Gegë, toskë… dhe budallenj

Ardian Ndreca
Nji mik i jemi që ndjek çdo gja që ndodh në Shqipni, tejet i revoltuem, më lutej me e lexue librin e Mustafa Nanos për Ardian-Ndreca1gegët, e madje më thonte se do të m’a dërgonte menjiherë për me e lexue. S’ia pashë dalë, e ai ashtu bani.
Në Shqipní shumë shpesh mjafton me hedh nji gur në ujë për me u ba i famshëm, dhe Nanoja me atë libër s’ka hedh nji gur por nji kamion të tanë me guraleca, tue shpresue se kur të mbërrinin tek lexuesi do të ktheheshin në shkambinj idesh, mbi të cilët do të dukej i skalitun profili i tij klasik.
Për mos me lanë vend për keqkuptime, po e them pa dorca se ai libër asht nji “summula” marrinash aq të pakuptimta sa që s’mbërrijnë me të lanë as shije të keqe. Mendoj se edhe me pasë vu në rimë e në muzikë numratorin telefonik të Çorovodës do t’i kishte dalë diçka ma interesante.
Miku jem i indinjuem më thonte: – Kujtoja Nanos se në vitin 1944 në Shkodër, në kryeqendrën e “malokëve”, miqtë e tij partizanë gjetën ma se 20 pianoforte ndër shtëpiat qytetare, ndërsa në Skraparin e tij merreshin me zgjidhjen e problemeve të nalta të mekanikës klasike sesi me i hapë birat fyellit.
Kajherë shkodranët kanë fantazi e të bajnë vetëm me qeshë. – Po mirë, i thashë, ndërsa ata shkodranët tu të “belle époque” ngjiteshin në qiellin e shtatë nën tingujt e Chopin-it, skraparllinjt, që kanë rakinë ma të mirë në botë, e mbërrinin nji naltsi të tillë, pa asnji mundim, thjesht me avujt e saj hyjnorë! E ai vijonte me litanitë e tija reaksionare, a thue se Nanoja ka ba nji revolucion dhe jo nji libër që mbrenda nji mueji ka me u kthye prej kah ka ardhë.
Tentativa si kjo e Nanos janë të paracaktueme me dështue e në ketë drejtim mund të jepja me qindra shembuj librash që mëtojnë me dhanë gjykime sa të përgjithshme aq edhe të cekta për popuj, krahina, etni, fise të ndryshme të botës. Këto lloj librash ngjasojnë me muhabetet e kafeve që kanë lezet aq sa kafja asht e ngrohtë, mandej bahen bajate. Nga ana metodologjike libri i Nanos nuk ka, dhe në të vërtetë nuk mëton me pasë, asnji drekcë shkencore, nga ana eksperimentale asht pothuejse baraz me zero. Atëherë ku bazohet? Nanoja asht nji cikrrimtar ase bakall që ka mbledhë mallna gjithnduersh, prej atyne që shiten me peshë e prej atyne që jepen me kokrra, e ngulmon me na i shitë si të ishin nji gja e njitrajtshme, si të ishin mendime të thella rreth gegëve dhe toskëve.
Meqë Nanoja ka vendosë me vu qeleshe maje krejet, ka marrë edhe çiftelinë në dorë dhe asht ba gegë, atëherë efekti i parë i metamorfozës së tij asht theksi i emnit, që nga oksiton i bahet paroksiton: Mustàf-a, madje i tingllon ma mirë pse ia mbledh zanoren e fundit tue i vu nji si brez malcorësh.
Mustafa nuk e din, e s’ka sesi me e dijtë, se nji përpjekje të ngjashme me atë të tijën e ka ba edhe Immanuel Kant-i (që në Shqipnín tonë asht mendimtar ma pak i njohtun se Mustafa) në vitin 1798, kur atëbotë pat nxjerrë në dritë “Antropologjinë në kandvështrimin pragmatik”, ku në nji shenj vendi jep apo citon gjykime interesante, si psh: italianët kuvendojnë në salla të mrekullueshme dhe flejnë në kolibe, anglezët janë popull me oborrësí, themelojnë për vedi institute bamirësie ku s’hyjnë dot ata që nuk janë anglez, francezët janë bashkëbiseduesa të kandshëm sidomos me të huejt, turqit europianë nuk kanë karakteristika për t’u dallue si popull, gjermanët kanë karakter shumë të mirë etj. etj. Në fakt Kant-i nuk mbahet mend për ketë libër, dhe me shumë gjasë edhe Mustafa në mos e shkroftë nji tjetër ka me u harrue shumë shpejt, pse me pohue se me gegët ban komb e me toskët ban shtet, asht njilloj si me thanë se gegët e toskët e të gjitha kohnave, meqë gjykimi asht kategorik, kanë nji mendje të vetme e s’ndryshojnë kurrsesi.
Gegë e toskë ne jemi nji, të ndryshëm por nji, të “detyruem” ambëlsisht prej historisë me jetue dhe me luftue bashkë, asgja nuk na ndan, madje as marrinat që numron Mustafa në librin e tij. I due shqiptarët gegë e toskë, due ma shumë toskët, sidomos polifoninë e tyne që asht ndoshta gjaja ma e çmueshme që kemi. Mes nesh ka ndryshime por jo kundërshtina, prandaj Tosknija asht atdheu jem po aq sa asht Shkodra, vendi ku kam lindë.
Si cikrrimtar i zoti që asht, Mustafa mbledh sa andej këtej jo ide por thanje, p.sh. Antonio Baldacci për të ka randësi pse ka thanë se shqiptarët e njimendt i gjen ndër gegë. Mustafa s’e din ndoshta se Baldacci ka qenë nji botanist i lauruem në veterinari që sot kujtohet për zbulimin në alpet tona të lules që mban emnin e tij “wulfenia baldaccii”. Përposë kësaj mund të kujtohet edhe për nji letër drejtue Enver Hoxhës me 23/6/1947 ku i propozonte me u bashkue me Malin e Zi (shih: “Hylli i Dritës”, n. 4, 2006).
Libri i Mustafës asht nji vepër eseistike ku gjykimet e nji veterineri përmbi shqiptarët merren si bazë shkencore.
Nji tjetër udhërrëfyes i Mustafës asht edhe libri i Indro Montanelli-t për Shqipninë. Nji libër vetvetiut i cekët, mbasi autorit nuk iu holluen as shojet e këpucëve në ato pak ditë që ndejti në vendin tonë, aq ma tepër që asokohe ishte i turbulluem prej vrulleve fashiste e kjo ka qenë arsyeja që ma vonë s’ka pasë asnji dëshirë me e kujtue at’ libër, madje po t’ia përmendje ndërronte bisedë menjiherë. Nji tjetër mentor i tiji asht edhe Schmitt-i i famshëm, i cili tashma citohet vetëm prej gazetarëve dhe s’ka si me qenë ndryshe kur nji historian shtin konceptin e “protoshqiptarit”, tue e përçansue atë si nji diçka prehistorike. Për Schmitt-in shqiptari rrjedh prej protoshqiptarit pak a shumë siç rrjedh njeriu prej majmunit. Të vjen me e pyet a ka zbulue gja rreth protozviceranëve, a mos kanë ecë kambadoras apo kanë ba fluturime pindarike siç ban ai vetë kur shkruen qitabe historijet!?
Nji tjetër autor që frymzon Mustafën asht shkrimtari anonim Jaray që flet për “shqiptarët e panjohtun” e dikund në shenjimet e tija ban ketë oroe gjeniale: krenët e malsive nuk dijnë gjuhë të hueja, ndërsa bejlerët e Vlorës po. Përpara këtyne perlave nuk mund të rrihet indiferent, dhe në fakt Nanoja e nënvizon në librin e tij eseistik, pa u kujtue se asokohe shumica e shqiptarëve, gegë e toskë, ishin thjesht analfabet e kur e lypte puna nënshkruenin me gisht. Nji autore që sillet nepër libër asht edhe N. Clayer, por me ketë nuk e kam ndër mend me u marrë pse asht e paklasifikueshme, ndoshta fati i saj i vetëm përposë hulumtimit të historinave me dervishë të Bosnjës, asht fakti që tue qenë e martueme me nji politolog serb ka mujtë me u ftillue si duhet rreth Shqipnisë dhe shqiptarëve.
Nji tjetër autor që e ka frymzue Mustafën asht Sejfi Vllamasi, i cili tue qenë si i internuem në kohë të komunizmit në Myzeqe, shkruente kujtimet e tija “ad usum delphini” që t’i shkonte për shtat komunistave e mundsisht të kishte ndonji privilegj. Për ketë arsye, Vllamasi, që nuk ishte dallue asnjiherë për ndonji karakter të naltë, hedh baltë mbi shumë personalitete që ishin deklarue anmiq prej regjimit komunist dhe pa pikën e turpit falsifikon fakte historike të padiskutueshme.
Në librin e vet Nanoja ka mbledhë sa andej këtej nektar edhe prej librash tjerë, të cilët nuk i shtojnë vlera pohimeve që ai ban me nji shpengesë të papërfytyrueshme: gegët qeflinj të armëve, toskët të pareve, gegët janë trima, toskët janë mendjehapun, gegët janë fanatikë, toskët janë të shthurun, gegët janë zogollianë, toskët janë fanolianë. Të ishte zgjatë edhe nji grimë do të kishte vijue me krahasime fiziognomike të tipit: lumjanët e kanë kryet si qeser, skraparllitë si djathbebe e të tjera xhevahire si këto.

I gjithë ky libër korkovell nuk asht tjetër veçse nji muhabet mbas kosit, nji golle e madhe logjike. Madje ajo që të fyen disi nuk janë vrejtjet antropoilogjike që autori ban për gegët, por lavdet e pipiriqueme me të cilat sherbetos faqet e atij libri, aq sa pohimi i tij “unë jam gegë” tingëllon si me dashtë me thanë: edhe un jam gay apo edhe un jam zezak!
Leximi i librit eseistik, siç e quen botuesi, vështirsohet prej sintaksës së randueme prej ushqimit të tepërt të autorit me kulturë anglosaksone, aq sa edhe fjalitë ngjajnë kajherë si me qenë në gjuhë të huej. Por ky asht rreziku i gjithë atyne që ushtrohen me zell në lexime dhe studime në gjuhë të hueja. Megjithatë ma mirë se kaq autori s’do të kishte shkrue edhe po ti ishte mbushë mendja me botue nji traktat për prostatën apo për mbarështimin e gjedhit.
Libri asht pritë në lindje prej dy gegësh, njeni gjeografikisht gegë, Henri Çili, tjetri gegë 24 karatësh, Primo Shllaku, të dy kanë asistue nji lindje pa dhimbje, ase e thanun ndryshe nji dështim të suksesshëm: “polli mali dhe bani nji mi qesharak”, kishte me thanë Horaci.

Vetëm kaq, pjesa tjetër e veprës asht e shkëlqyeshme.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk