Qeveria gjermane duhet t'ua rikthejë trashëgimtarëve një pjesë të veprave
Gjetja e 1400 veprave të artit në Mynih ka rindezur debatin për veprat e artit me rëndësi botërore të blera në kohën e nazistëve. Historiani Ralph Jentsch shpjegon për DW se si mund të rikuperohen gabimet e së shkuarës.
"Me dëshirë nuk do të lëshoja nga dora asgjë", thotë zotëruesi i thesarit të veprave të artit në Mynih, Cornelius Gurlitt për revistën gjermane "Spiegel" duke i hedhur poshtë të gjitha akuzat ndaj tij. Ai thotë se 1400 veprat e artit janë blerë nga babai i tij, tregtar veprash arti, Hildebrand Gurlitt konform ligjit.
Ralph Jentsch studiuesi i historisë së artit flet në intervistë me Deutsche Wellen për refuzimin që Gurlitt i bëri akuzave për shkelje ligjore, dhe publikimit të veprave në internet.
DW: Qeveria gjermane ka publikuar veprat në zotërim të Cornelius Gurlitt në një databazë lostart.de. Pse tani pas dy vjetësh pasi u gjetën veprat në Mynih. Kemi të bëjmë me një taktikë vonimi?
Jentsch: "Këtë pyetje e kam shtruar edhe unë, dhe nuk kam asnjë përgjigje. Për mua ky është një skandal, pra fakti që gjetja e veprave të artit u mbajt e fshehur për një kohë kaq të gjatë, që hulumtimet u bënë duke përjashtuar studiuesit dhe historianët e artit. Ndërsa nga publikimi i veprave në internet unë shpresoj të krijoj një përshtypje të plotë për veprat dhe për pronarët e dikurshëm. Unë jam i sigurtë që do të kishim ecur më shumë përpara si në fushën studimore të origjinës, ashtu edhe për vënien në vend të drejtësisë, po qe se lista me veprat do të ishte publikuar më parë.
Autoritetet shpresojnë në një ujdi. Çfarë do të përmbante ajo?
Jentsch: "Një ujdi me vullnet të mirë do të ishte blerja nga ana e qeverisë gjermane e koleksionit të veprave të "Artit Dekadent" ("Entartete Kunst" - koncepti që përdorën nacionalsocialistët për të justifikuar represionin ndaj artit. shen.red.) që ka në zotërim Cornelius Gurlitt. Qeveria gjermane duhej t'i ofronte atij një çmim të mirë. Nga ana tjetër Gurlitt duhej të pranojë që 800 veprat e tjera të bëhen objekt studimor i historianëve të artit për të përcaktuar origjinën e tyre. Po ashtu veprat që u rrëmbyen në kuadër të përndjekjes naziste t'i jepen trashëgimtarëve të ligjshëm."
Ka mundësi që Cornelius Gurlitt nuk është i vetëdijshëm për padrejtësinë, po të kujtosh se i ati i tij pas Luftës së II botërore ka punuar si drejtues i Shoqatës së Artit të Dyseldorfit - e me këtë post është rehabilituar?
Jentsch: "Cornelius Gurlitt ka qenë 24 vjeç kur babai tij ndërroi jetë. Jam shumë i sigurtë, që ai e ka ditur se koleksioni ka qenë i përzierë, pra që aty ka pasur vepra të siguruara në mënyre legale dhe ilegale. Kjo sigurisht sjell me vete brerjen e ndërgjegjes. Ai e ka ditur që i ati ka gënjyer, lidhur me historinë e koleksionit të tij. Unë kam gjetur katalogë ekspozitash, ku Hhildebrand Gurlitt përmendet si njeriu që ka vënë në dispozicion vepra të ndryshme të koleksionit të tij. Cornelius Gurlitt mund të vepronte si i ati. Por ai ka jetuar i tërhequr."
Për gjetjen e veprave të rrëmbyera nga nazistët dhe sipas rastit edhe zëvendësimin e tyre, 44 shtete dhe organizata të ndryshme nënshkruan në vitin 1998 "Deklaratën e Uashingtonit". Një vit më vonë, ministri gjerman i Shtetit për Kulturën, Michael Naumann u kërkoi muzeve gjermane të kontrollojnë koleksionet e tyre për vepra të tilla. Juve si studiues i origjinës së veprave të artiti ua hapën dyert për këtë?
Jentsch: "Kanë kaluar më shumë se gjashtë dhjetëvjeçarë që nuk është bërë shumë nga ana e shtetit. U shkatërrua një peizazh kulturor, iu konfiskuan muzeve veprat më të mira, artistët u dëmtuan me damkën "dekadent" dhe një pjesë e veprave u dogj. Vetëm nga Georg Grosz janë larguar 300 vepra nga muzetë, disa prej tyre dolën në ankandë në Lucernë. Që Republika Federale ka lejuar të kalojnë kaq dhjetëvjeçarë para se të merrej seriozisht me një temë të tillë, është për mua një dështim i madh."
Pse nuk është treguar interes për të shqyrtuar koleksionet e veprave të artit dhe nuk janë ngritur komisione të pavarurua?
Jentsch: "Jo vetëm kaq...Në Berlin degën e studimeve të "Artit Dekadent" të kohës së nacionalsocializmit në Universitetin e Lirë të Berlinit e financon fondacioni "Ferdinand-Möller" (F.Möller ashtu si Hildebrand Gurlitt kanë qenë tregtar veprash arti, të cilët kanë shitur vepra të "artit dekadent" me porosi të Ministrisë së Propagandës. shën.red.) Shkenca duhet të jetë e pavarur dhe të financohet nga strukturat shtetërore."
Ndryshe nga Holanda, Austria, Franca apo Zvicra, Gjermania nuk ka pasur asnjë ligj që i nxjerr jashtë ligjit transferimin e pasurive nga vitet 1933 deri në 1945. Pse?
Jentsch: "Kjo tregon se si kanë vepruar me historinë personat përgjegjës pas Luftës së II Botërore. Nazistët mbajtën shumë poste. Ka pasur juristë që denazistifikuan vetveten, askush nuk doli para gjyqit. Arkitektët që ndihmuan ministrin e Rajhut të Hitlerit, Albert Speer për projektin e kryeqytetit të Rajhut, "Germania", vazhduan të punonin të pashqetësuar si më parë. Nga njerëz të tillë, që qëndruan po në poste pas lufte nuk mund të kërkosh që ata të pastrojnë të shkuarën e tyre naziste. Me të drejtë gjenerata e re shtron pyetjen: "Pse"?
Ralph Jentsch është studiues dhe administrator i koleksionit të veprave të piktorit, Georg Grosz (1893-1959). Prej vitesh ai studion veprat e ekspresionistëve. Shumë prej tyre gjendeshin dikur në galerinë e tregtarit të artit me origjinë hebraike, Alfred Flechtheim, i cili e braktisi Gjermaninë në vitin 1933, dhe me këtë humbi një pjesë të koleksionit të tij.
Set fotografik nga përvetësimi i nazistëve të koleksioneve private dhe galerive të ndryshme. Nga këto fotografi mësojmë se Lufta e Dytë Botërore dhe mizoria naziste veçse vodhi lirinë, vrau dhe masakroi njerëz të pafajshëm, ajo përvetësoi në mënyrë të padrejtë vepra arti të paçmuara
Comments
Post a Comment