Superstari Albrecht Dürer – Ekspozitë në muzeun Städel të Frankfurtit
Artisti gjerman fitoi famë dhe para si piktor, grafist dhe sipërmarrës. Ekspozita e Dürer-it në muzeun Städel vë në pah vemendjen e tij për detajin dhe ndikimin e tij mbi artistët e tjerë. Ai befason rininë edhe sot.
"Kur vështron kalorësit e Apokalipsit, gjen të aplikuar një pasuri detajesh në një pllakë të thjeshtë druri, që është gati e tepruar për syrin“, thotë Aleksandra Kënig. Historiania 24-vjeçare e artit studjon në Städelschule, të universitetit të arteve figurative dhe shoqëron që nga tetori 2012 planifikimin dhe realizimin e ekspozitës aktuale "Düreri. Arti-Artisti-Konteksti“ në muzeun Städel të Frankfurtit.
Në dy kate prezantohen rreth 280 vepra arti të Albrecht Dürerit dhe bashkëkohësve të tij. Duke ecur mbi një qilim të butë në një dritë të zbehtë vizitori përshkon dhomat e ekspozitës, muret e së cilës harmonizojnë me veprat e artit dhe i hapin vend shikimit për thelbësoren: për mjeshtrin nga Nyrembergu, artistin dhe artizanin e talentuar. "Është e pabesueshme, se çfarë detajesh të holla fshihen në këto gravura në dru“, thotë Aleksandra Kënig duke vështruar me vemendje njërën nga 16 faqet e apokalipsit, që qëndrojnë të varura në një gjysmërreth në mur. Gdhënien e drurit Dürer e zotëronte si asnjë artist para tij. „Kjo lloj pune ngrihet në një nivel të ri artistik“, thekson Aleksandra Kënig.
Marka Dürer
Gruaja e re me flokët e ndritshme të kuqe, që i bien mbi supe, e ka parë për herë të parë Albrecht Dürerin në dhomën e ndenjes së gjyshes së saj. Ajo kujton një ilustrim të lepurit. Por vetëm kur filloi studimet, ajo u muar intensivisht me piktorin gjerman, i cili edhe kur qe gjallë, ishte një superstar i skenës së artit. Gravurat në dru të Dürerit dhe litografitë e tij u shtypën shumë herë dhe u përhapen shpejt përtej kufijve. "Ai kishte zhvilluar një sens për biznesin dhe e kishte të qartë se si funksionon tregu i artit“, thotë Aleksandra Kënig. Albrecht Dürer u bë shumë herët një markë, që garantonte cilësinë. Monogrami i tij është në të gjitha veprat dhe konsiderohej si stampë për cilësinë dhe për të drejtën e autorit. Se në ç'masë ka ndikuar Düreri te artistët e kohës së tij, mund të shihet në shembullin e dy pikturave me vaj, që paraqesin shën Jeronimin në dhomën e tij të studimit.
Menjëherë pranë veprës së Dürerit ndodhet Shën Jeronimi i piktorit hollandez Joos van Cleve. Vendosja e tij në kuadër dhe i gjithë qendrimi i shen Jeronimit korrespondon deri te majat e gishtave me modelin në veprën e Cleves.
Nga argjendar në grafist dhe piktor
Nyrembergu, vendi ku jetoi dhe lindi Düreri, ishte një qendër ekonomike dhe kulturore. Kjo e mundësoi famën e tij të shpejtë. Artisti përfitonte financiarisht edhe nga afërsia me qytetin e panaireve Frankfurtin, sepse ai shiste atje grafikat e tij. Frymëzimin piktori dhe grafisti e merrte jashtë vendlindjes së tij. Udhëtimet në Rinin e Epërm, në Itali dhe Hollandë e çuan te artistë dhe dijetarë, dhe i shërbenin edhe tregtisë. Megjithatë Aleksandra Kënig është e sigurtë se Dürer do të ishte bërë i njohur edhe në një mjedis tjetër. Vendimtare për krijimtarinë e tij artistike ka qenë më tepër mësimi i profesionit të argjendarit, thotë ajo. Aty ai ka mësuar që të përpunojë sipërfaqet e metaleve. Kjo i hyri më vonë në punë në bërjen e gravurave, meqenëse teknikat ngjasojnë. Edhe arti i argjendarisë ka të bëjë me linjat e holla, që Düreri i përdor si në gravurë, ashtu edhe në pikturë.
Mjeshtëria artizanale është ajo, që përbën edhe sot pjesën më të madhe të magjepsjes së Dürerit, mendon Aleksandra Kënig. Këtë e kupton, kur qendron para portës së nderit për perandorinn Maksimilian I., një vepër monumentale me 36 faqe të veçanta. Gravura në dru ka përmasat tre metër e gjysëm me tre, duke qenë kështu një nga më të mëdhatë në historinë e artit. Ajo mund të kuptohet si një libër i madh me ilustrime, që shpërndahej në shtëpitë princërore dhe rrëfente dhe mbante në kujtesë me tekste dhe figura lavdinë e perandorit. Vetëm heshtat e luftëtarëve në skenat e shumta të betejave janë gdhendur aq imët në dru si fije floku dhe janë dëshmi për cilësinë e lartë. Në katin e dytë vizitorin e pret pjesa kryesore e ekspozitës. Në të del në pah shumë qartë, se çfarë qëllimi kanë patur organizatorët me këtë ekspozitë të Dürerit, që t'i mbledhin veprat dhe t'i vendosin në kontekstin e krijimit të tyre. Për këtë arsye aty paraqiten edhe bocetet e altarit.
Arti i Dürerit mbetet i gjallë deri sot
Një burrë me një xhaketë ngjyrë kafe, në xhepin e së cilës ka vendosur një shami, kalon përballë. Ai është zëvendësdrejtori i muzeut Städel dhe kuratori i ekspozitës. Jochen Sander vë duart i kënaqur në ije, ai thotë se synimi i ekspozitës është, që Düreri të vështrohet përmes syzeve të bashkëkohësve dhe të kuptohet. Pyetjes se përse Düreri tërheq akoma kaq shumë njerëz në muze, Jochen Sander i përgjigjet thjesht: "Thjesht se është artist i mirë." Kuratori vlerëson vështrimin direkt të personazheve, që Düreri ka zgjedhur për veprat e tij të shumta. "Shumë prej këtyre njerëzve, që shohim në portrete, kanë vdekur para 500 vjetësh dhe megjithatë kanë te ne një efekt, sikur do të mund t'i takonim nesër në Antwerpen, në Frankfurt, apo Nyremberg. E gjalla, e drejtpërdrejta, kjo është e madhërishme.“
DW
Comments
Post a Comment