Zanafilla e Ditës së Verës, ritualet dhe traditat e kremtimit në treva të ndryshme


Nga Albert Vataj

Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë pagane . Ajo është festë arbëreshe e trashëguar në veçanti nga qytetarët e VALM-it Elbasanit (Skampa e lashtësisë) dhe festohet më 14 mars.
Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve.
Ndërsa në Lezhë Ditën e Verës ndizeshin zjarre purifikues e për t'i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte. Nga gratë bëheshin rite magjike e kundër qenieve të tjera dëmtuese, grabitëse.
Ndonëse kjo ditë vazhdon të ruhet dhe festohet madhërishëm në qytetin e lashte te (VALMIT) Elbasanit, ajo është festë e të gjithë shqiptarëve. Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 mars në shtëpi. Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan po edhe në Dibër, Strugë e Prespë.
Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, "14 mars") Ajo ishte një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.
Ç'është Dita e Verës
Kremtimi i kësaj feste ka një origjinë shumë të hershme. Kanë mbërritur deri në ditët tona përmes dëshmive dhe artefakteve simbolikat e ceremonive dhe përmbajtësorja e riteve dhe ceremoniali. Kjo ditë ishte një lloj caku shkëputës me dimrit, një kapërcyell i vetë vërshimit të hovshëm të jetës. Grekët dhe romakët e vjetër celebronin nëpërmjet riteve, flijimeve afrinë me perënditë e lulevet, të shelegjeve, të zgjimit të natyrës. Kur shkrin bora dhe ngricat, qaset vera e cila buzëqesh me shumëngjyrat dhe aromat e luleve, me harbimin e jetës që shpërthen nga gjithkund e shëmbëllen përtëritjen e cila rrëzellën në pranverës e Boticelit. Zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë e rëndë dhe mbytëse e ndrydhjes dhe tkurrjes prej hezitimit dhe letargjisë, prej ftohtit dhe pëshpërimës nën mantelin e bardhë të borës. Trupi dhe shpirti përtërihen dhe jepen me gjithë forcën dhe energjinë e jetës për t'u hedhë në krahët e flakërimt të flimit të gjakut dhe limfës. Kësisoj u festua prej paraardhësve tanë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë t’u falën perëndivet që sjellin këto mirësi. Dhe ashtu erdhi në jetë kremtimi i hirshëm i quajtur Dita e Verës. Në pakë ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikët pa dashur dhe pa ditur, do të rrethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjavet, të dafinavet, të gjitha shelgjevet të nderuara. Do të këputin degë të gjelbra dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpivet.
Përshkrimin e dytë, i cili flet për kremtimin e "Ditës së Verës" nga malësorët katolikë të veriut, e kemi nga At Berdardin Palaj. Ai shkruante dy dekada pas Faik Konicës :
"Shtëpi më shtëpi në ditët e veravet, pjesëtarët e familjes bashkoheshin rreth zjarrit për me lidhë shtrigat, mgjillcat, llungjat, rrollcat e të gjitha shtazët dëmtuese : gjarprin mos ti nxajë, lepurin mos t’u hajë loknat e bathën, e shpendin emën për emën e krimbat e tokës mos t’u mbajnë dam ndër ara. Tri ditë përpara veravet duhet me mshefë shoshat, sitat, furkat e me çartë krojet, në mënyrë që mos me i pamë këto sende asnjë rob i shtëpisë, pse për ndryshej nul lidhet gja. Këto ditët e veravet bijnë gjithmonë ndër ditët e para të marsit. Mbas darkë, të gjithë pjesëtarët e shtëpisë bashkohen rreth zjarmit. I zoti i shtëpisë merr një pe të zi leshi, e lidhë për vergue një nyje e thotë këto fjalë. Lidhe Zot nata e mojt e dita e verave ! Unë pak e Zoti shum ! Po lidhim shtringat. Kështu përsërit këtë veprim për secilin shpirt damtues, sëmundje, krimba e kodra që don me lidhë".
Po në Verilindje si festohet "Dita e Verës" ? Hapat e para të fëmirisë i kam kaluar në vendilindjen time Dibër, ku e kam përjetuar drejtpërsëdrejti dhe kam qenë dëshmitarë se si Dibranët e festojnë "Ditën e Verës". Prandaj po përshkruaj pikërisht trevën e Dibrës, duke e simbolizuar me pozicion gjeografik Veri-Lindje, pasi edhe zonat përreth në shumë element e festojnë dhe kanë shumë ngjashmëri me dibranët.
Festimet e kësaj ditë në Dibër fillojnë dy javë përpara, ku djemtë e rinj gjatë ditës shkojnë në mal dhe presin dëllinja, të cilat i sjellin në fshat, për të formuar një ose më shumë mullarë. Këta mullarë me dëllinja vendosen kryesisht në pika më të larta të fshatit, në mënyrë që zjarri të jetë sa më i lartë duke u bërë konkurrencë të dukshme fshatrave të tjerë për rreth.
Kur, Dielli ulet dal nga dal nga horizonti duke u zëvendësuar nga hëna, të rinjtë afrohen rreth mullarëve të dëllinjave, dhe presin momentin që ti vënë zjarrin. Sapo zjarri ndizet, djemtë gjuajnë me bahe (është mjet i trashëguar brez pas brezi dhe që bëhet në mënyrë artizanale, e cila hedh prej një distance relativisht të largët gurë që kanë përmasa mesatare) për të larguar dhe vrarë të keqen, në mënyrë që pranvera të jetë më reshje të bollshme, për siguruar të korra të mira me shumë "bereqet", nga të cilat do të krijohen rezerva të bollshme për të kaluar periudhën e gjatë të dimrit. Kurse, vajzat këndojnë rapsodi të trashëguara dhe të transmetuara brez pas brezi që i kushtohen "Ditës së Verës". Ky ritual vazhdon deri me datë "14 mars".
Me "14 mars" në mëngjes vendoset një garë e pashpallur kush zgjohet më shpejt në mëngjes (sipas traditës ai që zgjohet më vonë do ti shkoj i gjithë viti në të shumtë në kohës në gjumë), familjet që zgjohen më vonë zakonisht kanë edhe një ndëshkim simbolik, ju mbyllet nga jashtë dera e shtëpisë.
Pasi zgjohen, të rinjtë dalin për te mbledhur lule si kukreka, lulethane, shelgje etj, të cilat i vënë mbi portën hyrëse si dhe brenda shtëpisë. Kurse vajzat ziejnë vezët, dhe i ngjyrosin me mozaikun e ngjyrave. Vezët rroken mes të rinjve me fitimas (që do të thotë se ai që ka vezën me të fortë ja fiton dhe ja merr ati që i thyhet).
Këto ngjarje ndodhin zakonisht në një livadh ose në qendër të fshatit, ku përveç këtyre riteve bëhen edhe mjaft lorja të tjera si : "Kala Dibrane", mundje mes djemve të rinj e etj. Gjatë paradites nënat përgatisin drekën e bollshme, ku një vend të veçante zë flija (gatim tradicional kryesisht i zonës së Dibrës). Pas drekës, njerëzit dalin për vizita tek të afërmit.
Kështu mbyllet festimi i Ditës Verës.
Natyrisht që nga fillimet e kremtimit të saj deri sot, kohët kanë ndryshuar dhe për rrjedhojë edhe mënyra e festimit, por forma e saj bazë është po e njëjta, ka qenë dhe mbetet një festë pagane, me origjinë dhe traditë shqiptare dhe që i dedikohet stinës së pranverës, me të cilën rigjallërohet gjithçka pas një gjumi të lodhur dhe të gjatë dimëror.
Dita e Verës njihet si festa e gjithë shqiptareve, por Elbasani dhe ballokumja është zemra e saj. Një feste pagane, qe e ka origjinën ne kohen kur njerëzit i faleshin perëndive. Tempulli ka qene ne zonën e Çermenikas, ne afërsi te Librazhdit te sotëm. Ne kalendarin e vjetër, njerëzia orientohej ne diellin, hënën dhe gjelbërimin. Ndërsa sot është fiksuar 14 marsi, dite e festes se lashte, qe shënon ndryshe fundin e dimrit te acarte dhe hyrjen e pranverës se çeljes se luleve. Ne kohen antike, te paret tanë, Iliret, udhëtonin nga te kater anët për t'ju falur perëndisë së ripërtëritjes dhe gjithësisë, Diana Candieviensis.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk