Letër mikes në ditën e lamtumirës së fundit, me të vëllain!
Albina Gjergji, mike dhe kolege, sot, sot në
këtë ditë të një lamtumire të trishtë me fort të shtrenjtin vëlla, Viktorin,
gjendemi pranë teje dhe gjithë atyre që vrau pa mëshirë kjo vdekje, me një
përshpirtje të ndjerë.
Sot ti u ndave me vëllain tënd me një grusht
dhé, në një lamtumirë që dhemb kaq shumë, në një lamtumirë që s’e përmbytin dot
lotët, në një lamtumirë që la ndër ju një plagë, në një lamtumirë që ju lë nga
pas një mungesë të gjatë dhe të trishtë.
Mike, kolege, çdo lamtumirë dhemb, edhe kjo që
ti u desh t'i jepje sot vëllait tënd, pak ditë pasi ai kishte mbushur 49 vjeç.
Është e dhimbshme, aq sa janë ndarjet në zemrën e një nëne që ndahet me birin e
saj, aq sa janë ndarjet e motrave dhe vëllait me atë, me të cilin keni ndarë
moshën më të bukur, siç ju kanë bashkuar me të, momente që do t’i ruajnë
kujtimet, kujtimet që do të të dhembin, siç dhemb çdo mungesë.
Dhemb mike, lamtumira e vëllait. Dhemb në
zemrën e fëmijëve të tij, të cilëve do t'u mungojë ai zë, ajo prekje, ato
qortime, ato gazmime që kanë lënë kudo rreze drite nëpër shtëpinë ku ai sot
mungon.
Dhemb mike, për bashkëshorten, atë që ka ndarë
me të barrën e jetës dhe gëzimet e dashurisë, atë që ka bashkuar zemrën dhe më
të hyjshmin akt të përtëritjes së gjeneratës, me vëllain tuaj.
Ti i dhe sot lamtumirën e fundit vëllait të
dashur, babait të nipit dhe dy mbesave. Një lamtumirë e trishtë nëntori që kaq
të dhimbshme e bëjnë, nëna juaj, motrat tuaja, vëllai, nipat dhe mbesat. Ata
gjithçka kishin e dhanë me gjithë zemër në këtë ikje të Viktorit në përjetësi,
e dhanë me lot dhe pikëllim, e dhanë me atë dhimbje që do të dhembë gjatë,
shumë gjatë.
Është e tmerrshme çdo ikje, mike. Krisja e një
zemre brenda një dite copëtohet nga përplasja e një lajmi që vjen me fjalë
vdekjen.
Kujtesa, kujtesa mike dhe kolege e mban
Viktorin, vëllain tuaj ende mes jush. Në dhomën aty ku do të mungojë, zëri i
tij do t’ju pëshpërit në vesh fjalë zemre. Në vendin ku ju u ndatë me të së
fundit herë, ai do t'u shfaqet me atë buzëqeshjen më të bukur që ka ruajtur kujtesa
juaj dhe ashtu në mungim, do të përpiqet të mbushë boshllëkun që ka lënë ikja e
tij e parakohshme.
Nëna, fëmijët, bashkëshortja, motrat, vëllai
dhe të gjithë të dashurit janë copëza kujtimesh që do t'u mbajnë të lidhur
përgjithmonë me të, sot e përgjithmonë. Janë grushtet më të forta të dhimbjes
që do godasin pikëllimin tuaj, janë fjalë që do të fluturojnë në ajrin ku
dëgjohen fjalë pikëlluese, dihamë lotësh dhe shtërzime zemrash që i gërryen kjo
ikje.
Të gjithë kemi humbur të afërm dhe duhet të
mos harrojmë se të gjithë të asaj rruge jemi. Ky nuk është një ngushëllim për
dhimbjen tuaj, por një dorë që pushon mbi plagën që hap çdo dhimbje e këtillë
që ka kapluar familjen tuaj, me ikjen e parakohshme të vëllait tuaj të dashur,
Viktorit.
Zemrën e fortë mike.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij. Më të
bukurat fjalë, më të këndshmet momente, më të ëndshmet dëshira, më të
ndritshmet përjetime, qofshin ato që do t’u mbajnë të pandarë me vëllain tuaj.
Sot është një ditë e trishtë, është një ditë
ndarjeje, një ditë pikëllimi dhe lotësh, është një ditë ku të gjithë të jemi
pranë, me fjalë, fjalë të cilat nuk do ta rikthejnë vëllain e humbur, por do të
të paqtojnë stuhinë e zemrës, zemrës që dhemb kaq shumë nga humbja.
Krishti e pastë në Parajsë Viktorin!
Comments
Post a Comment