ILIRIA dhe tre shkrimtarët e shquar*



Behar Gjoka
Atdheu i parë i arbënorëve, gjithnjë dhe vetëm simbas dokumentave dhe hulumtimeve të historianëve, gjuhëtarëve, arkeologëve dhe të jo pak studiuesve të fushave të tjera, ka qenë dhe do të mbetet Iliria. Porse, gjithashtu na bie në sy se veçmas në kohët moderne, kjo hapësirë reale dhe imagjinare, nga faktike si hipotezë, madje e shoqëruar edhe me shenja të përfillshme, që zakonisht na vijnë sidomos nga zbulimet e vazhdueshme arkeologjike, tashmë vjen e bëhet edhe një hapësirë e përfillshme fatidike, pra mirëfilli letrare, e rrokshme lehtësisht në realitetin artistik të tre shkrimtarëve, pa asnjë dyshim, nga më të shquarit e letërsisë shqipe të shekullit të njëzet. Prania e Ilirisë, si botë dhe univers letrar, si atdhe real dhe imagjinar, tashmë e përfillshme si shenjë dhe dëshmi artistike, në hapësirat e teksteve të shkrimtarëve Dhimitër Pasko alias Mitrush Kuteli, qëpërkon më tepër me fillesat e gjurmëve të modernitetit në letrat shqipe, të Anton Pashku dhe Martin Camaj, dy autorë nga më të shquarit e letërsisë bashkëkohore shqipe, dëshmon edhe njëherë tjetër, madje me fuqi letrare të dëshmuar në disa tekste romanesh, se letërsia shqipe dhe prania e së kaluarës, tanimë si kujtesë shpirtërore, krejt specifike, natyrisht e përthyer në realitetin unik letrar, shpesh herë rrezëllitës, ndërkaq Iliria si një atdhe shpirtëror, pra si një atdhe i rrokshëm i letërsisë, është shpërndërruar krejt natyrshëm në një tipar thadrues të letrave shqipe, e pranueshme si linjë e verifikimit të historisë, kinse shpirtërore të botës sanë, madje të shpallur më herët nga Gjon Buzukutek Meshari, në motin e largët 1555, që gjer më tani shënon librin e parë të gjuhës shqipe, madje qysh në zanafillën e letrares, por që kjo prirje e lakmueshme e saj, duket se arrin kulmin e vetë në periudhën e Rilindejs Kombëtare. Prania e së kaluarës, afër dhe larg, kryesisht si një përmasë e thekur shpirtërore dhe estetike, përpos se një tregues i qartë përmallues dhe nostalgjik, hulumtues dhe shpalues, është edhe një tregues domethënës dhe ngulfatës, i një pengu të qartë dhe të rrokshëm të shqiptarëve, pra të humbjes së madhe të hapësirave territoriale, madje nga të gjitha skajet e atdheut, nëpër kohëra të ndryshme dhe për shkaqe nga më të çuditshmet, të cilat mjerisht ia rezervoi historia me përdhuni. Një linjë përbashkuese e të tre shkrimtarëve, të anëve dhe kohëve të ndryshme, po kaq edhe të tipeve të dallueshme shkrimore, është edhe fakti i plazmimit të asaj bote, të largët dhe pluhurore, me anë të romanit, pra të llojit më të gjatë të prozës të lëvruar në rrjedhat bashkëkohore, si dëshmim etik dhe estetik, faktik dhe fatidik, gjuhësor dhe i frymës ekzistneciale, çka në fakt i jep botës dhe hapësirës së Ilirisë edhe një aspiratë dhe shenjëzim ideal, pra si për të mos e humbur përfundimisht, për asnjë rrethanë, atë pjesë të pranisë së arbënorëve dhe të botës shpirtërore të tyre. Ndërkaq, një pikë tjetër afruese dhe përbashkuese e të tre teksteve romanorë, po kaq e rrokshme si prani dhe ngjyresë, tashmë është edhe fakti i përjetimit dhe sendërtimit të këtyre teksteve, tejet interesant në parashtrimin e tij, madje edhe të realizuara në një hapësirë shumë të afërtë kohore, pra në një dhjetëvejçarë gati thelbësor të shqiptarëve, po kaq edhe të lavrimit të romanit në letrat shqipe, me gjasë diku aty, në hapësirat e viteve 60-70 të shekullit të kaluar, ku dihet se edhe konsolidohen tiparet e shkrimit të romanit të lavruar në gjuhën shqipe. Ky aspekt, formal dhe logjik, letrar dhe gjuhësor, merr vlera të posaçme, përpos të tjerash, sepse njëherit të tre shkrimtarët jetojnë në hapësira të ndryshme. Kuteli në Shqipëri, pothuajse në pjesën e dytë të shekullit të njëzet, më tepër në një paprani letrare, madje edhe i penguar për të vijuar shkrimin letrar, sepse qe i detyruar prej rrethanave të sistemit monist dhe të modelit të realizmit socialist, që më tepër të merrej me përkthimin, pra si strofulla e fundme e mbijetesës në letërsisë, ndërkohë që Camaj pasi mërgon nga atdheu, kryesisht prej shkaqeve politike dhe pamundësisë për të vijuar endrrën e ligjërimit letrar në atdheun real, shkruan larg nga Gjermania, ku madje kishte hapur edhe degën e albanologjisë në Mynih, si dhe Pashku në Kosovën martire, që aso kohe gjendej ende nën thundrën e egër të serbëve, i cili përfundimisht i kishte dhënë prozës shqipe të asaj ane të rëndësishme të shkrimit letrar, një tipar dhe përmasë letrare dhe moderne, njëherit.
Teksti i romanit Karpa, pra i veprës së gjatë të Martin Camajt, me shenjëzime të rrokshme surrealiste dhe magjike, ka rëndësi të madhe edhe për një fakt tjetër, domethënës dhe të vlertë, shenjues dhe letrar, gjuhësor dhe estetik, sepse me ikjen e mirëfilltë imagjinare dhe shkrimore në antikitet, pra në botën mitike/ilirike, vetvetiu të sjellë ndërmend edhe dy autorë të tjerë të letrave shqipe, që pikërisht në kohët moderne kanë kryer të njëjtin akt, të ikjes imagjinare dhe fantastike prej realitetit bashkëkohor, për të qëmtuar diku më tutje, diku në thellësi të parahistorisë tonë, nëpërmjet artit të fjalës, si një kërkim dhe shenjim i rrënjëve të hershme të genit arbënor. Mitrush Kuteli, nga njëra anë, mjeshtri i prozës së shkurtër të letrave shqipe, që pamëdyshje së bashku me Konicën, Koliqin dhe Migjenin, dihet dhe është pohuar më së njëherë edhe nga ana e studimeve letrare, e ndërfutën realisht shkrimin e prozës shqipe në hullitë moderne. Kuteli, sidomos me romanin e tij për Enkelinë, një tekst ku imagjinarja dhe faktikja ndërthuren dhe shpalohen me tepër si një akt ekzistencial i botës së ilirëve, me gjasë i botës madhore të ilirëve të hershëm, që derdhet artistikisht në një shkëlqim të përveçëm, si dhe Anton Pashku, mjeshtër i prozës dhe dramtikës, tanimë me romanin e befasishëm me titullin po kaq domethënës, Oh, pamëdyshje një sprovë e përfunduar moderne e shkrimit letrar në gjuhën shqipe, shënojnë në fakt edhe dy dëshmi të tjera letrare, të gjurmëve të atdheut shpirtëror, mbase të një procesi organik të kthimit të vështrimit nga ana e shkrimtarëve, nga gjurmët e lashtësisë, me gjasë në kohën e ilirëve, natyrisht të një rikthimi imagjinar, që është parë më herët edhe nga albanologjia si pika më e afërtë e komunikimit të shqiptarëve, mbase edhe si gjasë e prejardhjes dhe dëshmim i autoktonisë së tyre, pikërisht në këto troje, pavarësisht faktit se ato, pra pasardhësit e ilirëve-shqiptarët, vijojnë edhe sot e gjithë ditën që të banojnë në gjashtë shtete. Kjo rastësi fatlume, madje edhe me një natyrë të pastër të rrafshit shpirtëror, bën që të prekim pikërisht në këtë pikëpërkim të jashtëzakonshëm, të të tre shkrimtarëve të shquar, që derdhin talentin e tyre në tre romane, pra të kthimit të vëmendjes në lashtësinë e hershme, mbase diku në fillesat e dëshmimit të vetë qenies sonë, madje për më tepër edhe të shkëputur prej shoshojtë. Në këtë sipërmarrje romanore, por mbase ka ma tepër gjasa që vetëdija shkrimore e gjuhës shqipe, pra e asaj limfës përbashkuese të energjisë së fjalës shkrimore, në gjuhën shqipe, tanimë si një magji shkrimi, të jetë shkasi dhe arsyeja e madhe e këtij përbashkimi të këtyre autorëve, në shpalimin e kësaj ëndrre në hapësirat e teksteve romanore, e më tepër edhe të rezonimit të teksteve të tyre, pikërisht në këtë aks ligjërimi të shqiptimit të mbijetesës së qenies arbënore, padiskutimisht kaq të rrokshëm të shqiptimit letrar. Megjithatë, më tepër se përqasja e pranëvënë e tyre, pra e të tre teksteve romanorë të këtyre mjeshtrave të letrave shqipe, që duket se përgjithësisht u ka ndritur ylli edhe në lavrimin e romanit, përveç tipeve të tjera të shkrimit letrar, pa asnjë dyshim do të kërkonte një proces të thellë, madje edhe një vështrim krejt të detajuar në shumanshmërinë e këtyre teksteve, e sidomos në shenjat letrare dhe po ashtu edhe në tipologjinë gjuhësore të shpalimit të plotë të tyre, si dhe në mënyrë të veçantë do të kërkonte një verifikim të thelluar vetëmse tekstor, pamëdyshje në të gjitha hapësirat e tyre, së të gjitha teksturave të secilit prej librave të këtyre autorëve, pikërisht të shqyrtuara vetëm në këtë pistë të vetëmjaftueshme dhe unike, pra të përqasjes së ndërmjetshme, ku me rëndësi jetike në këtë rast është veçmas sqarimi i tipareve të veçanta të secilit tekst të këtyre autorëve të rëndësishëm të formatit bashkëkohor:
- Mitrush Kuteli me romanin e titulluar Në një cep të Ilirisë së Poshtme, pra që duket se ka vënë në qendër të realitetit letrar, kryesisht në Enkelinë e Poshtme, që përbën një nga hapësirat e botës ilire të identifikaur. Në një qasje të mirëfilltë artistike, në faqet e këtij romani, që duket qartësisht se historiken e ka si sfond dhe shkas, i cili në mënyrën më absurde të mundshme, madje për shumë kohë nga ana e studimeve letrare nuk qe përcaktuar si roman, ndonëse dihej nga jo pak prej studiuesve se teksti kësaj proze të gjatë përbëhet nga 243 faqe gjithsej. Por mbi të gjitha, për të shënuar romanin, varet nga prania e një morie linjash dhe për më tepër të zhvilluara në një rruginë evolutive, tepër të rrokshme, që madje e rrëshqasin krejt natyrshëm pikërisht në këtë tipologji shkrimi, që kuptohet më në fund se jo rastësisht ka vënë në epiqendër të vetë Enkelinë. Teksti romanor, na sjellë në fokus fakte kinse historike (me gjasë parahistorike), pamëdyshje të përthyera dhe kapërthyera me gjurmë letrare të përfillshme, ku pa asnjë dyshim imagjinata e ndezur shkrimore, pra ajo imagjinata autoriale, pa të cilën vështirë se realizohet letërsi, ka përthekuar krejt natyrshëm edhe situatën e pranisë së ilirëve, siç mëtohet prej koësh, paardhësve të shqiptarëve, me pikësynimin e shpallur ideoemocional, që tashmë të theksojë me frocë përmes ligjërimit artistik, hershmërinë ekzistenciale të iliro-shqiptarëve, e sidomos vijimësinë e tyre në këto troje. Po kaq, teksti i romanit të Kutelit mbi Enkelinë, ka si një lartsynim të shpallur, që të përplotësojë me pamje të tjera, autoktoninë dhe vijimësinë e shqiptarëve pikërisht në këto troje, që buron nga qëndresa e tyrë në fushën e betejës. Pikërisht ky roman, në mënyrë të habitshme dhe jo pak absurde, në fakt na zbulohet për mbrekulli vetëm nga Camaj, pikërisht në një lexim të parë që i bën këtij teksti, kur ribotohet vepra e plotë e tij në vitin 1990, me pesë vëllime, në kuptimin që shënohet për herë të parë, në mënyrë të padiskutueshme, si një roman, pra e konceptuar dhe paraqitur si pjesë e krijimtarisë së prozës së gjatë, madje me vetëdije letrare prej M. Camajt. Përcaktim i bërë pikërisht prej këtij të fundit, në shkrimin Kuteli i pazbuluem, ku përveç të tjerash plazmohet edhe natyra krijuese eKutelit, si një mik tre ditësh rrymash letrare, pra duke ikur kështu më dëshirë dhe vetëdije në botën e lashtë ilire, ku ka jo pak gjasa që të gjenden edhe vetë rrënjët e kombit dhe qenies shqiptare, prej Dhimitër Paskos, tashmë me anë të një vepre të mirëfilltë epike, kryekëput si një qasje vetanake dhe unike, vetëmse në shenjim të kujtesës së mbijetesës dhe po kaq edhe të pranisë së shqiptarëve në hapësirat e gadishullit, pamëdyshje më të trazuar në historinë e kohërave moderne, në Ilirikumin e dikurshëm.
- Anton Pashku me romanin e titulluar jo rastësisht OH, një tekst befasues dhe modern, në strukturë dhe shpalim, në idealitet dhe aspiratë, në teksturë dhe shprehësinë letrare, madje edhe i përcaktuar kështu, qartësisht dhe estetikisht ato, qysh në daljen e vetë si tekst romanor, nga ana studimeve letrare. E parë, si një dëshmi e qartë dhe po kaq domethënëse e mbijetesës së qenies arbënore, duke zbritur madje edhe në kohën e ilirëve, e një bote, konkrete dhe imagjinare, që dëshmon praninë e një larmie të qytetërimit të mëhershëm. Madje, kjo shenjë e ndërlidhjes me atë botë, është shpaluar artistikisht në të gjithë treguesit e vetë, si në figurimin e personazheve të pranishëm në këtë tekst, që përgjithësisht vijnë si natyra të ndërlikuara dhe moderne, po kaq edhe në shprehësinë dhe kompozimin e plotë të librit. Romani OH, deri më tani është parë edhe e lexuar si një rast unik i lavrimit të romanit modern në letrat shqipe, në konturet e plota përfaqësuese të veprës dhe njëherit në formatimin tërësor të saj, që përpos të tjerash, na e sjellë kaq pranë dhe befasuese të ngjyresave të larmisë së antikitetit të hershëm ilir. Kjo situatë e beftë letrare, projektuar dhe sendërgjuar, më tepër si një univers i mugullimave ekzistenciale të të parëve të shqiptarëve, pra të ilirëve, mbase ka ma tepër gjasa, diçka më shumë si një situatë qëllimore dhe funksionale, endur pikërisht kështu, si tekst dhe thënie, të një përballëvënie të beftë dhe moderne, midis kohëve të ndryshme, madje edhe si një situatë e ndërthurjes dhe shkrirjes së ndërmjetshme të kohëve të ndryshme, si dhe të një dhëniemarrje të shoshoqshëm, duke lartsynuar dhe gdhendur kështu në tekstin e këtij romani më tepër pakohësinë, madje ca më tepër botën e vendosjes së individit në qendër të universit shkrimor, si një qenie normale e kohëve moderne, shpaluar artistikisht pikërisht në këtë situim të përveçëm dhe të një përballje të pashmangshme, njëherit me shumëkohësinë dhe përmasat e shumëfishta, të cilat e qarkëzojnë fatin e qenies shqiptare, nëpër të gjitha kohërat. Megjithatë, pavarësisht grimcimit të kohëve të ndryshme, si dhe të përndarjeve ndërkohore, dhe po kaq edhe të grimcimit të personazheve, që më tepër duket sikur sendërtojnë silueta të rrokshme të shumëkohësisë, pra duke bartur dhe përçuar kështu tek lexuesi, tiparet e kohës së ilirëve, po kaq edhe të vetë bashëkohësisë së tanishme. Romani OH, në hapësirat e tekstit paraqet dhe ndërthur ndërmjet tyre dy kohë, dy epoka, hershmërinë dhe bashkëkohësinë, si dhe dy hapësira ekzistenciale të iliro-shqiptarëve, të cilat mugullimat dhe rrokopujat e kohërave nuk ia mbërritën që t’i shpërbënin.
- Martin Camaj, shkrimtari i tretë në radhën e mjeshtrave të letrave shqipe, të pjesës së dytë të shekullit të kaluar, që pamëdyshje ka vënë në qendër Ilirinë, pra botën e hershme të gjallimit të genit arbënor, tashmë të realizuar estetikisht me anën e tekstit të romanit me titullin Karpa. Ky tekst në fakt na vejn artistikisht, madje me një qasje unike dhe të mëvetësishme, të sjellë përmes një hapësire letrare, të njëmendtë dhe me kaq shumë vlera të rrokshme artistike, që na shpalon si të gjallë përpara sysh një botë mitike dhe surreale, padyshim që në formësimin dhe shpalimin letrar, ecën në një rruginë të vetën, vetjake dhe shenjuese. Në një kuptim, të qasjes dhe sendërtimit të universit të qenies dhe të artit të fjalës, madje në një kutpim, edhe të papranishme në letrat shqipe, së paku në mënyrën e shpalimit pikërisht në këtë rrafsh, të zbulimit dhe shqiptimit të shenjave të botës ilire, mbase diç më tepër edhe të vetë projektimit fantastik të asaj bote, por të shoqëruar edhe me një situatë të natyrës surreale, jo pak të vetëdijshëm si shkrim autorial, të realizuar krykëput veçse me anë të imagjinares së përndezur dhe krenare, për të rrëmuar kështu qëllimshëm në histori, madje diku në zanafillën e jetës së shqiptarëve, që edhe pse në kushte të jashtëzakonshme, të gjallimit të vështirë, ma tepër të mbijetesës duhet thënë, natyrisht të fatit të gjithkohshëm dhe në të gjitha hapësirat e frymimit të qenies shqiptare, si dhe të vetë thirrjes shpirtërore dhe artistike, për ta ruajtur dhe përlindur kështu kujtesën e hershme, pra botën ilire dhe më tutje saj, si një vlerë dhe dëshmi e çmuar e autoktonisë dhe e mbijetesës së qenies shqiptare, thurur dhe përcjellur pikërisht në këto hapësira të ndëshkimit të saj, të herë pas hershëm, endur padrejtësisht kohë pas kohe, mbase ia ka mbërritur që të na shpalojë aspiratat dhe idealitetin kreativ të autorit, për të shënuar kështu, me gjasë, por edhe me vetëdije gjithkohësinë, e ka më shumë mundësi, sidomos për të komunikuar me të gjitha kohët dhe hapësirat, situatën e komunikimit edhe me kohën mitike, pra me botën ilire, e cila në jo pak raste vjen edhe përmes dokumentave, ose siç na sugjeron me të drejtë autori, përmes gjurmëve dhe dëshmive arkeologjike, të cilat fshijnë dhe bartin ekzistencën dhe vlerat e kësaj bote, ndonëse realiteti letrar i këtij teksti, tashmë na vjen nëpërmjet tipologjisë imagjinare, pra të projektimit nga e sotmja në të dikurshmen, por edhe si një gjurmë e pranisë së modernitetit dhe ngjyresave surrealiste, që ofron kaq pranë botën ilire, me gjithë përplasjen e habitshme të dykohësisë.
Prania e Ilirisë dhe veçmas e botës ilire, kryesisht dhe vetëm si një realitet i dyzuar dhe i shumëfishtë, pra si një realitet letrar imagjinar, e veçmas sjellja e saj pikërisht në ato konture, magjike dhe imagjinare, fantastike dhe konkrete, përbën edhe një shenjë, por edhe një kontribut të vyer të tyre, shpluhurosjen e botës së hershme ilire. Të tre shkrimtarët tanë, pikërisht me anë të tipologjisë shkrimore të romanit, pamëdyshje nga tipet dhe tipologjitë letrare, më të shquara të letrave shqipe, të harkut kohor të bashkëkohësisë, më atmosferën e përveçme, shpirtërore dhe estetike që përcjellin, posaçërisht të parashtruara në faqet e romaneve të tyre, që pa asnjë mëdyshje përfaqësojnë gjurmë të vlerta dhe përplot larmi të ligjërimit letrar të kohëve moderne, në njëfarë mënyre edhe e kanë zbuluar dhe shenjuar atdheun parak të shqiptarëve, pra Ilirinë, por ndërkaq me penelata të shpjeta dhe të gdhendura, edhe ka vizuar konturet më thelbësore të kësaj bote. Pra, vlera e romaneve, me gjasë e trinitetit romanor, të magjikes shkrimore, që fle dhe zbulohet, tek tekstet e Kuteli, Pashku dhe Camaj, pamëdyshje vetëmse në kuptimin ekzistencial dhe estetik, i cili ndërkaq shënon po ashtu një rast specifik dhe unik në letrat shqipe, të projektimit të atdheut të parë të gjallimit të genit tonë, në prehistorinë e largët. Madje, në njëfarë mënyre, kjo rastësi e mrekullishme, ndëkraq krejt dukshëm shërben edhe si një pistë e shpalimit dhe verifikimit të shenjave të rrokshme letrare, në kohë dhe hapësirë, në rryma dhe drejtime të ndryshme të shkrimit letrar, porse kuptohet më në fund, që filli i mbijetesës, kinse gjallimi i qenies shqiptare, fizike dhe shpirtërore, të tyre që simbas shnjave imagjinare të këtyre romaneve, por edhe të jo dokumentave, që janë zbuluar ose që presin që ta shohin driten e diellit, duket se patën si parardhës iliro-arbënorët, tashmë të sendërtuara madje edhe si një shpalim të saj, si shenjëzim letrar unik, kryesisht të sendërtuar në një formante të prozëshkrimit të gjatë, pra në tipologjinë e romanit, çka në fakt përbën një akt të mirëfilltë të prurjes së të dikurshmes, të botës mitike të ilirëve dhe të qytetërimit të tyre, jo pak të largët si kohë, të ednur mrekullishëm në shkrimin e prozës moderne të letrave shqipe.
Të tre shkrimtarët tanë, në të tre romanet e tyre, që më së shumti i përbashkon prania e botës ilire, pa mëdyshje nga më të shquarit e harkut kohor të bashkëkohësisë, njëherit ato janë të kohëve dhe hapësirave të përafërta, por në një kuptim edhe krejt të largëta ndërmjetshëm, qoftë edhe në përzgjedhjet e tipologjive shkrimore, madje që dëshmojnë edhe vetë situatën absurde, mbase deri në mungesë komunikimi, ndërmjet tyre dhe të tjerëve, siç ka ngjarë përgjithësisht me letrat shqipe, ka më shumë gjasa, pra si një prani e zakonshme e moskomunikimit ndërmjet tyre, një tipar i rrokshëm dhe gjithkohor i letrave shqipe, si një ekzistencë absurde e papranisë së jo pak shenjave, të shumicës së periudhave letrare, ku përpos të tjerash, situata e shkrimit të këtyre teksteve të llojit të romanit, pra të llojit më të gjatë të shkrimit të prozës, që ka vënë në qendër të shpalimit letrar, botën e madhe ilire, më shumë me dijen e pavetëdijshme, të projektimit të kohës mitike dhe imagjinare pikërisht në hapësirat e teksteve letrarë, mbase me të gjitha ngjyresat e saj, por që ndërkaq shpalojnë po ashtu edhe afritë ndërmjetshëm, evidenton mbi të gjitha dy kahje thelbësore, të shpaluara në të tre tekstet romanore, të këtyre mjeshtrave të realizimit të letrares së mirëfilltë:
- Vetëdijen e ekzistencës së qenies shqiptare, madje edhe duke e shpallur kështu botërisht realitetin e hershmërisë ilire, si gjurmë e paraardhësve të arbënorëve, madje që është një botë edhe jo pak e dokumentuar, në arkivat e botës dhe ato shqiptare, por ndërkaq edhe të projektuar dhe realizuar në jo pak raste edhe në tekstet e shumta letrare, kryesisht si një poetikë imagjinare, e cila dihet se ka në thelbin e vetë fantazinë e përndezur, që gjithnjë simbas këtyre qasjeve, dokumentare dhe imagjinare, ka si paraardhës ilirët, gadishullin e Ilirikumit antik, pamëdyshje botën e madhe të tyre, madje të sendërgjuara dhe skicuar edhe si një prani dhe vazhdimësi e pakëputun, pikërisht në këto troje dhe treva, ku tanimë jetojnë edhe vetë shqiptarët, përmbi të gjitha edhe si një gjurmë e rrokshme dhe unike e vetë autoktonisë dhe e mbijetesës së iliro-shqiptarëve, pra e jetësuar në një vijimësi shumëshekullore, madje edhe të pandërprerë nëpër kohëra, të kësaj qenie e cila shpesh herë, në shtjellat e kohërave, megjithatë ka mbërritur gjer në zgripin e mosqenies së vetë, mbase të shuarjes përfundimtare, porse kaq vrikshëm njëherit ka kthyer fuqishëm në rruginat e zhvillimit të vështirë dhe të një situate të qartë, më tepër të mbijetesës.
- Po ashtu, në fillin e vetë, të hapësirës së larmisë letrare, që më tepër dukej sikur po këputej nga çasti në çast, natyrisht fillin e brendshëm dhe të jashtëm, organik dhe letrar, kryesisht të rrokshëm në hapësirat e larmishme të këtyre teksteve romanore, me linja dhe parashtrime të larmishme dhe të dallueshme, pamëdyshje që të tre tekstet e romaneve, të përafërta në projektimin e botës ilire, krejt të ndryshëm në mënyrën se si e sendërtojnë realitetin letrar, unik dhe të mëvetësishëm, të këtyre mjeshtrave të shkrimit të prozës së gjatë, njëherit si fakturë estetike, po kaq shënojnë edhe ligjërimin e prozës moderne, pra në mënyrë të posaçme dhe specifike të lëvrimit modern të romanit në gjuhën shqipe.
Filli i këtillë ndërlidhës i shkrimit të këtyre romaneve, pra duke hedhur vështrimin diku në thellësitë e hershmërisë ekzistenciale të qenies iliro-shqiptare, por edhe të endur më së shumti me anë të poetikës moderne, pra të shkrimit të mirëfilltë të prozës moderne, dëshmon për një prirje dhe një vetëdije shkrimore të rrokshme, që pothuajse i ka shpërfillur dhe tejkaluar normat e shkrimit zyrtar të socrealizmit, po kaq edhe ato të antishërbesës, e mbi të gjitha romanet e tyre, kanë endur një realitet letrar të tjetërfarshëm dhe të tjetërsojshëm, si një gjurmë e letrares më përtej alternativave zyrtare, duke endur kështu praninë e gjurmëve të shkrimit romanor, në hullinë e modernes dhe të pranisë së ngjyresave të surrealizmit, pavarësisht dallimeve dhe ndryshimeve, mbase të pranishme në poetikën e secilit prej tyre.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk