Zëri tjetër – Octavio Paz
Në kohën kur shkruaja këto mendime, kujtova edhe njëherë
tjetër, jo pa ndonjë melankoli, betejat dhe përkrahjen që u bënë disa poetë, shkrimtarë
dhe artistë, e ndërmjet tyre edhe unë. Në vitet e mia rinore u përballëm kundër
“realizmit socialist,” një dogmë që synonte të nënshtronte letërsinë nën
urdhërat e një shteti dhe një partie, të cilët në emër të çlirimit të llojit
njerëzor, ngrinin përmendore për lavdinë e kërbaçit dhe çizmes. Më vonë nisën
polemikat për “poezinë e angazhuar”. Nëse idetë e Sartrit ishin të
pështjelluara, interpretimet në të cilat dhanë pretekst, veçanërisht në
Amerikën Latine, ishin helmatisëse. U desh të dezinfektoheshin me kritikën. Nuk
pendohem për ato beteja, ia vlenin mundimin. Artet dhe letërsia gjenden sot të
ekspozuara në një rrezik të ndryshëm: nuk u kanoset ndonjë dogmë apo ndonjë
parti politike “mendjemprehtë”, por një sistem pa fytyrë, pa shpirt dhe pa drejtim.
Tregu është ciklik, pa fytyrë, asnjanës dhe i paepur. Disa do më thonë që me
mënyrën e tij është i drejtë. Ndoshta. Por është i verbër dhe shurdh, nuk e do
letërsinë dhe as nuk rrezikon, nuk di dhe as që mund të përzgjedhë. Çensura e
tij nuk është ideologjike ngaqë nuk ka ide. Di për çmimet, jo për vlerat.
Tashmë njoh se është e pamundur të luftojmë kundër tregut apo
të mohojmë funksionin dhe dobinë e tij. Ndërkaq, tani që socializmi totalitar,
konform gjithë treguesve, rrënohet dhe ka pushuar së u kanosuri shoqërive
demokratike, një mendim i ri shoqëror dhe politik ndoshta do të mundet të
projektojë forma shkëmbimi më pak të dëmshme. Kjo është edhe dëshira ime e
flaktë. Sapo që davariten utopitë e zymta të cilat përgjakën shekullin tonë, ka
ardhur më në fund çasti të fillojë një reformim rrënjësor i shoqërive
kapitaliste liberale, më i urtë dhe më njerëzor. Gjithashtu, dhe të popujve të
periferisë që grupohen nën emërtimin e dyshimtë Bota e Tretë. Ndoshta ato kombe
të shkatërruara ekonomikisht – viktima të vazhdueshme të tiranëve anakronikë
dhe demagogëve dinakë, oligarkëve grabitës dhe intelektualëve të përçartur,
dashnorë të dhunës – që u ndëshkuan nga katastrofa e atyre dhjetëvjeçarëve – ia
dolën të gjejnë shëndet politik dhe bashkë me këtë, pak begati. Asnjë njeri i
mençur nuk mund të besojë që kriza e cila sot trand vendet që kanë jetuar nën
despotizmin burokratik komunist, nuk do të shpërhapet në pjesën tjetër të
botës. Rrojmë në një kthim të kohëve: jo një revolucion, por me kuptimin e
vjetër dhe të thellë të fjalës, një kthim. Një kthim në themele që është,
gjithsesi, një kthim kah fillimi. Nuk gjendemi në fundin e historisë, siç ka
thënë një profesor amerikan, por në një fillim të ri. Ringjallje realitetesh të
varrosur, riparaqitje e të harruarit dhe të shtypurit që, siç edhe herë të
tjera në histori, mund të përfundojë në një rinovim. Kthesat kah themelet janë
pothuajse përherë rikthime:
Në gjysmën e dytë të shekullit 18-të, paraqitet një rrymë e
fuqishme dhe komplekse idesh, ndjenjash, synimesh dhe vizionesh (disave të
ndritur dhe të tjerëve paranojakë) që kristalizohen në Revolucionin Francez dhe
në Revolucionin e Pavarësisë të Kombeve të Bashkuara. Me këto fillon historia
jonë, historia e epokës sonë. Lëvizja që lindi nga dy revolucionet e mëdha
përshkon shekullin e 19-të si një lumë që duket, humb dhe rishfaqet sërish. Në
kohën që rrjedh, ndërron. Përgjatë ndërrimit, rrotullohet pareshtur kah burimet
e tij. Çdonjëra prej paraqitjeve të tij shoqërohej nga ide dhe teori të reja,
utopi, programe shoqërore dhe reforma politike. Pozicionimet filozofike të
Iluminizmit u modifikuan. Përkrah mendimit liberal të një Tokëvili ose një
Stjuart Mill, brofën ideologji të cilat nostalgonin një të kaluar të supozuar
më të mirë, dhe të tjera që gjykonin të tashmen në të njëjtin nivel, duke parë
në të ardhmen agimin e një njerëzimi më të lirë, më të drejtë dhe më paqësor.
Shumë shpejt, utopitë u metamorfozuan në programe revolucionarizuese, shpesh me
investim shkencor. Iluzioni i madh i shekullit të kaluar ishte kërkimi në
shkencën e themeleve ku filozofia antike kishte hulumtuar tek fjala e arsyeshme
dhe në natyrën hyjnore. Marksizmi, për shembull, pa mohuar dialektikën që
trashëgoi prej Hegelit (një logjikë vetiluzionuese), u përpoq të përfitojë prej
kontributeve të Rikardos në teorinë ekonomike dhe më pas, më pak e përligjur,
prej teorisë evolucioniste të Darvinit.
Teoritë anarkiste dhe socialiste shkaktuan mbrujtjen e madhe
politike dhe ekonomike të gjysmës së dytë të shekullit 19-të. Por, në shekullin
tonë, dy luftëra të mëdha që u pritën me revolta të dhunshme në njërin skaj të
Europës dhe në Azi, ndërprenë proçedurën e stadeve shndërruese që parashikonin
shumë socialistë dhe demokratë. Regjimet totalitare, që u prirën kah versioni bolshevik
i marksizmit, më së fundi u kthyen kundër vetë socializmit. Një dëshmi e re për
elasticitetin e vogël të lëndës historike që kurdoherë rebelohet kundrejt
pretendimeve të teorisë. Sot gjendemi në shfuqizimin sensacional të atij që
quhet “socializmi shkencor.” Besnikët e tij nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse
të pranojnë që ato regjime nuk ishin kurrë as socialiste, as shkencore. Por,
humbja e besueshmërisë të atij eksperimenti të tmerrshmëm, prek pra, edhe
ambiciet liberale dhe politikat barazuese që frymëzuan mendimtarët anarkistë
dhe socialistë të shekullit të kaluar? Nuk e besoj. Përballë padrejtësive
flagrante të sistemit kapitalist, njerëzit shtruan disa pyetje. Këto pyetje
vazhdojnë të mbeten pa përgjigje.
E vërteta është që sistemi kapitalist ka treguar një aftësi
të madhe rinovimi: në të njëjtën periudhë që shumëfishoi efikasitetin e tij, u
riformësua dhe u bë më njerëzor. Në perëndim mbretëron begatia dhe ekziston një
klasë e mesme shumë e madhe në mirëqënie, që përfshin shtresa të gjera të proletariatit
të vjetër. Përtej faktit që kjo mirëqënie prek vetëm një pjesë të llojit
njerëzor, si të fshehë apo të mohojë dikush padrejtësitë dhe pabarazinë që
akoma ekziston tashmë në kombet e zhvilluara? Si të injorojë ose të zvogëlojë
në minimum pamje të tjera të trishta të shoqërisë konsumatore? Bollëku nuk i ka
bërë as më të mirë, as më të ditur, as më të lumtur europianët dhe banorët e
Amerikës Veriore. Për të matur pamjaftueshmërinë tonë estetike, moralin e ulët
dhe nivelin shpirtëror, mjafton të mendojë një Athinas të shekullit të 5-të
p.K., një Romak i epokës së Trajanit dhe të Mark Aurelit ose një banor të
Firences të shekullit 15-të.
Programet e shkrimtarëve socialistë dhe liberalë ishin shumë
herë të mençur dhe të thjeshtë, herë të tjera të dhunshëm dhe despotikë.
Megjithatë, as mungesat, boshllëqet, gabimet dhe abuzimet e këtyre programeve,
as dështimi kolosal historik i tyre, nuk e bëjnë të paqëndrueshëm
legjitimitetin e pyetjeve që ata njerëz shtruan. Më duket se po afron çasti të
shtrojmë pyetjet e njëjta ose të ngjashme. Është pothuajse e sigurt që
përgjigjet tona do jenë të ndryshme. Asgjë nuk është më e natyrshme se kjo. Por
do të jenë të frymëzuara nga stimuj të ngjashëm dhe do duhet të kënaqin shpresa
analoge. Pyetjet në të cilat referohem janë themelore. Paraqiten në të njëjtin
çast të lindjes së Epokës së Re dhe në ato përmbahet e gjithë historia e epokës
sonë, kimera dhe kontradiktat e saj, endjet poshtë e lart dhe lartësimet e
shndritshme të saj. Mund të dendësohen – pa rrezikun e madh të thjeshtësohen –
në marrëdhënien ndërmjet tre fjalëve kritike të demokracisë së re: liri,
barazi, vëllazëri. Lidhja ndërmjet tyre është e pasigurt ose problematike.
Ekziston kontradiktë ndërmjet tyre? Dhe kush është ura që mund t’i bashkojë?
Nga pikëshikimi im i gjërave, fjala qendrore e trinisë është
vëllazëri. Me atë ndërlidhen dy të tjerat. Liria mund të ekzistojë pa barazi
dhe barazia pa liri. E para, vetë, thellon pabarazitë dhe shkakton tiranitë. E
dyta, shtyp lirinë dhe në fund e asgjëson. Vëllazëria është elementi lidhës,
virtyti që i fisnikëron dhe i harmonizon. Emri tjetër i saj është solidaritet,
trashëgim i gjallë i kristianizmit, version modern i përdëllimit antik. Një
virtyt që nuk e njihnin as Grekët dhe as Romakët që dashuronin lirinë por
injoronin dhimbshurinë e vërtetë. Me të dhënat e natyrave të ndryshme ndërmjet
njerëzve, barazia është një synim moral që nuk mund të materializohet pa shkuar
kah despotizmi ose veprimtaria e vëllazërisë. Veç kësaj, liria ime vjen,
fatalisht, ballë për ballë me lirinë e tjetrit dhe synon ta asgjësojë. Ura e
vetme që mund të pajtojë këto dy motra armike – urë e bërë nga duar të
përqafuara – është vëllazëria. Mbi këtë të vërtetë të thjeshtë dhe modeste do
mund të themelohet, në ditët që vijnë, një filozofi e re politike. Vetëm
vëllazëria mund të shpërbëjë makthin ciklik të tregut. Konstatoj se këtë mendim
thjesht e imagjinoj, ose më saktë, e vërej. E shoh si trashëgim të traditës së
dyfishtë të epokës moderne: të liberalizmit dhe socializmit. Nuk besoj se duhet
t’i përsërisim, por t’i tejkalojmë. Do të ishte një ripërtëritje e njëmendët.
Nën dritën e këtyre ideve a ndoshta të shpresave, pyetja
zanafillore – cilët lexojnë përmbledhje poetike? – përfton kuptimin e
njëmendët. Në të kaluarën, lexuesit e poezive bënin pjesë në klasën e parisë:
qytetarë grekë, patricët dhe kalorësit romakë, klerikë të mesjetës, oborrtarë
të epokës baroke, intelektualë të klasës borgjeze. Në shumë raste lexuesit
ishin liderë të mëdhenj, si Perikliu, Augusti ose Adriani. Të tjerë ishin të
dobët, por monarkë të ndjeshëm, si Filipi IV (“mbreti ynë i mirë ”e quan Manuel
Maçado) dhe perandori i pafat Hsuan Cung, të tjerë, despotë të ndritur si
Frederiku i Prusisë. Në epokën moderne vjen ndërrimi i madh: ç’prej epokës të
romantizmit, lexuesit e poezive ishin, siç edhe vetë poetët, vetmitarët dhe të
lënët në periferi. Poetë dhe lexues që bëjnë pjesë në klasën borgjeze, por
rebelohen kundrejt prejardhjes së vet, të klasës së tyre dhe të moralit të
botës së tyre. Kjo përbën një nga arritjet e pakundërshtueshme të klasës
borgjeze, të klasës shoqërore që mori pushtetin me armën e mendimit kritik dhe
që nuk pushoi ta përdorte për të analizuar veten e vet dhe veprat e saj.
Shqyrtimi i ndërgjegjes dhe brerjeve që e shoqërojnë, trashëgim i kristianizmit,
ishte dhe është shëruesja më e fuqishme përballë mjerimeve të qytetërimit tonë.
Në kritikën dhe në traditën revolucionare të modernizmit,
poezia zotëron një vend qendror dhe ekscentrik njëkohësisht. Qendror sepse
ç’prej fillimit përbënte pjesë thelbësore të kritikës së madhe dhe përmbysëse
të asaj rryme që përshkoi shekullin XIX dhe XX. Pothuajse të gjithë poetët tanë
të mëdhenj morën pjesë në ato lëvizje emancipuese. Por veçanësia e poezisë
moderne konsiston në atë që shprehu realitete dhe ambicie më të thella dhe më
të vjetra nga të menduarit gjeometrik të revolucionarëve dhe prangat e
arrestimeve të utopistëve. Në një nga format e saj ekstreme, poezia prek
kufijtë elektroforë të frymëzimeve dhe vizioneve fetare. Prandaj ekzistonte,
alternativisht dhe me dukje ekstreme, revolucionare dhe reaksionare. Ndër të
tjera, nuk është çudi që të gjitha dashuritë dhe devotshmëritë e saj përfunduan
me indiferencë në shkurorëzime dhe në distancime. Nga çasti i lindjes të saj,
nën dritën e beftë të vetëtimës romantike që përçan simetritë e shekullit XVIII
deri në gjysmëdritën e vrazhdë të epokës sonë, poezia nuk pushoi së qeni një
heterodoksi ngulmuese dhe e qëndrueshme. Lëvizje gjarpëruese e parreshtur,
rebelim i vazhdueshëm kundër të gjitha dogmave dhe kishave, paralelisht, po aq
edhe dashuri e qëndrueshme për realitetet e poshtëruara, që janë kundër
trajtimeve fideistike dhe teorizimeve racionaliste. Poezi: gur i këmbëzës (së
shkrepjes) në modernizëm.
Zëri i saj është tjetër sepse është zëri i dëshirave dhe vizioneve.
Është zë i një tjetër bote dhe zë i asaj bote, është i lashtë dhe është i
sotëm, lashtësi pa kronologjira. Poezi heretike dhe skizmatike, poezi e
pafajshme dhe perverse, e qartë dhe e baltosur, e ajërt dhe e nëndheshme, poezi
e shkretimit dhe e barit tek këndi, poezi e prekshme dhe përherë poezi e së
përtejmes që është pikërisht këtu. Të gjithë poetët, në këto çaste të mëdha ose
të vogla, të përsëritura ose unike, në të cilat janë në të vërtetë poetë,
dëgjojnë zërin tjetër. Është i tyre dhe është i huaj, nuk i takon askujt dhe u
takon të gjithëve. Asgjë nuk e veçon poetin nga burrat dhe gratë e tjera,
përveçse atyre – të rralla megjithëqë janë të shpeshta – ku vërtet ai vetë
është dikush tjetër. Pushtim i çuditshëm forcash dhe pushtetesh, gufmim i një
thellësie shpirti varrosur në të brendshmen e vet, apo dhunti e rrallë të
kombinoj fjalë, imazhe, tinguj, trajta? Nuk është e lehtë t’u përgjigjemi
këtyre pyetjeve. Ndërkaq, nuk besoj se bëhet fjalë vetëm për një dhunti. Por
edhe nëse është kështu, prej nga vjen? Ose njëra, ose tjetra. E sigurta është
që, e veçanta themelore e fenomenit poetik, na bën të mendojmë se bëhet fjalë
për një sëmundje që pret akoma diagnostikimin e mjekut. Mjekësia e lashtë – siç
edhe filozofia, me Platonin të parin – e pa dhuntinë poetike në këndvështrimin
e një turbullimi psikik. Ishte një mani, d.m.th. një zemëratë e shenjtë, një
entuziazëm, një ekstazë. Ndërkaq, mania nuk është veçse njëri nga polet e
turbullimit. Tjetri është absentia, boshi i brëndshëm, ajo “ gogësima melankolike”
për të cilën flet poeti. Plotëri dhe boshësi, fluturim dhe rënie, entuziazëm
dhe melankoli: poezi. Veçantia psikike dhe shoqërore e poetit, theksohet
menjëherë sapo të trajtohet për nga prejardhja e tij shoqërore. Të gjithë
poetët modernë, përveç një gjysmë dyzine aristokratësh, bënin pjesë në klasën e
mesme. Të gjithë kishin formim universitar. Disa ishin avokatë dhe gazetar, të
tjerë ishin mjekë, mësues, diplomat, reklamues, bankier, tregtar, burokratë të
vegjël ose të mëdhenj. Pak, si Verleni dhe Rembo, ishin parazitë dhe rebelë.
Por Verleni kishte një të ardhur të vogël dhe Rembo ishte një drop-out i klasës
borgjeze të provincës. Përgjithësisht, të gjithë ishin produkt i krijimit të
madh historik të modernizmit: të klasës borgjeze. Prandaj dhe të gjithë pa
përjashtim ishin pozicionuar armiq të modernizmit. Armiq dhe viktima. Kështu –
një tjetër paradoks – ishin krejtësisht modernë. Heterodoks si Elioti kur
himnizojnë klasën ose kur bëjnë shpesh herë kryqin (për t’u falur – shënim i përkthyesit) si Klodeli, ose kur himnizojnë
litani leniniste, si Brehti dhe Neruda. Liberalë si Paundi kur mbajnë temjanin
për të lajkatuar një demagog të kamufluar si Çezar… Të gjithë, poetë me
uniformë ose leckamanë, gra poete ose burra poetë, poetë të të gjitha racave
dhe i asnjë race, i të gjithë profesioneve, bindjeve, partive dhe dogmave,
poetë të endur nëpër katër pikat e horizontit dhe poetë që kurrë nuk kanë
braktisur qytetin e tyre, lagjen e tyre ose dhomën e tyre, të gjithë kanë
dëgjuar, jo nga jashtë por brenda nga vetë qenia e tyre (gjëmim, gërgërimë,
përrua uji) zërin tjetër. Kurrë zërin e “këtu dhe tani,” të sotmin, por zërin
përtej, larg, tjetrin, zërin e fillimit. Veçantia e popezisë moderne nuk
konsiston tek idetë ose veprimet e poetit: konsiston në zërin e tij.Ose më
mirë: në tonin e zërit të tij.Është një theksim i papërcaktuar, i dallueshëm
dhe i cili fatalisht e bën tjetër. Është vula jo e mëkatit fillestar, por e
ndryshimit fillestar. Antimodernizmi i modernizmit të poezisë sonë, shpërthyer
ndërmjet revolucionit dhe fesë, luhatur ndërmjet të qarit si Herakliti apo të
qeshi si Demokriti, është një transhendencë e njëmendët. Por një transhendencë
pothuajse përherë e pavullnetshme që paraqitet pa e dashur poeti. Transhendenca
rimbin, siç edhe tashmë kam thënë, nga një ndryshim zanafillor. Nuk është një
vijim konsekuent, as dhe një element shtesë, por vetë mënyra e qenies së
poezisë në Epokën Moderne. Shkaku i kësaj veçantie është historik. Një poezi
mund të jetë moderne nga temat e saj, gjuha e saj, forma e saj, por nga
thellësia e natyrës së saj është një zë antimodern. Poezia shpreh të vërteta të
huaja kah modernizmit, botë shpirtrash dhe sfera që jo vetëm janë tepër të
lashta, por dhe të papërshkueshme prej ndryshimeve të historisë. Ç’prej epokës
paleolitike, poezia ka qenë në simbiozë me të gjitha shoqëritë njerëzore. Nuk
ka ekzistuar shoqëri që të mos ketë njohur njërën ose tjetrën formë të poezisë.
Edhe nëse është e lidhur me një terren dhe një histori, është përherë e hapur
në çdo shfaqje të tyre, në një dia-historik të përtejmë. Nuk aludoj një të
përtejmë fetar: flas për konceptin e anës tjetër të realitetit. Është një
përvojë e përbashkët për të gjithë njerëzit, në të gjitha epokat dhe e cila më
duket paraardhëse e të gjitha feve dhe filozofive.
Në një botë që rregullohet nga logjika e tregut, në vendet
komuniste nga logjika e efikasitetit, poezia është një veprimtari me rendiment
ekonomik zero. Prodhimet e saj shiten pak dhe kanë vlefshmëri të vogël (përveç
rasteve që vlejnë si propagandë në diktatura dhe totalitaritetet ideokratike).
Për mentalitetin modern, megjithëqë në të njëjtën mënyrë nuk e pranon, poezia
është energji, kohë dhe talent që shndërrohen në tepri objektesh. Vjershë:
trajtë lektike me vlefshmëri të vogël dhe çmim të ulët. Poezi: shpenzim,
harxhim, shkapërderdhje. Megjithatë, kundër erës dhe baticës, poezia qarkullon
dhe lexohet. Duke protestuar kundër sistemit të tregut, pothuajse nuk ka çmim.
Nuk ka rëndësi: shkon nga goja në gojë, si ajri dhe uji. Çmimi dhe vlera e saj
nuk mund të maten: një lypës mund të jetë i pasur në poezi. As nuk është e
mundur që dikush të depozitojë poezi, duhet t’i shpenzojë. Domethënë që t’i
thotë. Mister i madh: vjersha përmban poezi me kushtin që të mos e mbajë për
veten e vet. Është e bërë për ta shpërhapur dhe ta shpërndajë si kana që derdh
verën dhe ujin. Të gjitha artet, veçanërisht piktura dhe skulptura,duke u
formësuar, bëhen gjëra, prandaj mund të ruhen, të shiten dhe të metamorfozohen
në objekte spekullimi financiar. Poezia është gjithashtu gjësend, por është një
gjë shumë e vogël: është e bërë nga fjalë, një frymëmarrje ajri që nuk zë vend
në hapësirë. Në rrjedhë të anasjelltë nga tabloja e pikturës, poezia nuk tregon
figura, as trajta: është një komplot fjalësh që bën të shpërthejë tek lexuesi ose
tek dëgjuesi një tablo me imazhe shpirtërore. Poezia dëgjohet me veshë, por
shikohet me të kuptuarit e mirë dhe të thellë. Imazhet e saj janë disa plazma
amfibe: janë ide dhe janë forma, janë tinguj dhe janë heshtje. Përpara se të
përfundoj, më duhet të përsëris atë që thashë. Konflikti ndërmjet poezisë dhe
modernizmit nuk është i rastësishëm, por rrënjësor. Kundërshtia midis tyre
paraqitet ç’prej fillimeve të epokës sonë me romantikët e parë. Paradoksi është
se kjo mungesë kompromisi është një nga karakteristikat e njohura, ndoshta
themelorja, e poezisë moderne, për më tepër, kjo mungesë kompromisi e bën të
pranueshme nga ana e lexuesit që shikon tek kjo një imazh të gjendjes së tij.
Vetëm poetët modernë mund të jenë kaq totalisht dhe kaq skizmatikisht antinovatorë,
siç qenë poetët tanë të mëdhenj. Modernizmi i bazuar tek kritika, lind në një
mënyrë të natyrshme kritikën e vetvetes. Poezia është një nga shfaqjet më
aktive dhe të gjalla të kësaj kritike. Por kritika e saj nuk ishte as racionale
dhe as filozofike, por u bë me pasion dhe në emër të realiteteve që injoron ose
mohon Epoka Moderne. Poezia i ka bër rezistencë modernizmit dhe duke mos e
pranuar e ka rigjallëruar. Ka qenë kundërthënia dhe antidoti i tij. Duke
mbërritur në këtë pikë, kthehem në fillim të mendimit tim. Sot jemi dëshmitarë,
konform gjithë shenjave, të një ndryshimi tjetër të madh. Nuk dimë nëse jetojmë
fundin apo ripërtëritjen e modernizmit. Në këtë kthim të kohëve, kush do të
mund të ishte roli i poezisë? Nëse, siç besoj dhe shpresoj, lind një politikë e
re mendimi, krijuesit e saj do duhet të dëgjojnë zërin tjetër. Nuk e dëgjonin
ideologët revolucionarë të shekullit tonë dhe kjo shpjegon, pjesërisht të
paktën, dështimin e madh të planeve të tyre. Do të ishte shkatërrimtare që
filozofia e re politike të injoronte këto të vërteta, të fshehura dhe të
varrosura nga njeriu i sotëm. Përgjatë kohës së dy shekujve të fundit, roli i
poezisë ishte të na kujtonte ekzistencën e këtyre realiteteve. Poezia e nesërme
dhe roli i saj nuk do të mund të jetë i ndryshëm. Misioni i saj nuk do të
konsistonte në atë që, të furnizonte me ide mendimin, por t’i rikujtonte, siç
edhe tani, atë që me idhnim ka haruar ç’prej tre shekuj. Poezia është Kujtesa
që bëhet imazh dhe imazhi që shndërrohet në zë. Zëri tjetër nuk është zëri që
del nga varri: është zëri i njeriut që fle në thellësi të çdo njeriu. Është
mijëravjeçar dhe ka moshën tonë dhe ende nuk ka lindur. Është gjyshi ynë,
vëllai ynë, stërnipi ynë.
Natyrisht, është e pamundur të dijë ndokush kah ku drejtohen
shoqëritë dhe popujt e shekullit XXI. Ka të ngjarë që ky mendim i ri, i
destinuar t’u përgjigjet pyetjeve të guximshme që shtronte Epoka Moderne, nuk
është veçse një shpresë, pasione të devotshme, diçka që mundi të ishte dhe që u
shpërbë nga historia. Kjo do të ishte e tmerrshme, me premisën që janë tashmë
të dukshme në shumë vende të botës, shenja shqetësuese të rikthimit të
pasioneve të vjetra fetare, të fanatikëve nacionalistë, dhe e adhurimit të
racës. Riparaqiten bindje dhe pasione që ishin të mbytura sa nga liberalizmi
racional, po aq edhe nga regjimet që dëftenin maskën e “socializmit shkencor”.
Këto bindje dhe këto pasione ishin vdekjeprurëse dhe do të ribëhen të tilla
nëse nuk jemi të aftë t’i përthithim dhe t’i spastrojmë.
Përtej fatit që e ardhmja ruan për njerëzit, ka diçka që më
duket e qartë: institucioni i tregut, tashmë në apogjeun e tij, është i dënuar
të ndryshojë. Nuk është i përjetshëm dhe asnjë krijim njerëzor nuk është i
tillë. Injoroj nëse do të modifikohet nga urtia e njerëzve, nëse do të
zëvendësohet nga një tjetër më i përkryer ose do të shkatërrohet nga teprimet
dhe kontradiktat e tij. Në rastin e fundit, do mund të tërhiqte kah shembja e
vet edhe institucionet demokratike. Mundësitë që më bëjnë të ndjej frikë, janë
ngaqë, kësisoj do të niste një epokë e errët, siç edhe ka ngjarë më shumë se
një herë në histori. Nuk është e nevojshme të rikujtoj fundin e botës
greko-romake, rënien e qytetërimeve në Indi dhe në Kinë, apo letargjinë
shekullore në të cilën ra Islami. Sidoqë të bëhet, është e qartë se shpenzimet
e mëdha, idioteske dhe vetëvrasëse të rezervave natyrore duhet të ndalin
shpejt, nëse njerëzit duan të mbijetojnë mbi tokë. Shkaku i këtij shpenzimi
gjigand të pasurisë natyrore – që siguron jetën e tashme dhe të ardhme – është
mekanizmi ciklik i tregut. Është një aktivitet me efektshmëri të lartë por pa
drejtim, ku qëllimi i vetëm i tij është të prodhojë gjithnjë e më shumë për të
konsumuar gjithë e më tepër. Politika amullore e shumicës dërrmuese të qeverive
të vendeve në zhvillim, sa në Amerikën Latine aq edhe në Azi e në Afrikë, ka
kontribuar gjithashtu në shkatërrimin mbarëbotëror të infektimit të liqeneve,
lumenjve, deteve, luginave, pyjeve dhe maleve. Asnjë qytetërim nuk kishte një
fatthënie kaq të verbër, mekanike dhe shkatërrimtare.
Konjuktura në të cilën sapo u referova, do të duket në të
ardhmen e afërt, cilatdo qofshin institucionet tona politike dhe shoqërore, dhe
pavarësisht nga bindjet dhe opinionet tona. Në praktikë tashmë është paraqitur
dhe madje nën kushte gjithë e më tepër kufizuese dhe kanosëse. Për më tepër,
ndokush mund të thotë pa e tepruar se çështja kryesore e këtij fundshekulli,
nuk është çështja e organizimit politik të shoqërive tona, as ajo e orientimit
historik. Sot, çështja urgjente është të mësojmë si të sigurojmë mbijetesën e
llojit njerëzor. Përpara këtij realiteti, cili mund të jetë roli i poezisë?
Çfarë mund të thotë zëri tjetër? Tregova se nëse do të lindë një politikë e re
mendimi, ndikimi i poezisë do të ishtë i tërthortë: rikujtim i mjaft realiteteve
të varrosur, rilindje dhe paraqitje e tyre. Përballë çështjes së mbijetesës të
llojit njerëzor në një tokë të helmuar dhe të shkretuar, përgjigja nuk mund të
jetë e ndryshme. Ndikimi i saj do të jetë i tërthortë: të parashtrojë, të
frymëzojë, të aludojë. Jo të faktojë, por të tregojë. Mënyra e të vepruarit të
mendimit poetik është fantazia dhe kjo konsiston kryesisht në cilësinë
korrelative të realiteteve kundërvepruese ose heterogjene. Të gjitha format
poetike dhe paraqitjet glosike zotërojnë një karakteristikë të përbashkët:
kërkojnë dhe shpesh zbulojnë ngjashmëri midis objekteve të ndryshëm. Në rastet
më ekstreme njësojnë të kundërtat. Krahasime, analogji, metafora, metonimi dhe
marifete të tjera të poezisë: të gjitha priren të prodhojnë imazhe në të cilat
bien në ujdi e aty-shmja dhe e atje-shmja, njëra dhe tjetra, të shumtat dhe
njëshi. Efekti poetik e rrok gjuhën si një gjithësi të gjallë, që përshkohet
nga një rrymë e dyfishtë tërheqëse dhe shtytëse. Tek gjuha riprodhohen grindjet
dhe pajtimet, dashuritë dhe ndarjet e yjeve dhe qelizave, të atomeve dhe të
njerëzve. Çdo poezi, cilado qoftë tema e saj, forma e saj dhe idetë që e
plazmojnë, është para së gjithash dhe mbi të gjitha një botë e vogël e gjallë.
Poezia reflekton solidaritetin e “dhjetëmijë gjërave që formojnë gjithësinë,”
siç thoshin kinezët e lashtë.
Pasqyrë e vëllazërimit kozmik, poezia përbën një model të
asaj që do mund të ishte shoqëria njerëzore. Përballë shkatërrimit të natyrës,
tregon vëllazërimin midis yjeve dhe molekulave, substancave kimike dhe
ndërgjegjes. Poezia ushtron imagjinatën tonë dhe na mëson në këtë mënyrë si të
njohim dallimet dhe të zbulojmë ngjashmëritë. Gjithësia është një ind i gjallë,
afinitet lidhjesh dhe kundërshtish. Dëshmi e gjallë e vëllazërimit botëror, çdo
poezi është një mësim praktik harmonie dhe marrëveshjeje, megjithëse subjekti i
saj është zemërimi i heroit, vetmia e vashës së braktisur apo zhytja e
ndërgjegjes në ujërat e qeta të pasqyrës. Poezia është antidoti i teknikës dhe
tregut. Në këtë përmblidhet ajo që do mund të ishte, në epokën tonë dhe në
epokën që vjen, funksionimi i poezisë. Asgjë më tepër. Asgjë më pak.
Pyetja fillestare: sa dhe cilët lexojnë poezi? Natyrisht
është e ndërlidhur me çështjen e mbijetesës së poezisë në botën e sotme. Nga ana
e saj, kjo pyetje zgjerohet në një tjetër më urgjente dhe të rëndësishme:
mbijetesa e vetë njerëzimit. Poezia është një model mbijetese me themele tek
vëllazërimi – joshje dhe neveri – dy elemente të trajtave dhe të gjallesave të
gjithësisë. Hygoi e tha në një mënyrë të mrekullueshme: Tout cherche tout, sans
but, sans trêve, sans repos.* Marrëdhënia ndërmjet njeriut dhe poezisë është
kaq e hershme, sa dhe historia jonë: zanafilloi kur njeriu filloi të jetë
njeri. Gjahtarët dhe mbledhësit e parë të frutave, të habitur një ditë, u
përballën me veten e tyre ne një çast të pambarimtë, në ujërat e qeta të një
poezie. Ç’prej atëherë njerëzit nuk kanë ndalur të shohin veten e tyre brenda
në këtë pasqyrë të imazheve. Dhe e kanë parë si krijues imazhesh dhe si imazh i
krijimeve të tyre njëkohësisht. Prandaj, mund të them disi i sigurt që, aq sa
do të ekzistojnë njerëzit, do të ketë edhe poezi. Por marrëdhënia mund të
thyhet. Lindi mbi të gjitha nga vetia njerëzore: fantazia. Mund të thyhet nëse
fantazia vdes ose gërryhet. Nëse njeriu harron poezinë, do të harrojë vetveten.
Do të rikthehet në kaosin parak.
Meksikë, 1 Dhjetor 1989.
* E gjitha kërkon të gjithën, pa qëllim, pa u ndalur, pa
ngutje.
Përktheu: Arian Bogdani
Comments
Post a Comment