moshatarët e mi, ngaqë të gjithë digjeshim nga dëshira të çanim shtigjet për ta çuar sa më përpara atë që ne e quanim vetmevete profesioni më i mirë në botë. Alberto Lleras Camargo, një gazetar i moçëm, i cili në dy raste do të bëhej presidenti i Kolumbisë, nuk kishte marrë as diplomën e shkollës së lartë.
Krijimi i mëvonshëm i shkollave të gazetarisë erdhi si rrjedhojë e reagimit të rretheve akademike kundrejt faktit që profesionit i mungonte formimi shkollor. Tash për tash, kjo gjë nuk vlen vetëm për median e shkruar, por për të gjitha fushat e medias që ekzistojnë ose që do të shpiken.

Sidoqoftë në një përpjekje të dëshpëruar për t’u shtrirë sa më shumë edhe emri i përulur që mori ky profesion qysh në fillim të shekullit të 15-të, tashmë është braktisur. Tash nuk e quan më kurrkush gazetari, por shkenca e komunikimit ose komunikimi masiv. Pa hyrë në hollësira, rezultatet e përftuara nuk janë dhe aq inkurajuese. Studentët që diplomohen nga institucionet akademike me pretendime tejet të mëdha dhe aspak realiste, ndonëse jetën e kanë përpara, duket që nuk kanë kurrfarë pika kontakti me realitetin dhe problemet kryesore të jetës në botën e njëmendtë, dhe më fort se profesionit e aftësive të lindura i kushtojnë rëndësi e vëmendje të pazakontë mënyrës se si të spikasin.
Kjo gjë është veçanërisht e vërtetë sidomos lidhur me dy atribute kyç: kreativiteti dhe përvoja.
Shumica dërrmuese e studentëve i hynë profesionit me mangësi të dukshme: ata kanë probleme të rënda me gramatikën e shkronjëzimin dhe nuk janë në gjendje ta rrokin në mënyrë instinktive materialin që lexojnë. Një pjesë mbahen me të madh për faktin se mund të lexojnë përsëmbrapthti një dokument sekret mbi tryezën e një ministri, se janë në gjendje të regjistrojnë biseda rastësore pa e marrë vesh folësi ose se mund të publikojnë një bisedë për të cilën kanë rënë paraprakisht në ujdi ta trajtojnë si konfidenciale. Ajo çka të shqetëson më së shumti është fakti se të gjitha këto shkelje të rregullave të etikës bazohen në një koncept risque për profesionin, në atë që është përshtatur në mënyrë të vetëdijshme dhe është rrënjosur krenarisht në rëndësinë e shenjtë të të qenurit i pari që merr vesh diçka dhe para gjithkujt tjetër. Nocioni se lajmi më i mirë nuk është medoemos lajmi që ti ia ke dalë ta marrësh i pari, por në të shumtën e rasteve është ai lajm që paraqitet më mirë nga të tjerët, nuk do të thotë asgjë për ta. Disa prej këtyre të rinjve, të vetëdijshëm për mangësitë e veta, ndjehen të mashtruar nga shkolla që kanë kryer dhe nuk e kanë për gjë të fajësojnë profesorët se janë ata që kanë dështuar t’u ngulin në mendje virtytet që tash kërkohen prej tyre, në mënyrë të veçantë kureshtjen për të zhbiruar jetën.
S’do mend që kjo është një kritikë që mund t’u bëhet të gjitha niveleve të arsimimit në përgjithësi, i cili është i korruptuar nga pafundësia e shkollave që janë kapur pas praktikës së mbrapshtë që i kushton më fort vëmendje informacionit se mësimit. Gjithsesi në rastin konkret të gazetarisë kjo gjë duket se ka të bëjë me paaftësinë e profesionit për të ecur me të njëjtin hap të mekanizmave të tregtisë, si dhe për faktin se gazetarët kanë humbur në labirinthin e krijuar nga teknologjia teksa është lëshuar me vërtik përpara. Me fjalë të tjera, sot e gjithë ditën ka një konkurrencë të ethshme midis kompanive kush shtie në dorë veglat më moderne, ndërkohë që kanë lenë pas dore ushtrimin e personelit dhe shpërfillur mekanizmat që njëherë e njëkohë nxisnin shpirtin e skuadrës.
Zyrat e redaksive janë shndërruar në laboratorë sterilë ku njerëzit rropaten të ishulluar nga bota, vende ku është më e lehtë të komunikosh nëpërmjet yçklave të elektronikës sesa duke prekur drejtpërdrejt zemrat e lexuesve.
Dehumanizimi është duke u përhapur me një ritëm alarmues.
Nuk është aspak e lehtë të kuptosh se si teknologjia, me gjithë lavdinë e saj, dhe mjetet e komunikimit që zhvillohen me shpejtësinë e dritës, gjëra që i lakmonim aq fort në kohën tonë, ia kanë dalë mbanë të përshpejtojnë dhe përkeqësojnë agoninë që lidhet me kohën e mbylljes së gazetës. Fillestarët qahen se shefat u japin tri orë kohë të përfundojnë një detyrë që realisht nuk mund të kryhet në më pak se gjashtë orë, se u kërkojnë të përgatisin një material për dy kolona dhe në minutën e fundit u japin vetëm gjysmë kolone dhe se në kaosin e mbylljes së gazetës askush nuk ua ka ngenë ose të paktën të ketë mirësinë t’u japë një shpjegim, pa zënë ngoje këtu një fjalë sa për t’i ngushëlluar. “Ata as nuk na qortojnë,” shprehej një reporter riosh që ishte në ankth dhe priste një reagim nga shefat e tij. Heshtja mbretëron; shefi, i cili në kohët e shkuara ishte si një prind i urtë e i dhembshur, sot i kanë shterruar energjitë dhe koha bashkë me to, që të mbajë të njëjtin hap me ritmin ndëshkues të imponuar nga teknologjia.
Për mendimin tim është pikërisht nguti i vazhdueshëm dhe kufizimi në kohë e hapësirë që e ka zbehur rolin e të raportuarit, të cilin ne e kemi konsideruar kurdoherë si zhanrin më të fisëm, por në të njëjtën kohë edhe zhanrin që lypte më shumë kohë, më shumë hulumtime, më shumë reflektim dhe, sidomos, mjeshtëri të lartë në të shkruar. Në të vërtetë, të raportuarit është një proces rindërtimi i detajuar dhe i kujdesshëm i fakteve. Thënë ndryshe është lajmi në tërësinë e vet, ashtu siç kanë ndodhur ngjarjet përnjëmend, të paraqitura në mënyrë të atillë që lexuesi të ndjehet sikur ngjarjet kanë ndodhur para syve të tij.
Para se të shpikej teleshkruesi dhe teleksi, dikush në fushën e radiokomunikimit me një përkushtim fanatik ndaj profesionit kapi sakaq lajmet e botës mes kakofonisë së valëve, ndërsa një editor i shkolluar e të plotësonte me detajet dhe informacionin shoqërues, në mënyrë të ngjashme me rindërtimin e krejt skeletit të një dinosauri duke u nisur nga një vertebër e vetme. Vetëm interpretimi i lajmit ishte rreptësisht i ndaluar, ngaqë kjo gjë konsiderohej domeni i shenjtë i kryeredaktorit, editorialët e të cilit presupozohej se shkruheshin veç prej dorës së tij, ndonëse nuk ishte bash kështu. Përveç kësaj, kryemjeshtëri i të shkruarit ishte ngaherë i famshëm për lajlelulet stilistikore. Kryeredaktorët më në zë kishin linotipistin e tyre, puna e të cilit ishte të deshifronte dorëshkrimet.
