Ibrahim Kodra... " primtivi i një qyteterimi të ri"

Nga Albert Vataj

Kësisoj e ka përkufizuar më 1947, poeti francez, themeltari i lëvizjes surrealiste, Paul Eluar (14 dhjetor 1895-26 nënto 1952) kumtin e penelatës së shqiptarit nga Ishmi i Durrësit, Ibrahim Kodra (22 prill 1918- 7 shkurt 2006).
Ai sot mund të ishte 96 vjeç, aniopse nuk ka më shumë se 8 vjet që ka sosur së gjalli rrugëtimin e tij kaplues të famës.
“Miku im piktor shqiptar! Një piktor i veçantë! Edhe firma juaj është një vizatim, si veprat e tua”, ndërmendim ti ketë thënë Kodrës spanjolli i bashkëthemelimit të kubizmit, kulmëtari i artit të shekullit XX, Pablo Piccasso (25 tetor 1881-8 prill 1973), i cili u njoh me Ibrahim Kodrën gjatë një konference ndërkombëtare të paqes më 1948.
"Ai, - shkruan Hans Kinkel në “Stuttgarter Zeitung” më1959 - është konsideruar si një prej më të mëdhenjve të gjeneratës së re të piktoreve italianë.
Në pikturat e tij ka një origjinalitet midis lirizmit dhe gjeometrisë. Pelqen ngjyrën e kaltër që e luan në të gjitha tonalitetet, duke e bërë pjesë themelore të shprehjes. Lirizmi i lehtë, është një mënyrë gati "naive" qe na kujton Paul Klee"
"Lirizem dhe magji, por edhe autenticitet, në të cilin drama antike dhe moderne janë në konflikt me njëra-tjetrën..." citon Francesco Carbone.
" Me një sinteze kapriçioze, abstragime gjeometrike dhe kompozime piktoreske, Kodra arrin efekte të mrekullueshme të peisazheve detare..." njëmendet më 1959, Karl Diemer.
Besoj se njohja me veprën e tij ka rendësinë e vet, sepse tek e mbramja, është një figurë artistke me famë botërore dhe që i përket universit shqiptar.
Ka ndodhur shpesh që jeta i tregohet koprace artistit në gjallje. I ka “mjelë” frymëzimin e çdo dite, pa i kthyer shpërblimin. E kanë lënë jetën njerëzore pa e ditur se më pas do të bëheshin pjesë e përhershme e historisë së artit. I tillë ka qenë Ibrahim Kodra. E tillë është orvatur të gjegjet jetës së tij, prej fëmijërisë e deri tek e vona.
Ibrahim Kodra lindi në Likmetaj, në Ishëm të Durrësit. Në moshën 3-vjeçare mbetet jetim, i vdes e ëma, Xhixha dhe rritet nga gjyshi Shabani. I ati Murati, ishte marinar, njeri që donte detin dhe poezinë. Ibrahimi pati një fëmijeri të vështirë. Punoi si dizenjator për një tregetar të qytetit të Durresit. Vazhdon studimet në shkollën teknike të Harry Fultzit, ndjek kursin e piktures në shkollën e parë të vizatimit nën drejtimin e skulptorit Odise Paskali, derisa bie në sy të drejtorit të doganave të Durrësit, i cili e ndihmon të futet në oborrin mbretëror ku edhe njohu direkt mbretëreshen Geraldina, e cila më 1938 e çon të studioje në Itali me një bursë studimi nga Oborri Mbretëror.
Në Milano ndjek studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera. Ndjek kurset e Aldo Caprit e më pas të Carlo Carra, përsa i përke pikturës, ndërsa për skulpturën ndjek kurset e Francesco Messina.
Jep me sukses provimet e pranimit në Akademi, e cila ende në atë kohë ishte shumë rigoroze në pranimin studentëve dhe përzgjidhte ata që ishin të destinuar të bëheshin të famshëm. Pas mbarimit të studimeve, dhe mbarimit të Luftës së Dytë Botërore ai përfshihet në lëvizjet artistike të Milanos, “Oltre Guernica”(1945) dhe “Linea”(1947).
Ekspozon së bashku me Piccasso, Dufy, Dali, Modigliani, Ernst, Mattisse e të tjerë personalitete të kohës.
Kodra ngjitet në elitën e artit të Europës. Ka një koleksion të pasur çmimesh, ku mund të evidentojmë: Medalja e Artë e Akademisë Franceze, Qytetar Nderi në shumë qytete të Italisë, çmimi “Ambrogini i Artë” nga Bashkia e Milanos. Më 1996, Presidenti Sali Berisha i akordon titullin e lartë “Nderi i Kombit” për atë që ishte dhe mbeti i tillë.
Vepra e Kodrës, gjëndet në të gjthë botën, galerinë prej 6000 punësh të tij përbëjnë visaret e çmuara në muze, galeri, e koleksione private.Vepra e tij është pasuri botërore, dhe kombi ynë nderohet me të.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk