Wilms: Luftërat dhe urrejtja pengojnë të lindin gjërat e bukura, produktive dhe harmonike
Një punë voluminoze kërkimore historike përfundon në një roman tërheqës. Shkrimtarja shqiptare Anila Wilms i sjell publikut gjerman historinë e Shqipërisë së viteve 20-të.
Në një sallë të Universitetit të Essenit, shkrimtarja Anila Wilms lexon me elegancë e finesë nga libri i saj. Flokët e gjatë e të zinj i hedh pas, si për t'u përqëndruar për t'iu qasur një kapitulli tjetër. Salla dëgjon me vemendje, e tërhequr nga thjeshtësia dhe vërtetësia e interpretimit, por edhe nga stili i gjallë i rrëfimit. Romani nis si përrallë, si mister, me vrasjen e pazakontë të dy shtetasve amerikanë në urën e Dolit në rrugën e veriut dhe vjen duke u futur dhe u shpalosur gjithnjë e më shumë në ngjarjet historike të një periudhe të veçantë të historisë së Shqipërisë të gjysmës së parë të viteve 20-të të shekullit të kaluar.
Me librin „Das albanische Öl, oder Mord auf der Straße des Nordens“, në shqip "Nafta shqiptare, apo vrasja në rrugën e veriut", të cilin e ka shkruar në gjermanisht, shkrimtarja nga Ballkani Anila Wilms fitoi këtë vit çmimin „Adelbert von Chamisso“, i cili u jepet të huajve, që shkruajnë në gjermanisht. Romani ka një histori të ndërlikuar, komplekse, me forcë tërheqëse, të cilën ia jep edhe mënyra e të shkruarit si roman policor. „I kam dhënë materialit një formë romani policor, sepse tensioni, që krijohet, të mban lidhur me një material, që është në vetvete i vështirë për një vend krejtësisht të huaj, ekzotik dhe të panjohur.“ Janë vitet 20-të, me hapat e lëkundur të fillimeve të krijimit të shtetit shqiptar, me shumë turbullira nga brenda dhe nga jashtë, kur shoqëria e dalë nga perandoria osmane duhej të merrte një orientim të ri. Vrasja e mistershme, me të cilën nis romani, ka ndodhur me të vertetë. Ajo do të shkaktonte një krizë të thellë politike në vend, e cila do të përfundonte në revolucionin e qershorit në vitit 1924, me përmbysjen e Ahmet Zogut nga Fan Noli. "U bënë përpjekje të etablohej një demokraci parlamentare e tipit anglosakson. Vrasja në rrugën e veriut ishte sinjali që ky sistem nuk funksionon. Përpjekjet e para për të vendosur parlamentarizmin dhe demokracinë përfunduan në kaos secili kundër secilit."
Nga historiane në shkrimtare të apasionuar
Shkrimtarja e di shumë mirë se për çfarë shkruan. Ajo ka studiuar në Tiranë histori të Evropës Juglindore dhe erdhi në Berlin për të bërë doktoraturën.
Për këtë periudhë historike ajo ka hulumtuar me akribi më shumë se shtatë vjet me rradhë në arkiva të ndryshme të botës për të shkruar dizerstacionin, por në fund e kuptoi se më e dobishme do të ishte të shkruante një roman: “Mendova se po të shkruaja një doktoraturë me shumë fat do ta lexonin 30 vetë dhe nga ana tjetër e kuptova se jam një natyrë me prirje letrare dhe nuk kam temperamentin për t'u bërë shkencëtare. Pastaj detyra, që kam sjellë me vete, për t'i sjellë botës diçka për Shqipërinë, plotësohet më mirë përmes një romani.” Kështu që historinë dhe personalitetet e kohës i mbushi me jetë, i ktheu në ngjarje dhe personazhe realë, që ndiejnë, mendojnë e lëvizin në kohët e vështira të viteve 20-të.
E nderuar me çmimin gjerman Chamisso
Librin Anila Wilms e ka shkruar në dy versione në shqip dhe gjermanisht. Motivacioni fillestar për të shkruar librin shqip ishte si të thuash një përpjekje për të shpjeguar historinë: „Unë kam studiuar në Tiranë dhe i kam mësuar të gjitha gabim. Akademia e Shkencave në kohën e regjimit të vjetër ka bërë me historinë atë që kërkonte ideologjia. Pjesë të tëra i kanë lënë mënjanë dhe emra të tërë i kanë zhdukur duke ngritur lart emra të tjerë relativisht jo aq të rëndësishëm, duke i shpallur heronj.“ Gjatë hulumtimeve në Universitetin e Lirë të Berlinit Anila Wilms vuri re, se sa e transformuar ishte e gjitha. Me entuziasmin e një 20 vjeçareje ajo iu vu punës për të sqaruar shqiptarët për atë, që është thënë dhe mësuar gabim. Natyrisht që kur shkrova variantin në gjuhën gjermane e kisha parasysh se për lexuesin gjerman nuk është interesante, se sa variante ka historia e Shqipërisë, thotë Wilms. Meqë nuk gjeti njeri që t'ia përkthente, ajo u ul dhe e shkroi romanin vetë në gjermanisht. Por me pikërëndesa të tjera nga ai në shqip, që lexuesi gjerman të kuptojë raportet ekzotike dhe kaotike të ndryshimeve të mëdha në vitet e para të shtetit të ri shqiptar pas Luftës së Parë Botërore. Romani në gjermanisht u prit aq mirë, saqë ajo vetë u befasua. Anila Wilms u nderua me çmimin „Adelbert von Chamisso“, i cili u jepet të huajve, që shkruajnë në gjermanisht.
Për të bukurën dhe konstruktiven
Ndërsa ajo u përgjigjet pyetjeve, publiku do të dijë më shumë për historinë e Shqipërisë, Ballkanin për planet e saj. Pasioni i historianes Anila Wilms është tani letërsia. Por për të shkruar për ngjarjet historike të Ballkanit, ku çdo shtet ka raporte të rënduara me fqinjin, ku nacionalizmat janë deshpërues dhe destruktivë, asaj i duhet të jetë konstruktive, e diferencuar, larg pasioneve: "Kam menduar të tërhiqem një hap prapa, kam ikur 2000 km larg dhe e shoh të gjithë këtë tablo historike të përgjakshme me aq shumë pasione negative nga distanca, me arsyen e shëndoshë dhe mundohem ta kuptoj gjendjen nga një distancë rajonale dhe kohore. Nga luftërat dhe urrejtja nga propagandat me nder, hakmarrje, krenari është e vështirë të lindin gjërat e bukura, të buta, produktive dhe harmonike. Unë përpiqem ta bëj këtë nga jashtë. Jo nga brenda, sepse është e vështirë për mua, unë vi prej aty. Unë doja të jetoja në mënyrë më civile, më njerëzore, më të butë, në gjendje për të falur. Fundja të gjithë jemi njerëz."
Comments
Post a Comment