Një nga përmirësimet më domethënëse të bëra në 50 vitet e shkuara është se lajmi dhe raporti tash shoqërohen me komente dhe opinione, ndërsa informacioni shoqërues përdoret për të pasuruar përmbajtjen e editorialëve. Gjithsesi kjo gjë nuk duket të ketë arritur rezultatet më të mira, ngaqë profesioni i gazetarit kurrë më parë nuk është dukur kaq i rrezikshëm sa ç’është sot e gjithë ditën. Përdorimi i tepruar i thonjëzave në citimin e deklaratave, qofshin ato të vërteta ose të rreme, i hap udhën gabimeve të bëra padashje ose me qëllim, shtrembërimeve dashakeqe dhe keqinterpretimeve të helmatisura, të cilat i japin lajmit forcën e një arme vdekjeprurëse. Citimet nga burime që janë krejtësisht të besueshme, nga njerëz që përgjithësisht janë të mirinformuar, nga zyrtarë të lartë që kërkojnë të mbeten anonimë ose nga vëzhgues që dinë gjithçka por që nuk shfaqen gjëkundi, bën të mundur që gjithëfarësoj kundravajtjesh të mbeten pa u ndëshkuar. Fajtori shkon e ngre rreth e qark vetvetes një fortesë duke cituar të drejtën për të mos e zbuluar burimin, pa i shkuar aspak ndërmend të pyesë veten se mos vallë është duke u bërë lodër në duart e burimit, i cili duke i përcjellë informacionin e ka ambalazhuar më parë ashtu siç i volit atij. Unë mendoj se një gazetar i keq beson se jeta e tij varet nga burimi, sidomos në ato raste kur ai është zyrtar dhe për këtë arsye e konsideron atë si diçka të shenjtë, pajtohet me të, e mbron atë dhe, tek e fundit, hyn në një marrëdhënie të rrezikshme bashkëfajësie me të, çka madje e shtyn t’i shikojë vëngër burimet e tjera.
Ndoshta kjo që do të them tani mund të tingëllojë tejet anekdotike, por për mendimin tim në të gjithë këtë proces ka edhe një fajtor tjetër të madh: kasetofoni. Para shpikjes së kasetofonit, profesionistët ia dilnin për bukuri mbanë me tri vegla, të cilat, ç’është e vërteta dhe në fakt përmblidheshin në një të vetme: një bllok shënimesh, moral i panjollosur dhe një palë veshë që ne, ashtu si reporterët, i shtinim në punë për të dëgjuar atë çka na thonin të tjerët. Përdorimi, si nga ana profesionale ashtu edhe etike, i kasetofonit ende nuk njihej. Njerëzit duhet t’i mësojnë kolegët e tyre më të rinj se kasetofoni nuk mund të zëvendësojë kujtesën dhe t’u shpjegojnë se s’është gjë tjetër veçse një variant i sofistikuar i bllokut të shënimeve modest, i cili diti ta kryejë me devotshmëri e besueshmëri detyrën e vet në fillimet e këtij profesioni. Kasetofoni thith por nuk dëgjon dhe sikur të jetë një papagall elektronik veç përsërit por nuk është në gjendje të përsiasë. Ne mund të mbështetemi tek ai, por s’duhet që harrojmë që është një krijesë pa zemër dhe, tek e fundit, zbardhja e fjalëpasfjalshme e tekstit nuk mund të jetë kurrsesi aq e besueshme sa ç’mund të jetë puna e kryer nga një njeri që i vë veshin dhe u kushton vëmendje fjalëve që nxjerr nga goja bashkëbiseduesi i tij, shtie në punë inteligjencën për t’i shoshitur e vlerësuar ato, si dhe i gjykon duke u bazuar në standardet e veta etike. Kur është fjala për radion kjo teknikë ofron një sërë përparësish të padiskutueshme në kuptimin e përçimit të menjëhershëm dhe të saktë të fjalëve te dëgjuesi, por e keqja është se një pjesë e mirë e intervistuesve nuk ua vënë veshin përgjigjeve që japin të intervistuarit se e kanë mendjen te pyetja e ardhshme që duan të bëjnë.
Për shkak të kasetofonit i jepet një rëndësi e pavend dhe e tepruar intervistave. Radioja dhe televizioni, duke u nisur edhe nga vetë natyra e tyre, i kanë shndërruar intervistat në një zhanër sipëror. Por mesa duket edhe media e shkruar ka rënë në të njëjtën grackë dhe bën të njëjtin gabim konceptual, duke menduar se zëri i së vërtetës nuk është dhe aq ai i gazetarit që ka qenë dëshmitar i një ngjarjeje të caktuar, por i intervistuari me deklaratën e vet. Për një pjesë të mirë të shefave të gazetave, transkriptimi ka vlerën e lakmusit gjatë një eksperimenti në gotën e mbushur me acid. Ata i pështjellojnë tingujt e fjalëve, e bëjnë lesh e li semantikën, kapen pas shkronjëzimit dhe bëhen viktimë e sintaksës. Ndoshta një zgjidhje do të ishte kthimi te blloku i shënimeve modest, në mënyrë që gazetarët të dinë të përdorin intelektin për të redaktuar gjatë kohës që janë duke dëgjuar dhe t’i japin kasetofonit vendin që i takon, atë të një dëshmitari të çmuar. Sidoqoftë, hamendja e ngritur se shumë prej lajthitjeve etike dhe shkarjeve të tjera që e poshtërojnë dhe e bëjnë me turp gazetarinë moderne, nuk vjen dhe aq nga mungesa e moralit sesa nga paaftësia profesionale, çka tingëllon si një farë ngushëllimi.
Ka të ngjarë që një nga të metat e programit mësimor të komunikimit masiv është se ato u mësojnë studentëve shumë gjëra që janë të dobishme për profesionin, por shumë pak, rreth vetë profesionit. Pra është e qartë që programet humanitare duhen mbajtur, ndonëse duhet të jenë më pak ambicioz e të ngurtë, me qëllim që t’i pajisin studentët me një kulturë të gjerë, çka ata nuk e përfitojnë në shkollën e mesme. Gjithsesi çfarëdolloj programi arsimor duhet të përqendrohet në tri fusha kyç: t’i japin përparësi aftësive dhe profesionit; të përcaktojnë qartë e prerë se kërkimi nuk është një specialitet i profesionit, ndonëse ai i gazetarit lypset të orientohet nga kërkimi; dhe të punojnë për t’i bërë të vetëdijshëm studentët se standardet etike nuk janë produkt i rrethanave të rastit; gazetarët duhet t’i kenë vath në vesh të gjitha këto.
Objektivi i fundit lypset të jetë kthimi në nivelin fillestar të arsimimit nëpërmjet kurseve në grupe të përbërë nga pak vetë, synimi i të cilëve duhet të jetë një vlerësim kritik i përvojave historike brendapërbrenda kontekstit origjinal të shërbimit publik. Thënë me fjalë të tjera, përsa i përket të mësuarit duhet të ringjallim shpirtin e të mbledhurit të gjithë tok në orën 5 të pasdites.
Unë i përkas një grupi gazetarësh të pavarur me qendër në Cartagena de Indias që po rreket ta rrënjosë këtë gjë anembanë Amerikës Latine nëpërmjet një sistemi kursesh eksperimentale e të lëvizshëm që mbart një emër që tingëllon ca i fryrë: Fondacioni për një Qasje të Re ndaj Gazetarisë në Amerikën Iberike (Fundacion para un Nuevo Periodismo Iberoamericano). Ky i yni është një program pilot për gazetarët e rinj në fillimet e karrierës së tyre. Ata punojnë në fusha specifike – raportim, redaktim, intervista në radio, televizion e kështu me radhë – nën drejtimin e një veterani të profesionit të gazetarit.
Pas njoftimit publik të bërë nga fondacioni, kandidatët propozohen nga organi i medias ku ata punojnë, ndërkohë që është vetë kompania që u mbulon shpenzimet e udhëtimit, qëndrimit dhe taksën e regjistrimit.

Kandidatët duhet të jenë nën 30 vjeç, të kenë të paktën tre vjet përvojë pune dhe të dinë të dëshmojnë aftësitë si dhe nivelin e mjeshtërisë në ato lëmenj që janë specializuar duke ofruar dy modeleve të punëve të kryera që ata vetë i konsiderojnë si punën më të mirë e më të keqe.
Kohëzgjatja e çdo kursi është lënë në dorën e instruktorit të ftuar, të cilët rrallëherë mund të qëllojë të kalojnë më shumë se një javë. Përgjatë kursit instruktori nuk përpiqet t’i pajisë pjesëmarrësit me dogma të karakterit teorik dhe skema akademike, përkundrazi, në tryezat e rrumbullakta që organizohen ai rreket të përforcojë mjeshtërinë që kursantët zotërojnë duke shtënë në veprim ushtrime praktike, me synimin për të ndarë tok me ta përvojën e përftuar gjatë ushtrimit të profesionit.
Synimi nuk është t’i mësojë njerëzit se si të bëhen gazetarë, por të mprehë aftësitë e atyre që tashmë janë të tillë, përmes ushtrimeve praktike. Në kurset tona nuk ka provime përfundimtare, as nota, as diploma dhe kursantët nuk pajisen me ndonjë certifikatë pjesëmarrjeje. Procesi i vlerësimit ndodh vetvetiu në punë e sipër përmes zbatimit në praktikë të mjeshtërisë së fituar.
Nuk është aq e lehtë të vlerësosh përfitimet e nxjerra kësisoj nisur nga një këndvështrim thjesht pedagogjik. Gjithsesi ne të gjithë kemi marrë zemër nga entuziazmi i atyre që marrin pjesë në kurset tona, një dukuri që tashmë po jep frytet e veta për një qëndrim jokonformist dhe krijues brendapërbrenda rretheve të medias nga vijnë këta njerëz, një qasje kjo që është përkrahur në shumë raste edhe nga bordet e drejtorëve.
Thjesht fakti që 20 gazetarë nga vende të ndryshme të botës puqen dhe kalojnë së bashku pesë ditë duke diskutuar rreth profesionit përbën një shenjë të mbarë të progresit të kryer, si për ata vetë ashtu edhe për ate vete ashtu dhe per gazetarine. Në një vështrim të fundit, ne nuk propozojmë rrugë e mënyra të reja për të mësuar gazetarinë; por ajo që dëshirojmë të arrijmë është të ringjallim e mënyrat e vjetra të të mësuarit.
Media do të bënte mirë ta mbështeste këtë mision shpëtimi, si në zyrat e redaksive ashtu edhe nëpërmjet skenarëve të krijuar bash për këtë qëllim, siç veprohet në rastet e shkërbimit të aksidenteve ajrore që mund të ndodhin gjatë fluturimit, në mënyrë që studentët të mësohen t’i shmangin katastrofat para se të ndeshen me to në jetën reale. Gazetaria është një pasion që s’njeh kufij, që mund të përvetësohet e të humanizohet vetëm nëpërmjet një përballjeje që nxjerr shkëndija kur ndeshet me realitetin. Vetëm ata që e kanë këtë pasion në gjak mund ta kuptojnë këtë tërheqje magnetike që ushtron ajo, pasion që ushqehet nga paparashikueshmëria e jetës. Ai që s’e ka provuar më parë këtë përvojë mund të nisë të rrokë atë eksitim të jashtëzakonshëm që të ngjall lajmi, dalldinë e mirëfilltë që vjen e të pushton kur sheh frytet e para të punës tënde, por edhe cfilitjen morale që mbart dështimi. Kurrkush që nuk ka lindur për këtë gjë dhe nuk është i përgatitur të jetojë për të, sepse vetëm kështu mund të kapesh pas këtij profesioni, i cili përndryshe ngjan krejt i pakuptueshëm dhe shterrues, ku puna mbaron pasi lajmi është nisur drejt destinacionit, por vetëm për një çast, pasi gjithçka nis sakaq nga e para, madje me vrull më të madh, duke mos të falur as edhe një grimë prehjeje.
Express

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk