“Paganini, pikë kthese në historinë e virtuozitetit”
Nga Albert Vataj
Miti i këtij shëmbëllimi
të fanitur vetëm nëpër përfytyrime, kaploi eterin jo si një engjëll, por si një
djall. Kësisoj edhe shtëpia e Zotit, nga agonia e deri në shterim, mish e
shpirt, e dëboi si një heretik dhe e përndoqi me flakët e ferrit, duke e kthyer
në një Promete të zjarrit të shpirtit. Tash 232 vite më parë, më 27 tetor 1782,
lindi në Genova, më i magjishmi i magjisë së violinës, kësaj vegle muzikore që
nisi rrugën e vet të mrekullimit që në antikitet, për t'u njohur në Italinë e
shekullit XVI si një dimension etern që i qasej andjes së njeriut. Violina nuk
ka njohur në historinë e ekzistencës së saj një virtuoz më të zotin se Nikolo
Paganini. E çfarë nuk është thënë dhe sendërtuar për ta ngecur në kurthin e
legjendës, për ta shëmbëllyer të përplotësuar atë çfarë ky gjeni kumtoi e
kurorëzoi. I madhi Robert Schuman ka thënë: "Paganini ishte pikë kthese në
historinë e virtuozitetit". Talenti i tij i jashtëzakonshëm mendohej se
ishte rezultat i një pakti me "djallin", ai luante në violinë si një
magjistar. Rrëfehet gjithashtu se kur Paganini luajti për herë të parë në La
Scala të Milanos më 1813, një kritik italian shkruante: "Ai është pa asnjë
dyshim, violinisti më i madh në botë. Interpretimi i tij ishte vërtet i
papërfytyrueshëm. Pasazhet e tij gjatë ekzekutimit në violinë, kërcimet e
harkut dhe akordet, asnjëherë nuk janë dëgjuar nga ndonjë violinist". Në
asokohje rrëfehej se princesha Eliza e Lukas, motra e Napoleonit e kishte të
pamundur ta dëgjonte pa i rënë të fikët dhe se kompozitori Rossini qante si
vajzë e vogël kur dëgjonte Paganinin të luante. Gjithashtu, thuhej se telat e
violinës së tij ishin të krijuar nga zorrë njerëzish, andaj kjo ishte arsyeja e
melodive të jashtëzakonshme që dilnin nga interpretimet e tij. E ç’nuk u stis
për ta personalizuar sekush këtë mit përmes shpërthimesh të këtilla fantazish
të shpenguara. Ky ishte Paganini, ajo perëndi e ardhur nga Olimpi si
shëmbëllimi i një afrie të tokësores me hyjnoren.
Virtuozi e violinës
Paganini, nuk ishte
thjesht një violinist, kitarist apo kompozitor. Ai ishte një perëndi. Ai ishte
Zot që krekosej mbi kërshërinë dhe ëndjen e gjithë atyre që patën fatin ta
përcjellin së gjalli këtë talent jashtëtokësor. Gjunjëzimi përpara kësaj
përmendoreje të hyjnisë së muzikës, i lartësonte mish e shpirt. Të gjithë,
kureshtarë e shpirttrazuar, u pushtuan prej kësaj ndjesie, u mrekulluan prej
kësaj energjie penetrimi që çlironte ai korife prej aktit të virtuozitetit. Loja
e këtij mjeshtri të patëdytë dallonte
kësodore për nga teknika. Veçon, sesi e përafronin atë me të magjishmen, tinguj
që mëtonte, loja që kremtonte. Shembulli që gostiti u shndërrua në burim
frymëzimi për shumë kompozitorë, kujtojmë në këtë kolanë, të madhin Franz
Liszt. Një poet gjerman shkruante mbas koncertit të Paganinit: "Ishte një
entuziazëm i madh e mahnitës që nuk e kisha parë e dëgjuar ndonjëherë në jetën
time ".
Legjendari i të
gjitha kohërave, artisti që trondiste skenat. Edhe pse kishte kapluar majat më
të thekshme të lavdisë dhe virtuozitetit, jeta ekstravagante në krahët e
harbuar të së cilës ai kridhej si një i babëzitur, nuk ia kurseu shtratin e
dhembjes, ku ky shpirt i trazuar lëngoi. Ky talent i papërsëritshëm kishte
shkaktuar stuhi zilie në sedrën dhe ambicien e bashkëkohësve dhe hapur një
qiell ku shndërinte vetëm ylli i tij. Jo talentin por shpifjen dhe sajesat nga
më fluturaket, trillet e mendjeve më të errëta, kishin endur për të çmos. Disa
thonin se kishte vrarë dy gratë që dashuroi, shpirtrat e të cilave ai i burgosi
brenda tingujve të violinës së tij magjepsëse. Mënyra se si i rrëmbente
dëgjuesit në rrymën melodioze, ishte më shumë se e veçantë, e mistershme,
ngazëllyese, magjepsëse. Ai kishte lindur të krijonte me virtuozitetin e tij,
me violinën e tij "Guarneri del Gesu" një dimension të ri të
realitetit, një qasje eterne të jetësimit të momentit, një mundësi të hyjshme
të njeriut të depërtojë në qiejt e parajsës.
Cilido që e
dëgjonte s’pariherë këtë magjistar të kësaj vegle muzikore, ndjente
transformimin që e përshkonte të tërin. Akordet dyshe e treshe, akordet oktavë
e glissandot bashkë me staccato e pizzicato të dorës së majtë e të djathtë që
jetësoi ai, depërtojnë atëditë e sot në frymëmarrjen e gjeneratave. Edhe pse
nuk ishte aspak i bukur, femrat magjepseshin me personalitetin e tij, koteshin
në sharmin që kumtonte ndërsa bëhej njësh me violinën. Studiues kujtojnë me
panik se pak para se ky gjeni të vdiste, sytë e tij kishin marrë formë të
frikshme. Sytë e shkëndishëm ishin strukur aq thellë, saqë tmerri që shkaktonin
tek ata që i shihnin, nuk kishte të shuar. Por e keqja nuk ndalte aty, gishtërinjtë
e tij të stërzgjatur i kishin bindur të gjithë se bëhej fjalë për një
"qenie diabolike". Madje para se të linte frymën e fundit si pasojë e
tuberkulozit në laring, prifti refuzoi të kryente ritet e fundit. Kështu, më 27
maj 1840, kisha katolike refuzoi varrimin e "shërbëtorit të djallit"
dhe i vdekuri qëndroi për gjashtë muaj në arkivol, brenda bodrumit të spitalit.
Më vonë, me ndërhyrjen e tre adhuruesve të tij, u arrit marrja e trupit dhe
varrimi i fshehtë i tij.
Jeta dhe vepra e mjeshtrit
Nikolo Paganinit
lindi më 27 tetor të vitit 1782, në
Gjenova. Ishte një nga gjashtë fëmijët e Tereza dhe Antonio Paganinit. I ati
ishte një argat në portin e qytetit dhe një amator i mandolinës. Afër të atit
dhe drejtorit të korit të kishës katedrale të Gjenovës, Nikolo i vogël, akoma
pa mbushur gjashtë vjeç, mori edukimin e tij të parë muzikor duke mësuar
mandolinë dhe violinë. Shkruan sonatën e tij të parë në vitin 1790, kur ishte
vetëm 8 vjeç. Në moshën 9-vjeçare u shfaq në skenë duke krijuar një entuziazëm
të paparë me interpretimin e ndryshimet e tij mbi veprën Karmanjola. Përmirësoi
ndjeshëm artin e tij afër violinistit të famshëm Rola në Parma dhe studioi
kompozim me Chiretti-n, mësuesin e Paer. Që të dy deklaruan se nuk kishin se
çfarë t’i mësonin këtij djaloshi me shumë dhunti.
Një periudhë e
jetës rinore të gjeniut mbetet e mbuluar me mister. Thuhet se gjatë turit të
tij të parë me koncerte nëpër Itali, shiti violinën për të paguar disa borxhe
që bëri nga pjesëmarrje në lojërat e fatit. Një amator francez i fal mjeshtrit
në Livorno një violinë të shkëlqyer “Guarnieri”, violinë kjo që mbeti e
preferuara e Paganinit deri në fund të jetës.
Femrat dhe lojërat
e fatit mbamenden të jenë gropat më të thella ku u rrëzua hera-herës karriera
dhe shëndeti i tij i dobët. Gjenialiteti
që gdhendi me pasion e përkushtim, shndriti me mister e legjenda, e bënë atë të
pavdekshëm. E gjithë bota fliste për këtë muzikant me pamje ekzotike dhe sot
përkulet me mirënjohje e përunjësi për ç’ka mëtoi.
Fiziku dhe ndikimi në publik
Paganini ishte i
gjatë, i dobët, me flokë të gjatë dhe një fytyrë të verdhë që i jepte pamje që
të kujtonte më tepër një fantazëm sesa njeri të gjallë. Kishte gropa në fytyrën
e tij eshtake. Shikimi që pluskonte prej atyre zgavrave të thella ishte kaq i
ftohtë, sa njerëzit rrallë arrinin ta shikonin drejt e në sy. Zakonisht dilte
në skenë me vonesë, gjithnjë i veshur me të zeza. Pasi vendoste violinën në
sup, pa shoqërinë e ndonjë instrumenti tjetër, fillonte të shpërndante
''magji'' dehje dhe shastisje.
Dëgjuesit, ata më zelltarët, viktima të mahnitjes thonin se ''kishte djallin në
bërrylin e tij''.
Mbamendet se kishte
një ndikim të tmerrshëm emocional mbi publikun. Efekti i virtuozitetit i
ngjante më shumë lojës së një magjistari se sa një violinisti. Mund të transformonte burra guximtarë në
frikacakë duke i udhëhequr në çmenduri dhe anasjelltas, të transformonte
frikacakët në heronj, ndërsa sidomos tek femrat krijonte kriza emocionale dhe
histeri kur e dëgjonin. Krejt këto, padyshim që përligjin gjithqysh sa u stis
për të si një vullnesë e djallit. Fundja, e bukura, e magjishmja, kllapitësja
që vjen prej muzikës, nëpër qiej e hedh andjen e dëshirimeve, atë më të
madhërishmen që diti ta mëtonte një gjeni si Paganini.
Comments
Post a Comment