NASI LERA: PSE U FRYMËZOVA NGA SKANDALI I KOSINËS PËR ROMANIN TIM
- Get link
- X
- Other Apps
Romani “Të gjallë dhe të vdekur” përmban gjithçka që duhet të ketë një roman; të vërtetën, të bukurën, tronditësen, qartësinë dhe shijen e mirë të asaj që kritika anglosaksone e quan natural storyteller.
Skandali i zhvarrimit të eshtrave në Kosinë të Përmetit, me pretekstin se ishin të ushtarëve grekë të rënë në luftë, është bërë së fundmi edhe subjekt i një romani. Pas filmit të regjisorit Edmond Budina, i cili tallet me historinë qesharake që përfshijnë personazhet si prifti apo banorët e fshatit që kanë nxjerrë në ankand eshtrat e të parëve në shkëmbim të milionave, shkrimtari Nasi Lera rimerr këtë ngjarje për të trajtuar dhe zbërthyer karaktere njerëzore përmes dy personazheve kryesore: gjyshit dhe nipit, të cilët direkt ose indirekt janë protagonistë të asaj çfarë ndodh në varret e fshatit. Ky është thelbi romanit të ri të shkrimtarit Nasi Lera, titulluar “Të gjallë dhe të vdekur”. Sipas shkrimtarit dhe poetit Rudolf Marku, ky roman përmban gjithçka që duhet të ketë një roman; të vërtetën, të bukurën, tronditësen, qartësinë dhe shijen e mirë të asaj që kritika anglosaksone e quan natural storyteller. Ndonëse ngjarjet janë ato që shpeshherë lexojmë në gazetat e ditës, shkrimtari Nasi Lera ka shkuar përtej një kronike dite, duke ndërthurur realen me fiction-n në romanin e tij.
Ju jeni një shkrimtar, që përgjithësisht për romanet tuaja ngacmoheni nga ngjarje reale, siç ka ndodhur dhe në romanin tuaj të fundit “Të gjallë dhe të vdekur. Çfarë ju ngacmoi më tepër në këtë ngjarje?
Mosrespekti për të parët. Si mundet që të mos respektojmë të vdekurit tanë?! Personalisht mendoj se një shoqëri e qytetëruar ose jo, e tregon veten pikërisht tek respekti që tregon për paraardhësit. Me ngjarjet që ndodhën në Kosinë të Përmetit, me zhvarrosjen e eshtrave të të parëve tanë për t’i shitur ato për eshtra të ushtarëve grekë të rënë në luftë, ne treguam se nuk i respektojmë të vdekurit. Sigurisht që ajo ngjarje ndodhi për shumë, shumë arsye, por arsyeja kryesore ishte ajo ekonomike. Ato familje shitën të vdekurit e tyre. Mjerimi shkatërron dinjitetin e individit, por edhe të një kombi. Më kujtohet diskutimi i një deputeti në Kuvendin e Shqipërisë menjëherë pas asaj ngjarjeje. Ai u shpreh se populli i Përmetit reagoi në mënyrë të kulturuar. Përkundrazi, unë mendoj se vetëm kulturë dhe qytetërim nuk pati. Ai ishte një reagim frike. Dikush i shiti se kishte frikë mos i ikte pensioni që i jepte shteti grek, e të tjerë edhe nga kërcënimi për jetën.
Ju jeni mbështetur në ngjarje reale, po personazhet janë realë apo të trilluar?
Jo, në roman janë përfshirë vetëm skena reale që kanë ndodhur vërtet, ka dhe disa personazhe reale, siç janë ekspertët mjeko-ligjorë që bënë analizën e eshtrave për të përcaktuar moshën, gjininë dhe datën e vdekjes se personave, për të cilët, palat greke pretendonte se ishin ushtarë të saj të rënë në luftë. Por kjo është një pjesë e romanit. Personazhet kryesore në të janë gjyshi dhe nipi. Dy mosha ekstreme, të themi, dhe jam përpjekur që brenda këtyre brezave të zbuloj sesi zhvillohet jeta dhe si komunikojnë brezat njëri me tjetrin. Si e shohin botën, si e perceptojnë atë, çfarë ndodh përreth tyre dhe si komunikojnë njëri me tjetrin. Duket sikur vetëm gjyshi mund t’i japë diçka nipit por ndodh edhe e kundërta, që gjyshi të mësojë dhe të përjetojë krejt ndryshe situata të ndryshme nëse nuk do të ishte i pranishëm nipi i tij. Njëkohësisht, brenda këtyre dy moshave trajtohet rilindja dhe vdekja, si bashkëjetojnë në një shoqëri e mira dhe e keqja. Gjyshi dhe nipi janë të dy të pranishëm në momentet më kyçe të kësaj ngjarjeje, qoftë në zhvarrimin e eshtrave, analizën mjeko-ligjore që u bëhet dhe në të gjitha bisedat që bëhen rreth saj. Nipi është ai që dëgjon dhe vëzhgon çfarë ndodh, duke sjellë perceptimin e tij për ngjarje e personazhe të ndryshëm, ndërsa gjyshi është pjesëmarrës në shqetësimin e të gjithëve. Po ashtu, nipi është edhe dëshmitar i disa situatave që ndodhin, të cilat direkt apo indirekt lidhen me skandalin e Kosinës.
Po vendin ku ndodhin ngjarjet, përse nuk e keni identifikuar me Përmetin në libër?
Pavarësisht se bazohet në ngjarje të vërtetë, ai mbetet një roman, një fiction edhe pse aty ka shumë të vërteta tronditëse. Prandaj kam preferuar ta emërtoj me emër tjetër, por lexuesi që në fillim do ta kuptojë se bëhet fjalë për Përmetin. Kështu që, sido që ta emërtosh vendngjarjen apo personazhet, ata nuk fshihen dot, janë lehtësisht të identifikueshëm. Nëpërmjet këtij subjekti unë nuk trajtoj vetëm atë që ndodhi në Kosinë të Përmetit, por edhe shumë probleme të tjera të shoqërisë dhe individit, si lufta e përditshme e të mirës me të keqen, brutalitetin, mungesën e respektit, absurdin tonë etj., etj.
Cili është subjekti real i romanit tuaj të ardhshëm?
Kam në dorë një subjekt mbi të cilin po punoj dhe kam mbledhur materiale të mjaftueshme për një libër. Kam filluar të shkruaj diçka. Në qendër të vëmendjes sime kësaj radhe janë personazhet që pjellin “reality show” të gjithëçfarë llojeve që shfaqen në televizionet tona dhe të huaja. Mua personalisht nuk më pëlqejnë këto shfaqje që bëhen për të mbushur minutazhin televiziv.
Po pse këto personazhe kanë tërhequr kaq shumë vëmendjen tuaj?
Motivi që këto personazhe marrin pjesë në të tilla shfaqje është fama, sigurisht duke u përkrahur në këtë “mision” edhe nga shtypi rozë. Kjo më ka ngacmuar për t’u ulur dhe për të shkruar një roman tjetër. Personazhet e mia janë marrë pasi ata e kanë fituar këtë famë nga pjesëmarrja në një reality show. Çfarë ndodh me jetën e tyre dhe me vetë ata pasi përdoren në këto produksione. Si shkatërrohen ata si individë nga ndikimi i televizionit dhe famës së shpejtë. Por për këtë do të flasim më gjatë, pasi të dalë romani.
NASI LERA ka botuar disa vëllime me tregime: “Bora e fundit”, “Era e pishave”, “Nisemi djema”, “Ditë nga ky shekull”, “Sytë e dashurisë”, “Treni ecte drejt dëborës”, “Duaje emrin tënd”, “Ulërima e heshtur”, si dhe romanet: “Gjaku i prillit”, “Të jetosh kohën”, “Orët e qytetit të vogël”, “Balada e vetvetes”, “Nata e premierës”, “Ngjallja e diktatorit”, “Ana Zh.”, “Njeri pa stinë”, “Sytë e Sofisë” dhe së fundmi “Të gjallë dhe të vdekur”. Ky është romani i dhjetë i shkrimtarit.
(Mapo.al)
- Get link
- X
- Other Apps
Comments
Post a Comment