Pablo Picasso, gjeniu i sporvave të kurajshme artistike
Nga Albert Vataj
Pakkush në historinë e artit ka mundur të rrok në vetvete
njeriun e sprovave të estetike kaq kurajshëm sa ai, i cili 133 vite më pare, më 25 tetor 1881 lindi
në Málaga të Spanjës për të kapluar fuqishëm mendësinë e shekullit XX . Ai
ishte Pablo Picasso, piktor, skulptor, punues qeramike, projektues grafik, poet
dhe dramaturg, publicist dhe kumtues. Ç'mos ishte ai. Kudo la gjurmë me sprova
guximtare dhe ndryshesa çapërluese e transformuese. Me ç'nuk i mbushi të 91
vitet e moshës, deri më 8 prill 1973 kur ai u shua.
Si të gjithë fillimtarët e ndryshiesave tranformuese edhe
Picasso u përplas si një meteor me
zhguallin e padepërtueshëm të kohës.
Mendësitë dhe doktrinat gjetën tek ky kurm gladiatori,
qëndresatarin e paepur. Pablo Pikaso erdhi për të mbetur një piktor krejt
tjetërqysh nga krejtkush mbërriti deri asokohe dhe i’a doli. Kumtoi një art, pa
rregulla, pa simetri, pa limite, pa kurrçka që morali u qas të orvatet përreth
botës që ngjan një shpërthimi pa formë. Një plazmimi mbi kanavacë të paanë dhe
telajo që jo rrallëherë të përpinte nga përmasat që rrek, herë të stërmëdha dhe
tek-tuk, copëza letre dhe bocete. Tanku shtegtoi piktori drejt yllit të tij
gjithkahshndritës, kumtojnë një zgrip të thekshëm dhe mori llahtarisëse
rrethanash dhe perceptimesh. Të bësh art, për të, ishte njëlloj sikur të fitoje
një lloj lirie të dhunshme. Një Sizif që sfidon fatin e tij. Një Promete që i
beson flakadanit të shpirtit, si të vetmes dritë që pahet me njeriun si qenie
konsumimi estetik. Piktura për të, ishte një çështje e epërme, një yshtje
dalldisëse gjëndjeje papajtueshmërie dhe pamjaftueshmërie. Kësisoj, nuk u
lëndua në sedrën e tij delikate kur pohoi se: "Piktura është më e fortë se
unë, më detyron të bëj atë, çfarë do ajo",- thoshte Pikaso. Robërimi prej
pasioneve shpërthyese estetike, dukshëm e nënshtron vullnetlirin e ideve
përtëritëse. E vë përfundi këtë kreshtë kumtimi, këtë kapardisje. Asnjë nga
ngulmëtarët e mëhershëm të modernizmit, nuk e ndiente aq fuqishëm artin, as
Matisse, as Mondrian dhe padyshim, as Braque, sa ai. Padyshim që nuk do të
ishte e lehtë.
Kremtoi me solemnitetin e allasojtë identitetin e tij, si në
pikturë, si në forma, si në frymësinë e të gjitha gjendjeve dhe gjërave që ai
mëtoi, me tërësinë gjithnjë shpërthyese, prej artisti të madh dhe një
gjenialiteti që rritej nga format e rikthyera të fëmijërisë. Ai bashkërrëfyes i
një prej rrymave më të fuqishme, që historia e artit do të përçonte në fillin e
vet të krijimit, kubizmit. Dukshëm me këtë, ai guxon të shembë gjithë atë masiv
muri rrethues rregullash dhe limitesh, brenda të cilave vërtitej me një potere
të frikshme arti dhe krijimi i deriatëhershëm dhe e mëvonshme. Duke veshur
fëmijërinë në pikturë, e hullit korpusin mëtues për nga një shteg, ku krijimi
dhe kjo qasje do ta nxjerrë në një pamatësi lirie, si ajo që guxon ta
gllabërojë shtegu i vërshimit. Gardhet akademike ishin dhe mbeten deri në fund
për të, skllavëri e vullneteve të shpenguara. As nuk e ka kuptuar dhe s'kishte
pse ta bënte një gjë të tillë, jo vetëm në krijimtari, por në gjithë perimetrin
e tablosë ku shtrihet portreti njerëzor i tij.
Më i zallamahishëm se çdo artist tjetër, ai ka qenë një
vlagë e rëndë në tokën e ashpër, një mjeshtër, një njeri i paqëndrueshëm,
rebel, e mbi të gjitha, i lirë. Dora e
tij ka shkundur lëvizjen botërore të artit të shek. XX, duke i dhënë një
frymëmarrje eterne dhe përmasa të pamatësisë gjithçkasë që do të hidhte hapin
aty e këndej.
Rreth 15.000 piktura, vizatime, grafika, plastika dhe
qeramika, dëshmojnë jo dhe aq volumin e
jashtëzakonshëm, se sa vlerat shumëdimensionale, me të cilat ai promovoi
emrin dhe veprën e tij, duke qëmtuar kështu për të vendosur majën më të lartë.
"Kur isha fëmijë, dëshiroja të pikturoja si të rriturit. Tani kur jam
rritur, e madje, edhe moshuar, dëshiroj të pikturoj si fëmijë", - është kjo perifrazë
shkëputur nga ligjërimet e piktorit të madh, dhe njëherazi, një nga filozofitë
e krijimit dhe përjetimit.
Pikaso padyshim mund të cilësohet dhe si piktori që
lakuriqësinë e vishte me ndjenja, me atë formësi dhe forcë, që vetëm shpirti i
tij mundi të ravijëzonte në trajta dhe forma, në gjendje dhe sende. I dha
kështu artit një dimension pa limite. Në punën e tij, çdo gjë përqendrohej te
ndjeshmëria, te dëshira, forca dhe hapësira, që i veshi këtij dimensioni prej
nga erdhi kumtimi krijues. Ishte dhe mbeti një piktor gjeni, njeri që besonte
se gjithçka që duhet të kërkosh në jetë, është kërkon liri duke u epur dorzan
forcës yshtëse të pasioneve.
Comments
Post a Comment