Fridrih Niçe, vetmitari tragjik

Nga Albert Vataj
Hyri papritmas dhe stuhishëm në Kashtën e Kumtrit filozofik, për tu bërë ujdhesa e mbinjeriut, gjëmimtari më i zëshëm i tragjizmit të vetvetishëm dhe mendimtari më i guximshëm që triumfoi mbi harrimin duke u kthyer në shërbestra i zotërimeve të epërme. U përlesh përbindshëm me harrimin, vetminë dhe mungesën, për t'u bërë gjaku i kohës dhe ritmi i gjeneratës. U hoq zvarrë në Golgotën e tij të trishtë dhe u ngjit në kryq, jo si shenjtor por si zotvrasës.
Erdhi për të qenë një vetmitar apokaliptik dhe mbeti derimtash, e me gjas përgjithnjë i kapërthyer prej kërshërisë së kumtit që ngjizi këtë klithmë britmëtare. Me lëndën me të mraztë, dhimbjen më therëse, ferrin më ngjethës, e mrujti ai shtatoren, e ngjizi ai vetmohimin. Sfidon epokat dhe trajtat e mëtimit njerëzor. Britma e tij mësyn gjëmimtare mbi qiejt e vetëdijes në krejt të tashmet. Nuk ka të sosur ai trup e shpirt i sakatur, së kacafyturi. Përzihet me terrati dhe flakë, çorba që shtrohet në tryezën e bukës që ha. Gjithnjë është unshëm dhe asnjëherë nuk ngopet. Gjumin i'a vrasin dhimbjet dhe mendimet. Shëndetin i'a drobisin sëmundjet dhe zehri që shurb në këmbim të copëzve vetmitare të paqes së brendshme, që e tundojnë nëpër kapërthime. Ngadhnjen ai gjithherë dhe papushim i duhet ta marrë mbi duar veten e ta derdh në të njëjten enë, të errët dhe të thellë. Ngrihet si mbi veten ashtu edhe mbi kohën, i mbështetur fort mbi supet e tragjizmit antik. Hedh vështrimin dhe rrëmon për të mbledhur zërin e tij mes copëzash dhe gërmadhash. I'a jep një thirrje në kupë të qiellit, havanit që i thyhet ndër duar. Ashtu përplot durim i vendos një e nga një, si gurët e mozaikut, copëzat e pafundësisë, sa për ta dëgjuar për vete atë britmë, atë zë që e ndjen, por nuk e dëgjon . E kridhet rishtaz në të tjera përjetime që e shpojnë. Në trajta të allasojta vetmish e vendos veten dhe rifillon të gatuaj sërish brumin e zërit, duke e ngjeshur fort, shumë fort, derisa të mos i mbetet forcë as të ëndërrojë. E shtryllin mendimet si pesha e vetmisë dhe lëshohet mbi letra si një kafshë prehistorike, shkruan e çjerr, vizaton e shkarravit, këndon dhe qan, mendon dhe ther kurmin e kohës, thell me gozhdët zotvrasëse.
Kumti tragjik
Fridrih Niçe u ngjiz me lëndën e një tragjedie dhe krejçka jeta e tij rrapëlliti deri në të sosun, përbën kryekëput një monodramë. Në të asokohshmen e ngjizur me magmë dhe vetëtima, mbamentet si i vetmi veprues, si vetmitari zë kushtrues. Ngado mure dhe trazim, heshtje dhe gufim, gufim zemërate dhe mendimi. Si kurrkush tjetër u lëshua zëshëm në honin e vetmisë, e se ndali ta çirrte shumë e më shumë krejt çka brenda tij gurgullonte dhe shtërzente si llavë.
Përmes çdo akti që rrokulliset potershëm përposhtë, hyn e del ai si gladiator ngadhnjimtar prej arenave. Kësisoj, ngaherë nën qiellin e kërcënuar të fatit të tij, ai kacavirret me thonj e me dhëmbë, kurrë pa e nxjerrë një tingull të vetëm të ankimit. Nuk gjeti vend dhimbja në këtë njeri, jeta e të cilit u helmua nga ilaçet dhe shpirti i'u dogj pamëshirshëm nga flakën e ferrit. Një vetmi frikëndjellëse e mbikqyr, si dorzania e territ. Çdo lëvizje merr shtysë drejt e nga ai dhe përleshet si një përbindësh mitik. Në krye disa figura zënë e vezullijnë aty këtu nëpër hijesinë e tij, i'a shoqërojnë luftën prej martiri me ca gjeste memece që shprehin habi dhe tmerr, por që shpesh bëhen më të matura, si para një rreziku kanosës. Askujt nuk ia mban të hyj në qerthullin e këtij fati. Gjatë tërë jetës së tij Niçe flet, lufton, vuan në vetmi. Ligjerata e tij nuk i drejtohet askujt, dhe askush nuk i kthen përgjigje. Dhe çështë më e tmerrshmja, asaj kurrkush nuk ia vë veshin, as vetw vetmia.
