Kanuni dhe qytetet mesjetare të Shqiperisë



Zbulimi Statuteve të Shqipërisë, nderon historinë tonë kombëtare
Zbulimi i Statuteve të Shqipërisë, mbetet nderimi i historisë tonë kombëtare. Historianët mendojnë se, botimi i tyre në gjuhën italiane dhe në gjuhën shqipe, ka qenë me rëndësi të madhe për historinë e Shqipërisë, si një dokument historiko-juridik, duke përmendur Statutet e Durrësit, Tivarit, Drishtit e të Budvës. Sipas tyre ky zbulim krijojn mundësinë për ta njohur organizimin e zhvillimin e qyteteve mesjetare shqiptare siDurrësi, apo edhe Shkodra, e njohur ndryshe si kryeqendra e Veriut. Botimi i Statuteve të Shkodrës, siç thotë historiani Oliver Schmitt, janë “një monument i vërtetë i Shqipërisë mesjetare, teksti më i vjetër ligjor, podukt në territorin e Shqipërisë”. Sipas Gerhard Ortalit, statutet janë “dokument me rëndësi themelore nga shumë pikëpamje”. Deri tani, shkencat historike-juridike shqiptare dhe studiues të huaj janë përqëndruar kryesisht në studimin e të drejtës zakonore të shqiptarëve, në Kanunin e Lekë Dukagjinit, që i referohet nga gojëdhëna popullore mesjetës (shek.XV). Dihet se Kanunet, rregullonin marrëdhëniet juridike, në zonat malore të qeverisjes vendore në Jug, në Veri të Shqipërisë e deri në Kosovë, ndërsa në qytete ato nuk vepronin. Me zbulimin e Statuteve të Shkodrës, të shek.XIV, është plotësuar boshllëku për njohjen e qeverisjes së qyteteve tona në Mesjetë. Nga studimet dhe artikujt hyrës të Statuteve rezulton se, në vitin 1907, për herë të parë në Bibliografinë Statutore, historiani Leone Fontana, shkruante se “Scutari (Albania), Statuti di Scutari Ms. Museo Civico Correr Venezia”, kurse italiania Lucia Nadin, nisur nga interesa gjuhësore dhe Oliver Jons Schmitt për interesa historike, ka bërë kërkime intensive deri në zbulimin e Statuteve, një dorëshkrim me 40 fletë,në gjuhën veneto-veneciane. Ai ishte kopjuar nga origjinali prej Marino Dulcik, në arkivat e Këshillit të të Dhjetëve në Arkivin të Venecias. Dorëshkrimi nuk përmban datën e kopjimit, dhe sipas historianit Oliver Schmitt, “dokumenti është unikal, dhe pasqyron korpusin e statuteve të qytetit të Shkodrës në dhjetëvjeçarin e parë të shek.XIV, të cilat janë hartuar sipas modeleve të qytet-shteteve italiane”. Statutet janë hartuar sipas modeleve perëndimore të qyteteve- shtete të Italisë, si Venecia, Milano, Ankona , dhe përmbajnë parime evropiane, ndonëse Shkodra në këtë periudhë historike ndodhej nën sundimin e mbretit Stefan Dushanit, Rasha. Në fakt në krerët (nenet) 1, 2, 3, 54, 84, 92, 99 e 224, flitet për mbretin. Ky fakt është me shumë rëndësi që tregon se Statutet janë hartuar para vitit 1346, kur Stefan Dushani mori titullin Perandor. Ky fakt vërteton gjithashtu edhe origjinalitetin shqiptar të Statuteve të Shkodrës , kundrejt Kodit Ligjor të Stefan Dushanit që hyri në fuqi në vitin 1349, pra pas statuteve. Origjinaliteti i Statuteve vërehet në përmbajtjen e tyre, që ndryshon shumë nga Kodi Ligjor i Dushanit, sepse statutet përmbajnë më tepër norma penale se sa zakoni, që kërkohej të zbatohej në Thesali Maqedoni dhe Shqipëri. Pas vdekjes së Stefan Dushanit (1355), Shkodra kaloi nën sundimin e Balshajve, të cilët e shtrinë pushtetin e tyre deri në Vlorë e Berat. Kështu neni 271 i statuteve i përket kohës kur ishte në fuqi Gjergj Balsha, i cili më 1396 kërkoi protektoratin e Venecias.Nga viti 1396-1479 Shkodra bie nën sundimin e Venecias. Kështu shpjegohet që në Arkivin e Venecias ka shumë dokumente për Shkodrën. Me sa duket, pas pushtimit të Shkodrës nga Turqia në vitin 1479, shkodranët e emigruar në Venecia morën me vete këto dokumente, përfshirë edhe statutet e qytetit të tyre.Meritë e madhe historike u përket studiuesve Lucia Nadin dhe Oliver Schmitt që i gjetën e i botuan Statutet e Shkodrës, duke i bërë një shërbim të madh Shqipërisë e posaçërisht shkencës juridike shqiptare.
Çfarë përmbajnë Statutet
Statutet përmbajnë 268 nene origjinale dhe 11 krerë nene shtesë, të parat i përkasin dhjetëvjeçarëve të parë të 1300, treqindës, kurse11nenet janë të viteve 1392-1479. Tek nenet e para flitet për qytetarinë, apostujt, shenjtorët, pastaj për ndërtimin e shtëpive, për bujqësinë, artizanatin, peshëmatjet, për zgjedhjet e funksionarëve, për marrëdhëniet midis komunës dhe klerit, për pozitën e gruas. Ndryshe nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, atje ka një tjetër gjykim për procedura penale për të drejtën penale,etj. Gjuha e përdorur në Statutet e Shqipërisë, sipas historianëve të kohës është e qartë, dhe përmban shprehje orientale. Statutet janë përkthyer në gjuhën shqipe nga historiani Pëllumb Xhufi.Mikpritja shqiptare dhe veçanarisht ajo shkodrane buron nga e kaluara zakonore dhe e kaluara ligjore. Miku duhet të pritet mirë dhe duhet mbrojtur një parim unikal për jetën në Shkodrën e mesjetare. Neni 1 thotë, “Mbi lirinë e të huajve për të ardhur e për t u vendosur në qytetin tonë”, ndaj dhe mikpritja shihet si detyrim për banorët e Shkodësr. Ligji u kujton banorëve se “të huajt duhet të mbrohen në çdo mënyrë”, por edhe detyrimi i të huajit që ka vendosur të qëndrojë përgjithmonë, për t i shërbyer këtij vendi dhe askujt tjetër”. Më i privilegjuar trajtohet vizitori i huaj në periudhën e festave si e Shën Stefanit. Konkretisht në kreun 7, bëhet e ditur se për një periudhë 6 ditore, pra, tre ditë para e tre ditë pas festës ,të huajt që bujtin në qytetin e Shkodrës nuk duhet të preken e trazohen, dhe ai që do t u bjerë në qafë në territorin apo zotërimet e qytetarëve, dënohet me 50 hyperperë (shumë parash). Statutet e Shqipërisë, zbulimi dhe përkthimi tyre, i bëjnë nder të madh historisë sonë kombëtare, njëherësh janë një burim i çmuar për studiuesit vandas dhe të huaj në rrugën e tyre kërkimore shkencore.

(Metropol)

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk