Kur u takova s'pari dhe s'mbramiherë me Frederdik Rreshpjen
Nga Albert Vataj
M'ndërmendet si sod takimi s'pariherë me të.
Kjo me gjas bani vaki aty nga viti 1995. Një miku jem, që asokohe rrekej me e
gjet vedin në regëtimat e poezisë, lyp një këshill prej Fredit. Shkuem për me e
taku. M'bahet si sod. Dera gjysëm e hapun e oborrit na hedhi përball nji shpije
që dukej se ishte ma shumë një trill mjeran sesa një strehë ku liriku shtynte
ditët. Duel prej shpije tue i'u përgjigj t'thirrmeve t'drojshme të mikut tem,
Mir Haxhia. E njihja ndër poezi por jo me mujt me e ravijëzu diqysh në përfytyrim.
U shfaq nën degët e një peme gjysëm të zhveshur me një palë bizhama të
stërpikuna me bojë vaji. Në kam kishte fut një palë këpucë të vjetra që dukej
se i përdorte si për kollajllëk. I mori, pa teklif atë tufë poezishë dhe nxitoi
t'i shfletonte aty, si për të shfaq interes. La një ditë kur duhej me shku me e
taku e u falmeshnetëm tue ndërru dorështërngimet tona të drojshme. Se ç'u ba me
poezitë ma nej nuk e mora vesh.
S'dytiherë e kam taku, të tjetërsum, nji burrë
i veshun shik me kapele republika dhe persona që garantoni sigurinë fizike.
Bahej fjalë kur ai asokohe ishte një botues. "Evropa" ishte
shtypshkronja, pronar i së cilës ishte.
M'kishte rrëshqit edhe një herë në kureshtinë
teme për me e pranu këtë krijesë të çuditshme në këtë qytet të pazakontë.
Jetonte në një banesë të marrë me qira afër stacionit të trenit. E pashë tue
ngjitë me mundim një përpjete që të çonte te hymja e pallatit. Në sup i
rëndonte e njëjta çantë e zezë jo me shumë gjana në të, dhe në dorën e djathtë
mbante një shuk gazeta të zhubravituna. Me kokën e ulun e kurrizin e përthyem
mu fanit prek sysh.
Më vonë e kam taku me mikun tem, Shpëtim
Kelmendi te kafe "Lux" dhe e kujtoj njashtu siç Kelmendi e
përshkruan: Nji burrë shtatimët dhe i veshur me të zeza shfaqet e zhduket
hapsinave gri të kryeqytetit ku dhimbshëm pulson ritmi fatkeq i botës sonë
shqiptare. Një burrë i plakun, ndonëse nuk është më shumë se gjashtëdhjetë e
tre vjeç, me një çantë të zezë e të vjetër hedhur në supin e djathtë, me një
kapelë republika të vendosur pa kujdes në krye. I shpërqëndruem, i pavënë re
prej njerëzish që enden përreth tij. I huaj. Ngjan vërtetë si i huaj apo si i
sjellë përdhunshëm, pa lejen e tij e krejt papritmas, në një botë të panjohur
ku i duhet të mbijetojë me çdo kusht. Jeton në zgrip të vëmendjes së njerëzve
të zakonshëm, por edhe përskaj atyre të rëndësishëm, që herë mbas here mendojnë
se përbajnë ndërgjegjen e së sotmes sonë.
M'bahet se kjo ishte hera e funit, deri një
ditë rastësisht, tue mujt me u shqit zgjedhës së hekave të kryeqytetit, qi mora
vesh se Frederik Rreshpja ishte fik, n'mjerim e n'vetmi, tue thith cingaret e
huajtuna prej admiruesve të pakët, edhe ata hekakeq e t'pamujtun. Tash me te
m'lidhin një dorë kujtimesh që feksin e zhduken mes rrumujës dhe poterës së
kryeqytetit, bisedave me t'njoftunit dhe dashamirët e tij, ata të cilve u pikoi
në shpirt fati i tij tragjik, ata që u orvatën me e shkul prej vetmisë sa
merrte frymë ndër ne.
Albert Vataj
Comments
Post a Comment