“Përdhunimi i Proserpinas”, trishtimi mermertë që ngjeth
Albert Vataj
“Përdhunimi i Proserpinas” mëton në vetvete
shprehjen e komunikimit artistik që trashëgojmë nga baroku. Kjo skulpturë e artistit
italian Gian Lorenzo Bernini, është e realizuar në periudhën ndërvitase, 1621-1622.
Bernini asokohe ishte vetëm 23 vjeç, kur nxori nga mermeri dhe e kredhi për kundjen
këtë kryevepër. Përshkrimorja i kësaj vepre zanafillon nga mitologjia dhe kumton
aktin e rrëmbimit nga Plutoni i Proserpinas.
Si me shumë nga veprat e hershme të Bernini-t,
ajo është autorizuar nga kardinali Scipione Borghese, i cili e pagoi këtë
kërshëri të mermertë jo më pak se 450 scudi romake. Pas përfundimit të saj, statuja
është dhënë nga Scipione, Kardinalit Ludovisi, më 1622, i cili e dërgoi atë në vilën
e tij.
Këtë mrekulli në mermer e ka çmuar edhe vetë
kritika, e cila nuk është strukur pas vrazhdësisë dhe disiplinës mbi bazën e së
cilës përcakton vlerat.
Shumë nga këta syresh e kanë mbështjell me vlerësime
pozitive këtë punë, e cila e ka behur aktin e përdhunimit, me një forcë shprehëse
dhe afri komunikimi të atillë, sikur ne të jemi në çdo kohë përjetues të një
momenti të trishtë, e cila e kredhur në mermer, e përjetëson trishtimin e mrekullishëm
si një gjendje, e cila e rijetuar të ngjeth në çdo kohë. Gjallëria dhe rreptësia
e trajtimit të detajit, e realizuar në mermer e mbajnë Berninin të veçuar.
Gishta të tendosur dhe agresiv derdhen në mermer si mbi një kurm të brishtë
femre. Proserpina shëmbëllen jo vetëm viktimën e këtij akti, por edhe peshën.
Skulptori e ka derdhur në mermer këtë moment si në një murosje një jetësim.
Kritiku, Howard Hibbard evidenton rëndësinë
dhe vështirësinë e realizimit të detajit, duke cituar mbi "butësinë e
lëkurës, derdhjet e litarëve fluturues të flokëve, lotët e Proserpinas dhe kurmi
i saj kaq i gjallë".
Gjithsesi nuk i ka shpëtuar hakërrimeve dhe mësymjeve
për motivin. Përdhinimi, nuk ka gjetur afrinë dhe nevojën për t’u pranuar. Kësisoj
Bernini është shikuar jo rrallë, vëngër, dhe sulmuar zellshëm duke yshtur këtë
kategori kundështishë për të gjetur detaje që e zhveshin këtë mrekulli nga
atributet e kryeveprës, megjithatë ajo mbetet e tillë, një akt i trishtë i
derdhur mrekullueshëm në mermer.
Comments
Post a Comment