Kujtimet e Kazanovës, flasin shqip nga Alfred Cako



Botuesi Alfred Cako nuk ndalet në aktivitetin e tij duke sjellë botime, që kanë njohur suksesin në botë dhe tashmë vijnë dhe për lexuesin shqiptar. Me shtëpinë botuese “Hegla's Secret”, edhe këtë sezon nuk do të mungojnë titujt e përzgjedhur me shumë kujdes, që duket se do ta shoqërojnë lexuesin gjatë këtyre muajve. Në libraritë e Tiranës dhe të gjithë vendit, nga shtëpia botuese “Helga’s Secret” vjen “Kujtimet e Kazanovës Volumi 2”, një libër i shkruar nga vetë Giacomo Girolamo Casanova, i cilësuar një libër shumë i rëndësishëm për të njohur shoqërinë perëndimore. “Nuk duam t’i shtojmë gjëkafshë biografisë së Kazanovës, pasi ajo mësohet dora dorës te Kujtimet e tij të shkëlqyera që s’të lejojnë ta lëshosh librin kollaj nga dora, pasi ai të përpin me historinë e jetës së vet, jeta e një gjeniu shumë dimensional, aventurier, guximtar dhe i papërkulshëm për t’u ndalur në sfidat e jetës për sa më shumë kënaqësi dhe mësim nga njohja e saj”, pohon botuesi Alfred Cako mbi librin më të fundit si botim i “Helga’s Secret”. Në këtë volum Kazanova flet për jetën e tij nga mosha 24 vjeç e deri në moshën 30 vjeç. Libri tregon për aventurat dhe njohjet e tij të fuqishëm në oborrin dhe aristokracinë e Parisit, rekrutimin e tij në frimasonerinë e Lionit, dalldinë e tij për ta përqafuar gjithë këtë qytet dhe vlerësimin e francezëve për shijet e tyre të holla e të gjithanshme, si dhe për humorin e mprehtë e inteligjent. Ai zbulon për aftësitë e tij shëruese në disa sëmundje, sidomos në ato të lëkurës së femrave të reja, tregon aftësitë në përdorimin e librit çifut të Kabalas, tregon njohjet e tij të fuqishme në vizitën e tij të parë në Paris për një periudhë mbi njëvjeçare. Gjithashtu Kazanova tregon me hollësi Vjenën dhe shoqërinë e saj të sunduar nga perandoresha Maria Tereza në mes të shekullit 18. Më pas, në këtë volum autori kujton rikthimin e tij në vendlindje, në Venecia, si edhe dashuritë e tij me dy femra murgesha, shoqe qele, dhe kjo është një arsye më tepër se përse kleri katolik e përdhos vlerën e këtij libri kaq shumëdimensional. Ai tregon aventurat e dashurisë me to (ashtu edhe me disa femra të tjera të vogla në moshë), së bashku me ambasadorin e Francës në Venecie, z. de Berni (arriti edhe si ministër i Jashtëm i Francës), si dhe disa aventura të përbashkëta me ambasadorin britanik në Venecie, z.Murrej. Të dy këta diplomatë kanë qenë figura të shquara të diplomacive të vendeve respektive, madje ambasadori francez ishte autori i paqes së Vjenës midis dinastisë Habsburg dhe Kapet të Francës më 1855, perandori të cilat kishin mbi një shekull luftë mesveti. Ngjarjet e këtij volumi zhvillohen në mes të shekullit 18. Libri është botuar së pari në një variant të shkurtuar në Francë, në vitin 1821. Varianti që vjen në shqip është një përkthim i variantit të plotë të botuar pas Luftës së Dytë Botërore.
Kujtimet e Kazanovës vazhdojnë
Por më rrënqethësja në këtë volum është burgosja e Kazanovës 29-vjeçar, pa asnjë shpjegim, nga inkuizitoret e kishës në Venecie dhe dënimi i tij me burgim të përjetshëm në burgun Piombi në qendër të Venecias në kushte të tmerrshme. Ndoshta anëtarësia e tij në frimasoneri, përdorimi prej tij i Kabalës dhe ligjeve të saj të numerologjisë, si dhe aventurat seksuale në bashkëpunim me dy ambasadorët, ranë në sy të spiunëve të shumtë të Doxhes së Venetikut. Shpirti i këtij aventurieri që e ka dashur jetën dhe kënaqësitë e saj in extremis, nuk mund të pranonte thikën e fatit mbi kokën e tij fisnike dhe ai dy herë tentoi të arratisej deri sa herën e dytë ja doli mbanë në një arratisje spektakolare që la të mahnitur të gjithë profesionistët dhe aktorët e cirkut, të cilët e shihnin të pabesueshme një gjë të tillë. Arratisja nga burgu i Edmond Dantesit te libri i A.Dymasë, Konti i Monte Kristos nuk është gjë përpara arratisjes së bashku me një prift të Kazanovës, i cili ishte shpirti i kësaj arratisjeje. Jemi të sigurt që pasi të lexoni vëllimin e dytë, këtë libër të mrekullueshëm, mezi do të prisni të merrni ndër duar volumin 3, të dashur lexues, volum i cili do të dalë shumë shpejt dhe ka përsiatje të fuqishme filozofike dhe debate kulturore e eseistike me disa dijetarë të mëdhenj, duke përfshirë edhe bisedat e Kazanovës me Volterin. Kënaqësia me kujtimet e Kazanovës, vazhdon. Kazanova, i lindur si Giacomo Girolamo Casanova (2 prill 1725-4 qershor 1798), më vonë i vetëquajtur si Jacques Casanova de Seingalt, ka qenë një udhëtar aventurier dhe shkrimtar i shquar italian. Libri i tij “Kujtimet e Kazanovës” është parë si një nga burimet e vërteta të normave zakonore dhe jetës shoqërore europiano-perëndimore përgjatë shekullit të 18.
(Sot.com.al)

Comments

Post a Comment

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk