11 Shtatori 2001, “therori” që transformoi botën
Nga
Albert Vataj
Përkujtimi i ngjarjeve të përmasave
apokaliptike, siç ishte ajo e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në SHBA,
më shumë se një përshpirtje për viktimat e kësaj gjëme, është një ndërmendje
për të tashmen, për themelet ku kemi ndërtuar ëndrrat tona, ardhmërinë e
fëmijëve tanë. E shkuara është një memuar në vetëdijen e njerëzimit, një makth
tmerrndjellës, që na prish gjumin e na shkërmoq dëshirimet. Ndërsa përpiqesh të
bashkosh copëzat e asaj dite tmerri të 14 viteve të shkuara, rrekesh në atë
orvatje të të pamundurës; të rijetosh ato momente ngjethëse, të ngopesh me
frymë nën peshën e rëndë të asaj shastisjeje edhe pse gufimi i atij zjarri
është bërë gjaku i kohës, ritmi dhe filozofia e së tashmes. Sot pas kaq vitesh,
pas ngulmit për të davaritur kujtimin e asaj ngjarjeje, sërish rropatesh
shpresëhumbur të bësh diçka, qoftë edhe të rilindësh si një feniks, ndërsa mes
kujtimesh të vagullta përpiqesh të hedhësh hapin në hirin ngjyrë kafe të trupave
të djegur. Drithëron e fryma të merret, ndërsa të duhet që në këto përjetime,
të thithësh taftin kudërbues të vdekjes, i cili fluturonte mes tymit që
shkulmonte prej rrënojave dhe pluhurit që mbante të ngërthyer në një argamedon
atëkohjen mbamendëse të ferrit. Përpiqesh të lësh në të shkuarën atë që e
tashmja nuk nguron të ta kujtojë pambarimisht dhe ta jetojë në çdo hap.
Bota nuk është më si 14 vjet më parë. SHBA-të
nuk mund të jenë siç ata dëshiruan, siç ata ndërtuan të tashmen e tyre të
ëndshme për sekënd në botë. Ata u goditën pikërisht aty ku nuk e prisnin, u
gjunjëzuan, ndoshta për të besuar se mitet e paprekshmërisë rrëzohen një ditë
dhe bashkë me të shembet parajsa toksore.
14 vite më parë, më 11 shtator 2001 bota u
përball me një ngjarje më kulmore të historisë së saj moderne. Shtetet e
Bashkuara të Amerikës bëhen objekt i sulmeve terroriste më vdekataret që
përballej deri asokohe ky gardian i lirisë dhe demokracisë. Plot 2996 njerëzve
përfshi 246 pasagjerët e katër avionëve, 19 pengmarrësit, mes tyre 343
zjarrfikës dhe 60 policë, gjetën vdekjen. Pjesa më e madhe e viktimave ishin
civil të 70 kombësive të ndryshme.
Civilizimi modern, e sotmja që pas sulmeve
terroriste të 11 Shtatorit, ka ndryshuar. 14 vite janë të mjaftueshme për ta
dëshmuar këtë. Asgjë nuk është si më parë. Gjithçka në perëndimin e ëndërruar
nga të gjithë ka ndryshuar në themel. Frika, droja dhe pengimi janë tashmë
vetëdija e kohës ku jetojmë. Njeriu modern e ka humbur aftësinë e sundimit të
parajsës së premtuar, të cilën ai e ndërtoi me kaq pasion e përkushtim, me kast
për të besuar se ajo mund të ishte kaq e prekshme sa ishte e dëshiruar.
E shkuara cyt përfytyrimet më të përbindshme
të frikës. E sotmja, pa mundur të nxjerrë dhe aq mësime nga pësimet e së
shkuares, fatalisht vazhdon ta shtrojë me kafka rrugën e bashkëjetesës dhe
afrinë në përplasjen mes qytetërimeve. Me vdekje dhe varre po lëron lavrat e
përtëritjes së botës njeriu modern, ky njeri që rreket çdo ditë të përmirësojë
jetën e tij, duke i besuar rrejshëm se gjithçka është e mundshme nëpërmjet
parasë dhe teknologjisë. Paqja dhe siguria dhanë shpirt përnjëherash me 2996
jetët që u bënë "theror" për transformimin e botës, për ndryshimet e
ngulmëta të saj. Sulmet terroriste të 11 Shtatorit bënë fli jetën e njerëzve të
pafajshëm dhe e gremisi të sotmen e Amerikës dhe botës së qytetëruar në një
spirale paniku dhe paranoje. Askush nuk beson më tek askush. Kudo je i
survejuar dhe i përndjekur nga frika. Çdo avion që merret peng është një çelës
që hap portën e ferrit, është një tmerr që kërkon me ngulm të vrasë paqen dhe
të kërcënojë jetën e njeriut, është një tjetër hap apokaliptik i njeriut në të
pamundurën për të jetuar në një botë të të gjithëve. Gjithqysh, 11 Shtatori
është një vragë në tru të njerëzisë, një e pamundur për t'u shpërbërë prej
harresës.
Çdo ferr tjetër faqe kësaj toke, veç 11
Shtatorit 2001 që kaploi Nju Jorkun, është thjeshtë një përfytyrim që e mban
tmerrin në periferi dhe kurrë një panoramim i ditës së territ që na trand
pambarimisht. Ata që e panë dhe e përjetuan këtë ngjarje apokaliptike, nuk kanë
aftësi të përshkruajnë dhe ta rijetojnë në përmasat e saj të njëmendta,
sikundër edhe ta shuajnë. Sulmi terrorist, i projektuar dhe i zbatuar mbi
kullat binjake të Uorlld Trejd Sentër të Manhatanit në Nju Jork dhe mbi
Pentagonin në Uashington, i ngjante më shumë një mirazhi fantashkencor sesa një
ngjarjeje të vërtetë. Edhe sot pas 14 viteve ka ndër ne që vazhdojnë të mos e
besojnë atë që ka ndodhur. As fantazia më e ndezur nuk mund të parashikonte një
dhunim kaq brutal e kaq të pamëshirshëm të një prej krenarive të civilizimit
modern, vendit që ka shkruar faqet më të rëndësishme të paqes dhe demokracisë
moderne. 11 Shtatori 2001 ishte dhe mbeti një ngjarje kulmore e historisë së
SHBA-ve dhe mbarë njerëzimin, ngjarje që lëkundi nga themelet ekuilibret
botërore, ndryshoi botën duke e hedhur atë vrullshëm në një erë të re.
Minutat
e ngjarjes që tronditën botën
Ora 8:46 e mëngjesit, një aeroplan i rrëmbyer
u përlplas mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në New York, duke
krijuar një çarje të thellë në faqen e ndërtesës dhe duke shkaktuar zjarr. 17
minuta më vonë, në orën 9:03, një aeroplan tjetër pasagjerësh përplaset mbi
kullën jugore, duke krijuar një lëmsh të madh zjarri.
Ora 9:17 e mëngjesit. Administrata Federale e
Aviacionit urdhëron mbylljen e të gjitha aeroporteve në New York. Pak minuta më
vonë, mbyllen edhe urat dhe tunelet në New York.
Në orën 9:30 Presidenti Bush që ndodhej në
Florida, informon popullin amerikan se vendi ka përjetuar një sulm terrorist.
Ndërkohë, Administrata Federale e Aviacionit, ka pezulluar të gjitha
fluturimet, hera e parë kjo në historinë amerikane, që pezullohet transporti
ajror.
Ora 9:37 e mengjesit. Vetëm pak kilometra
jashtë Washingtonit, një aeroplan pasagjerësh përplaset mbi ndërtesën e
Pentagonit, duke e mbuluar atë në flakë. Disa qindra vetë vriten ose plagosen.
Ora 10:05 e mëngjesit. Kulla jugore e Qendres
Botërore të Tregtisë rrëzohet, duke shkaktuar re të dendura pluhuri që mbulojnë
qytetin e New Yorkut.
Ora 10:10 e mëngjesit, Aeroplani i linjës
United Airlines numër 93, rrëzohet në shtetin Pensylvania.
Ora 10:22 e mëngjesit, Departamenti i Shtetit
dhe i Drejtësisë evakuohen dhe më pas edhe Banka Botërore dhe ndërtesa e
kongresit.
Ora 10:28 e mëngjesit , Kulla veriore e
Qendres Botërore të Tregtisë, rrëzohet! Kullat e famhsme binjake të New
Yorkut,nuk janë më.
Ora10:45 e mëngjesit, të gjitha zyrat kryesore
të qeverisë federale evakuohen.
Ora 11:59 e mëngjesit, agjencia ajrore, United
Airlines konfirmon se aeroplani me numer fluturimi 175, i linjës nga Bostoni për
në Los Angeles është rrëzuar me 56 pasagjerë dhe 9 pjestarë të ekuipazhit. Më
pas mësohet se ky ishte aeroplani që u përplas mbi kullën jugore të Qendres
Botërore të Tregtisë.
Comments
Post a Comment