Të mbeturit pa partner, pa replikë, pa dëgjues, në heroikën e vet, kjo përbën dhe tragjedinë e pashembullt të Fridrih Niçes. Ajo shpërthen si mes një hapësire të paajër mendimi. Bazeli, Nuemburgu, Nica, Sorrento, Sils-Maria, Gjenova, gjithë këto emra gjeografik nuk na e zbulojnë dot vendqëndrimin e tij. Këto janë vetëm shtylla kilometrike përgjatë një udhe të pamatë e plot zjarre anëve dhe në brendi, thellë.
Vetmitari ngulmues
Edhe në çastin më kritik të tragjedisë së Niçes nuk ka shikues, as dëgjues. Në krye, teksa flet nga katedra e profesorit dhe shkëlqimi i Vagnerit tragjik hedh mbi të një fashë drite të pasqyruar. Fjala e tij ende grish një far vëmendje, por sërisht ka harrim. Por sa shumë të ndrydhet në vetvete, aq më thllë i depërton ai epokës, aq më dobët i vjen këmbimi i fjalës. Të hutuar miqt dhe armiqt e tij ngrihen radhazi, njëri pas tjetrit, ndërsa ai ia thotë monologut heroik. Ata i tremben ekzaltimeve të tij mes pluhurit që shtjellet përpjetë dhe ai qëndron në skenën e fatit mes një vetmie vrastare. E kapërthen shqetësimi aktorin tragjik, ngase e ka ndierë se po i flet zbraztësisë. Ai ngre zërin, këlthet, duket ti jen dyfishyar energjitë ndaj jep e merr me shenja si të nxit një reagim, ose së paku një britmë zemërimi. Ai i bashkëngjit fjalës së tij muzikën, një muzikë joshëse, dehëse prej Dionisi, por akush nuk ia vë veshin. E shndërron tragjedinë e tij në një fars. Gajaset me një të qeshur cinike, tallëse, i shtrëngon frazat e tij të luajnë laradash dhe të kryej lloj-lloj kërcimesh. Si e si që përmjet ngërdheshjes nga më të çuditshmet ti tërheq dëgjuesit nga kuptimi tmerrshëm i shfaqjes, porse mjerisht askush nuk e duartroket, nuk e përkëdhel me ovacion asnjë vëmëndje. Pa dëgjues, pa thirrmat e shfaqjes, ai deri në fund, para karrigeve të zbrazura, rrëfen durimshumë dramën më tronditëse të shpirtit njerëzor. Duke e shpallur kësodore vet krizën e shekullit, apokalipsin e avashtë dhe përjetues në të përgjithmonshmen e asaj qënje, që duke zbuar brendinë e errët me të lehurat papushim të moralit dhe normave, kujton se do të mund ta çlirojë brendinë prej territ dhe veten prej njeriut, kësaj krijese balte, delikate dhe të dobët, frikacake dhe dredharake, hileqar dhe të ulët.
Grin vetveten, të gjithën dhe thellë
Akush nuk ia shtie syt kur, si përmes një tehu të çeliktë i hap rrugë rrëmetit madhështor të mendimit të tij, veç ta ndërsejë për lart dhe, në ekstazën më të fundit, ta bëjë të shembet përtokë, "kundrull pavdekësis së pafrymë". Në këtë mbyllje në vetvete, në këtë vetmi drejtuar kundër vetes qëndron dhe kuptimi më i thellë, theroria më e shënjtë e tragjedisë jetësore të Fridrih Niçes. Azgjë nuk mund të përqaset në këtë harxhim më të jashtëzakonshëm energjishë të shpirtit, një orgjie kaq të padëgjuar ndjenjash, një shkretimi kaq të madh të botës, një heshtje metalike kaq e padepërtueshme. Madje edhe ball kundërshtarësh të tillë me pesh fati në këtë lëmë nuk ka përfillur thuajse hiç, si vullneti i papërmbajtshëm drejt mendimit "të mbërthyer në vetvete, që grin vetveten gjithë e më thellë", drejt nga thelbi i zemrës, nga thellësia e tragjizmit të vet ai i detyrohet një përgjigje, një qëndresë. Jo nga bota e jashtme, por nga gjaku i vet i mpiksur mbi plagë, i kundërvë ai fatit një zjarr përvëlues prej të krisuri dhe ashti si Herakliu, nuk nguron të shkyej copa-copa petkun e tij dhe ta përballë krejt lakuriq të vëtetën e mbrame para vetvetes. Nuk ka të rrëfyer ftohtësia që e mbështjell këtë lakuriqsi, shurdhëria që e qarkon këtë britmë të lemeritshme shpirti, apo gjëmimi që i vërtitet mbi kokë këtij "zotvrasësi", të cilin nuk e ndjek asnjë kundërshtar, nuk has në asnjë sfidant, por veçse rri e godet egërsisht dhe papushim vetveten, "që zbulon dhe ndëshkon vetveten pa kurrfarë mëshire". I ndjekur këmba këmbës prej demonit të tij, përtej kufinjve të kohës dhe botës, përtej çdo caku të qënies së tij.
Harrimi, ky shugurim përjetësie
Vite të tëra një stinë e acartë harrimi dhe mospërfillje do ta përndiqte këtë angështi njerëzore, këtë kurajo të tjetërllojtë të njeriut që ngrihej përmbi kohën, dhe e mësyn përplot mraz atë. Filozofia e Niçes u bë pulsi i epokave, dokatrinave dhe botkuptimeve. Ai rijetoi në vullnesën e çdo force që mëson të ndërtojë vetveten duke u përleshur. Në zemër të vullkanit ai e ka ngjyrë penën, e të tashmet vërshëjnë me magmën, duke hequr rrugën e mbetur për të mbërritur mbinjeriun, shpëtimtarin e sejcilit prej nesh që lëngon prej plogështisë dhe ankimit. Ai hyri përdhunshëm në shpirtin e shëmbëllimit duke u bërë frymëmarrja më e thellë dhe vështrimi më i kjartë i figurave më të shquara të shekullit të 20-të, përfshi Thomas Man, Andre Gide, Herman Hesse, Zigmund Freud, Martin Heidegger apo Emil Cioran. Fatkeqësisht, filozofia e tij u interpretua në mënyrë barbare nga kokat e trubullta, shkulmet e të cilëve do të kridhnin botën në flakët e ferrit të luftës. Gjithsesi ai vërshim do të gjente shumë shpejt rrugëtimin, anipse rrapëllima e tatpjetës ende rrëmetet nëpër mendje dhe shpirtra e burgosur. Ai beson se hiçi është bosh dhe duke qenë i tillë ai është i frikshëm. Ne domosdo na duhet të thërrasim copëzat e hapërdara nëpër ëndrra të vetes sonë dhe t'i ngjitim për t'i dhënë jetë asaj që na ngucat të besojmë si një të vërtetë e pamëdyshtë.
Përplasj e një mendimi
Filozofia e Fridrih Niçe ngufat me dëshmu në kryeradhën e agut të një britme apokaliptike, yshtun prej trajtimesh të filozofisë dhe artit të Greqisë Antike. Tankjo, në disfavor të klasicizmit të dëriasokohshëm, të cilin e vështronte si një afirmim të vizionit të arsyeshëm dhe rrjedhimisht përfaqësues të dekadencës. Në veçanti tragjedia greke është interpretuar si një shprehje e impulsit jetësor, apo siç shprehet Niçe e "momentit dionisiak". Niçe u lëshua mbi kohën e vet, me furinë e një shterngate të majisur nga bruztia e kahershme. U vërsul plot tërbim e tërsëllimë mbi vlerat morale të shoqërisë dhe altruizmin, të cilat, sipas tij mohojnë vetë jetën. Ai guxoi se kjo përkujdesje e ngas vrullin dhe energjinë përnga një ndrydhje vetësakrifikuese. Vrasi misionin sublim, me të cilin qënja humane ka ardhur prej zanafillës e derimtashme, në të jetuarin e vet. Ai nuk e kupton ekzistencën në një rrjedhë që ecën heshtur dhe paqësisht. Ky vërshim tinzar e tërbon, e ngre pupthi, e ligshton, e zhvesh nga armatura e randë e luftave dhe përpjekjeve titane për t'u ndeshur, për të dëshmuar, për të mëtuar misionin e vet, atë të Sizifit. Ky njeri, kjo krijesë inferiore, të cilës ai i shpalli luftë dhe bëri çmos ta denigronte gjenetikisht, kërkon të përfitojë nga e tashmja, nga gjithseçka e një çasti që iken pa kthim. Jeta është një kacafytje dhëmb për dhëmb, në gjithçka dhe për gjithçka, me dhimbje e piskama, me triumfe dhe adrenalinë. Ndryshe, me jetën.
Sipas tij njeriu duhet të përjetojë dhimbjen të pjesë e tij e energjisë, pasi "ajo çfarë nuk të vret, ajo të bën më të fuqishëm". Koncepti i njohur i Niçe "vullneti për fuqi", luan një rol kryesor në filozofinë e tij, duke u shprehur se "është esenca e ekzistencës njerëzore, sikur t'i thuash jetes po!", pra afirmimi i saj. Sipas tij, koncepti "fuqia e vullnetit" lejon tejkalimin e njeriut, jo eliminimin e tij, pra braktisjen e idhujve dekadentë dhe shpresës për një jetë në botën e pasvdekjes dhe pranimin e jetës ashtu siç është ajo.
Në mbamëndjen e kumtit filozofik
Ky titan i mendimit njerëzor, kjo ngrehinë e bëshme që fillëron agimet e njeriut që predikoi ai, kulmoi dhe mbërriti shumë larg dhe shumë lart. "Kështu fliste Zarathustra", "Njerëzor, tepër njerëzor","Lindja e tragjedisë", "Filozofët", "Ecce Homo", "Udhëtari dhe hija e tij", "Shndërrmi i të gjitha vlerave", "Perëndimi i idhujve", "Përtej së mirës dhe së keqes", "Agu i mëngjesit: Mendime mbi paragjykimet morale", janë disa nga veprat e këtij filozofi të madh, të cilat duke ardhur në gjuhën shqipe, jo tash, por që në vitet '30 dëshmojnë një vullnesë për të përqafuar një nga majat më të mprehta dhe më të garrametshme të qasjeve njerëzore, përnga predikimi i mbinjeriut, si njeriun bashkëkohor, si qënjen përfaqësuese dhe përçuesin e një brezi avangard.
Niçe, shndrruesi i vlerave
Fridrih Niçe është padyshim një prej figurave më të rëndësishme në historinë e mendimit filozofik. Korpusi i tij rrapëllitës, i qasjes dhe botkuptimit, u përflak si shkas i një hopi kundër rrymës. Ajo u kungua si maniera e tij novatore, e të konspektuarit dhe ravijëzuarit të gjithçkasë dhe në çdo perceptim të mjedisit, nisur nga një pikëpamje e pavarur nga filozofitë e deriatëhershme. Gjithseqysh ai erdhi me një mision të madh, dhe iku i përplotësuar dhe diktues i një gjenerate të re, të përpirjes në shtjellën babëzitëse të filozofisë. Shëndërrimi i të gjitha vlerave është një prej ideve më domethënëse, të krijuara ndonjëherë. Fridrih Niçe jetoi në një kohë kur mendimet mbi vlerat dhe virtytet ishin duke pësuar ndryshime të dukshme. Një erë e re, një kataklizmo, kishte hapur bulshinjt e tij të pangopur, përpinte dhe përtypte gjithçka në atë dualitet shekujsh. Përzishmëri dhe shterngatë mendimi, hove tranzicioni dhe kacafytje me të atëhershmen e me traditën, me myshqet që ndereshin mureve të lagështa të shekullit që ikte dhe një tjetri, në ag, që vinte. Fridrih Niçe dhe shumë bashkohës të tij, ma kanda të përmend të madhin e mendimit vjenez, Zigmund Frojd, guxuan dhe hodhën në flakët që kishin kallur ata, për të djegur mykun dhe boshësinë e një bote që kërkonte të ringrihej nga hiri.



Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk