Muzikantët e rrugës dëbohen nga qendra e Pragës
Praga gumëzhin nga muzikantët e rrugës. Prej shumë vitesh Vaclav Kamenik dhe tre kolegët e tij e fitojnë në këtë mënyrë jetesën. Por pas disa ditësh në Pragë nuk do të ketë më skena në qiell të hapur.
Ky është zëri i pranverës në Pragë. Muzikë e lumtur dixieland në pjesën historike të qytetit. Shumë kalimtarë qëndrojnë, lëkunden me ritmin e muzikës dhe hedhin ndonjë monedhë në kapelë. Prej shumë vitesh Vaclav Kamenik dhe tre kolegët e tij e fitojnë në këtë mënyrë jetesën. Por pas disa ditëve këto dalje në skenë në rrugë do të ndalohen.
"Të gjithë muzikantët do të dëbohen. Kjo është që të vësh kujën dhe krejtësisht e panevojshme. Kudo në botë funksionon një gjë e tillë, përse ndalohet te ne?“
Këtë pyetje e bëjnë shumë banorë të Pragës. Për shumicën e banorëve muzika pa dyshim që është pjesë e qytetit të tyre.
"Ajo është e mrekullueshme. Jo vetëm turistët janë të entuziasmuar prej saj. Një atmosferë e mrekullueshme. Pa muzikë nuk mund ta imagjinoj qytetin tim."
Kryetari i bashkisë u nënshtrohet kërkesave të banorëve të pasur
Por pronarët e hoteleve dhe banorët e disa pak apartamenteve të vjetra luksoze prej vitesh ndjehen të bezdisur nga muzika e vazhdueshme. Ankesat e tyre janë dëgjuar më në fund nga kryebashkiaku Oldrich Lomecky: "Ka vazhdimisht ankesa. Prandaj tani duhet të shpallim ndalimin. Edhe në ato vende, ku në të ardhmen do të jetë e lejueshme, duhet mbajtur një nivel i caktuar zhurme."
Pjesë të tëra të kalasë dhe të pjesës historike të qytetit do të jenë në të ardhmen krejtësisht tabu për instrumentistët. Vetëm në urën e Karlit dhe në pak vende të tjera do të vazhdojnë të jenë të lejuara koncertet falas. Ka rregulla të rrepta. Maximumi 2 orë dhe më së shumti 45 decibel. Kthim në kohët e largëta, tashmë të harruara, mendon veterani i muzikantëve të rrugës, Jiri Wehle: "Ata duan të na dëbojnë, artistët maltrajtohen. Pa muzikën tonë Praga do të bëhet përsëri një qytet i vdekur, si dikur me komunistët.“
Por 80-vjeçari ulet ende çdo ditë në kutinë e tij prej druri dhe luan me kryeneçësi në instrumentet e tij mesjetare. Ai do të vazhdojë të këndojë edhe në të ardhmen. Liria e artit është më e rëndësishme se zelli i politikanëve për të vendosur rregull.
Comments
Post a Comment