Kadare, i preferuari i shkrimtarëve dhe i kritikëve për Nobelin
Nga Javier Garcia*
Ngjante si një shaka. Vitin e kaluar, shkrimtari kinez Mo Yan
mori Çmimin Nobel për letërsinë dhe shitësit e librave mblodhën supet. MoYan,
kush është ky? Dekadën e fundit, Çmimi Nobel në vitin 2010 për Mario Vargas
Llosa-n ishte ai më i afërti për një vepër të njohur. J. M. Le Clezio (Nobel
2008), Herta Muller (2009) dhe Tomas Transtromer (2011) ishin emra të vështirë
për t’u shqiptuar dhe librat e tyre të vështirë për t’u gjetur. Pas marrjes së
çmimit, veprat e tyre filluan të botoheshin dhe, të paktën, u kuptua se Çmimi Nobel
ka një efekt komercial: ndihmon që laureatët e tij të shiten.
Por përtej kësaj, Çmimi Nobel, që është ndoshta çmimi më i
madh në botën e letërsisë, çmim që është dhënë duke filluar nga viti 1901 nga
Akademia Suedeze, e ka humbur njëfarësoj relevancën e vet. Kritikat përsëriten
para zgjedhjes së laureatit të ri, i cili do të shpallet javën që vjen, sipas
traditës së dhënies së lajmit nga Stokholmi të enjten e dytë të tetorit.
Faktori gjeopolitik është një nga kritikat më të shpeshta:
Vargas Llosa e mori çmimin 20 vjet pas meksikanit Octavio Paz. A do të duhet të
kalojnë dy dekada të tjera që një shkrimtar latino-amerikan të marrë çmimin?
Komponenti ideologjik është një tjetër faktor: Kritiku Harold Bloom ka thënë se
Philip Roth (1933), i cili nuk botoi më pasi kishte shkruar 31 vepra, dhe nuk
do të botojë më, sepse “është shumë pak korrekt politikisht, ndërsa Akademia (e
Nobelit) është kaq korrekte politikisht, saqë ngjan e pamundur”. Në vitin 1993,
Toni Morrison ishte autori i fundit që iu dha çmimi.
Këtë vit, lista udhëhiqet sërish nga autori japonez Haruki Murakami.
Për gazetën “The Guardian”, autori i
Tokios është një nga romancierët më të mëdhenj të ditëve të sotme. I
parapëlqyeri i dytë në radhë është autori amerikan Joyce Carol Oates (1938) dhe
më pas dramaturgu dhe romancieri hungarez PeterNadas (1942).
Të munguarit
Kritika kryesore për Akademinë Franceze, të përbërë nga 18
anëtarë të përjetshëm, ndër të tjera është se nuk ka nderuar figura kyçe të letrave,
si Lev Tolstoi, Marcel Prust, Xhejms Xhojsi, Franc Kafka, Vladimir Nabokovi dhe
Jorg Luis Borges. “Tolstoi u skualifikua si pesimist”,- tha Kjel lEspmark,
ish-kryetar i Komitetit për Çmimin Nobel, në librin e tij “Çmimi Nobel për
letërsinë” (2008). “Nëse nuk ia jepni kurrë çmimin Borgesit, atëherë nuk dua
t’ia di fare se kush e merr çmimin Nobel”,- thotë autori amerikan Francisco Goldman.
Skepticizmi dhe pakënaqësia ndaj Akademisë shtohet. Këtu,
një sërë shkrimtarësh dhe kritikësh japin mendimin e tyre për të parapëlqyerin
e tretë në radhë. A do të jetë ai vallë emri i të cilit do të shpallet të
enjten në Stokholm? Shqiptari Ismail Kadare dhe amerikani Cormac McCarthy janë
të preferuarit e autorit salvadorian Horacio Castellanos Moya. “Megjithëse shumë
të ndryshëm për nga tematika, që të dy kanë një vepër komplekse, që zbulon
marrëdhëniet e ndërlikuara ndërmjet njerëzve. Secili nga të dy e meriton
çmimin”,- thotë ai.
Kritiku i gazetës “The New Yorker”, James Wood, gjithashtu i
ka hedhur “fishat e bastit të vet” për Kadarenë. Në librat e tij më të famshëm,
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Nëntori i një kryeqyteti”, autori
pasqyron kohërat e turbullta që përjetoi populli shqiptar gjatë Luftës së Dytë
Botërore. “Më pëlqen për alegoritë e tij të errëta, zbavitëse, frikësuese dhe
komplekse për efektet e deformimit të tiranisë së shtetit tek individi”, thotë
Wood-i, i cili veçon titullin autobiografik “Kronikë në gur” (1970) të
Kadaresë. “Është një tablo shumë e bukur e një qyteti shumëfetar të fëminisë së
tij”, shton ai.
Nëse Nobel-i do të rezultojë sipas këtij sondazhi, ata që
kanë grumbulluar më shumë vota janë Philip Roth dhe anti-poeti kilian Nicanor Parra.
Për autorin amerikan, të vetmin shkrimtar të gjallë të botuar nga “The
Libraryof America”, kritiku spanjoll Ignacio Echevarria thotë: “Kanë të drejtë
ata që sugjerojnë se ai nuk do të zërë asnjëherë vendin e mjeshtrit të vet,
Saul Bellow, në tablonë e letërsisë së madhe”.
Kritiku peruvian, Julio Ortega, dhe kiliani Marcelo Soto
zgjedhin autorin e “Poema dhe antipoema”, dhe shtojnë edhe Echevarrian. “Parra
jo vetëm që e meriton çmimin Nobel, por Nobel-i nuk ka kuptim pa të”,- thotë
Ortega.
Nobel-in e vetëm për Izraelin e ka marrë Shmuel Yosef Agnon
në vitin 1966. Kandidati i përjetshëm ishte izraeliti Amos Oz. “Vepra e tij
është një testament për historinë e rajonit dhe një eksplorim brilant i
gjendjes njerëzore”,- thotë kolumbiani Santiago Gamboa.
“Mendoj se është koha për t’ia dhënë çmimin një shkrimtari
kanadez”,- thotë Edmundo Paz Soldan, i cili përzgjedh Alice Munro dhe Margaret Atwood.
“Nga të dy, unë parapëlqej Atwood-in, pavarësisht nga cilësia stilistikore, ka
demonstruar një variacion të shkëlqyer regjistrash, duke nisur letërsia
realiste deri te distopia post-apokaliptike”.
Në gjuhën frënge, Maurico Electorat përzgjedh Patrick Modiano.
“Ai ka ndërtuar një univers narrativ unik, që bazohet në fëmijërinë traumatike
si një bir çifutësh. Veprat e tij fiction lëvizin në një identitet të
fragmentuar”, shprehet ai për autorin e Trilogjisë së pushtimit.
Ndërsa Richard Ford dërgon vetëm një mesazh të shkurtër:
“Kushdo që ta fitojë çmimin Nobel do të ketë një ditë të mirë. Për të gjithë
kolegët e mi, një ditë e mirë është mjaft e rrallë”.
* Gazeta "Latercera", Santiago, Kili
Comments
Post a Comment