Fridrih Niçe, ky gjeni sa i urryer aq dhe i keqkuptuar


Nga Albert Vataj

Mendimi filozofik, bota e artit sot më 15 tetor kremtijnë ditëlindjen e Fridrih Niçe, gjermanit që guxoi si askush dhe triumfoi mbi gjithçka, atij që lindi mbinjeriun dhe përqafoi amshimin me afshin e stuhisë. Është një nga filozofët më të shquar gjermanë me origjinë Polak i shekullit të XIX. Aim biri i një pastori protestant, mbamendet si një kritik i ashpër i Krishtërimit dhe religjonit në përgjithësi. Qëndrimet ndaj idealizmit gjerman, feminizmit dhe modernizmit në përgjithësi e zhvendosën atë një një terren armiqësor. Ai konsiderohet si një mjeshtër i vërtetë i aforizmave filozofike. Ai është urryer, adhuruar, keqinterpretuar dhe ndoshta mbetet edhe sot e kësaj dite filozofi më i vështirë për t'u kuptuar. Plot 171 vite më parë ai erdhi në jetë nga Carl Ludwig Nietzsche një baba pastor dhe ish-mësues dhe Franziska OEHLER. Ai ishte fëmija i parë i çiftit që do të pasohej nga dy fëmijë të tjerë: një vajzë, Elisabeth Förster-Niçe, e lindur më 1846, dhe djali i dytë, Ludëig Jozefi, i lindur në vitin 1848.
Ai u rrit në gjirin e një familjeje protestante. Babai do ta linte kur Fridrih do të ishte vetëm 4 vjeç, pasi vuante nga një sëmundje mendore. Së bashku me të ëmën dhe të motrën, Elizabeth, ai u transferua në Naumburg ku do të jetonte për tetë vite me radhë. Friedrich ishte një adoleshent tepër kurioz, një nxënës i shkëlqyer dhe në momentin e përballjes me besimin fetar, nisi të anonte nga ateizmi. Ai studioi filozofi në Universitetin e Lajpcigut ku do të njihej me veprat e Shopenhaurit, të cilat do të përbënin pikënisjen e frymëzimit të tij filozofik.
Në vitin 1865, në moshën 24 vjeçare, Nietzsche emërohet profesor në Universitetin e Bazelit dhe merr nënshtetësinë zviceriane. Një vit më parë, ai ishte njohur me kompozitorin Richard Wagner, me të cilin do të kishte një miqësi të gjatë, por kjo nuk e ndaloi ta kritikonte si përfaqësues të kulturës më dekadente në botë, asaj gjermane. Në këtë periudhë studion filozofinë antike greke, ne veçanti veprat e filozofëve para-sokratikë, Heraklitit dhe Empedokles. Dhe kështu bota e mendimit filozofik gradualisht do t'i bënte vend një vullneti të kurajshëm. Në vitin 1870 Nietzsche shërbeu si asistent mjekësor në Luftën Franko-Prusiane ku njohu nga afër traumat dhe mjerimin njerëzor, ku për më tepër u sëmur edhe vetë nga dizanteria dhe difteria. Pasojat e këtyre sëmundjeve do ta përndiqnin përgjatë gjithë jetës. Pas rikthimit në Bazel, në vend që të pushonte, nisi të shkruajë pambarimisht, duke shfrytëzuar në maksimum fuqinë e tij mendore. Në vitin 1872 publikoi veprën e tij të parë të famshme Lindja e tragjedisë. Në vitin 1879 braktisi jetën akademike për shkak të problemeve shëndetësore dhe në dekadën në vazhdim e kaloi kohën në Venecia, Torino dhe Nisë, vende me të cilat ai u afeksionua marrëzisht.
Tre vite më vonë, bie në dashuri me Lou fon Salome, por kjo e fundit e refuzoi kërkesën e tij për martesë. Po në vitin 1882 Nietzsche nis të shkruajë kryeveprën e tij "Kështu foli Zarathustra, e cila publikohet 3 vite më vonë.
Fridrih Niçe me filozofinë e tij ngufat me dëshmu në kryeradhën e agut të një britme apokaliptike, yshtun prej trajtimesh të artit të Greqisë Antike. Gjithë kjo, në disfavor të klasicizmit të dëriasokohshëm, të cilin e vështronte si një afirmim të vizionit të arsyeshëm dhe rrjedhimisht përfaqësues të dekadencës. Në veçanti tragjedia greke është interpretuar si një shprehje e impulsit jetësor, apo siç shprehet Niçe e "momentit dionisiak". Niçe u lëshua mbi kohën e vet, me furinë e një shterngate të majisur nga bruztia e kahershme. U vërsul plot tërbim e tërsëllimë mbi vlerat morale të shoqërisë dhe altruizmin, të cilat, sipas tij mohojnë vetë jetën. Ai guxoi se kjo përkujdesje e ngas vrullin dhe energjinë përnga një ndrydhje vetësakrifikuese. Vrasi misionin sublim, me të cilin qënja humane ka ardhur prej zanafillës e derimtashme, në të jetuarin e vet. Ai nuk e kupton ekzistencën në një rrjedhë që ecën heshtur dhe paqësisht. Ky vërshim tinzar e tërbon, e ngre pupthi, e ligshton, e zhvesh nga armatura e randë e luftave dhe përpjekjeve titane për t'u ndeshur, për të dëshmuar, për të mëtuar misionin e vet, atë të Sizifit. Ky njeri, kjo krijesë inferiore, të cilës ai i shpalli luftë dhe bëri çmos ta denigronte gjenetikisht, kërkon të përfitojë nga e tashmja, nga gjithseçka e një çasti që iken pa kthim. Jeta është një kacafytje dhëmb për dhëmb, në gjithçka dhe për gjithçka, me dhimbje e piskama, me triumfe dhe adrenalinë. Ndryshe, me jetën.
Sipas tij njeriu duhet të përjetojë dhimbjen të pjesë e tij e energjisë, pasi "ajo çfarë nuk të vret, ajo të bën më të fuqishëm". Koncepti i njohur i Niçe "vullneti për fuqi", luan një rol kryesor në filozofinë e tij, duke u shprehur se "është esenca e ekzistencës njerëzore, sikur t'i thuash jetes po!", pra afirmimi i saj. Sipas tij, koncepti "fuqia e vullnetit" lejon tejkalimin e njeriut, jo eliminimin e tij, pra braktisjen e idhujve dekadentë dhe shpresës për një jetë në botën e pasvdekjes dhe pranimin e jetës ashtu siç është ajo.
Ky titan i mendimit njerëzor, kjo ngrehinë e bëshme që fillëron agimet e njeriut që predikoi ai, gulmoi dhe mbërriti shumë larg dhe shumë lart.
"Kështu fliste Zarathustra", "Njerëzor, tepër njerëzor","Lindja e tragjedisë", "Filozofët", "Ecce Homo", "Udhëtari dhe hija e tij", "Shndërrmi i të gjitha vlerave", "Perëndimi i idhujve", "Përtej së mirës dhe së keqes", "Agu i mëngjesit: Mendime mbi paragjykimet morale", janë disa nga veprat e këtij filozofi të madh, të cilat duke ardhur në gjuhën shqipe, jo tash, por që në vitet '30 dëshmojnë një vullnesë për të përqafuar një nga majat më të mprehta dhe më të garrametshme të qasjeve njerëzore, përnga predikimi i mbinjeriut, si njeriun bashkëkohor, si qënjen përfaqësuese dhe përçuesin e një brezi avangard.
Fridrih Niçe është padyshim një prej figurave më të rëndësishme në historinë e mendimit filozofik. Korpusi i tij rrapëllitës, i qasjes dhe botkuptimit, u përflak si shkas i një hopi kundër rrymës. Ajo u kungua si maniera e tij novatore, e të konspektuarit dhe ravijëzuarit të gjithçkasë dhe në çdo perceptim të mjedisit, nisur nga një pikëpamje e pavarur nga filozofitë e deriatëhershme. Gjithseqysh ai erdhi me një mision të madh, dhe iku i përplotësuar dhe diktues i një gjenerate të re, të përpirjes në shtjellën babëzitëse të filozofisë. Shëndërrimi i të gjitha vlerave është një prej ideve më domethënëse, të krijuara ndonjëherë. Fridrih Niçe jetoi në një kohë kur mendimet mbi vlerat dhe virtytet ishin duke pësuar ndryshime të dukshme. Një erë e re, një kataklizmo, kishte hapur bulshinjt e tij të pangopur, përpinte dhe përtypte gjithçka në atë dualitet shekujsh. Përzishmëri dhe shterngatë mendimi, hove tranzicioni dhe kacafytje me të atëhershmen e me traditën, me myshqet që ndereshin mureve të lagështa të shekullit që ikte dhe një tjetri, në ag, që vinte. Fridrih Niçe dhe shumë bashkohës të tij, ma kanda të përmend të madhin e mendimit vjenez, Zigmund Frojd, guxuan dhe hodhën në flakët që kishin kallur ata, për të djegur myshet dhe boshësinë e një bote që kërkonte të ringrihej nga hiri.
Një sër antivlerash (duke i konspektuar në raport me status quo-në, ato ishin vlera në raport me të shkuaren antivlera) lindtte domosdoshemerisht kërkesa për vlera të reja, e njëherash lindtte kurajoja e një starti të pashoq, që në kryeherën e vet u vu qëllim individualiteteve që përfaqësonin atë kohë dhe vetë epokës që po i shqyenin derën, të kryengritnin një të tashme dhe një të shkuar të mendimit filozofik. Fridrih Niçe, ndryshe nga tankush tjetër, shpalosi mendimin dhe kushtroi me botkuptimin e tij, shkoi më larg, shumë larg. Ai i dha jetë një sistemi të tërë dhe novator vlerash. Një kursi të ri mendimi, tek i cili ai besonte dhe shpresonte.
Në këtë amfiteatër larushitës, shprehish mendimi, thellësishë të pamata të vizioneve ardhmëruese dhe eterne, Fridrih Niçe ka skalitur në memorien e asokohëshme, që gjallon ndër ne sot, një shprehje të famshme, që u kthe në një psalm të mendimit të tij iluminist. "Zoti Vdiq..!"
Zoti vdiq. Zoti mbetet i vdekur. Dhe ne e vramë atë. Si mund të ndihemi në rregull, në vrasës të gjithë vrasësve? Asgjë s'ishte kaq e moçme dhe e madhe në mbarë botën, dhe tani pikon gjak poshtë gjurit tonë: Kush do të na e pastroj gjakun? Çfarë uji do përdorim për t'u larë? Çfarë feste për t'u falur dhe çfarë loje duhet të prodhojmë? Nuk është kjo, ndoshta, madhësia e një vdekje kaq e madhe për ne? Nuk duhet të bëhemi, ndoshta, divin thjesht për të qënë të denjë?
Një ligjërim i tillë të gjunjëzon para të vetmit altar, ai i vetëvetes. I asaj qënjeje që duke qenë e mështjellë e gjitha nga një masë e madhe mishi, eshtrash e gjithçfarë përbën tërësinë e identitetit tonë anatomik, ndjehet i burgosur, por dhe i yshtur nga një pasion i fuqishëm lirie që e vërsul përpara. I ndjellë nga zemërata e vargonjëve dhe e mureve, ai ngrihet dhe lëshohet si një shtërngatë, duke marrë përpara gjithçka që derimtash e ka formëzuar si një qëllim përnga hiçi. Ai beson se hiçi është bosh dhe duke qenë i tillë ai është i frikshëm. Tek perifrazimi se "Në një pikë tjetër unë jam ende babai im dhe, në një farë mënyre, zgjatim i jetës së tij pas një vdekjeje të parakohshme". Ne domosdo na duhet të thërrasim copëzat e hapërdara nëpër ëndrra të vetes sonë dhe t'i ngjitim për t'i dhënë jetë asaj që na ngucat të besojmë si një të vërtetë e pamëdyshtë. Pra, të pranojmë njëheraz se jemi, çfarë ishim ADN, pas gjenetik.

Në këtë kujtesë, kumtojmë dhe kungojmë atë që mëtoi ai si një vlerë, si një yshtje e qëllimshme përnga një forcë e pamatë vullneti që tejkalon gjithçka dhe mbërrin gjithsekund. Mbinjeriu që ndërzeu ai 110 vite më parë, është njeriu modern, është kjo tërësi metafizike që ngrihet mbi vetveten, merr hov dhe vërsulet mbi çdo gjë si mbi zjarrin e ferrit, i bindur se nuk ka flakë që do ta djeg, e t'i vërë fre vërshimit të tij uturitës. Kjo kreaturë, ky model, ecën përkundër rrjedhës. Gjithnjë provon. Për të nuk ka humbje. Dhimbja e rrit, i shton forcat, e motivon për të vazhduar rrugën. Nuk ka mëshirë, padyshim, sepse nuk mund të pranojë as veten, as një botë që hiqet zvarrë. Për të, kishte një Olimp të qëllimeve tona prej Zeusi.

Comments

Popular posts from this blog

Behar Mera: Dibrançja ime që vuri në siklet Rita Latin

Kush është Frederik Shopen

TOMAS HOBSI : Është cilësi e njerëzve që nga zanafillj që njeriu për njeriun është ujk